E shtune, 20.04.2024, 04:28 PM (GMT+1)

Editorial

Shukrije Bunjaku - Mani: Poeti Agim Gashi një krijues vlerash

E shtune, 17.05.2008, 10:40 PM


Agim Gashi
Ju paraqesim krijuesit tanë

POETI AGIM GASHI NJË KRIJUES VLERASH

Nga Shukrije Bunjaku - Mani

Agim Gashi u lind më 28.04.1959 në Kryshec të Drenicës. Shkollën fillore e kreu në Polac, kurse gjimnazin në Skenderaj. Ka ndjek studimet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në degën   Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Gjatë vitit 1980/81 ka punuar në arsim, kurse prej viti1986 punësohet pranë Organizatës Punuese Kosovatrans"   Mitrovicë, njësia në Skenderaj.
Ardhja e masave të dhunshme serbe e gjejnë në këtë organizatë punuese në krye të Sindikatës se pavarur, ku ishte kryetar i saj. Kjo bëri që në mbarim të vitit 1990 në mënyrë të dhunshme të largohet nga puna.
    Në gusht të vitit 1991 emigron. Fillimisht në Gjermani e më vonë në Francë, ku edhe sot jeton dhe vepron. Në vitin 2005 ka punuar mësues në Montbiliard të Francës në shkollën shqipe me mësim plotësues, mm fëmijët e bashkatdhetarëve tanë. Me krijime letrare ka filluar te mirët që në bankat e shkollës së mesme. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat dhe gazetat e asaj kohe, si me:"Zëri i Rinisë", "Pionieri", "Gazeta e pionierëve", "Bujku", "Rilindja për fëmijë", "Thumbi" etj. Që nga viti 1985 bëhet bashkëpunëtor i jashtëm i "Zërit të Rinisë", dhe që nga ky vit mban edhe rubrikën e përhershme   në faqet e humorit "Fotografia që flet".
Shkruan poezi për të rritur e vjersha fëmijë dhe humor: ai vërtet nuk tallet me jetën, por edhe zbavitet e bën hajgare me penë e me kitare!!
Ata janë shtatë anëtarë dhe të gjithë jetojnë në Francë: zotni Agimi, gruaja e tij zonja Hanifja, bijtë Artoni dhe Fidani, bija Valmirja, nusja e djalit zonja Saranda, me mbesën
Elonën e vogël që posa i ka mbush 3 vjet, e cila për gjyshin Agim është edhe frymëzim për të shkruar dhe për t’u argëtuar!
      Largimi i tij nga atdheu, edhepse ka në opusin e tij shumë krijime, ka bërë që ende të mos ketë ndonjë libër të botuar. Këtë vit pritët t'i dalë nga shtypi përmbledhja e tij e parë, më vjersha për fëmijë   "Gjyshi, të kam shoqe". Disa nga vjershat që keni rast t'i lexoni më poshtë, janë marrë pikërisht nga kjo përmbledhje në dorëshkrim, që zgjodhëm për ju, lexues të dashur e të pasionuar, me të cilin libër ne do ta pasurojmë trurin, do ta shkathtësojmë trupin dhe do ta fisnikërojmë tutje në pambarim shpirtin tonë: pikërisht sikur trungun e lisit kur e futim në makinerinë gjegjëse dhe del prodhimi final!
Themi kështu, sepse analfabetizmi për njeriun është sikur ndryshku për hekurin!


TË JESH POET

Të jesh poet
vdes ngapak çdo ditë,
se çdo varg që shkruan
ta merr ngapak shpirt!

Te jesh poet
megjithatë është mirë,
në ta prangosshin trupin
shpirtin e ke të lirë.

Të jesh poet
lind ngapak çdo ditë,
dhe në ta marrshin shpirtin
në vargje të ngelë shpirt.


BACË, U KRYE!

Kush tha rënia sjell humbje
-nuk është e vërtetë,
rënia jote, Baca Adem
na dha forcë për jetë.

Maleve të Kosovës, Bacë
krenar qëndruan lisat,
luftën që Ti nise, Bacë
iu shtuan çdo ditë plisat.

Bushtra e vjetër Serbi
ike me miza nën jele,
deshe të bëhesh e madhe
- me hov të pelës hergjele!

E bëmë shtetin- Bacë
që në themel iu bëre gur,
- fli i qetë ti me shokët
shpirti i juaj jeton n'flamur.

E çuam n'vend amanetin
- sot Kosova jeton në liri,
të raportojmë- Komandant
Erdhi Pavarësia- Bacë, u krye!

Mulhouse-Francë, më 27.02.2008


TE VARRI I KOMANDANTIT

Tek qëndroj gatitur
të varri i Adem Jasharit,
më behët se e dëgjoj
një zë që del prej varrit.

Nëse dëshironi
të na nderoni vërtet,
tregojuni brezave që vijnë
-për çka kemi vdekur.

Dojeni njëri tjetrin
ndihmoni në kohë të liga,
mos lejoni kurrë
që t'iu përçaj shtriga.

Shtrija dorën mikut
shtrija dorën vëllait,
për hatër të Kosovës
për inati të shkaut .

Harroni mes veti
inatet e hasmëritë,
vetëm të bashkuar
ju do dilni në dritë.

Ndaleni hakmarrjen
ndërkreni gjaqet,
le të rritën fëmijët
le të tymojnë oxhaqet.

Kur ju jeni të lumtur
dhe të gëzuar në jetë,
edhe ne të rënët -
do të prehemi të qetë.

Mulhouse-Francë, më 28.02.2008  

ME FAT PAVARËSIA

Themelet tuaja Kosovë
-të lara mm gjak,
nga trimat që mbrojtën
-nder edhe prag.

Muret Tuaja Kosovë
-bijtë më të mirë,
të flijuar ndër shekuj
-që ti të jesh e lirë.

Çatia Jote Kosovë
-gjenerata e re,
lakmi ta ka bota
-për rininë qe ke.

E shndritshme Kosovë
-për ty ardhmëria,
më fat, me fat, me fat
Kosovë- Pavarësia!

Francë, 17.02.2008  


K O S O V A

Sa ushtritë e kësaj bote
i mahniti bukuria jote.

Erdhën deshën Ty të marrin
në vend të djepit gjetën varrin.

Për Ty njerkë qe historia
të vranë bij e të vranë bija.

Në ty u bënë edhe shumë krime
te ndanë nga nëna të lanë jetime.

Por, Kosovë kurrë s'u tute
rrite bijtë mbi tyta pushke.

Që dhe vdekja u ka hije
këmba e huaj mbi Ty kur bie.

Për Ty ranë bijtë më te mirë
vetëm Ti që të jesh e lirë.

Por Kosovë, mos i qaj
se për trimat nuk ka vaj.

Në 'Ty Kosovë po bëjmë be
ata do të jetojnë më ne.  

Kryshec, Drenicë, nëntor 1990  


LETER   BABADIMRIT

Ne fëmijët e Kosovës
t'i shkruajmë këto fjalë,
-qe sa e sa vite
kurrgjë s'na ke falë.

E vërtetë që sot
ne jemi te lirë,
por s'na   ke plotësua
qoftë dhe një dëshirë.

Teuta në Drenicë
ende s'ka shtëpi,
Agronit në Gjakovë
babi nuk iu kthy' .

Shumë shokë tanë
në rrugë shesin cigare,
ata s'ndjekin mësimin
-punojnë për idare.

dhe sonte shumë sish
lot hidhërimi derdhin,
se nuk kanë me çka
-të stolisin bredhin .

Vërtet nëse do
ta ruajmë miqësinë,
-sillna Babadimër
këtë vit PAVARËSINË...


L O T Ë T   E   G J Y S H I T

Ia dërguan ftesën
E mori dhe vizën,
Mezi priste gjyshi
të vizitonte Zvicrën.

Të takohej me nipin
dhe mbesat e tij,
kurrë s'i kishte parë
-pos në fotografi!

E gjatë iu duk rruga
-në avion dy orë,
që t'i merrte në prehër
-t'i përkëdhelë me dorë!

T'iu flasë për atdheun
-për fusha e male,
për farë e për fis
për Loken e Madhe!

Qëndroi veç një javë
kish ardhur për një muaj,
me fëmijët s'u mor vesh
se flisnin në gjuhë të huaj.

Në ndarje tha gjyshi
mm lot- këto fjalë:
Më mirë kishte qenë
të mos kisha ardhë!

Mulhouse, Francë më 19.01.2008


PULA NË INTËRNET

Një ditë pula
hyri në internet,
që të gjejë një gjel
-fatin e vet.

Shpejt hapi faqen
dhe hyri në chat,
një nik pulës
shumë iu përshtat.

Kishte hy dhelpra
që jeton në zabel,
me nikun e saj
"i vetmuari gjel".

Shpejt u morën vesh
të dy- përnjëherë,
që të njihen më mirë
te kalojnë në mesengjer.

Por pula këtij kurthi
shpejt ia ndjeu erën,
kur e luti dhelprën
që të hap kamerën.

E kuptoi pula-
se këtu ka hile,
pas këtij niku
fshihet ndonjë skile.

Atë natë pula
i caktoi takim,
eja nesër mbrëma
pranë kotecit tim.

Të nesërmen pula
në takim nuk i del,
në vend te saj çon
gjuetarin-bedel.

Më vonë nuk e di
se çka ka ngjarë,
por lëkurën e saj
e kam pa në pazar.

Mulhouse-Francë, 28 nëntor, 2007


MBESA S'DO NGATËRRESA

Kur më plakën përlahemi
-për hallet tona,
shpejt na hyn në mes
Mbesa jonë- Elona!

"Ndërkreni fjalët
nuk dua ngatërresa,
pajtohuni mes veti"
-na detyron mbesa.

Na ulën tensionet
na kthehet buzëqeshja,
pajtohemi me plakën
kur në mes hyn mbesa.

Dhe e puthim shumë
të dytë në faqe,
u rritsh e madhe
që na solle paqe!

Mulhouse-Francë, më 01.04.2008


BISEDË ME KULLËN

Sa stuhitë të kanë rrahur
çatisë- murit
e s'kanë mundur të rrënojnë
-kulla ime e mirë
-kulla ime e gurit.

Ç’drtare të ngushta ke
nëpër to s'ka depërtuar as era,
sa herë në këto fregji
kokën e ka shtrirë mamxerrja.

Sot me këtë qyski
(ngadalë-me kujdes)
do t'i heq gurët një nga një
e ti mos u hidhëro kulla ime
mbi themelin tënd
do të ndërtojmë pallat të ri.

Shih, ç'është ky plis këtu
-mes baltës e gurit
ja edhe një copë e flamurit
shih edhe dy tela të çiftelisë
pa shih pashë sytë e ballit
këtu qenka edhe bishti i kalit,
pranë qenka edhe një letër
një porosi me fjalë jo të kota
"Dritaret ktheni kah dielli
- kah bota..."

Ja themel i kullës
mbi ty ngritëm mur të ri
telat i zgjatëm në çifteli
e bishti i kalit -
në lahutën e gjyshit sa bukur rri'
e plisi?!
(plisi s'është mes gurësh, i përbaltur)
në kokat tona qëndron me krenari,
dritaret i kemi kthye kah dielli
kah bota-sipas të gjyshit porosi.

Pa dëgjo, dëgjo
ç'këngë e bukur
lahuta me çiftelinë
-në orkestrinë
japin koncert për LIRINË...

P.S. Botuar te "Zëri i Rinisë" në vitin 1990


Poezi satirike


JETA S'ËSHTË TELENOVELË

Tërë natën rri në internet,
herë në msn e herë në chat,
burrin e shkretë s'e zë gjumi
-rrotullohet vetëm në shtrat.

Telefoni i Zelës - në gji
nuk e ndal dridhjen- zilen,
pa ndërpre i vijnë mesazhet
e ia zbulojnë të shkretës hilen.
 
Punët në shtëpi i ka llugë
bërlloku- deri në fyt,
kur të dalë në dasmë a në qytet
-salltaneti krejt e mbyt.

Në kohën kur në televizor
fillon të emetohet telenovela
mundohet e tëra të hyjë brenda
sy e veshë bëhet - Zela!

Shpejt do të kalojnë vitet
do të bindesh- dada Zelë,
se jeta nuk është film
-besa as telenovelë.


DY DESH

Pak pa rënë terri
kah bëhet natë,
hapën kompjuterët
dhe u futën në chat.

Hynë me "nik"
-jo me emër,
njëri mashkull
 e tjetri si femër.

Biseduan e biseduan
u kënaqën në chat,
ku s'hynë e ku s'dolën
-gjithë natën e gjatë.

Dhe vetëm në mëngjes
- e morën vesh,
Asnjëri s`ish femër
por që të dytë desh!

Francë, më 03.04.2008


NEHRI AUTOMEKANIKUT

Për shumë vjet në Gjermani
-mori   zanat dhe dituri!

Dhe shumë shpejtë u bë majstor,
ndërroj dinamo e ndërroj motor!

  Dhe shpejt në punë ai kalitët
-sepse shumë përflitet!


Punon shpejt- punon mirë
më e rëndësishmja punon lirë!

Nëse në servis bën një mijë
për dyqind e ki sahi edhe atë veresi!

Por automekaniku s’dëgjon botën
ndërron frerët-ndërron rrotën!
Ndërron vajin dhe sedilën
nuk e njeh punëtori hilen.

Edhe  pa para- veresi
-ai e kryen punën e ti!

18.01.2008

I KALLUR SE I KALLUR...

Një mbret - një herë
vendosi të kallte një mal,
që të kthente në tokë buke
-që ta bënte arë.

E urdhëroi rrogëtarin
gjithë ditën të mos ndalej,
të lajmërojë gjënë e gjallë
-se mali do të kallej!

Pas dy tre dite-
pasi u zbraz mali,
dha urdhër mbreti
dhe   malin e kalli!

Një javë rresht
flaka nuk u ndal,
u bë shkrumb e hi
- mali krejt u kall!

U ngrit vet mbreti
dhe shkoi te vizitoj,

mos rastësisht ndonjë gjë
në mal nga zjarri e pësoj.

Kur u futë thellë
- në mes te malit,
sytë e tij panë
disa eshtra të kalit.

U shfry Mbreti
plotë nervozitet,
a s'ke dëgjuar o i gjorë
-apo s'ke ik vetë?

Erdhi zëri i kalit
nga eshtërtat e ti',
nuk kam dashtë me ik
se shumë mirë kam ndi!

Mendova e mendova
dhe mora vendim,
"i kallur se i kallur
ma mirë në malin tim".

Francë, më 26.04.2008


KUJT I BESON?

Nastradini në oborr
e dëgjoi një za
doli  shpejt  e shpejt
kush po thërret me pa!

A u çove Nastradin?
-tha fqinji para dere,
ç’e mirë të solli komshi
ç'kërkon kësaj here!?

Ti- vëlla Nastradin
mua ma din hallin,
me duhet për punë
ta kërkoj- gomarin!

Ti e din komshi
kurrë nuk ta kam ndal,
por sot s'është këtu
se e kam lëshua në mal.

Për sherr gomari
në atë moment pëllet,
Nastradinit i drejtohet
-komshiu i vet:

Pse me the s'është këtu
në mal ka shkuar gomari,
ia dëgjova zërin
në stallë që palli!

Nastradini i tha komshiut
që  ish ndreq si hu,
ti a po i beson gomarit
-a po më beson mu’?!

Fracë, më 30.04.2008


PËR NJË HOXHË

Para shumë vitesh
vdiq hoxha në fshat,
njerëzit ranë n'hall
- ramazani ngatë.

Kush e këndon Mevludin
-kush na  këndon në teravi,
më në fund e zgjodhën
për imam- një haxhi!

Filloi Ramazani
siç është zanat,
Hoxha ndërronte konakun
-në katund për çdo natë.

Me pite i shtrohej tepsia
me mish i vinte sahani,
por kot-hoxhës   plak
-nuk i shkonte zani.

Një natë pasi mbaroi
Hoxha – Allahu  ekberin,
-u ulë afër sofrës
që t’ ia bënte "nderin".

Nga fundi i odës-
erdh një zë i hollë
"ne po  të mbajmë si pëllumb
- ti po këndon si sorrë".

Francë, 27.04.2008


E P I G R A M E

Sa janë në  pozitë
nuk iu bëjnë  sytë dritë,
nuk mendojnë për asgjë
-sa ma shumë me grabit!

kur dalin në opozitë
- iu çelën sytë,
thonë punët nuk janë në rend,
kritikojnë me vend e pa vend!

    x       x       x

Nanë e bij, në një Parlament
çka nuk dëgjon njeri,
-Melihate Termkolli
e Lulëzim Zeneli!

    x       x       x

Kur dalin disa këngëtare në ekran
- televizorit ia ndali zërin fare,
e "kënaqëm", e “kënaqëm" duke  shikuar
-cullakhane gratis - papare!

x       x       x

çdokund në botë
ata që bëjnë art-jetojnë,
këtu në Kosovë
iu duhet të mbijetojnë!

    x       x       x

Kjo botë është e rrejshme
jam plotësisht dakord,
sepse vërtet  rrencat
po e jetojnë këtë botë!

    x       x       x

nëse dëshironi te dini për te gjallët
shko, bane një vizitë tek varret ,
inshalla nuk i viziton varret tona bota
se mbi to shpesh kullotë lopa!

    x       x       x

Kush është nën dardhë
thonë:,hanë dardha
këto janë veç fjalë ,
se dardhat i han-
ai që ka hip në dardhë!

Francë, më 18.04.2008

MAKSIMA POPULLORE - BASHKËKOHORE

Dy atllarë s'rrinë në një mullar!
-E aq me pak në një parti!

*Me rrenë e hajni s’mbahet shtëpia!
-Po qeveria !

*Me një hu nuk thuret gardhi!
- Por, mbyllet një shteg!

*Shkoi cjapi te kasapi!
- Ai i tha: Nuk më ka mbet mish për sot. Eja nesër!

*Dikush thumbit, dikush patkoit!
- Askujt s'i ra ndërmend t'i bjerë kalit!

*Dikush ha me dy lugë!
- E dikush ia grah me pjatë!

*Dy duar për një kokë!
- Dy këmbë për një kokë e dy duar!

*Rrena i ka këmbët e shkurtra!
- Por ç'e do kur sot askush nuk po ecën këmbë!

*E di luga çka ka vegshi!
- Nëse ka hyrë luga nuk ka mbetur asgjë!

*Ai qe s'e dëgjon nënën e dëgjon njerkën!
- E ai qe s' dëgjon njerkën, e dëgjon "Radioprojektin"!

Agim GASHI , Francë


MAKSIMA POPULLORE - BASHKËKOHORE

  Shtrijë   këmbët , sa e ke jorganin!
  -Disa nuk kanë këmbë, sa kanë  jorgan!


  Hip se t'vrava- zbrit se t'vrava!
  -Mos ia leni armën të marrit!


  Dardha e ka bishtin prapa!
-Kur qëllon dardha e mirë, nuk i shikohet bishti!


  Dora e thatë , s'ka dobi!
  -Por kujdes t'i then dhëmbë e turi!


  Dikujt me ia dhanë gishtin, ta merr edhe dorën!
  -E me ia dhanë dorën, ta merr orën!

  Kush punon- gabon!

-Nëse është kështu kosovarët janë populli më i pagabueshëm në
  Evropë, sepse më se shumti të papunë ka atje!


MËSOJMË DUKE QESHUR

Gjatë gjithë orës së mësimit Genci po e ngacmonte Dritën me fjalë bile në një rast e ofendoi rëndë.  
Për një moment, Drita humb durimin dhe plot   nervozizëm ngriti dorën lart dhe i drejtohet profesorit :
- Zoti profesor, rregullisht çdo orë po me fekondon Genci! S’duroj më!


Derisa Artani po e lavdëronte shokun e tij Benin dhe po i jepte komplimente, Beni duke dashur ta falënderonte Artanin, iu drejtua:
- Të faleminderit për komplikime!
Dy azilkërkues po bisedonin ndërmjet vete.
-Na shkoi gjatë pa marrë lejeqëndrime!
Tjetri, pasi kishte dëgjuar nga dikush se këtë vit shteti kishte vendosur të bëjë amnisti për të huajt ia ktheu:
-Këtë vit kësmet po rregullohemi, se Franca e ka vendos me dhanë sivjet amvisni.


NINULLË BASHKËKOHORE

Nina nana n'djep të lehtë
iu bëfsh nënës deputet
me marrë pare për lezet
në kuvend me shkua me fjet.

Nina nana n'djep prej plepit
ti u bëfsh  menaxher i KEK-ut
menaxher qe shtetit me kerr
e Kosovën e lenë n'terr
Nina nana erdh pranvera
ti punofsh ku dhanë tendera
ku luan parja sa herë çelet dera
e korrupsion të ardhtë era!

Francë, 05.05.2008


MAKSIMA POPULLORE-BASHKËKOHORE

Gjelin që e hanë pula- duhet pre!
-Më mirë se sa pulën, se ai nuk bën ve!

Tri herë mat e një herë prej!
-Mos prej asnjëherë nëse nuk ke penj!

Rrugës se rrehne dhe gruas se krehne-mos ju ndaj!
-Po veç kur te zënë sherri , mandej mos qaj!
Shkolla njeri nuk të banë!
-Për atë dhe shumë nxënës e kanë lanë!

Njeriu është bërë njeri veç me punë!
-Inshalla s'është kështu, se shumë njerëz do t'ktheheshin n'majmunë!

Francë, më 05.05.2008


KATUNDARËVE - SHEHERLI

Pesë hektarë n'katund i la tokë
Iku n'qytet - bashkë me shokë!
çdo mëngjes shkon te furrtari,
-arat n'katund i ka mbuluar bari!

kur sheh çmimin e bukës që ngrihet,
-fillon shanë e përpëlitet!

Shanë furrtarin e qeverinë,
qe me çmime i mbytën njerëzinë!

Por, s’e di o katundar-
Kënd duhet sharë ma parë!?!

Francë, më  05.05.2008


NJË DIALOG

              (Hyseni e sheh tek po vjen rrugës shokun e ti Hasani      
              që jeton përkohësisht ne Gjermani)
Hyseni: Ooooo, tungjatë Hasan, a paske ardhë, a?!
Hasani:Po kam ardhë për nja dy javë!
Hyseni:E Hallall të qoftë, se ti nuk po e harron venin tanë!
              M'u ba qefi që të pash, po hyjmë dikund e po pimë
              diçka dhe bëjmë muhabet, se me paska pas marr malli me
              të pa...
Hyseni:Po hyjmë këtu në çajtore, se edhe ashtu nuk kam shumë,
              shumë kohë...
Hasani:A hajgare Hasan a?! Allahile nuk te vjen marre me na pa
              kush në çajore, a?!
            Në çajtore hynë vetëm mësuesit dhe pensionistët Hysen o,
            po, po Hyjmë këtu përball në kafiteri se është edhe me
            klimë...
            (hyjnë brenda)
Kamerieri: Mirëdita!
Të dytë: Mirëdita!
Kamerieri: Urdhëroni për çka jeni?
Hasani: Ma sjell mua një xhimi woker!
Hyseni:E mua një kokakolë!
Hasani: Ani, Hysen... a na ke sjell ndoj send prej Gjermanisë
Hyseni:Jo valla kurrgjë se...(nderhyn Hasani)
Hasani:Veç mos fillo me m'u qajt si shokët e tu se po na shtini
              n'gjynah...
Hyseni:Nuk po të qahem por po të tregoj drejt, se edhe atje
              më nuk ka mbet kurrgjë prej që ka hy euro edhe ne na ka
              rrua dreqi...
Hasani:Po bile ndoj telefon të mirë mos e ke pru...
Hyseni:Jo valla vetëm këtë timin (dhe ia tregon)
Hasani:Allahile a hala e paske atë telefon që e ke pas kur ke pas
            ardhur para tre vjetësh, a?!
            hiqe mos ta sheh kush këtu ketë "tullë" se qesh me ty!
            shihe telefonin tim, nuk punoj kurrkund dhe e kam me dy
            kamera...
Hyseni:Edhe unë e kisha ble ndoshta edhe më të mirë se sa  
              telefonin tënd të kisha qenë në Kosovë dhe të kisha pas një
              vëlla që punon në Gjermani!!

Francë, 05.05.2008


MAKSIMA POPULLORE – BASHKËKOHORE

Qeni i keq , ta sjell ujkun në torishtë!
-Dhe nuk skuqët hiç, thotë unë s'kam pas gisht!

Me një lule, nuk vjen pranvera!
-Por edhe një luleje i vjen era!

Mos i hy tjetrit në hak!
-Se qëllon në dike që të shkoqë dajak!

Nuk je zatetë hale në hundëlesh!
-Se të shtinë me ia rrua hundën edhe veshët!

Sendi i huaj nuk bëhet i yti!
-Se vjen i zoti e ta ngjet për fyti!

Mos ua qit njerëzve yndyrën!
-Se e humbë fytyrën!

Me fjalë kurrkush nuk ka lind!
-Por, pa fjalë femrën s'mund e bind!

Më mirë me ditë se sa me pas!
-Kush ia vlerëson sot diturinë fukaras!

Paraja e bardhë për ditë te zezë!
-Parat po na duhen për ço ditë për besë!

Qengji i butë i thithë dy nana!
-Qengji i egër i thithë të tana!

Francë, më 06.05.2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora