E shtune, 20.04.2024, 09:32 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Portreti politik - Sali Berisha (2)

E premte, 05.07.2013, 09:15 PM


Portreti politik - Sali Berisha (2)

Bashkëqeverisja me LSI-në i dëshpëroi idealistët

Nga Gani MEHMETAJ

Largimin e Salih Berishës nga skena politike do ta ndjej gjatë Partia Demokratike, por edhe e djathta shqiptare në përgjithësi. Berisha dhe PD-ja u bënë strumbullar të një përcaktimi politik, e mbajtën mbi supe tërë luftën kundër komunizmit më të egër në Evropë dhe kundër ri paraqitjes së komunizmit pas kaosit të përgjakshëm të grusht shtetit të vitit 1997. Forcat që u konsoliduan nga komunizmi e morën sërish timonin e shtetit, duke ia imponuar një luftë të pistë të djathtës së brishtë. Në këtë luftë me mjete të lejuara e të palejuara, e majta përcaktoi rregullat, udhëhoqi propagandën, krijoi dosje për personalitetet, stisi afera, sepse kishte prapa strukturat e fshehta e ato ushtarake të deklasuara vjet më parë, kishte mediet elektronike e të shkruara. Natyrisht duke iu kundërvënë kësaj propagande të pistë, nuk u ruajt niveli i komunikimit më opinionin, u ashpërsua gjuha, nuk u përfillen ca rregulla kalorësiake të cilat i kishin hije të djathtës. E majta shquhej për gjuhë rrugësh, e shpifje që s’ t’i kapte mendja, por ky ishte terreni i tyre. E djathta nuk duhej t’u përshtatej këtyre rregullave. Duhej të ruhej pastërtia e komunikimit, sidomos lideri duhej të komunikonte në nivel tjetër. Por nuk e ruajti nivelin e komunikimit...

Para se të humbiste votat me 23 qershor, ndikimi politik i PD-së u zvogëlua jo vetëm në zgjedhjet e fundit, por edhe katër vjet më parë, kur Doktori, u detyrua që në mungesë të shumicës parlamentare të bëjë koalicion me LSI-në, ndërsa kjo aleancë pati pasoja fatale për të djathtën shqiptare, meqë ishte një aleancë e panatyrshme, dëshpëruese për idealistët e djathtë, e bërë vetëm sa për të sajuar pushtetin. Ta marrësh në gji Ilir Metën, njeriun i cili disa vjet më parë e luftonte egërsisht PD-në e të djathtën shqiptare, ishte risk i madh pa asnjë dobi. Ta pranosh për aleat prodhuesin e aferave korruptive, e çorodit të djathtën, i dëshpëron idealistët, i frenon intelektualët, ndikon të mos shikohet me simpatinë e dikurshme partia e parë antikomuniste në Shqipëri, duke e shndërruar idealin e Dhjetorit në pragmatizmin politik-menaxhues. Ndërkaq, Berisha me PD-në dëshmuan disa herë se nuk u mungonte pragmatizmi. Por pragmatizmi politik ndëshkohet nga idealizmi i zgjedhësve, ata nuk e arsyetojnë këtë fizkulturë politike, tek ata e djathta është djathtë, e majta kurrë s’mund të bëhet aleate e tyre. Kjo duhet të kihet parasysh në të ardhmen domosdo. Politika ka moral dhe ca rregulla morale, ndryshe do ta humbasësh respektin e votuesve. Dhe PD-ja u ndëshkua, sepse e humbi elektoratin idealist. Do t’i duhet kohë ta kthejë.

Koha për rigrupim të forcave

Duke mos i njohur raportet brenda partiake, duke mos dëshiruar të spekulojë, është vështirë ta përcaktoj a ishte Berisha peng i PD-së dhe i disa presioneve ndërkombëtare, apo PD-ja u bë peng i Berishës. Mbase mund të jenë të dyjat, mbase ishte faktori ndërkombëtar ai që ia përcaktoi edhe PD-së edhe Berishës disa kufizime veprimi, e sidomos mosveprimi.

Hapja e dosjeve dhe dënimi i të kaluarës së Shërbimit Sekret, mbetën çështje fondamentale të cilat nuk u zgjidhen nga e djathta shqiptare. Madje Shqipëria mbeti shteti i vetëm ish- socialist që e ka barrë të kaluarën, e cila po i hakmerret edhe në të ardhmen. E majta, që po e merr pushtetin as që do t’ia di për këto probleme, të kaluarën s’ka si e dënon, sepse është më qafë e më kokë brenda saj, të ardhmen do ta ketë vështirë ta ndërtojë, sepse i rëndon e kaluara. Kështu, simbioza e vëllezërve siamezë do t’i bëhet pengesë edhe po deshi të bëjë punë të paqme.

Sidoqoftë, e ardhmja e Partisë Demokratike dhe e të djathtës shqiptare është kaptina më e rëndësishme e politikës shqiptare, vetëm të mos bëhet kaptina më e dhimbshme. Do të ishte fatkeqësi e madhe për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Partia Demokratike në pushtet e tregoi vetën herë në pikën më të ndritshme, që do ta shënojë historia, herë me gabimet që po ashtu do t’i regjistroj historia. Partia Demokratike në opozitë, pa Berishën, duhet të tregohet konstruktive, jo bllokuese për interesa kombëtare, opozitare që do t’i rri me çomange mbi kokë pushtetarëve, në mënyrë që t’ua ngushtoj hapësirën e keq qeverisjes, t’ua zvogëloj mundësinë e korrupsionit e të prapaskenave të pista. Natyrisht do t’ua kujtoj pushtetarëve vazhdimisht premtimet për parajsën mbi tokë që ua përsëritën gjatë gjithë fushatës votuesve. Duhet t’ua hapin sytë popullatës se nuk janë dele që milen e nuk ushqehen, t’u premtohet e të mos përfillen fare pastaj premtimet.

Të plotësohet boshllëku i njëshit

Janë disa mendime për gjasat e PD-së pas largimit të Berishës. E para, karizma politike dhe vendosmëria e liderit ka ndikuar që më autoritetin apo edhe autoritarizmin e tij të mbajë koherencën e brendshme, të fashisë përçarjet e kreut të partisë më fërkimet për interesat pushteti, ekonomike e interesa meskine. E dyta, thuhet nëpër disa qarqe sikur  mbizotërimi i frymës së Berishës i ka ngulfatur energjinë pozitive, i ka dekurajuar nismat e pavarura të elitës së PD-së. E treta, mungesa e ideve të grupit a individëve shpesh herë është fshehur prapa hijes së liderit të pakontestueshëm. E katërta, nëse është bërthama vendimmarrëse, që do të përcaktonte të ardhmen e partisë dhe zgjedhjen e liderit, atëherë PD-ja nuk do ta ndjente fare turbulencën e ndryshimeve. E pesta, ka mendime të cilat vlerësojnë se pjesë të strukturave të brendshme do të shpërbëhen, sepse tashmë nuk shohin realizimin e interesave të tyre brenda kësaj partia apo nga privilegjet që i afroi kjo parti derisa ishte në pushtet, kështu që do të kërkojë fatin gjetiu. Se a do t’ia këpusë këmbët e veprimtarisë partiake tërheqja e elitës biznesore, apo do ta lehtësojë nga pengu i terrorit të parave të derdhura në parti, mbetet të shihet. Më mirë është të mos bëhen peng i askujt se sa më kamje, por në obligime.

Fryma e liderit, e njëshi, është i pazëvendësueshëm, derisa të gjendet njëshi tjetër. Është  kjo karakteristik jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për gjithë Evropën Perëndimore. Vdekja e De Golit u ndje gjatë në Francë, rënia e Margaret Theçerit e dobësoi konservatorizmin anglez, ikja e Kolit e defaktorizoi Partinë Demokristiane derisa erdhi Angela Merkel. Por ishte Helmut Koli ai që e përzgjodhi Merkelin. Dhe shihet se nuk gaboi.

Në Kosovë katërçipërisht u pa se njëshi është i pazëvendësueshëm. Me vdekjen e liderit të pakontestueshëm, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike nga partia më e madhe shqiptare në Ballkan, u bë partia e dytë e skenës politikë të Kosovës, për të vazhduar tatëpjetën e dobësuar dhe e krahinarizuar. Ajo ende nuk u këndell, vuan nga rivalitetet brenda partisë, nga mungesa e identitetit politik, e ndjenë mungesën e liderit karizmatik edhe gjashtë vjet pas vdekjes së Rugovës.

Urojmë që Partia Demokratike Shqiptare të mos vuaj aq gjatë për identitet e për lider, të mos bëjë hope të mëdha në të djathtë apo në të majtë, sepse pastaj do ta humbas frymën e fillimit si parti antikomuniste.

Dhe së fundi në fushatën e ardhshme shpresojmë qe PD-ja nuk do ta ketë hijen kërcënuese të islamikut Erdogan me premtimet për xhami, sepse shqiptarët kanë shumë nevoja për shkolla e jo për xhami, kanë nevojë për aleatë perëndimor e jo për  përvoja kaotike lindore. Por ky fakt nuk i jep asnjë të drejtë të majtës t’i afrohet me servilizëm Greqisë. Shqipërisë i duhet përvoja e Bashkimit Evropian e jo modeli i shtetit të dështuar grek që mbahet me paterica nga Evropa.



(Vota: 6 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora