E shtune, 21.09.2019, 10:13 AM (GMT+1)

Kulturë » Gorica

Pëllumb Gorica: Përpij udhët për tek ty

E enjte, 04.07.2013, 07:54 PM


POEZI

 

PËRPIJ UDHËT PËR TEK TY

 

PËLLUMB GORICA

 

 

DËSHIRAT MES NESH STRUKEN

 

E dua aromën në botën e pafund,

e dritën që errësirën fitimtare e mposht,

e dua ëndrrën që troket lehtë në gjumë,

blerimin që mbush malet magjiplotë.

 

Dëshiroj puthjen e rrëmbyer të dashurisë,

si prushin e zjarrtë djegur mes venitjeve,

humbjen e vetvetes që vjen te mua pa kuptim,

të përgjumur tek ikën si kalorës pas heshtjeve.

 

Dëshiroj frymën e kyçur ndër vatra,

lotin e nënës, të tharë kaq shumë për mirësi,

bukurinë magjike që shprishet nga qarja,

zërat fëminorë si jehonë e ditëve me shi.

 

I dua dëshirat që vijnë në ditët që s’duken,

o, si humbasin ndër shpresa e s’treten,

si zhgënjimet mes nesh si urithët struken,

dhe vetëm gjurmë të pafund ziliqare mbeten.

 

 

MËSUESIT TË KLASËS SË PARË

 

Si dita që vjen me gëzim të çiltër agimi,

një vizatim po hedh për mësuesin tim,

portret i thurur me grimca shpirti,

fjalë zemre, gonxhe në shpërthim.

 

E ëmbël sa s’ka kafeja që piva me të,

por koha ikte e s’munda të çmallem.

Mes nesh gjithçka fliste si cicëron pa zë,

siç flet lumi i vrullshëm me valën.

 

Një mal me vite të bardha ke mbi supe,

si horizont i bardhë me fjolla dëbore,

fëmijërinë time me zile, me një qiell me lule

mësuesi im ma solle sot si karrocë për dore.

 

 

PËRPIJ UDHËT PËR TEK TY

Nënës

 

Mëngjesi sot qenka i bukur,

si penelat e purpuruar me ngjyrë,

gëzimi yt ku qenka strukur,

në ç’kopësht, vallë, paska mbirë?

 

S’më ndahet sot gjatë udhëtimit,

imazhi yt vezulluar margaritar,

që çel me dritën e agimit,

sapo ndrit mbi tokë rrezja e parë.

 

Ndaj çdo gjë më duket ndryshe,

si flladi kur kujtimet shkund,

me mallin e pashuar, e shtrenjta ime,

veç tek ti, nuk shkoj askund.

 

Në shtëpinë e vjetër më pret si gjithnjë,

dhjetëfish më e plakur se dikur,

babai i shtrenjtë nuk është më aty,

ka kohë  është kthyer në gur.

 

Flokëbardhë, si re e përmalluar,

fëmijë ngjaj kurdoherë para teje,

teksa dorën tënde mbaj në duar,

dielli më ngroh thellësisht në deje.

 

 

MEDITIM VULLKANIK

 

I pagjumë është poeti,

kur kalon në heshtje,

rrjëdhë lumi palë deti.

I jep jetës buzëqeshje

Ngjason me astronaut, yje qiellorë

nga pika në pikë nga poli në pol.

Dhe aty ku malet vullkanizojnë,

ai jeton e frymon ndryshe në botë.

Është mbret pa kurorë i botës,

në sy i ka paratë dhe dhimbjen,

E shihni si si agimeve zgjohet,

si të projektonte i vetëm rilindje.

Natës i ka borxh gjumin e qepallave,

hënës i flet me alfabetin mister,

nder për atë që matet me palët e dallgëve,

që shkon me zemër dhe larg, larg pas reve.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT