Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Një ''shëtitje'' në poezinë e dashurisë të autorit Zeqir Lushaj

| E diele, 07.07.2013, 01:58 PM |


-NJË “SHËTITJE” NË POEZITË E DASHURISË  TË AUTORIT –ZEQIR LUSHAJ

“…do të vdes duke dashuruar!”

Nga Drita Lushi

Si një lejtmotiv dashurie të origjinalitetit poetik të Zeqir Lushajt do ishte një strofë e shkëputur nga poezia “Këngët e çikave” ku edhe pastërtia e Valbonës e oshëtima e saj janë veçse një “keqeshkronjë” siç thotë autori, “e këngëve e çikave tona!”

E ai, i do aq shumë “çikat” sa një ditë do e pranojë se nga dashuria edhe ka “gabuar”…por shpejt na bind se, më tepër se gabim, ky është fetishizim i dashurisë.

 

“Gabova, në të gjitha dashuritë,

dashuritë me vajzat dhe gratë,

Ato ikën, si retë nga murlani,

shpirti i dashuruar mbeti thatë!”

 

Dhe një “shëtitje” në vargun dashuror të redaktorit të revistës  së mirënjohur Zemra Shqiptare, poetit e publicistit shqiptaro-amerikan Zeqir Lushaj, “penda e artë e kaltërsive të Valbonës”, siç e kane vlerësuar lexuesit, bashkëpunëtorët,e kolegët, të vjen natyrshëm e të zgjon kuriozitetin.

Dekada më parë, autori  na vjen me këto vargje, e sikur do të na thotë se ç’do të ndodhë edhe më tej, në librin “HIJA E VENDLINDJES”

 

“…Kur rrjedh me ushtimë,

i pastër, lumi Valbona,

më duket, “keqeshkronjë”,

e kangëve dhe e çikave tona “

 

Zeqiri është i drejtëpërdrejtë, ndoshta nganjëherë  edhe më shumë se sa duhet.

Ja si shprehet ai ne poezinë “ “SONTE JE, BAJRAK NDËR ÇIKA…” kushtuar - një shoqeje në natën e martesës ;

 

“Shikimi yt,

rrezja e parë kur zbardhë dita,

“Sonte je bajrak ndër çika…”.

Aaah, medet,

Krajlica e Bacit ,

shkret po i len rrethet e Gashit!”

 

“Shoh jodin e detit,

në trupin e bronxët,

të vajzës krenare .

Shoh brezat ,

në ecjen e kujdesshme,

të nuses që do të bëhet nanë”

 

nga  libri “Lisi i shkruar”

 

E ndërsa kjo poezi është e viteve të rinisë, edhe sot, mbas dekadash, kur autori punon e jeton në Amerikë ndeshim në të njëjtin shtrat, motiv e ritëm vargu si në poezinë “E përbashkëta” të po ketij botimi.

 

“Ndoshta, krijuesit,

në të gjithë botën,

Tek frymëzohen, diçka për të thanë,

Kanë diçka të përbashkët

me këtë grua,

me këtë nuse,

që shpejt,

do të bahet nanë!”

 

Vargjet e poetit Lushaj ecin me kohën, me elementet e tyre figurativë e realë.

Ballafaqimi i vargjeve, shpesh krijon hapësira kohore  shumëdimensionale. Ja psh, çfarë mund të ndjejë lexuesi kur mbas vargut:

“sevdaja e bareshës në ortek të borës, a midis ashtës,”

na merr me vete në dialogun në një park të Nju Xhersit ku bisedon me:

“…një bjonde simpatike, mbi një xhip të ri…”.

E ndoshta-ndoshta, është kjo bareshë që deri dje milte delet në “Shtyllë të Grisë”, ajo që e shoqëron poetin edhe në atë anë  të globit, por sot, një qytetare edhe më aktive e saj.

Me emocion jepet ndarja në breg te Lanës, nga mikja që detyrohet të marrë rrugët e kurbetit.

Autori e përjeton thellë këtë çast kur merr lajmin se nesër, e adhuruara e tij largohet…

 

Mali i Dajtit.

më ra mbi krye,

Lana, (e qelbur!),

Tiranën e përmbyti,

 

Një, (Kushedi – Kush?!),

ma lidhi gjuhën,

Pështyma e gojës,

u kallait për fyt”.

 

Dhe pastaj garancinë e dashurisë, që duket nuk do të jetë më, e jep shumë sinqerisht, gati –gati, në naivitet por me shumë  ide e moral:

 

Asnjë takim tjetër,

(i përfytyruar),

nuk mund ta ketë,

forcën e ndarjes së asaj dite.

 

Janë ca gjëra,

në jetë…

Që…

veç bjerren,

po i përsërite!”

 

Në poezinë “Rinia e pleqërisë” autori përmes librave të tij që  do të hyjnë në dhomën e mikes “në mos nga dera, nga dritarja…”, e përjeton aq këndëshëm momentin, kur i thotë asaj;

 

E di se,

do të zverdhesh-limon,

në fytyrë!

Gishtat e duarve,

do të dridhen…

nga pak!

Ndonjë pikë-loti,

(pa kontrolluar!!),

“Tak-tak… ! “,

Do të rrëshqasi,

mbi kapak”

 

Për autorin dashuria është edhe dashuri por edhe trishtim, edhe besë por edhe deziluzion,ndaj e pranon aq bukur se në këte rrugë “dredharake-lozanjare” edhe ka gabuar…

 

TË MOS VARROSET DASHURIA

 

Gabova, në të gjitha dashuritë,

dashuritë, me vajzat dhe gratë,

Ato ikën, si retë nga murlani,

shpirti i dashuruar mbeti thatë!

 

Por  shpejt “autokritika” s’ka vend se ai nga dështimet merr vetëm forcë dhe si per ”inat“ të dashurive të humbura, ngrihet edhe me fuqishëm ;

 

“Një jetë në dashuri paskam gabuar

prap kam forca të dashuroj çdo ditë,

do të vdes duke dashuruar!”

 

E pra, humbjet nuk e kan thyer autorin i cili “zotohet” se “do të vdes, duke dashuruar!”.

 

Zeqir Lushaj, ndoshta edhe nga ndikimi profesional si gazetar, edhe ne temen e dashurise jo rrallë kalon ne nje fare moralizimi, por te këndëshëm, te pranueshëm e jo thjesht propogandistik.

Ja nje poezi e tillë e vitit 1978. Sa çilter reagon autori ndaj nje mikeje  që e sheh të mërzitur:

 

ALERGJIA !!

 

Heeej,

Tiii,

Vaaajzë!!

Pse,

të shoh,

të mërzitur ?!

…!

Apo, se :

Dikush,

ka thanë hapur

qëëë, Tiii,

je mikesha e “x’-it ?

Mos u merzit,

Oooj  pëllumbeshë!

Ai,

nuk ka gjë,

as  me “X”-in,

as me Mua,

as me Ty .

Thjeshtë,

është alergjik,

ndaj fjalës:

DASHURI !

 

HIJA E VENDLINDJES”

 

Ose e shohim këtë edhe në vargjet shumë miqësore dhe këshilluese, shkruar po në ato vite disi shtrënguese edhe në  këtë fushë..:

 

At’ natë në Restorant “Drini”,

rastësisht u gjendëm ballëpërball,

Ti s’bëre mirë kur dole pa na folur,

…sikur s’na kishe parë.

 

Ti ke diçka me vetveten,

të mundon opinion i sëmur,

megjithese mbahesh vajzë e zgjuar,

megjithëse je shkolluar per kulturë.

 

Shokëve të mirë,

që ju flet kur je vetëm,

të ju flasësh, zonjushe!

Kur je dhe me të tjerë!

 

1975

Nga poezia “Kritikë moralizuese”

Ne poezinë”BISEDË INTIME”edhe  lexuesi më i pavëmendëshëm, e ndjen veten bashke me çiftin në bisedën e tyre, të cilën e beson sinqerisht, aq reale na vjen ajo.

 

“ A ke shkruar ndonjë vjershë për mua?

më pyeti ime shoqe, një ditë në plazh,

Hodha syte mbi rërën e nxehtë,

e, duke buzëqeshur lehtë, – i thashë:

 

– Në qoftëse më lejon t’i krahasoj,

me kokrriza rëre vjershat e mia,

Ti, je shkëmbi i tyre burimor,

nga më lind dhe më vjen poezia…

 

1978

 

Autori  natyrshëm dhe bindshëm ngre kult ndaj dashurisë e besnikërisë për gruan :” Ti je shkëmbi i tyre burimor…”- thote ai.

 

Ai e krahason dashurinë me lirinë, pra kulti i saj është i njëjtë me të qenit i lirë;

“do t’ju dua prore”-thekson ai në një  varg!

Ja si shprehet Ai:

 

PENGJET E MIA

 

- Ndjese, ndaj vajzave dhe lirise -

 

Kush lëvroi kaq thellë,

kush dremiti pa limit,

nëpër shpirtin tim?

Si vajzat e bukura,

…dhe Liria?

Kërkush si Ato,

ishin dhe mbetën:

PENGJET e mia!!

 

Tash 60 vjetë,

(si "pronar" mikroborgjez),

I pata dhe, (shpesh),

nuk i gëzova!

 

I papërgatitur,

për gjëra të bukura!

( primitivisht, jo rrallë),

i shpërdorova!!

…!

Ja nisi Qiellit këtë Ndjesë,

(ndaj vajzave dhe Lirisë),

binomit energjitik,

të jetës njerzore.

–Lutem për Ju, që kurr…,

kurr mos ngeleshi

PENG!

Tek Unë,

nuk do të shuheni,

bashkë me frymën!

– Do t'ju dua,

 

…PRORE!!

Zeqiri në poezite  kushtuar dashurise te botuara deri tani, ka edhe si një “epitaf” dashuror…(jo mortor!), për femrat.

 

FEMRAT

 

Në rini,

gjithnjë,

– Frymëzim!

 

Në burrëri,

më tepër,

– Shoqërim!

 

Në pleqëri,

(ndoshta),

Thjeshtë,

– një kujtim!

 

Gjashte librat e Tij, jane botuar ne Tiranë 2009, ç’ka tregon  se ai ka “vendosur”- ti mbajë dorëshkrime deri ne “pjekjen” e plote  artistike të tyre.

E kështu vepron rrallëkush.

Poeti  Lushaj, ka gjithashtu  disa libra gati për botim e shumë të tjera në projekt për vitet e ardhshëm;

Por  se ç’vënd do të zërë tema e dashurisë në ato krijime, mbetet të shohim. Mendoj se me gjithëse vitet e Zeqirit ecin, (si të gjithëkujt tjetër në këtë jetë), tema dhe vargjet e dashurise do të mbeten gjithnjë prezente dhe interesante në origjinalitet,për sa kohë ai e ngjyen penën e frymëzimit në vendlindje dhe aromën e kaltër të Valbonës!

Drita Lushi - Korrik 2013, Shqipëri