E enjte, 28.03.2024, 10:14 AM (GMT)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Paraqitje jo e kënaqshme e Akademisë

E marte, 09.07.2013, 08:02 PM


PARAQITJE JO E KËNAQSHME E STRUKTURËS

FOLJEFORMUESE TË SHQIPES NË

GRAMATIKËN E AKADEMISË

(Me rastin e (ri)botimit të veprës Gramatika e gjuhës shqipe 1, Tiranë 2002)

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Nga Gramatika e gjuhës shqipe 1, Tiranë 2002, "variant i ripunuar" i  maketit Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe II, Morfologjia, botim i të njëjtit institucion: AKSH, Insititutit të gjuhësisë dhe letërsisë, Tiranë 1976, me qëllim konsultimi e vlerësimi, veçuam pjesën Formimi i foljeve  (nga kreu VII Foljet, f. 342 - 355), të cilën e krahasuam me tekstin e botimit të parë (1976) dhe vërejtjet e konstatimet nga kjo punë dhe përgjithësisht që dolën, lidhur me strukturën foljeformuese të shqipes, po i shpërfaqim në këtë vështrim-trajtesë, që i tejkalon përmasat e një recensioni të rëndomtë, me ç'rast vëmë në pah:

së pari, ndryshimet dhe plotësimet që i bëhen tekstit të mëparshëm;

së dyti, gabimet e shtypshkrimit dhe lëshime të karakterit grafoteknik e të metodikës së punës të mbetura në tekstin e ri;

së treti, lajthitjet e mospërputhjet në krahasim me normën në fuqi dhe me të arriturat e reja në këtë fushë;

së katërti, konstatimet e diskutueshme nga teksti që lypsen rishikuar, korrigjuar a përpunuar;

së pesti, plotësimin e strukturës foljeformuese të shqipes me fakte të reja dhe masat për thjeshtëzimin e spastrimin e saj dhe

së gjashti, kërkesë-porosinë që, pa pritur arsyetime, duhen bërë përplotësimet e përmirësimet e domosdoshme, duke i pasur në konsideratë vërejtjet nga ky vështrim.

I. NDRYSHIME E PLOTËSIME BËRË TEKSTIT

TË MËPARSHËM 

Së pari, vihet re se tekstit i janë bërë disa ndryshime, sigurisht në të mirë, siç janë:

1. Përveç ndryshimit të titullit si dhe pamjes së jashtme të kopertinave është bërë edhe ndryshimi në shifrimin e paragrafëve, kështu, në vend të paragrafëve 149-155, në tekstin e ri del shifrimi 7.22, përkatësisht 7.22.1 - 7.22.8, d.m.th. është shtuar vetëm paragrafi i fundit 7.22.8 (Folje të përngjitura) që në tekstin e mëparshëm përfshihej paksa, në fund të paragrafit të foljeve të përbëra, vetëm si Shënim.

2. Përveç rastit të mësipërm, kur shënimi nga paragrafi i mëparshëm kalon në paragraf më vete a si nëntitull i veçantë, paragrafa këta, që pothuajse që të dy janë të vetmit që pësojnë plotësime më të ndjeshme në krahasim me të tjerët. Në të  vërtetë, në tekst ka edhe raste të tjera ku janë shtuar, qoftë fjalë sqaruese, qoftë kryerreshta të tërë, si p.sh. f. 348, f. 353, nga njëra anë, por njëherazi, nga ana tjetër, ka raste kur është bashkuar kryerreshti (f. 344) ose është hequr (korrigjuar) ndonjë fjalë a  pjesë teksti, siç është pika 1. e Shënimit te Prapashtesa -to, siç është edhe ndërrimi i vendit të pikave të renditjes të Shënimit lidhur me Prapashtesën -os (f. 347).

Së dyti, tekstit i është bërë edhe ndonjë korrigjim rasti, të fjalëve a shprehjeve si p.sh.:

1. folja falnderoj është korrigjuar në falënderoj,

2. emri përallë në  përrallë,

3. togfjalëshi sonante paraprise në sonante paraprijëse,

4. togfjalëshi folje veprore jokalimtare është thjeshtuar në folje jokalimtare,

5. togu "ndonjë tjetër"(f. 350) është zëvendësuar me shkurtesën etj.

Së treti, po e cek edhe një rast, paksa, të veçantë që lidhet me ndryshimin e shquarsisë së shumësit të emrit përkatës, siç është togfjalëshi: "foljet e huazuara" është ndryshuar në folje të huazuara (f. 343), si dhe rastin tjetër të ngjashëm, ku shprehja: dalin foljet e tipit del e korrigjuardalin folje të tipit si (f. 343), shprehje kjo me ndryshim shquarsie dhe me shtimin e pjesëzës si, që sigurisht del më e qëlluar, ngase me  pjesëzën si shprehja jep për të nënkuptuar se ka edhe shembuj të tjerë të këtij tipi a nëntipi dhe se këta, të shënuarit, shërbejnë si shembuj përfaqësues,  vetëm sa për ilustrim.  Në të vërtetë, ndonëse kjo zgjidhje nuk del e respektuar në të gjitha rastet edhe në vetë tekstin në fjalë, nga shembulli i përdorur, për mendimin tonë, mbase mund të dalë sugjerimi ose, të themi, se  mund të përligjet një sirregull me këtë përkufizim: Kur para grupit të shembujve ilustrues përdoret pjesëza si para dypikëshit e pas pëshë-së (shkurtesës p.sh.) ose vetëm për vetëm, atëherë s' ka nevojë të vihet shkurtesa etj. në fundnë të kundërtën, kur nuk vihet kjo pjesëz, ka nevojë të përdoret shkurtesa etj., apo ndonjëra nga shprehjet sinonime: e kështu me radhë ose e ndonjë tjetër.

Së katërti, bie në sy gjithashtu, si të thuash, shqipëzimi i disa termave, kështu, fjalë-termi  plan është zëvendësuar me përgjegjësin rrafsh, andaj, togfjalëshi: në planin diakronik del në rrafshin diakronik; ndërkombëtarizma onomatope është zëvendësuar me tingullimitim, shprehja: kuptim i figurshëm me kuptim i barturnuanca kuptimoreme ngjyrim kuptimor e, në rrafsh më të gjerë, kemi edhe zëvendësime të tjera si: siparashtesë për sufiksoid (f. 355), sindajshtesë për afiksoid, tema e fjalëformës ose tema morfologjike për temë e trajtës së fjalësalomorf për variant e ndonjë sinonim tjetër, tip veprues për tip aktiv, tip prodhimtar për tip produktiv e ndonjë fjalë-term tjetër.



Së pesti, i janë shtuar tekstit disa siparashtesa foljeformuese që nuk ishin në tekstin e mëparshëm: bashkë, drejt, para, tej, si dhe përemri vetë me shtesën etj. (f.355), duke dhënë për të kuptuar se mundësia e inkuadrimit të siparashtesave të tjera (kryesisht  si ndajfolje), mbetet e hapur.

Së gjashti, është shtuar gjithashtu edhe komentimi me ilustrim, jo pa interes, që ka të bëjë me fjalë-përngjitjen e tipit: përshtat me përshtatë përshtatur (për+shtat/i nga "i bie për shtati") që cilësohen njëherazi edhe si fjalë të prejardhura më parashtesim a siparashtesim  (f. 355), proces ky që gjithnjë e më tepër do të zhvillohet në të mirë të parashtesimit sesa të përngjitjes.

 

Sidoqoftë, shikuar në përgjithësi me këto përmirësime, mund të themi se skeleti a ashtnimi i strukturës foljeformuese bëhet paksa më i ravijëzuar, mirëpo sa i përket muskulaturës a mishnimit, përmbajtjes, shtjellimit a thurjes së brendshme të këtij organizmi, siç shihet edhe nga vetë titulli që i vumë vështrim-trajtesës sonë, struktura foljeformuese del jo e kënaqshme. Është fjala, për pak a për shumë mangësi, le të vlerësohet. Konstatimet tona në vazhdim po i japin  me tejdukshmëri të plotë.

 

 

II. GABIME SHTYPSHKRIMI E LËSHIME TË KARAKTERIT

GRAFOTEKNIK DHE TË METODIKËS SË PUNËS

QË DUHEN MËNJANUAR

 

Së pari, pa tjetër lypsen korrigjuar këto gabime shtypi:

1. në tekst është "kuptim anatonik" duhet  kuptim antonimik (f. 352) ;

2.është  "e mata dhe e sëmata" duhet e mata dhe e stërmata (f. 352);

3. shkruan  "shih pikën c" duhet shih pikën ç) (f. 350) dhe

4. është "me alomorfim" duhet me alomorfin (f. 345).

Së dyti, për mendimin tonë, duhen përmirësuar edhe disa lëshime të karakterit grafoteknik të shtypshkrimit, kështu, veç që në të ardhmen do të ishte mirë të rritej përmasa e shkronjave, së paku për 2-3 numra, mbase duhet të rritet edhe përmasa (gjatësia e gjerësia) e faqes së librit, por domosdo duhet të respektohet hapësirë e lirë  gjegjëse (rreshta të bardhë) para paragrafit a nëntitullit përkatës, ngase mungon: një hapësirë e tillë: f. 344, 353 dhe në tri raste f. 354.

Së treti, duhen vënë shenjat e pikësimit, si vijon:

1. pikëpresje pas shkurtesës etj. (f. 343), pasi pika tjetër sqaruese fillon me shkronjë të vogël dhe

2. pikë (.) pas nëntitullit "Prapashtesa llo" (f. 346).

Së katërti, duhet respektuar radha e alfabetit të shqipes në pikat sqaruese të nënrenditjes /a), b), c), ç) d),(?), e), ë)/, ngase arbitrarisht (f. 352) është anashkaluar shkronjadh).

Së pesti, kishte me qenë mirë që të futeshin në veprim pikat renditëse të sqarimit 1), 2), 3) ... edhe në këto raste:



1. përpara tre kryerreshtave të Shënimit te Prapashtesa -(ë)zo (f. 346), ngase si duket pikërisht për një mungesë të tillë, dy kryerreshtat e fundit të shënimit me rastin e ribotimit, pavërejtshëm, kanë kaluar në tekst të rëndomtë (!);

2. gjithashtu,  kishte me qenë mire, që të dyja përmbajtjet (kyerreshtat) (f. 343): foljet e parme nga  foljet jo të parme të veçohen me numra renditës, përkatësisht: 1)Kështu do të merren të parme... dhe 2) Nuk do të merren si folje të parme...

Së gjashti, mënyra e shenjimit, të renditjes me shkronja të vogla të nëntitujve dhe të sqarimeve në kuadër të tyre, duhen dalluar, p.sh., për nëntitullin "a) Parashtesa për-" është vënë a) (a e vogël me kllapë) po ashtu në nënrenditje edhe për pikën e sqarimit po në kuadër të këtij nëntitulli është vënë a) (a e vogël me kllapë), në vend që njëra të dallohet, qoftë me  a. (a me pikë) ose ndryshe. Kjo vërejtje e sapocekur vlen për tërë tekstin.

Së shtati, gjithashtu kishte me qenë mirë që metodika e  punës  të ketë një dorë veprimi, andaj  po japim edhe këto tri propozim-vërejtje:

1. Shembulli i parë i grup-shembujve, fillimisht të shënohet i plotë e pastaj në  kllapa të jepet zbërthimi, që nënkupton faktin, se edhe shembujt e tjerë në radhë kanë të njëjtin zhvillim (zbërthim), p.sh.: ngazëlloj /(n)gaz-ëllo-j), mbushulloj (mbush-ullo-j), bulëzon (bulë-zo-n ), shtetëzoj (shtet-ëzo-j), aktivizoj (/aktiv-izo-j ose aktiv-iz/o-j); flakëroj/ (flakë-ro-j), pohoj (po-h-o-j, poh-o-j a po-ho-j), arnoj (arn-o-j)/...  e kështu me radhë.

2. Të praktikohet përdorimi i shkronjës së vogël pas dypikëshit për të gjitha rastet,  kur kemi të bëjmë me njehsimin a paraqitjen e grup-shembujve përfaqësues të një nëntipi, përkatësisht ashtu, siç ka dalë a është vepruar f. 346 e në raste të tjera,  së këtejmi, pse mos  të veprohet edhe f. 344, apo jo?

3. Për arsye konkretizimi, për mendimin tonë, e do vendi, që, kur ceken foljet e parregullta si folje të parme (pika c) f.340), të jepet, së paku, sa për ilustrim, edhe ndonjë shembull konkret i foljeve të tilla supletive e gjysmësupletive.

Sidoqoftë, këto vërejtje e sugjerime mendojmë se kanë vlerë, andaj duhen pasur parasysh, jo vetëm sa për të marrë në dijeni, por edhe për t'u shfrytëzuar në të ardhmen, qoftë me rastin e ripunimit të këtij, qoftë gjatë përpunimit të teksteve të  tjerë të ngjashëm.

III. LAJTHITJE GJUHËSORE E KUPTIMORE NGA TEKSTI

TË CILAT DUHEN MËNJANUAR

Së pari, ndonëse qëndrojnë si shembuj përfaqësues, kanë mbetur pa u harmonizuar me normën drejtshkrimore këto tetë folje:

1.anulloj (f. 343) në normë anuloj; 2. entusiazmoj (f. 344) në normë entuziazmoj;  3. çlyej (f. 350)  në normë  shlyej; 4/5. mbrej e zhbrej (f. 351) në normë mbreh e çmbreh, 6. arrësej (f. 280) në normë arsej, 7. lipset lipsur (f. 261, 312, 321) në normë lypset lypsur dhe 8. thom (f. 306) në normë them.

Së dyti, për çudi, kanë mbetur të pakorrigjuara edhe këto tri kundërthënie, shprehimisht jologjike:

1. Folja shpesh+toj (d.m.th.e cilësuar si folje "me prapashtesën -to") shpjegohet se vjen nga mbiemri i shpesh"(!) / (i) shpesht-Oj/ (f. 346) e jo nga shpesh ashpeshoj(!),

2. Folja nxiron njëherë shpjegohet e zbërthyer nxir+O-N (f. 344) e pak më poshtë, f. 345 (!), cilësohet me arsye si folje e formuar me prapashtesën -RO nxi+ron(!) (me nxi).

3.  Prapashtesa -llo shënohet bashkë në grup me prapashtesat -RO, -TO, -SO, -ZO, po përjashtohet në konstatim, duke mos u cilësuar edhe kjo si sinonim me to, pa kurrfarë arsyetimi (!).

Së treti, po përmendim dy lëshime lidhur me mosshquarsinë e prapashtesës së emërzuar në rastet:

1.  "lli, lle  konsiderohen si variante të llo" f. 347,   duhet: -lli, -lle  konsiderohen si variante të -llo-së dhe

2. sqarimi i karakterit të ndërmjetëm a përkallës "me përjashtim të l" (f. 345)  në vend: me përjashtim të l-së.

Shënim: Në të vërtetë përveç trajtave më l (më drejt -ël) fundore përjashtim bëjnë edhe trajtat e fjalëve me fundoret r (-ër) dhe më -ll (-iell ose -ull). Krahaso:ëmbëlsoj, vjetërsoj, tjetërsoj; diellsoj, qiellsoj, rregullsoj etj. Kështu si është sqarimi mbetet jo i plotë.

Së katërti,  i ndeshim të shënuara në tekst nja 3 folje si trajta përfaqësuese, por që nuk i hasim dot në fjalorët tanë normativë. P.sh: 1. shplaj (f. 353), 2. bashkëfjalosem(f. 355) dhe 3. helmatoj (f. 348). Këtë rast kontestohet vetëm e drejta e përfaqësueshmërisë normative.

Së pesti, në tekst ndeshim këto folje që sipas burimeve përkatëse normative nuk dalin të favorizuara kundrejt trajtave të tjera paralele të rekomandueshme:

nanurit në vend nanuris, krokëllit në vend krokëllin, mjaullit në vend  mjaullin,

shoshloj f.347 në normë shoshëloj, çelnikos, në vend çelikos,  trokit, në vend  trokas,

vleftësoj, në vend vlerësoj,  zvarris,  në normë zvarrit, përtërit, në normë përtërij,

vajis, në normë vajoj ose vajos, pajos, në normë pajis ose pajoj; helmatis, në vend    helmoj. përrallos, në vend përrallis përralloj,  nxin për trajtën nxij, zbutoj përzbut,fisnikoj, në normë fisnikëroj(!),  njëzoj për njësoj (!).

Shënim: Në këto 17 raste vërejtja bëhet pse shembujt përfaqësues nuk janë harmonizuar me trajtën favorizuese sipas normës leksikografike në fuqi. Për këtë kemi parasysh FGJSSH-në dhe FSHS-në, përndryshe, dy-tri rastet e fundit e ndonjë tjetër, ka mundësi të qëndrojnë si forma paralele, duke u përdorur secila për nënfushën e caktuar semantike që e mbulojnë a mund ta mbulojnë.

Së gjashti,  ndeshim këta dy emra  të shënuar si shembuj a  trajta përfaqësuese po jo në përputhje me normën në fuqi, p.sh.:

1.  kalli kalliu, në normë kalli kalliri, kallinj kallinjtë (f. 351);

2.  gju gjuri gjunj(ë), në normë gjunjë, gjunjë gjunjët (!) f. 346, 349.

Shënim: Rasti i dytë mbase më mirë kishte me qenë po të ishte normëzuar në trajtën gju gjuri gjunj gjunjtë, ngase kështu edhe ky emër do të hynte në një grup me ata emra që e bëjnë shumësin me -nj, sikurse b.f. kalli kalliri kallinj kallinjtë, kërcu kërcuri kërcunj kërcunjtë etj. Sidoqoftë, trajta gjunj(ë) e shënuar kësisoj në tekst as nuk është trajtë normëzuese (aty f. 101),  as nuk i bashkohet grupit të emrave që e bëjnë shumësin (tash të diskutueshëm) me mbaresën -nj ose -j.

Së shtati, në tekst ndeshim edhe këto trajta foljore që bien ndesh me drejtshkrimin, përkatësisht foljeformimin që lidhen me specifikimin e formanteve fjalëformuese, por pa e reduktuar zanoren fundore të temës fjalëformuese, si p.sh:

1. ndajfoljëzoj (f.346), në vend ndajfoljEzoj;

2. rrokëzoj (f.346), në vend rrokjEzoj;

3. shkripësoj (343), në vend shkripëzoj;

4. çlyrësoj (f. 354) më drejt çlyrëzoj.

Shënim 1: Njëherazi tërhiqet vërejtje se tri pikat sqaruese të shënimit (f. 346), dalin të diskutueshme, siç do të shohim edhe më poshtë, por te pika e parë që ka të bëjë me foljet ndajfoljezoj e rrokjezoj dalin të paqëndrueshme që të dyja konstatimet:

1.  Aty  thuhet se te ndajfoljezoj është errësuar e-ja në -ë , prej nga del trajta normative ndajfoljËzoj (!);

2.  dhe te rrokje+zoj, -je del e reduktuar në ë, prandaj del trajta e normëzuar rrokËzoj"(!).

Themi se janë konstatime të paqëndrueshme që të dyja, sepse trajtat e reduktuara (!) sipas tekstit në fjalë, norma leksikografike as ajo drejtshkrimore nuk i ka pranuar (shih: Fjalorin drejtshkrimor (1976) dhe FGJSSH (1980), f. 492 dhe f. 712), prandaj të dyja konstatimet e mësipërme kansiderohen të pa vlera, të paqena.

Shënim 2: Të vihet re fakti se pikërisht tek emrat me prapashtesën -JE, të tipit: hoje, fije; folje, ndajfolje, prehje, rrokje, mendje etj. me rastin e foljezimit më -zo,  E-ja fundore, më drejt prapashtesa -JE nuk reduktohet, por ruhet e tillë brenda temës fjalëformuese, prandaj një rregull e tillë e praktikuar në drejtshkrim e leksikografi, nuk ka arsye  mos të njihet e respektohej patjetër edhe nga gramatika normative (!).  Nuk duhen ngatërruar rastet me -E a Ë fundore, si: lule (lulë) lulëzoj, rrokë rrokëzoj, me fjalë-temat e tipit më -JE fundore: hoje hojezoj, fije fijezoj, folje foljezoj, rrokje rrokjezoj e kështu me radhë.

Së teti, duhen saktësuar edhe këto pesë raste që kanë të bëjnë me shpjegimin a zbërthimin jo adekuat të trajtës së caktuar:

1. Thuhet se te folja përsërit, sipas zbërthimit përsëri+IT, domethënë me rastin e  puqjes së dy i-ve, njëra fundore e temës, tjetra nistore e prapashtesës, me rastin e foljezimit "bëhet zhdukja e njërës i" (f. 348), pra lihet e hapur mëdyshja, vallë, cila prej i-ve del e zhdukshme(!), ndërsa siç shpjegohet në vetë tekstin e kësaj gramatike, përgjigjja del qartë: "zanorja fundore e temës fjalëformuese, si rregull, bie kur prapashtesa fillon me zanore" (aty f. 67), prandaj edhe kjo lajthitje lypset përmirësuar.

2. Te formimi me para-prapashtesim  njëkohësisht është marrë shembull fjala përtërit (në normë përtërij), e cila  zbërthehet aty për+tëri-t (f.353), d.m.th., jo mirë, ngase, së pari, sipas mendimit tonë, nuk del e shënuar prapashtesa e plotë -IT dhe së dyti, ndonëse sqarohet, po aty, se si temë motivuese e kësaj fjale del mbiemri i ri (aty f. 354), ai nuk dallohet nga zbërthimi. Siç dihet në zbërthimet e tilla kërkohet sipas rregullit që "së paku" njëra prej komponenteve përbërëse a njëra gjymtyrë përbërëse  "si temë e parme" të jetë  "detyrimisht temë e qartë fjalëformuese" (f. 61), prandaj sipas fjalëndërtimit dhe fjalëformimit të fjalës konkrete, zbërthimi duhet të nxirrte në pah më qartë mbiemrin (i) ri, (që del edhe si folje rij,  me ri), prandaj zbërthimi morfologjikisht  duhej të bëhej kështu: për të ri+it (me përtëritë, përtëritur) ose (sipas normës) për+të+ri+ij > përtëri+ij > përtërij (me përtëri, përtërirë). Krahaso, sa për kërshëri, foljet paralele rij e përtërij (me ri e me përtëri).

3. Lidhur me konstatimin që jepet në tekst për foljet aktivizoj, kolektivizoj, centralizoj (f.346), ku thuhet se janë "folje të formuara nga mbiemrat"(!) dhe se "prapashtesa -zo- paraqitet e zgjeruar me -i"(!),  kemi dy vërejtje:

1) fjalët: aktiv, kolektiv, central  parësorisht i ndeshim si emra e jo si mbiemra (!) dhe

2) në rastet e tilla  -i-ja nuk del si mbështetëse e prapashtesës -zo, por është pjesë e pandarë e infiksit -iz- të huazuar  nga gjuha dhënëse, krahaso:

aktivizoj: it. attivizzare, serb. aktivizirati;

kolektivizoj: fr. collectiviser, serb. kolektivizirati;

centralizoj: it centralizzare, serb. centralizirati.

Prandaj edhe konstatimet e mësipërme duhen rishikuar a korrigjuar, sepse nuk i përgjigjen realitetit.

4.  I diskutueshëm, për mendimin tonë, del fakti, pse në tekstin e ri para prapashtesave sinonime: -to, -ro, -so, -zo është shtuar mbështetësja  si me qenë një element i domosdoshëm për të gjitha rastet kur tema mbaron me bashkëtingëllore?

Së pari, një rregull e tillë në asnjë rast nuk vlen për prapashtesën -to, krahaso shembujt në vetë tekstin (f. 345, 346): shkaktoj, tregtoj, shtegtoj, robtoj; njoftoj, dridhtoj, shqiptoj, shpeshtoj, emërtoj dhe

së dyti, madje në mjaft raste, ashtu siç ndodh edhe me prapashtesën -llo e të tjera,  mbështetësja -Ë- nuk del e përdorur fare as para prapashtesave të tjera, si p.sh.:

a) me prapashtesën -RO: ushtroj, aktroj(!);

b) te foljet  më -SO: ëmbëlsoj, tjetërsoj, vjetërsoj; diellsoj, njehsoj, rregullsoj dhe

c) te foljet me prapashtesën -ZO: diellzoj, miellzoj, motërzoj, engjëllzoj, kokërzoj, tjetërzoj, emërzoj (edhe këto trajta janë të normëzuara), e kështu me radhë.

Prandaj edhe ky veprim kërkon korrigjim ose sqarim. Zgjidhja në tekstin e mëparshëm në paraqitje dilte më e përkapshme, por edhe atje si këtu nuk ndahen veçmas shembujt më -ËZO ndaj atyre më -ZO, përkatësisht: -ËSO  ndaj -SO  pasi  aty ndeshim në grumbull si: sendëzoj (send-ëzo/j) ashtu edhe frymëzoj (frymë-zo/j) (f. 346), përkatësisht ngadalësoj (ngadalë-so/j) edhe keqësoj (keq - ëso/j) (f. 345) etj., dukuri kjo që është mirë të shmanget në të ardhmen.
5. Në tekst (f. 344,  346, 354) për foljet zotohem, mrekullohem; robtohem, betohem, si dhe mykem, përmiellem, përlotem, kollitem e çapitem -  thuhet shprehimisht se këto përdoren vetëm në formën joveprore (!), konstatim ky që bie ndesh me realitetin e sotëm, ngase, ç'është e vërteta, trajtat e tilla, konkretisht: zotoj, mrekulloj, robtoj, betoj, myk, përmiell, përlot, kollit, çapit e kështu me radhë, i ndeshim gjithandej në përdorim të përditshëm edhe në trajtën veprore dhe si të tilla dalin të sanksionuara edhe në fjalorët tanë normativë, prandaj edhe konstatimi i tillë duhet korrigjuar.

Sido që të jetë, lëshimet e sipërpërmendura, mendojmë se, jo vetëm duhen pasur në dijeni me rastin e konsumimit të tekstit në fjalë, por ato duhen korrigjuar pa lëkundje sa herë që të jepet rasti, dhe wsidomos me rastin e hartimit të gramatikës së re.

IV. KONSTATIME TË DISKUTUESHME NGA TEKSTI QË

LYPSEN RISHIKUAR, KORRIGJUAR A PËRPUNUAR

Siç do të shihet nga analiza dalin mjaft konstatime të diskutueshme të cekura në tekst, të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje të duhur aty dhe secila prej tyre besojmë se zgjon interes dhe nxit qasje profesionale, prandaj ne do t'i vëmë në pah paksa në vazhdim, pa bërë ndonjëfarë përzgjedhjeje rigoroze, sipas lëndës ose afrisë  semantike që trajtojnë:

Së pari, lypset sqaruar rasti kur mohoj zbërthehet mo-h-oj (f. 345), dhe shpjegohet se morfema mo- është  pjesëz e mohimit dhe anashkalohet shpjegimi, qoftë në raport me emrin  moh mohu, qoftë sipas fenomenit të elipses, ose nga një *me etimologjike? Sidoqoftë, morfema mo- si pjesëz e mohimit nuk del e shënuar kështu në asnjë burim normativ, por vetëm në trajtën e formëzuar mos? Shih, po në atë gramatikë, mos - si pjesëz mohuese (f. 421).

Së dyti, folja mburr (*burrë) si shembull është hequr në fillim si trajtë përfaqësuese që ishte bashkë me shembuj të tjerë të foljeve të parme: prier preh hartoj, po më poshtë, si fjalë ilustruese përfaqësuese, del si e tillë (!). Është interesant se po ky shembull në tekstin e po kësaj gramatike (aty f. 61) përmendet si fjalë e prejardhur, d.m.th. si fjalë e analizueshme me parashtesim: m+burr(ë).

Së treti, shtrohet pyetja pse prapashtesa -atis (f. 344) është hequr nga teksti në paraqitjen e parë të përbashkët me prapashtesat mbi temë në bashkëtigëllore, po ajo del  në ilustrim (f. 348), prandaj lypset sqaruar, ky kapërcim është bërë nga pakujdesia apo për ndonjë arsye tjetër, përndryshe mendojmë se formantet e tilla -atis dhe -atos, nuk dalin aq të domosdoshme për t'u përfillur si prapashtesa të mirëfillta të gjuhës shqipe?

Së katërti, edhe disa shembuj të foljeve të huazuara të shënuara në tekst, si ato fjalë që konsiderohen të paanalizueshme, ashtu edhe ato që konsiderohen të analizueshme, mund të dalin të diskutueshme sa i përket të drejtës së përfaqësimit, ngase:

1. foljet anuloj, verifikoj, b.f., që konsiderohen si të parme, të cilat dalin të zëvendësueshme me barasvlerësit përkatës të shqipes, përkatësisht shfuqizojvërtetësoj, nuk di sa meritojnë të shënohen në burimin e tillë normativ si huazime të karakterit të qëndrueshëm përfaqësues;

2. edhe qëndrueshmëria e përfaqësimit të foljeve të  huazuara si centralizoj, aktivizoj, të cilat konsiderohen jo të parme, pasi dalin të zëvendësueshme pjesërisht  në shqipe me barasvlerësit përkatës: qendërzoj, veprimësoj, për mendimin tonë,  lypset  rishikuar.

Së pesti, edhe sa i përket grupimit sipas kuptimit mendojmë se duhet bërë ripërzgjedhje,  b.f.:

1. Foljet: përkujtoj, përmbyt, përqesh, përpunoj nuk e kanë vendin  në grupin e foljeve ku "kuptimi i foljes së prejardhur nuk largohet shumë nga ai i temës". Ato duhet të dalin në grupin tjetër (f. 349), ku "kuptimi i foljes së prejardhur largohet mjaft nga ai i temës fjalëformuese". Për këtë mjafton të konsultohen përkufizimet që jepen për foljet e tilla në FGJSSH.

2. Gjithashtu edhe folja vezulloj (f. 346), duhet ndarë nga grupi i shembujve me temë tingullimituese, ngase kjo i takon grupit të foljeve jo me temë onomatopeike. Vezulloj sipas E. Çabejt vjen nga dhez dhezulloj (ndez), *dh > v. Gjithsesi kjo fjalë s'ka rrënjë tingullimitimi, prandaj  nuk duhet të ketë vendi në atë grup.

3. Edhe folja përhij (me përhi, përhirë) nga emri hi hiri (geg. hi hini)  nuk e ka vendin në grupin e foljeve të formuara me parashtesën për+emër lënde ( pika b) f. 349) nëntipi: përbalt (nga baltë), përjarg (jargë), përgjak (gjak), përmjalt (mjaltë), jo pse me emrin e tillë nuk tregohet lëndë, por për arsye se kjo folje sipas zbërthimit: për+hi+IJ përhiij përhij,  i takon, si rast, një grupi tjetër, tipit të foljeve të formuara me para-prapashtesim njëherazi, si përtërij, përshkëllij, lëpij etj., prandaj edhe ky fakt duhet pasur parasysh.

Së gjashti, në grupin e foljeve më -O pa zgjerim nuk e kanë vendin foljet si më poshtë:

1. flijoj (khs. fli+jO-j (f. 344), sepse del me prapashtesën -JO, ngase  J-ja epentetike bashkë me O-në në fjalëformim kryen funksionin e prapashtesës foljeformuese ashtu si dhe

2. foljet  ndërmjetësoj, ndërmjet+ëso-j, zëvendësoj zëvend+ëso-j (f.344), sepse, siç shihet qartë, këto dalin të formuara me prapashtesën -(ë)SO e jo më -O pa zgjerim, siç janë shënuar në tekst.

Së shtati, po i përmendim edhe disa konstatime të tjera të diskutueshme të përfshira në tekstin në shqyrtim:

1. Folja  pavdekësoj, thuhet në tekst , "kuptimisht lidhet më fort me emrin pavdekësi" (f. 354). Për mendimin tonë, ky pohim duhet pranuar me rezervë, ngase nga motivimi më tepër ka mbështetje te mbiemri përkatës i pavdekshëm sesa tek emri pavdekësi. Krahaso zbërthimin: pavdekësoj  (e pavdekësoj )  = "e bëj të pavdekshëm, paaftësoj (e paaftësoj) = " e bëj të paftë", pamundësoj (e pamundësoj) = "e bëj të pamundshëm" e kështu me radhë. Po ta shikojnë pak më hollë këtë dukuri, del se folja e tillë, që karakterizohet si folje kalimtare e zhdrejtë, kuptohet si njëfarë njëfoljezimi i togfjalëshit mbiemëror, çka mund të vërtetohet edhe në shembuj të tjerë dhe njëherazi kuptimisht lidhet edhe me foljen antonime pa parashtesën pa-, e cila zakonisht mund të ketë dalë e formuar më përpara se trajta me parashtesim pa-. Krahaso: aftësoj/paaftësoj, mundësoj/pamundësoj etj.

2. Nga teksti i mëparshëm është hequr togfjalëshi  formimi me  konversion  dhe në vend të tij doli zëvendësimi: formimi pa ndajshtesë (f. 344). Lind pyetja se në formimin e foljeve a del apo jo i përfshirë ndonjëherë edhe procesi i konversionit,  apo në kategorinë e foljes (veç tjerash) kemi të bëjmë vetëm me formim pa ndajshtesë (si proces morfologjik) e jo me konversion (si proces jomorfologjik, përkatësisht proces morfo-sintaksor), ndërkaq në anën tjetër dihet fakti se b.f. nga emri kyç del edhe folja kyç edhe mbiemri kyç. Madje, futet në kuadër të konversionit edhe formimi pa ndajshtesë apo jo dhe si qëndron raporti?! Kjo çështje, me sa dimë, nuk del e sqaruar gjëkundi, andaj do të ishte jo pa interes sqarimi pse është bërë zëvendësimi në tekstin në fjalë?

3. Në tekst me formantet çifte:  n- m-, sh- e ç- si dhe z- e s- (f. 351) manipulohet si me një parashtesë të vetme, më duket më e drejtë do të dilte shprehja: çifti sinonimik parashtesor n-/m-, ose çifti antonimik parashtesor: z-/s- ose n-/sh-, n-/z-, sesa të quhen të dyja formantet si një parashtesë e vetme, ngase ky konstatim bie ndesh me vetë faktin, ku formantet n-, m-. s-, z- etj., në paraqitje të parë, konsiderohen, secila veç e veç, si parashtesa të veçanta (f. 348), kurse rastet e alomorfimit të tyre janë të papeshë? Semantika e çiftave parashtesor në fjalë s'mund të krahasohet me formantin sh- (ç-, zh-), sepse, këtë rast, kemi të bëjmë, vërtet, me një parashtesë që ka "tri shfaqje të ndryshme tingullore". (Aty f. 46.)

4.Për mendimin tonë, duhet gjetur  rastin që foljet me formantet: -O/j (mësoj), -I/j (grij) dhe -E/j (blej), në një farë mënyre, të dallohen nga grupi i foljeve të parme me formantet e tjera temëformuese (f. 342). Është e vërtetë se këto tri fundore aty dalin në funksion të prapashtesës temëformuese a trajtëformuese, por në jetën tjetër, më tejdukshëm se të tjerat nga grupi dalin në cilësinë e prapashtesave të mirëfillta përkatëse foljeformuese, veçori kjo që i bën të dallueshme nga fundoret e tjera të foljeve të parme. Ky dallim shihet paksa edhe nga prodhueshmëria degëzuese fjalëformuese e tyre, si p.sh: mësoj: mësim mësues; grij: grimë grirje; blej: blesë, blerje etj.  Sidoqoftë, edhe kjo dukuri kërkon sqarim.

5. Mbetet të rishikohet, gjithsesi, qëndrueshmëria e termit perifrastik  "formimi pa asnjë mjet fjalëformues"(f. 344) që në tekst është përdorur si sinonim (zëvendësim) i termit togfjalësh "formim pa ndajshtesë" ose "formim me konversion(!)". Del i diskutueshëm zëvendësimi i tillë sepse, sipas shpjegimit që jepet po në tekstin e kësaj gramatike për formimet pa asnjë tregues gramatikor, del se edhe "mungesa ose jo e mbaresës" ose si quhet ndryshe edhe formanti zero "mund të shërbejë si mjet fjalëformuesnë formimet me konversion ose në prejardhje pa ndajshtesë"(aty f. 48 e f. 31). Pra, në fushën e terminologjisë shkencore profesionale formulimi: formim pa asnjë mjet fjalëformues kuptimisht nuk përkon me termin formim pa ndajshtesë(!), prandaj s'duhen ngatërruar.

Së teti, kur është fjala rreth prodhueshmërisë së foljeve me ndajshtesat përkatëse, pothuajse, të gjitha konstatimet e dhëna në tekstin në shqyrtim dalin të diskutueshme, sepse nuk përputhen me realitetin e tanishëm.

1. Në tekst thuhet se pas prapashtesës -O, "më prodhimtare është edhe prapashtesa -ZO-"(f. 344). Këtë rast del e nevojshme të sqarohet e vërteta. Nëse  grupit të foljeve më -ZO,  i hiqen shembujt e diskutueshëm më -IZ/o që pa të drejtë janë futur në gjirin e saj (f. 346),  prodhueshmëria e foljeve më -ZO del paksa e kontestueshme, qoftë në raport ndaj formimeve me ndajshtesa të tjera, qoftë edhe në kuadër të foljeve më -O me zgjerim. Por është e vërtetë, se kur kemi parasysh nënfushën e qartë semantike që mbulojnë foljet më -zo, atëherë shumësia e tyre del me mundësi të pakufizuar, por kjo varet nga nevoja reale e futjes në veprim të formave të tilla foljore për të shprehur procese teknologjike-kimike e të ngjashme.

2. Lypset rishikuar domosdo prodhimtaria e foljeve më -ro, ngase konstatimi i dhënë në tekst numër relativisht i kufizuar (f. 345), nuk qëndron fare me realitetin. Në jetën praktike foljet më -ro dalin mjaft prodhimtare dhe kur kemi parasysh nënfushën e qartë semantike që mbulojnë, a priret të mbulojnë, brenda nënfushës së botës së brendshme të njeriut (më fort për ngjyrime poetike), atëherë edhe ky nëntip foljor, del me mundësi të pakufizuar prodhimtarie.

3. Edhe për foljet më -so, konstatimi që del në tekst se kjo nuk është aq prodhimtare ( f. 345) gjithsesi nuk vlen, ngase afro 100 shembujt e  regjistruar në burimet tona normative leksikografike si dhe nënfusha e qartë semantike (me ngritje cilësie) që mbulohet me foljet e tilla, konstatimin nga teksti e bëjnë tejet të paqëndrueshëm.

4. Për foljet më -to  thuhet në tekst se janë "relativisht prodhimtare", konstatim ky që nuk kontestohet fort, por kur kemi parasysh nënfushën, jo aq të qartë semantike që mbulojnë foljet e këtij nëntipi, sa i përket botës së njeriut, konstatimi i tillë lypset riformuluar.

5. Për foljet më -llo, pjesërisht qëndron konstatimi që thuhet aty se "janë formuar një pakicë foljesh kryesisht prej tingullimitimesh" (f. 346). Themi pjesërisht se formimet më -llo, kur kemi për bazë nënfushën e qartë semantike që mbulojnë, nuk është fjala vetëm mbi temë onomatopeike, por edhe me kuptimësi pejorative, shumësia e tyre nuk mund të jetë me pakicë, por me mundësi të hapur prodhimtarie.

6. Në tekst (f. 347) pranohet ekzistimi i prapashtesës -LO, ku thuhet se me këtë prapashtesë "janë formuar disa folje të rralla, si: kuqëloj (kuq-ëlo/j, shoshloj (shosh-lo/j". Nga analiza del se foljet më -lo- nuk janë edhe aq të rralla, përkundrazi, kur kemi parasysh nënfushën e qartë semantike që mbulojnë (disi natyrë fëmijërore ledhatuese) pritet që foljet më -lo- të kenë prodhimtari të pakufizuar, natyrisht duke respektuar nevojat reale të gjuhës që imponohen.

7. Lidhur me konstatimin që jepet për foljet me prapashtesën -is se "është numër i kufizuar" do të pajtoheshim, por edhe te formimet me këtë prapashtesë shihet një shumim që nuk vjen nga ndonjë përcaktim i qartë i nënfushës semantike që mbulojnë, por nga përvetësimi i disa foljeve më -it, proces ky ndërkëmbyes që meriton vëmendje.

8. Konstatimi se prapashtesa -it "nuk paraqitet aq prodhimtare" (f. 348) duhet pranuar me rezervë, ngase në FGJSSH ndeshim afro 17O fjalë-folje me këtë prapashtesë, që është numër më i madh në krahasim me numrin e foljeve të regjistruara më -is e  më -os si dhe në krahasim me foljet e regjistruara me prapashtesat përkatëse  -O me zgjerim të sipërcekura. Lidhur me këtë, mbase, është dashur të theksohet e dhëna se prapashtesa -it nuk paraqitet aq vepruese sa prodhimtare, sepse i mungon nënfusha e qartë semantike, madje edhe në një shumicë rastesh, ajo del si fundore e jo me cilësi të qartë të prapashtesës foljeformuese, prandaj edhe nuk pritet shumim i mëtejshëm i foljeve me këtë prapashtesë.

9. Për foljet më -os thuhet se "me këtë prapashtesë janë formuar një numër pak a shumë i madh foljesh kalimtare (f. 347) konstatim ky me vend, por që lypset sqaruar, sepse foljet më -os dalin mjaft vepruese, ngase e kanë të përcaktuar, sadokudo, nënfushën e qartë semantike (të karakterit rëndues) që mbulojnë.

10. Lidhur me prodhueshmërinë e foljeve me parashtesa konstatimet në tekst,  kryesisht, dalin të drejta, por edhe lidhur me to nevojitet ndonjë sqarim, si p.sh.:

a) "Me parashtesën për - thuhet në tekst - janë formuar një numër relativisht i madh foljesh" (f. 348), po nuk thuhet se kur kemi parasysh nënfushën e qartë semantike që mbulojnë foljet e tilla prodhueshmëria e tyre del jo relativisht po me mundësi të hapur shumimi, edhe mbi temë foljore edhe mbi temë emërore.

b) Edhe për formimet me parashtesën -sh (-ç, -zh) që thuhet se "paraqitet mjaft prodhimtare" (f. 35),  vlen po vërejtja e mësipërme, d.m.th.varësisht nga nevoja dhe rastet, sidoqoftë foljet me këtë parashtesë kanë mundësi të pakufizuar prodhueshmërie.

c)  Lidhur me parashtesat e tjera të cekura në tekst: çiftet -s/-z, -n/-m, mbi-/nën- pastaj ndër- ri-, stër- e ndonjë tjetër, nuk kemi vërejtje të veçanta, por kur kemi parasysh faktin se disa prej tyre, siç janë edhe siparashtesat: bashkë-, drejt-, para-,   tej-, vetë-, kur mbulojnë nënfusha të qarta semantike, mund të shërbejnë natyrshëm si shembull për formëzimin e modeleve të caktuara foljeformuese me parashtesim ose me para-prapashtesim njëherazi, dukuri kjo që do të kushtëzojë në të ardhmen edhe shumimin e foljeve me formantet e tilla përkatëse.

Së dhjeti, del i domosdoshëm sqarimi rreth disa konstatimeve të bëra për foljet e huazuara që në tekst dalin të shënuara si shembuj përfaqësues, qoftë të cilësuara si  fjalë të parme a të paananalizueshme, qoftë si fjalë jo të parme ose të analizueshme. P.sh.:

1. Për mendimin tonë mund të dalë e diskutueshme paanalizueshmëria e disa nga foljet të cilësuara në tekst si të tilla, ngase edhe ato, siç do të shohim, "mund të analizohen" në mënyrë të tërthortë.  Kështu, bie fjala, te foljet procedoj (lat. procedere), diktoj (lat. dictare) stigmatizoj (gr. stigmatizo, fr. stigmatiser), vërtet në shqipe nuk duket qartë tema e tyre fjalëformuese, prandaj si e tillë ajo nuk motivon, por një temë e tillë sipas të ashtuquajturës rrënjë e lidhur a si koncept jo aq i paqartë, mund të zbërthehet, pikërish nga fjalë të tjera, tashmë, të pranuara në fondin aktiv të shqipes, qoftë në cilësinë e fjalëve ndërkombëtare, qoftë si ndërkombëtarizma. Krahaso:

1) procedoj: procedurë procedural; procede, proces;

2) diktoj: diktat diktaturë diktator;

3) stigmatizoj: stigmatizim, stigmatik, stigmë.

Në mbështetje të mendimit tonë për shembujt e mësipërm vjen konstatimi që thuhet në gramatikë se kur përdoren të paktën dy fjalë të prejardhura po me atë rrënjë (krhs: proced/ -oj, -urë, -ural, -e; dikt/oj, -a/turë, -a/tor; stigm/atiz/oj, -im, -atik), atëherë edhe ndajshtesat e huaja janë të dallueshme edhe nga pikëpamja e sistemit fjalëformues të gjuhës shqipe". (Aty f. 63.)

Ndërkaq, fjala stigmë ka edhe mbështetje tjetër. Si term kjo fjalë ka përdorim në fushë të mjekësisë, ndonëse te ne ka përpjekje për zëvendësimin e saj me barasvlerësinnjollë, ashtu siç bëhet në stilin politikstigmatizoj stigmatizim  -  njollos njollosje.

Sidoqoftë,  për arsyet e sipërshënuara këta shembuj përfaqësues mbase lypsen ndërruar a zëvendësuar me të tjerë që vërtet dalin të paanalizueshëm edhe nga e ashtuquajtura rrënjë e lidhur (morfologjikisht e semantikisht), sepse, siç e pamë terthorazi edhe shembujt e mësipërm, dalin paksa të analizueshëm, por,  me siguri, kuptimi foljesor i tyre vjen i huazuar drejtpërdrejt nga trajta foljore e gjuhës dhënëse.

2. Në tekst gjithashtu janë dhënë edhe disa shembuj fjalësh të huazuara me cilësi ndërkombëtarizmi, morfologjikisht të analizueshme, ngase, siç thuhet aty, ato janë formuar nga fjala e parme e shënuar në kllapa(!), si p.sh. autorizoj ( autor), industrializoj (idustrial), neutralizoj (neutral) si dhe mikrofilmoj (mikrofilm) reklamoj (reklamë).Me thënë të drejtën, ndoshta morfologjikisht mund të duket i drejtë konstatimi i tillë, por, po të shikohet ana semantike del se fjalë-foljet e tilla dalin të huazuara parësorisht a drejtpërdrejt nga foljet e gjuhëve përkatëse e jo nga fjala e parme e shënuar në kllapa. Në të vërtetë, nga shembujt e shënuar në shqipe në tekst, mund të jenë të motivuara vetëm foljet përkatëse: reklamoj nga reklamë (=bëj reklamë) dhe mikrofilmoj (=bëj mikrofilm) nga mikrofilm, mbase edhe kolonizoj nga koloni (bëj koloni, më drejt: bëj a bëhet kolonizim), ndonëse mund të shpjegohen të formuara drejtpërdrejt nga trajta foljore e gjuhës dhënëse, ndërsa rastet e tjera kanë tjetër zbërthim që nuk lënë mëdyshje, khs.:

1) autorizoj (jap autorizim, jo jap a bëj autor!): it. autorizzare, fr. autorizer;

2) industrilalizoj (bëj industrializim), it. industrializzare, fr. industrialiser;

3) neutralizoj (bëj neutralizim), it neutralizzare, fr. neutraliser;

4) kolektivizoj (bëj kolektivizim), it. collettivizzare, fr. collectiviser.

Nga zbërthimi i shembujve të mësipërm kuptohet, në radhë të parë, se procesi i punës si koncept a si rezultat i veprimit, siç u tha më sipër, del i huazuar drejtpërdrejt nga folja e gjuhës së huaj dhe së dyti, atë rast, del i "përkthyer"a i shqipëruar vetëm formanti prapashtesor përkatës -o/j (- uar) ndaj -are a -er të gjuhës së huaj përkatëse. S'do mend se, sikurse emri a mbiemri, edhe folja në shqipe del e huazuar bashkë me konceptin përkatës nga gjuha dhënëse.

Së njëmbëdhjeti, po kështu del e nevojshme të bëhet zbërthimi edhe i disa  foljeve të shqipes, sidomos i foljeve të prejardhura me prapashtesat -O me zgjerim, ngase, si duket, në raste të tilla më përpara ka dalë emri prejfoljor i veprimit ose ai i rezultatit të veprimit (mbase nga analogjia) e më pastaj është formëzuar folja përkatëse, sipasmënyrës së përzier po me prapavajtje. Mjafton për këtë të vëmë në pah vetëm këta shembuj: ndërmjetësoj (= bëj ndërmjetësim), zëvendësoj (= bëj zëvendësim), flijoj (= bëj flijim), kështu  sqarimi me emrin e veprimit del më i qartë, sepse kuptimi i foljes lidhet drejtpërdrejt me veprimin e jo me emrin si subjekt a objekt ose si koncept i realies: zëvendës-i, ndërmjetës-i, fli-a, siç ceken në tekst. Po kështu del zbërthimi i shembujve me temë përemërore: asgjësoj =  bëj asgjësimin (jo bëj asgjë) dhe tjetërsoj = bëj tjetërsimin (jo bëj diçka tjetër) etj., prandaj sqarimi që jepet në tekst se si temë prodhuese e foljes është trajta e qartë, qoftë zëvendës, ndërmjetës, fli, qoftë asgjë, tjetër, nuk duket se del i qëndrueshëm.

Së dymbëdhjeti, kur është fjala të foljet paralele, lypset domosdo të kërkohet sqarim, ngase, për mendimin tonë, sqarimi që jepet në tekst nuk del plotësisht i pranueshëm, sepse aty shpjegohet, b.f., se lajmëroj do të thotë "i jap lajm dikujt" e  kështu me radhë. Ku qëndron kontesti?  Kur të shënohen pranë e pranë foljet paralele ekzistuese a të mundshme, atëherë çështja del më e qartë, mbasi edhe diferencimi semantik i tyre del më  i tejpashëm.  P.sh:

1) lajmoj ( jap lajm) / lajmëroj (bëj lajmërim);

2) lavdoj (jap lavd) / lavdëroj (jap/ bëj lavdërim);

3) flakoj (jap flakë) / flakëroj (jap/bëj flakërim);

4) fisnikoj (e bëj fisnik)/  fisnikëroj (i jap fisnikëri/m).

Siç mund të shihet nga zbërthimi, foljet e tilla paralele kanë mundësi të bashkëjetojnë në saje të vetë dallimit të nënfushës semantike që mbulojnë a mund të mbulojnë.

Kjo strukturë e farkëtuar historikisht duhet me u vlerësue edhe gramatikisht, Natyrisht,. duhet të shfrytëzohet edhe në standardin e sotëm të shqipes.

Së trembëdhjeti, kur është fjala te foljet më -RO të favorizuara nga letrarishtja, të cilat, tashmë, duket se e kanë të fituar konkurrencën kundrejt varianteve të gegërishtes më -NO, siç janë shembujt: mbretëroj/mbretnoj, zotëroj/zotnoj, nusëroj/nusnoj, plehëroj/plehnoj, trimëroj/trimnoj, turpëroj/turpnoj etj., kur është fjala për të njëjtin koncept, mendojmë se as që del e nevojshme të shprehet farë rezerve, por, nëse  paraqitet i  nevojshëm përdorimi i  tyre, qoftë në tipizime, qoftë për koncepte të reja të caktuara, atëherë ato trajta duhet të përdoren pa mbështetësen e domosdoshme -ë, që del si element i nevojshëm vetëm për trajtat e letrarishtes së sotme më -ro. Krahaso antonimin: asht eshtëroj eshtërim ndaj asht ashtnoj ashtnim ose mish mishëroj mishërim ndaj mish mishnoj mishnim, të përdorura edhe në vështrim-trajtesën tonë me kuptime të dallueshme stilistike e semantike.

Shfrytëzimi i formave të tilla për koncepte të ndryshme e pasuron gjuhën standarde.

Së katëmbëdhjeti, kur është fjala te foljet më -AS: ngas (nget ngarë), shkas (shket shkarë), vras (vret vrarë), grup ky, të cilit në tekstin e tanishëm i është shtuar edhe folja flas (flet folur), për të cilat ceket zgjerimi i temës së vjetër -s/t", mendoj se sqarimi ka mbetur jo i plotë. Me sa dimë, etimologjikisht s-ja fundore vjen nga një  *at+io, -t+i/o >s, dhe rasti flas nga f(o)l+as (-*at-io) (flet, me folë, folur) është nëntip tjetër nga rastet e mëparshme.

Së pesëmbëdhjeti, rreth prejardhjes së foljeve të caktuara nga mbiemrat kemi këto vërejtje:

1. Konstatimi se folja belbëzoj, ka dalë nga mbiemri i belbër ose i belbët (f. 346), që kuptohet me zhdukjen e fundorit përkatës i ndonjërës trajtë të mbiemrit (?), më duket se ka vend për rishikim, ngase folja belbëzoj si edhe belbëroj (edhe bërbëlit) do të kenë pasur mundësi të përftohen ndërtimisht, qoftë nga emri belbë belba, qoftë edhe nga folja belb/em a belboj.

2. Gjithashtu thuhet shprehimisht se folja dendësoj vjen nga mbiemri i dendur (f. 345), konstatim ky që lë vend për rishikim, kur për përftimin e tillë foljor, ndoshta më mirë mund të motivonte përftimi nga folja dend (me dendë, dendur).

3. Po e kësaj natyre del edhe shembulli, kur folja përshëndosh (f. 350) shpjegohet se del nga mbiemri i shëndoshë, duke u anashkaluar folja shëndosh (me shëndoshë, me shëndoshë e me përshëndoshë).

Së gjashtëmbëdhjeti, të rishikohet drejtpërdorimi i fjalë-termit alomorf (f. 345 e 346), i cili përmendet disa herë, ngase, sipas tri kushteve të cekura po në këtë gramatikë (aty f. 45),  s'di sa mund të jenë alomorfe të mirëfillta dhe në ç'shkallë, b.f., veç varianteve alomorfe: -ëllo/-ullo edhe formantet -ëro, -ëzo e të tjera, kur dihet se secila prapashtesë, veçan njëra nga tjetra mbulojnë fusha të ndryshme semantike dhe se ndryshimet e tyre janë të kushtëzuara kryesisht nga faktorë semantiko-sintaksorë e jo vetëm nga ata morfologjikë?!

Së shtëtëmbëdhjeti, mendojmë se nga materiali i ri i shtuar lidhur me foljet e përbëra nënkuptohet se, kur është fjala të foljeformimi dhe perspektiva që kanë siparashtesat (ndajfoljet e konvertuara) që dalin  në funksion të parashtesës speciale për nënfushën e caktuar semantike, atëherë del se folje e përbërë e mirëfillë mbetet  në fakt vetëm nëntipi i ndërtimit emër+folje si: udhëheq, duartrokas, buzëqesh e jo nëntipi ndajfolje+folje: nëntipi bashkëpunoj, keqkuptoj etj., nëntip ky, i cili gjithnjë e më tepër, po merr tiparet e mënyrës së formimit me parashtesim a siparashtesim, siç ceket edhe në vetë tekstin në fjalë (f. 353).

Së tetëmbëdhjeti, mendoj se prapashtesa e huaj de- (f. 345 e 353) s'ka pasur nevojë fare të rreshtohej bashkë me parashtesat e gjuhës sonë, pasi kjo nuk del e përfshirë në fjalë-tema të gjuhës shqipe dhe, siç dihet (në raste) ka ardhur e huazuar drejtpërdrejt nga gjuha e huaj, paralel me foljet antonime të këtij nëntipi pa këtë formant. Madje në rastet kur fjala e huaj e parme del e asimiluar në shqipe, elementi i tillë del, pothuajse, rregullisht i zëvendësuar me barasvlerësin përkatës të shqipes sh-(ç-, zh-).  Sa për ilustrim po cek dy shembuj:

1) nga emri kurajë (fr, courage) në shqipe doli kurajoj dhe antonimi shkurajoj, si me thënë, zëvendësim i trajtës dekurajoj (fr. decourager);

2) po përmendim edhe një shembull tjetër, të cilin e pandeh ende të paasimiluar në gjuhën tonë: kompozoj/dekompozoj khs. fr. composer/decomposer.

Ndërkohë, për mos me thënë menjëherë, (pasi modeli lejon) edhe trajta dekompozoj mund të dalë: shkompozoj, ashtu siç dalin në tekstin në fjalë shembujt e normëzuar: çmilitarizoj, çmobilizoj, çorganizoj (f. 342) nga demilitarizoj, demobilizoj, dezorganizoj, çka varet a kushtëzohet në radhë të parë nga qëndrueshmëria ose përvetësimi i foljes së parme, b.f., militarizoj, mobilizoj, organizoj, si dhe kompozoj në shqipe. Me fjalë të tjera, foljet de/centralizoj, de/shifroj, de/moralizoj etj., ashtu edhe kompozoj e dekompozoj, i kemi të huazuara drejtpërdrejt bashkë me trajtat centralizoj, shifroj, moralizoj dhe poqëse foljet e tilla pa parashtesën de- asimilohen (pranohen) plotësisht, d.m.th., nëse nuk zëvendësohen krejtësisht me trajta të burimit vendës, po mbesin në përdorim ashtu nga nevoja, atëherë çifti i tyre antonim më de- normalisht pëson ndryshim, duke e flakur parashtesën e huaj de-, kuptohet me zëvendësimin e saj me përgjegjësen e gjuhës shqipe sh-(ç-, zh-), siç është vepruar dhe po veprohet në raste të ngjashme aktualisht në gjuhën tonë.

Andaj pritet që edhe trajta shkompozoj t'u bashkangjitet shembujve të asimiluar

në gjuhën tonë.

Së nëntëmbëdhjeti, del e nevojshme të sqarohet dukuria e prapashtesës -s (-is) te rastet si bezdis, arratis, lemeris, batërdis etj., të cilat, siç dihet vijnë si fjalë të huazuara nga sfera turko-greke, zakonisht si fjalë turke më -i-në  fundore dhe me kontaminim të prapashtesës greke -is(a), prandaj në shqipe dalin tri çështje që kërkojnë përgjigje:

a) mund të jetë e pranueshme, apo jo, zgjidhja që jepet në tekst që S- ja fundore të konsiderohet prapashtesë e mirëfilltë?

b) mund  të konsiderohen, apo jo, si folje të parme me -IS fundore shembujt: arratis (gr. aratizo/-is), llahtaris, stolis; bojadis (turq. bojadi),  sekëlldis, ujdis etj. (sipas të ashtuquajturit huazim transfer a ngjashëm) me të) dhe

c) a mund të konstatohen këto folje të formuara me prapashtesën -IS, ndonëse  shpjegohen sipas mënyrës së formimit prapavajtës të tyre: arrati arrati+is arratIS me u arratisë ose sekëlldi+IS sekëlldis (me u sakëlldisë), ngjashëm ashtu siç shpjegohen disa folje me prejardhje sllave , të tipit më -IT :çudit + çudi+it çudit  (me (u) çuditë -sll. ?uditi).

Sidoqoftë edhe kjo çështje, si të tjerat që u vunë në dukje më sipër, kërkon sqarim.

Sigurisht,  përveç sqarimeve të çështjeve të diskutueshme me profesionalizimin e dëshiruar, për vijëzim më të plotë të strukturës foljeformuese të shqipes, nevojiten edhe përplotësime me fakte të reja.

V. PLOTËSIMI I STRUKTURËS FOLJEFORMUESE TË SHQIPES ME

FAKTE TË REJA DHE MASAT PËR THJESHTËZIMIN

E SPASTRIMIN E SAJ

Në këtë nëntitull të analizës do të përmendim paksa dy çështje, po ashtu me rëndësi për temën që po e trajtojmë, së pari, plotësimi i strukturës foljeformuese me fakte të reja dhe së dyti, masat për thjeshtëzimin dhe spastrimin e kësaj strukture nga formantet e panevojshme. Meqenëse këto dy çështje janë trajtuar më gjerësisht prej nesh në tjetër vend, në punime të veçanta, këtu , rreth çështjeve në shqyrtim ,veç sa për të fituar sadopak koncept-ide orientuese të nevojshme, do të mjaftohemi me të vënët në pah vetëm të ndonjë të dhëne me interes.

1)  Së pari, përveç formanteve foljeformuese, qoftë parashtesore, qoftë prapashtesore që njihen në tekstin në shqyrtim, çka nuk nënvlerësohet aspak, duhet të njihen edhe formante të tjera, që gjuha jonë i ka, të cilat shkenca jonë gjuhësore tashmë, mund të themi se i ka vënë në pah.

a) Kështu, nga grupi i foljeve të zgjedhimit të parë, përveç prapashtesës -o dhe 5 prapashtesave -o me zgjerim: të njohura edhe në tekstin në shqyrtim: -llo, -ro-, -to, -so -zo, dalin edhe nja 6 sivariante të tyre: -no, -mo-rro-lo-co e -izo  (bishtnoj, erëmoj, pikërroj, shoshëloj, gurëcoj, kombëtarizoj) si dhe 7 prapashtesa të tjera sinonimike: -ko, -sho-shto-ço-zho, -ho -jo  (fillkoj, erëshoj, mbarështoj, gropëçoj, drangëzhoj, pohoj,  flijoj), d.m.th. gjithsej 13 prapashtesa të tjera sinonimike në grupin e foljeve -O me zgjerim, të cilave u shtohen edhe dy prapashtesa: -) dhe -i/j (rij  dhe  e/j (shëmbëllej), gjithashtu të identifikuara mjaft qartë edhe në punimin tonë, të cilat janë të pavarura nga formanti -O, por që i përkasin të njëjtit grup të foljeve të zgjedhimit të parë, me temë në zanore a grupzanor (me ri, me shembëllye).

b) Nga grupi i foljeve të zgjedhimit të dytë (me temë në bashkëtigëllore) përveç formanteve të cekura në tekst: -s/-is, -it dhe -os (praps,ujdis, pajis, çudit, vendos) dalin të identifikuara edhe dy prapashtesa të tjera: -as (trokas) dhe -at (degat),  që gjithsej numri i prapashtesave të "reja" të identifikuara arrin në 17 sosh. Pra, gjithsej u identifikuan 15 prapashtesa të tjera në grupin e foljeve mbi temë në zanore a togzanor dhe dy në grupin e foljeve me temë në bashkëtingëllore, të cilat nuk dalin të trajtuara në tekstin në shqyrtim.

Po shtojmë edhe këtë, se nga analiza që bëmë, për veçoritë semantike që ka, prapashtesa -s doli, si me thënë, e ndarë funksionalisht nga -is, khs. praps (prap+s ), në njërën anë, ndaj ujdis (ujdi+is), në anën tjetër, atëherë konsiderojmë se vargut të prapashtesave aktive të gjuhës sonë i shtohen 18 formante, t'i quajmë kushtëzimisht të reja, prandaj mund të themi se struktura foljeformuese me prapashtesim e shqipes nuk i ka vetëm 9 prapashtesa të mirëfillta të cekura në tekst:(-o,-ro,-llo, -to,-so,-zo; is,-it,-os), por ka edhe 18 formante të tjera prapashtesore (-no, -mo,-rro, -lo, -co, -izo; -ko, -sho, -shto,- ço, -zho, -ho, -jo; -s, -i/j, -e/j; -as, -at),  pothuajse, të gjitha aktive (por jo njësoj prodhimtare) që gjithsej bëjnë 27 ose 28 sosh, nëse vlerësohen edhe rastet  nën ndërndikimin ose ngjashmërin? me e mbiemrave të sllavishtes me -AVË fundore: me u zhugavë(tipi: šugav - šugaviti) -i(e) zhugavtë),  me stërklavë, me u qyqavë, me u belbavë, me u keqavë etj.

Madje,  kur të shtojmë faktin se pothuajse  të gjitha këto prapashtesa, cila më pak e cila më shumë, dalin të specifikuara ose shprehin prirje specifikimi për nënfusha të caktuara semantike dhe si të tilla paraqesin edhe mundësi të pakufizuar ose relativisht të kufizuar shumimi, atëherë, sigurisht, do ta kemi edhe më të qartë tërë strukturën foljeformuese të shqipes.

Specifikim a prirje specifikimi të nënfushave të caktuara semantike ndeshim edhe në formimin e foljeve me parashtesa të caktuara, andaj, pasi kjo çështje sapo ka filluar të trajtohet me seriozitetin e duhur në shkencën tonë, po shtojmë këtë se përkundër disa gjërave të diskutueshme, në parim, prirjet e tilla ne i shohim të drejta dhe si rrjedhojë priten rezultate që pa dyshim do të jenë në të mirë të ravijëzimit edhe më të plotë të strukturës foljeformuese të shqipes në të ardhmen e afërt.

Gjithsesi, nga trajtimet e mëtejshme priten rezultate të reja edhe më bindëse dhe më me interes.

2) Së dyti, mendojmë se përveç përplotësimit të paraqitjes së strukturës foljeformuese të shqipes që bëhen me sjelljen e fakteve të reja, siç u përpoqëm ta idejojmë pak më sipër, gjithashtu ka mundësi të bëhen edhe thjeshtëzime a spastrime në kuadër të kësaj strukture, qoftë duke favorizuar mënyrat e caktuara foljeformuese me prapashtesa të burimit vendës, duke anashkaluar formimet me ndajshtesa të huaja, qoftë duke kërkuar flakjen e infiksave të panevojshëm, të shpifur në gjuhën tonë nga gjuhët e huaja ose nën ndikimin e  tyre, çështje këto që vetëm sa për të fituar idenë, do t'i cekim shkurtimisht fare në vazhdim:

a) Sigurisht për të pasur një strukturë sa më të pasur dhe të fortë, duhen fuqizuar mënyrat foljeformuese të burimit vendës, në mënyrë që modelet e caktuara foljeformuese të jenë sa më të kapshme dhe më të përdorshme. Konkretisht mendojmë se veç mënyrës së formimit të foljeve me kompozim e përngjitje, me njëfoljezimin e togfjashave lokucionorë etj., duhen përkrahur e fuqizuar foljet me prejardhjezim, ku prijnë foljet me prapashtesën -O, me origjinë anase kjo, nga gjiri i së cilës dolën, siç e pamë,18 prapashtesa të tjera të identifikuara qartë, të cilat u quajtën prej nesh prapashtesa -o me zgjerim, prandaj, në përgjithësi në raport me formimet paralele  më -it, -is, -as, -at ,foljet më -o dhe ato më -i/j, bashkë me foljet me parashtesat për- sh-(ç-, zh-) e të tjera, subjektivisht, mund të jenë të favorizuara. Kjo  prirje shihet qartë edhe në fjalorët tanë normëzues.

b) Përveç favorizimeve, që më sipër u vunë në pah, në procesin e thjeshtëzimit duhet favorizuar, domosdo, edhe flakjen e disa formanteve si infiksa të shpifur nga gjuhët e huaja, si p.sh: -ifik-, - iz-, -i-, -atiz-, -at-, -ir-, -ov-, ngase prania e tyre del fare e panevojshme  në gjuhën tonë. Këtu po mjaftohemi me paraqitjen e  rasteve me shtatë infiksat e paqëndrueshëm të sipërcekur, dhe për secilin rast, veç e veç, po japim  nga dy shembuj, duke vënë paralel edhe zgjidhjen që është bërë ose është në bërje e sipër në gjuhën tonë aktualisht:

1. kodifikoj > kodoj a kodëzoj , planifikoj >  planoj a planëzoj;

2. alfabetizoj > alfabetoj, profetizoj > profetoj;

3. asocioj > asocoj a asociacionoj,  negocioj > negocoj;

4. sistematizoj > sistemoj, stigmatizoj > stigmoj;

5. bojatis > bojis, helmatos > helmoj;

6. serviroj > servoj, grupiroj> grupoj;

7. darovit > darit, val(ë)vit > valoj a valëzoj.

Thjeshtëzimet, si tek shembujt e lartpërmendur, lypsen përligjur, qoftë individualisht, qoftë institucionalisht.

c) Veç rasteve si më sipër, lypsen thjeshtëzuar edhe foljet mbi fjalë-temë të gjuhës sonë me prapashtesat -a/to-j, a/tos, a/so-j(!), qoftë me origjinë nga shumësi, qoftë nga një e ashtuquajtura  -a- epentetike, si p.sh.: ledhatoj, armatoj a armatos, pushkatoj, vizatoj, rrezatoj, miratoj, miqasoj e ndonjë tjetër, duke vënë në vend të mbështetëses -A- një Ë- epentetike. Kështu propozojmë që, si të normëzuara të parapëlqehen trajtat me Ë-në mbështetëse, si: ledhëtoj ndaj ledhatoj, armëtoj (armos) ndaj armatos, pushkëtoj ndaj pushkatoj, vizëtoj ndaj vizatoj, rrezëtoj a rrezetoj (rrezoj) ndaj rrezatoj, mirëtoj ndaj miratoj e kështu me radhë.

Zgjidhja me zëvendësimin e A-së me Ë ose edhe pa të, tashmë është treguar e suksesshme te trajtat me -ë/so-j ndaj -a/so-j që kishin përhapje gjithandej, siç janë shembujt: miqësoj ndaj miqasoj,  keqësoj ndaj keqasoj,  pushkëtoj, libratoj  ndaj libërtoj etj.

Kemi bindjen se me një veprim të tillë thjeshtëzimi, për të tria pikat e sipërtrajtuara, gjuha jonë do të fitonte shumë e s'do të humbiste asgjë. Me fjalë të tjera, nëse do të dilte i lejuar një rekomandim i tillë nga institucionet tona, përkatësisht nëse trajta e propozuar tani shënohet paralel me trajtën e "vjetër" në  fjalorët përkatës normëzues, atëherë trajta e re do të përhapej, ndërsa ajo e vjetra do të mënjanohen vetvetiu, pa lënë keq asgjë.

VI. KËRKESË- POROSI NË VEND TË PËRMBYLLJES

Nga krejt kjo që u tha më sipër në këtë vështrim-trajtesë nënkuptohet se struktura foljeformuese e shqipes, e përfshirë në gramatikën e Akademisë nuk del e kënaqshme, jo vetëm për shkak të mospërfshirjes së lëndës së plotë, për çka s'mund të fajësohet askush, ngase tema e strukturës foljeformuese e shqipes është një temë jo mjaft e studiuar në gjuhësinë tonë, por del e mangët edhe për arsye se gjatë ribotimit të "variantit të ripunuar" të këtij viti (2002), nga teksti i mëparshëm i vitit 1976, nuk i janë bërë përplotësimet e përmirësimet e duhura, qoftë nga ana grafoteknike dhe nga metodika e punës, qoftë në sjelljen e  materialit të ri, por edhe për arsye se lënda e mëparshme e mbetur, nuk është korrigjuar plotësisht në përputhje me rregullat e normës letrare në fuqi, as gjuhësisht as semantikisht. Përveç kësaj kur t'i shtohen edhe mjaft konstatime të diskutueshme, atëherë teksti në fjalë, mund të thuhet se ka dalë me shumë çalime, kështu në 13 faqe teksti të librit në fjalë, dalin jo pak po me dhjetra lajthitje të ndryshme, lajthitje këto që kërkojnë korrigjim, plotësim a sqarime të domosdoshme sa më parë.

Lidhur me këto mangësi të tekstit në fjalë, ndonëse i botuar, po përsëris, si "variant i ripunuar" (2002), mund të parashtrohen pyetje të ndryshme, por, ne, këtë rast do të shprehim disa mendime, që ndonëse ngjasojnë me fjalë të mbrojtësit të klientit të fajësuar, nuk janë  të tilla dhe nuk e kanë atë qëllim.

1. Në çdo vepër njerëzore po të kërkosh gabime mund të gjesh, por po të kërkosh edhe anë pozitive edhe ato mund t'i gjesh, me të cilat edhe mund të arsyetohen lajthitjet. Në tekstin në shqyrtim ashtnimi, d.m.th., skeleti i organizmit me një pjesë mishnimi a muskulature, d.m.th. të thurjes e mbarështrimit të lëndës, pa mohueshëm del i shtruar drejt, ndërsa këndellja a përplotësimi i rritës së shtatit me inde e me mish e gjak të ri, në çdo fazë zhvillimi del e nevojshme, dhe një plotësim i tillë është e do të jetë i mirëseardhur përherë.

2. Mjaft trajta që tani dalin, pa dyshim, si lajthitje në krahasim me normën e sotme letrare, fillimisht kanë qenë vjelë nga tekstet letrare e të tjera të kohës, prandaj, edhe si të tilla, në tekstin e ri, kanë mbetur si gjurmë e kohës së atëhershme. Ato sigurisht ishte dashur korrigjuar me kohë, por ngase autorët e caktuar ishin thelluar në zgjidhjen e problemeve të tjera të shkencës shqiptare, disa gjëra, si të thuash, të thjeshta u kanë shpëtuar disi si të pavërejtura, gjithsesi lajthitjet e tilla janë të lehtëndreqshme, sidomos ato që duken në sipërfaqe dhe mbase kanë mbetur edhe nga pakujdesia e përgatitësve të veprës për botim, të cilët, ndoshta, edhe nuk i kanë bërë fare konsultimet e duhura me autorët?!

3. Fundja, disa gjëra të reja lidhur me foljeformimin, disiplinë gjuhësore kjo në formim e sipër në shkencën tonë, vërtet, kanë dalë në dritë kohët e fundit, mirëpo vlera e tyre ende nuk është vërtetësuar institucionalisht, vërejtje kjo që vlen edhe për ndonjë kritikë të evidencuar në këtë vështrim-trajtesë, prandaj ndërkohë e me kohë edhe përmirësimet në tekst mund të bëhen në mënyrë normale.

4. Është pak e çuditshme, pse disa lajthitje që s'mund të tolerohen dot, sigurisht të shkaktuara pa dashje, nuk janë vërejtur më përpara, kur faktikisht dihet se ekziston një armatë e tërë profesionistësh aktivë në institucionet e caktuara, si brenda trojeve shqipfolëse, ashtu edhe jashtë, ku objekt trajtimi e studimi a si lëndë mësimdhënieje është pikërisht gramatika, përkatësisht kultura e gjuhës shqipe, mësimi dhe kultivimi i saj. Sidoqoftë, motoja e vjetër se nga pësimet duhet me  nxjerrë mësime vlen jo vetëm për implikuesit e drejtpërdrejtë, por edhe për përgjegjësit e tjerë nga detyra, qoftë në institucione,qoftë në masmedia,mësimdhënie dhe sidomos në katedra ku ligjërohet shqip?!

S'do mend, ne, do të dëshironim që arsyetimet e tilla të lehtësonin sadopak ndërgjegjjen  e ngarkuar të ndokujt, ndërsa për lexuesit dhe dashamirësit e shqipes dëshirojmë t'u rishtohet optimizmi rreth ecjes përpara të kristalizimit të shqipes standarde. Fundi i fundit, ne, si edhe dashamirësit e shumtë, duke i njohur aftësitë e padiskutueshme të gramatikanëve dhe të standardologëve tanë, kemi të drejtë të jemi energjik në kërkesën tonë, që gramatika ose  teksti më reprezentativ praktik i shkencës sonë për gjuhën të jetë sa më i përkryer dhe të shërbejë vërtet si model në çdo pikëpamje; të mos ketë gabime fare, jo vetëm drejtshkrimore e leksikore, por as aso të karakterit grafoteknik  e të metodikës së punës, madje edhe nga pikëpamja logjike-shkencore të mos ketë konstatime të paqëndrueshme, ngase, siç dihet, kemi të bëjmë me tekst të një vepre të dorës së parë, e cila, siç thuhet në Parathënie të vetë librit, ka "karakter normativ" dhe si e tillë ka për detyrë "të ndihmojë përhapjen edhe ngulitjen e mëtejshme të normës së gjuhës sonë letrare", përkatësisht kemi të bëjmë me një vepër, e cila merr përsipër misionin që, "krahas përshkrimit të kategorive të shqipes, t'i kushtojë vëmendje edhe paraqitjes së sistemit të fjalëformimit të shqipes së sotme", duke synuar kështu që, para së gjithash, "të ndihmojë mësuesit e gjuhës shqipe e të letërsisë për të ngritur kualifikimin e tyre shkencor si dhe studiuesit e shqipes për t'u njohur me zgjidhjet më të rëndësishme të problemeve të morfologjisë së sotme nga gjuhësia jonë".

Vërtet, kur kemi parasysh atë që thuhet në parathënie të librit dhe lëshimet  jo  të pakta në tekstin në shqyrtim, të shkaktuara mbase shumica, nga pakujdesia e s'di se kujt(!), duket si një paradoks që vështirë se mund të përkapet.

Sido që të jetë, tani në përmbyllje po shtojmë edhe këtë kërkëse-porosiështë koha e fundit që të mendohet dhe të punohet më me përgjegjësi dhe me ndërgjegje të zgjuar, qoftë individualisht, qoftë institucionalisht me forca të rilindura, por të bashkuara e të pëqëndruara, për çështje madhore të kulturës gjuhësore shqiptare, siç janë, veç tjerash: rihartimi i drejtshkrimit të ri standard, rihartimi i një gramatike të re standarde edhe të një fjalori të  ri standard  -  tri shtylla të domosdoshme këto, që sot për sot, mund të themi, se më tepër se kurrë i nevojiten të rinuara gjuhës sonë, e cila pretendojmë të jetë sa më standarde dhe kombëtarisht sa më e njëzuar, gjithashtu duhet rrekur punës edhe për hartimin e një teksti unik standard për fjalëformimin e gjuhës shqipe.

P ë r f u n d i m

Nga vlerësimi analizues kritik që iu bë tekstit "Formimi i foljeve" të përfshirë në Gramatikën e gjuhës shqipe 1, Tiranë 2002, në krahasim me tekstin e vitit 1976 dolën disa konstatime me interes:

Së pari, ndryshimet dhe përmirësimet në tekstin e ri, ndonëse të mirëseardhura, nuk dalin të plota, ngase struktura e foljeformimit të shqipes është më e gjerë dhe njëherazi mjaft lajthitje e konstatime pa vlerë nga teksti i mëparshëm nuk janë korrigjuar.

Së dyti, bashkë me gabimet e shtypit vihen në pah edhe disa lëshime grafoteknike, e të metodikës së punës, të cilat nëse përmirësohen do t'i shtonin cilësinë tekstit si nga pikëpamja e jashtme ashtu edhe nga ajo e brendshme e tij.

Së treti, u vunë në pah mjaft lajthitje, pa dashje, gjuhësore e kuptimore, të cilat kanë mbetur pa u korrigjuar në tekstin e tanishëm, qoftë të trashëguara, qoftë të bëra rishtas, për shkak të mos-harmonizimit të tërë materialit me normën letrare në fuqi.

Së katërti, u vu në dukje një numër i konsiderueshëm konstatimesh të diskutueshme nga teksti, të cilat nëse vlerësohen me objektivitetin e duhur do të ishte ndihmesë e madhe në zgjidhjen e paqartësive të mbetura, të cilat kështu si janë u bëjnë dëm jo vetëm autorëve, institucionit, por edhe vetë çështjes në përgjithësi.

Së pesti, bashkë me paraqitjen e fakteve të reja që nuk njihen nga teksti, jepen nisma konkrete për thjeshtëzimin e strukturës foljeformuese të shqipes, duke përkrahur prirjet e zhvillimit autokton të brendshëm të saj dhe, duke liruar strukturën foljeformuese të saj nga mishi i huaj, sidomos nga infiksat e huazuar, po edhe nga disa trajta të panevojshme edhe të vetë shqipes.

Në fund shtrohet kërkesë-porosia që kuadrot tanë t'i rreken punës më me seriozitet në mënyrë që krahas rihartimit të teksteve bazë të shqipes standardesiç janë Drejtshkrimi, Gramatika e Fjalori normative shpjegues, të punohet edhe për hartimin  e një teksti të veçantë të plotë standard për fjalëformimin e gjuhës shqipe.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora