E enjte, 18.04.2024, 12:48 PM (GMT+1)

Mendime

Skënder Buçpapaj: Manjakët e partive

E diele, 07.07.2013, 06:57 PM


SEVDALLINJTË MANJAKË TË PARTIVE - DIVERSION EDHE KUNDËR MEDIAVE ONLINE

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

Njëfarë lexuesi i botimit online të gazetës 'Dielli', i cili nënshkruan gjithnjë me ndajshtimin profesional 'M. A. Economics', mëtoka tashi t'ia imponojë kësaj gazete politikën botuese. Sipas tij në 'Dielli' u dashka të botojnë ekonomistë, mjekë, aparatçikë, por të mos botojnë gazetarë profesionistë të dëshmuar një jetë të tërë. Kjo do të ishte njëlloj sikur ne gazetarët t'i urdhëronim ekonomistët të na e lënë ne profesionin e tyre meqë edhe ne e dimë sa bëjnë 3+5. Me të njëjtën logjikë, t'i urdhëronim mjekët, juristët, inxhinierët, politikanët e të tjerët të na i lënë ne  klinikat, studiot, laboratorët, karriket, pushtetet e tyre. Sidomos këtë ta bënin ata që janë më të shquarit në fushat përkatëse.

Unë mendoj se 'Dielli' bën mirë që i boton mendimet e ndonjë Çini. Edhe ne ia kemi botuar në gazetën tonë online sa herë që Çini na i ka dërguar. Natyrisht, nuk kemi menduar se ia shtonim kështu vlerat gazetës, por e kemi respektuar dëshirën e tij të padëmshme për të shprehur mendimet e tij publikisht për një çështje të caktuar. Prej kohës kur botues i 'Diellit' është kolegu i nderuar Dalip Greca ne kemi një partneritet të frytshëm me këtë gazetë. Kjo periudhë, për më tepër, përkon edhe me një nga kohët më të ndritshme të Federatës Panshqiptare Vatra, të drejtuar nga atdhetari i ndritur Dr. Gjon Buçaj, duke na i kthyer në kujtesë kohët e dritëshme të Vatrës së Konicës, Nolit dhe kolosëve të tjerë vizionarë të shqiptarisë.

Në shkrimin "Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske", lexuesi Çini, krahas kënaqësisë prej të përvuajturi ndaj kësaj arritjeje të 23 qershorit 2013, shpreh pakënaqësinë prej arroganti ndaj shkrimit të zonjës Buçpapaj për letërkëmbimin publik midis Dr. Berishës dhe Gentjanit 16 vjeçar që i lutet idhullit të tij të mos largohet asnjëherë nga politika. Në shkrimin e saj zonja Buçpapaj, fare thjesht, pa lënduar njeri, vetëm duke ia kujtuar Berishës arsyet për se Gentjani të mos e lexojë përgjigjen e Berishës, shprehet kundër një forme të tillë bajate të propagandës. Shqetësimi i kryesor që ngre zonja Buçpapaj në shkrimin e saj është politizimi i parakohshëm i fëmijëve, moshë lehtësisht e lëndueshme, çka çon edhe në zhgënjime të cilat shndërrohen po aq lehtësisht në trauma për brezin e ri.

Misioni i gazetarit, siç është i ndryshëm ndaj misionit të ekonomistit, mjekut, juristit, inxhinierit e tjerë, është i ndryshëm ndaj misionit të politikanit. Është politikani ai që vendos për mënyrën dhe kohën e largimit nga politika, ashtu siç ka vendosur ai për mënyrën dhe kohën e ardhjes në politikë. Është punë e tij si e percepton ai verdiktin e Sovranit në kohë të caktuara. Ndërsa gazetari e ka për mision të pasqyrojë dhe ta shprehë të vërtetën cilado qoftë ajo. George Orwell, të cilin, për shembull, Berisha e parapëlqen në retorikat e tij, thotë se gazetaria është edhe ajo që iu pëlqen veshëve tanë, edhe ajo që nuk iu pëlqen.

Sikur të ishte duke marrë fjalën në ndonjë mbledhje të organizatës bazë të partisë, ky Çini, stigmatizon shembullin që nuk duhet lejuar dhe që duhet ndaluar, si dhe stimulon shembullin e përparuar, që duhet përhapur dhe inkurajuar. Shembull i përparuar për shkrimet me temën e 23 qershorit, sipas tij, janë shkrimet e Dr. Enver Bytyçit dhe të Dr. Elton Marës. Shkrimet e Bytyçit me këtë temë unë nuk i lexoj, sepse e marr me mend se çfarë mund të shkruajë një drejtor aktual i marrëdhënieve publike të Ministrisë së Kulturës në këtë rast. Ndërsa shkrimet e Marës i lexova. Më 21 qershor ai bën thirrje për votim sa më masiv, iu kundërvihet thirrjeve për bojkotim të votimeve, ashtu siç kemi bërë edhe ne me shkrimet tona. Ai beson se qeveria, me punën e madhe që ka marrë, do të fitojë një mandat të tretë. Më 3 korrik Mara ngre pyetjen a fitoi apo humbi sovrani me votën e tij të 23 qershorit. Ai i shtron me qetësi dhe mirësjellje mendimet e tij, pa rënë në sevdallosje ndaj ndonjë partie apo lideri, pa tone arrogante, brutale, fyese, si ato të lavdëruesit të tij.

Lexuesi i lartpërmendur i 'Diellit', z. Cini, e krahason rolin e zonjës Buçpapaj me rolin e Kasandrës së antikitetit. Ai bie në skemën e biografit zyrtar të Berishës dhe, padashur, kështu e lartëson rolin dhe figurën e së kritikuarës së tij. Kasandra e mitologjisë greke, nga Homeri e deri sot, në penën dhe gojën e poetëve, filozofëve, oratorëve, është simbol i profecisë së pagabueshme. E vetmja mbresë negative që e shoqëron emrin e saj është se profecitë e saj nuk janë dëgjuar në kohën kur ajo i ka shpallur. Ajo është parashikuese e tragjedive. Zonja Buçpapaj nuk ka parashikuar asnjëherë tragjedi, dhe 23 qershori nuk ishte e tillë, siç e kishin paralajmëruar shumë Kasandër dhe Kasandra, 'të djathtë' apo 'të djathta', e cila, sipas tyre, do të ndodhte po të fitonte e majta.

Sikurse e thotë vetë titulli i shkrimit "Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske", autori e mban lugën e tij plot duke i mëshuar idesë së përkryeshmërisë së zgjedhjeve të 23 qershorit. Kjo, në fakt, është ide e vëzhguesve ndërkombëtarë, ndërsa humbësit e zgjedhjeve në thelb nuk pajtohen me këtë përkufizim. Ata të gjithë shpallin se votat e LSIsë ishin të blera me para në dorë. E çfarë organizimi të mirë kanë votimet e blera. E çfarë organizimi të mirë kanë zgjedhjet ku 30% e votimit ishte votim familjar?

Organizimi i votimeve të 23 qershorit është një precedent që nuk bën të përsëritet me kurrë në Shqipëri për një fakt tjetër tejet kapital: mbajtjen e vendit për rreth tetë muaj rresht në fushatë të pandërprerë parazgjedhore dhe zgjedhore. Një ekonomist fare i thjeshtë, edhe z. Çini, mund t'i bjerë lapsit dhe të llogarisë humbjet e Shqipërisë nga këto zgjedhje. Në maj dhe qershor, për shembull, PD shpall se ka nxjerrë në sheshe 2 milionë njerëz. Partitë tjera kanë nxjerrë pjesën e mbetur. Të mbash në sheshe 3 milionët e vendit tënd me muaj të tërë është një papërgjegjshmëri e pafalshme. Përveç kostos shumë të lartë, për një vend kur një pensionist merr mesatarisht as 100 Euro në muaj, në një vend ku zgjedhjet kostojnë me miliona Euro por ku partitë i fshehin burimet dhe po ashtu edhe bëjnë edhe ekonomistët militantë.

Z. Çini është ngelës edhe në profesionin e tij. Ai dështon edhe kur e llogarit si humbje rezultatin zgjedhor të PS - kur në fakt është rreth 100 000 vota më shumë se katër vjet më parë. Edhe kur llogarit numrin e deputetëve përsëri gabon.

Tashi 'demokratët' mëtojnë se kocka në fytin e tyre të humbësve është pikërisht LSI e larguar nga koalicioni. Kur Meta u largua nga koalicioni, ndonjë allçak i PDsë shpallte se, me këtë largim, PD do të merrte 40% elektorat më shumë se në vitin 2011 kur kishin qenë aleatë PD-LSI. Zonja Buçpapaj e quante një fantazi të pabazuar dhe kundërproduktive një mendim të tillë. Allçaku përdorte faceboookun për të sharë zonjën Buçpapaj dhe mua. Për këtë ai gradohej menjëherë zëvendëministër i Jashtëm. Tash Metës ia përmendin bllokun në dorë të gjithë në PD, nga i pari tek i fundit, por ata ishin faktor kryesor i mosdhënies së drejtësisë ndaj njeriut me bllok në dorë, për çka zonja Buçpapaj i pati kritikuar në kohën kur ndodhte. Kur Berisha mori bashkinë e kryeqytetit, ne e përkrahëm, sepse ishte precedent krejt i papranueshëm që Edi Rama të kërkonte një mandat të katërt në bashkinë e kryeqytetit. Kur Berisha mori presidentin, kryeprokurorin, kreun e SHIKut, në përplasje madje me aleatët amerikanë dhe evropianë, ne e kritikuam si të dëmshme për të ardhmen e tij politike, të PD, demokracisë, integrimeve. Ne nuk u pajtuam as me mosndriçimin e skandaleve të shumta gjatë qeverisjes së PD, sidomos në mandatin e dytë.

Më tej autori i shkrimit "Votimet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri dhe qejf mbetja gazetareske", ia lejon vetes ta kritikojë PDnë për çështjen e pronës, për çështjen e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë, për çka ne e kemi kritikuar sistematikisht për politikë ekstremisht të majtë të PD në këtë tetë vite, sidomos në mandatin e dytë.

Z. Cini nuk harron as në këtë shkrim të merret me ish presidentin Bamir Topi. Këtë temë në fakt nuk e harroi as PD, e cila e vuri makinerinë e saj propagandistike kundër Topit dhe Spahiut më shumë se kundër Ramës. Ndërsa Metën, gjoja si padashje, e harruan fare, për çka u kuajtuan vetëm tashi. Në fakt kinezëria e kohës së Revolucionit Kulturor e PD se Meta do ta tradhtonte Ramën dhe do të kthehej tek fitimtari Berisha pësoi fiasko totale.

Partia e Bamir Topit fitoi 30 mijë vota në zgjedhjet e 23 qershorit, por, falë ligjit aktual zgjedhor, nuk fitoi asnjë deputet. Nëse bashkohej me PS ose PD e kishte të sigurtë një grup parlamentar. Por Topi dëshmoi integritet dhe nuk u bashkua me Islamët, Kadelët, Dogjanët dhe Dukët e PD dhe aleatëve të saj.

Qëndroj tek kjo temë, sepse z. Çini e ka alergji të jashtëzakonshme Bamir Topin, për çka nuk kërkoj arsye personale, siç bën Cini me të tjerët. Siç e përmenda më lart, ne Cinit ia kemi botuar të gjitha opinionet e tij kundër Topit. Por ne nuk e kemi pranuar dhe nuk e pranojmë rolin diversionist në mediat, qoftë ato audiovizive, qoftë të shtypura, qoftë online, qoftë sociale.

Z. Çinit, i cili na ishte paraqitur si mik i një mikut tonë të ngushtë, i duket burrëri e madhe që të përdorë miqësinë në facebook për të kundërkomentuar çdo koment të zonjës Buçpapaj në facebook, për të bërë komente negative kudo që zonja Buçpapaj boton në mediat online, për të organizuar edhe miq të tij që t'i bashkohen në këtë mision.

Ne e kemi për detyrë t'ia kujtojmë atij dhe çdokujt se çdo media ka politikën e saj botuese. Përpjekja për t'ua imponuar atyre politikën botuese është një totalitarizëm stalinist i kulluar. Edhe në facebook secili e administron vetë faqen e tij dhe është ai pëgjegjës për të. Përpjekjet për stalking janë të dënueshme dhe të papranueshme. Prandaj facebooku ka vënë në dispozicion mjetin e bllokimit dhe ka paraqitur tek çdo përdorues kujtesën e etikës së facebookut.

Këto ne i respektojmë me skrupulozitet. Dhe askush nga miqtë e facebook nuk ka pse të ndihet i cënuar pse ne i parashtrojmë mendimet tona edhe kur janë të ndryshme apo të kundërta me të tjerët. Komunikimi funksionin kur ekziston mirëkuptimi i ndërsjellët për ndryshueshmërinë apo kundërshtinë e pikëpamjeve. Demokracia ua kthen të gjithëve funksionin e të menduarit, të cilin diktatura ua kishte marrë, pasi për ta mendonte Vëllai i Madh.

Faqet në facebook dallohen edhe për nga përkatësia profesionale: Gazetarët paraqesin rubrikat e tyre, arritjet e tyre, idetë e tyre; piktorët paraqesin punimet e tyre; kineastët paraqesin sekuencat e filmave të tyre; këngëtarët albumet e tyre; politikanët samitet e tyre. Nga ana tjetër, paraqesin edhe pjesë të jetës së tyre private që duan t'i ndajnë me miqtë. Kjo nuk ka pse të lëndojë askënd.

Edhe ne kemi të drejtën tonë t'i profilizojmë faqet në facebook, ku t'i përfshijmë edhe botimet e reja, shkrimet e reja, gazetën tonë online e tjerë. Ato janë pjesë e suksesit tonë të një karriere të gjatë, qoftë kur kemi qenë në Shqipëri, qoftë në Perëndim prej gati 20 vitesh ku e ushtrojmë profesionin e gazetarit me sukses të plotë. Një arritje rekord për ne përbën gazeta e përditshme "Bota sot", e botuar në Evropë, Amerikë, Kosovë, Maqedoni, e cila arriti tirazhin rekord me 200 000 kopje, diçka e paarritshme në mediat shqiptare në tërësi, diçka e paarritshme nga mediat e këtij lloji të të huajve në Perëndim. Ky sukses është i lidhur shumë ngushtë me rolin tonë - unë si kryeredaktor dhe zonja Buçpapaj si redaktore kolumniste.

Duke qenë gazetarë profesionistë me një karrierë të gjatë dhe tejet të suksesshme, ne jemi edhe anëtarë aktivë të disa shoqatave ndërkombëtare, perëndimore, zvicerane apo shoqatave të krijuesve artistikë. Ky është një kapital profesional, etik, njerëzor i cili nuk mund të zbehet as të mohohet prej askujt. Zonja Buçpapaj kohët e fundit, përveç botimeve poetike, ka bërë edhe botime publicistike. Vlerësimet e autoriteteve të larta të mendimit, kulturës, dijes publicistikë, shkrimeve shqipe si ato të Jusuf Buxhovit dhe të Dr. Përparim Kabos për librin "Tirania e tranzicionit" apo të Frank Shkrelit për librin "Trauma e tranizicionit - Ditari i një gazetareje" janë dëshmi objektive e padiskutueshme.

Urojmë që z. Çini, në kuadrin e ndryshimit epokal që po pritet të ndodhë në Shqipëri, çka shpresojmë të ndikojë edhe në emancipimin e mendësive edhe tek shqiptarët nëpër botë, të mos merret më me zonjën Buçpapaj. Le të merret me temat e veta apo të nxitura nga shkrimet e autorëve të tjerë. Dhe të mos mëtojë për grada nga një regjim i cili tashmë ka pushuar përfundimisht së dhëni grada.

Ndërkohë, mendojmë se gazetari asnjëherë nuk duhet të konfondohet me lexuesin. Kjo lidhet me etikën profesionale dhe morale. Sepse nëse gazetarët guximtarë do t'i sulmonim rregullisht me taborret e militantëve, atëherë do t'ia marrim shpirtin së vërtetës. Zoti Çini është ekonomist, ai për arsyet e tij personale nuk i pëlqen shkrimet tona. Ok. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Për të shprehur mendimet e tij, ai ka spazion e komenteve si lexues, ku le të thotë çfarë mendon, pa fyer dhe pa cënuar integritetin e gazetarëve dhe të mediumit ku ata i botojnë shkrimet.

Me këtë rast, edhe një herë shprehim vlerësimin tonë ndaj botuesit të Diellit, z. Dalip Greca dhe kryetarit të Vatrës, z. Dr.Gjon Buçaj, që përmes Diellit, i kanë dhënë dritë fjalës së lirë, së cilës në Shqipëri i është zënë fryma në Shtratin e Prokrustit.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora