E premte, 13.12.2019, 04:07 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Portreti politik - Sali Berisha (1)

E enjte, 04.07.2013, 06:59 PM


Portreti politik: Salih Berisha (1)

Lideri më i përkëdhelur dhe më i fshikulluar

Nga Gani MEHMETAJ

Ishte emocionuese përlotja e të rinjve tiranas derisa idhulli i tyre, Salih Berisha e lexonte tekstin e dorëheqjes. Ishte prekëse letra e 16- vjeçarit  që i drejtohet kryeministrit. Një atmosferë e këtillë dashurie e adhurimi ma kujtoi fillimin e karrierës politike të liderit shqiptar, atëherë kur ai ndiqej me emocione në tërë hapësirë shqiptare. Oreoli i të përkëdhelurit të elektoratit e ndoqi deri në ditët tona. Natyrisht pushteti ta heq një pjesë të këtij adhurimi pa kushtëzime, ndërsa ta shton përgjegjësinë, duke të eksponuar edhe në mundësinë që njerëzit të dëshpërohen, të zhgënjehen, sepse presin shumë, shpresojnë edhe më shumë, ndërkaq pushteti nuk është shkop magjik që i zgjidh të gjitha problemet, sidomos nuk i zgjidh problemet e Shqipërisë që ishin një mal hallesh, vuajtjesh e varfërisë sa s’ta kap mendja.

Ndryshimet nuk e plotësojnë boshllëkun

Berisha gjatë gjithë karrierës politike pati armatë simpatizuesish që e donin deri në adhurim, që s’lenin t’i binte asnjë njollë, apo që s’pranonin t’i bëhej asnjë vërejtje, mu sikur të rinjtë para selisë së PD apo djaloshi 16-vjeçar, që e donin ashtu sikurse ishte pa kushte dhe pa interes. Lot dëshpërimi pash edhe në Prishtinë si për asnjë lider shqiptar të nesërmen e humbjes së zgjedhjeve. Doktori, sikurse e quajnë në mënyrë të popullarizuar në Shqipëri ishte i përkëdheluri i politikës shqiptare, i përkëdheluri i shqiptarëve në përgjithësi, por njëkohësisht edhe lideri më i fshikulluar dhe më i goditur pas vitit 1996. Ai u përball më sfidat më të rëndat në historinë 100-vjeçare të Shqipërisë dhe i tejkaloi. Ai u ngrit gati nga hiri pas grusht shtetit që ia kurdisen komunistët hakmarrës dhe shërbimet sekrete, ai i kapi majat e pushtetit duke rrezatuar energji pozitive e optimizëm të skajshëm, ai dinte të te bënte që ta ndjeje vetën mirë pse je shqiptar.

Prandaj humbja e PD-së në zgjedhjet e 23 qershorit dhe, rënia e Sali Berishës nga skena politike pas 23 vjetësh jete aktive ishte më e rëndë për ata që e simpatizonin, kurse e pritshme për ata që i njihnin rrethanat brenda Shqipërisë. Fatkeqësia është që kundërshtari nuk është zëvendësim, nuk është zgjidhja e problemit, por ku e ku vet problemi. Asnjëri prej njohësve të rrethanave politike shqiptare nuk beson se do të ketë ndryshime të ndjeshme qeverisëse më humbjen e PD-së, druajë se gjendja mund të përkeqësohet. Edhe më pak ka iluzione se lideri në ngritje i PS-së do të jetë zëvendësim për burrështetasin Berisha. Por skena politike shqiptare kishte nevojë për freskim, vlerësohej në qarqet ndërkombëtare e të brendshme.

Sali Berisha (president, kryeministër, kryetar i PD-së) është njëri ndër personalitetet më të rëndësishme në njëqind vjetet e fundit, ishte presidenti, por edhe kryeministri më i lavdëruari dhe më i kritikuari njëkohësisht. Mirëpo secilit lider i vjen fundi politik. Sa më i dinjitetshëm të jetë ai fund aq më mirë për te dhe për ithtarët e tij. S. Berisha pati ithtarë të shumtë në Shqipëri e në Kosovë, në territoret etnike në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Ai po i jep fund dinjitetshëm karrierës politike. Por pavarësisht faktit që nuk do të jetë më në krye të shtetit apo të partisë, përvojat e tij politike, njohjet me burrështetasit e huaj dhe karizma mund të shfrytëzohet ende, ashtu sikurse bëjnë amerikanët e mençur me ish presidentet që i dërgojnë nëpër botë, për t’ua hapur rrugët e diplomacisë, para se të fillojnë takimet apo negociatat në nivelet më të larta.

Pavarësisht vërejtjeve që mund t’i bëhen, Doktori kishte  merita të pakontestueshme në rrëzimin e komunizmit, në krijimin e aleancave të reja, në hapjen e shtetit ndaj botës, në zhvillimin ekonomik, në integrimet brenda shqiptare, në integrimin e Shqipërisë në NATO, në zhvillimin e infrastrukturës etj.

Por dy projektet grandioze- Rruga e kombit dhe Tuneli i Kërrabës, nuk i sollën përparësi, përkundrazi ishin disa nga arsyet pse ai pësoi disfatë. Tumirja e Projekti TAP që do të kaloj nëpër Shqipëri, mbase erdhi më vonesë, por edhe sikur të shpallej para dy muajsh nuk jam i sigurt do t’ia shtonte përparësitë në zgjedhjet e 23 qershorit. Vizioni nacional dhe nacionalizmi pozitiv i grumbulluan pikë të tjera negative në planin e jashtëm e të brendshëm. Mendësia e popullit të shushatur nuk e pranonte vizionin për kombin në tërë shtrirjen e vet gjeografike me një shtet si kapelë. Simpatia e shqiptarëve etnike, më shumë se ndaj të gjithë politikanëve nga Tirana së bashku, u pa më sy kritik nga bashkësia ndërkombëtare, u pa me zili edhe nga politikanët vendës. Nuk do t’ia vë në pah meritat për shqiptarët e Kosovës dhe as për shqiptarët etnik, sepse druaj do të bëhet sërish cak i sulmeve antikombëtare brenda arealit të Shqipërisë londineze e burizanëve të majtë në Prishtinën e shushatjes nga ndërkombëtarët.

Kur kombi reagon si popull punonjës

Ku ishte arsyeja që me gjithë investimet e sakrificat e mëdha për ta nxjerrë vendin nga izolimi, me gjithë përpjekjet për ta bërë shtetin shqiptar faktor në rajon, elektorati u tregua i shurdhër ndaj këtyre veprave madhore. Mbase Berisha kryeministër shpresonte sikur i drejtohej dinjitetit kombëtar të nëpërkëmbur pesëdhjetë vjet, apo shqiptarëve që ishin lodhur me internacionalizmin proletar, por ndeshi në shpërfilljen e popullit punonjës që se kishte marr vetën. Mendësia e klasës punëtore të depersonalizuar nuk donte rrugë e tunele, nuk u bëhej vonë a do të kalonte gazsjellësi TAP nëpër Shqipëri, apo nëpër Serbi, i linte indiferentë nëse do të bëhej Shqipëria faktor në rajon, apo do të mbetet e shushatur në mes Shiles e Haribdes, përkatësisht në me të Greqisë e Serbisë. Popullit punonjës më shumë ua përkëdhelte veshin zëri gjumëndjellës që u premtonte tryezën plotë dhe barazi sociale. Se ku do t’i merrnin këto para socialistët për tryezën plotë, mbetet të shohim, apo mbase do të këshillohen me aleatin kryesor Greqinë, e cila pikërisht për shkak të tryezës plotë e hëngër shtetin.

Projektet kapitale më rëndësi kombëtare për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë nuk i solli përparësi asnjë burrështetasi, nuk i vlerësoi elektorati as në demokracitë tradicionale si në Britani të Madhe, as në demokracitë e reja: Poloni, apo Kroaci, ku partia e djathtë humbi, sepse bënë investime kapitale në dy magjistrale, humben sepse bënë shkarkime të mëdha në administratën shtetërore të trashëguar nga komunizmi, ashtu sikurse u detyrua të bënë edhe administrata e Berishës. Ndërkaq, ish oficerët, ish policët, pensionistë nuk ia falen këtë gjë. Por edhe një pjesë e administratës së tashme u joshën nga rrogat më të majme që ua premtuan kundërshtarët e Berishës. Se a do t’i marrin apo është kjo vetëm premtim i papërgjegjshëm elektoral, jemi gjallë e shohim.

Të menduarit më kokën në stomak nuk është veçori e elitave politike, ashtu sikurse që e dinë se tryeza s’mund të jetë plotë, nëse nuk zhvillohet ekonomia. Magjistralja Morinë- Durrës ishte e domosdoshme për turizmin shqiptar, sepse ishte e vetmja arterie që e lidhte Shqipërinë më botën prej nga u vinin turistët dhe qarkullimi i lirë. Investimi më i rëndësishëm për Shqipërinë me dashakeqësi u paraqitë nga mediet e majta dhe nga politikanët e këtij përcaktimi si investim për shtetasit e huaj, kinse magjistralja u bë për qejf të “kosovarëve’. Asnjëherë nuk u tha se po të mos bëhej kjo rrugë “kosovarët” do të shkonin gjetiu, ndërsa dihet se për turizmin shqiptar “kosovarët” janë i vetmi shpëtim.

Për Berishën magjistralja Morinë- Durrës, që ishte investim i shekullit, u bë bumerang, mallkim, mediet e majta e bën cak të sulmeve të vazhdueshme, mundësi për shpifje të pakufishme. Ndërkaq, kryeministri Berisha do të mbetet në histori për këtë projekt të madh, të pazëvendësueshëm për ekonominë shqiptare dhe për mundësitë e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri. Ai i çeli mundësitë e tilla, ai e shpaloi Ballkanin para Shqipërisë, e hapi bujqësinë mesdhetare të Myzeqesë, apo prodhimet e detit për konsumatorët kontinental të Kosovës e më larg, ai ia dha mundësinë Portit të Durrësit dhe Portit të Shëngjinit të punojnë për tërë rajonin deri në Ukrainë. Edhe kjo çështje u hesht nga mediet e majta, ndërsa shtypi i pavarur  nuk i vuri në pah gjithë këto mundësi.

Është çështje tjetër që kryeministri nuk i pati nën kontroll ministrat apo administratën e korruptuar, e cila për interesa meskine bllokonte mallra nga Kosova, ndërsa administrata e korruptuar e Prishtinës ia kthente më të njëjtën mënyrë për të ruajtur interesin e mallrave të importuara nga Serbia a Greqia. Kjo mund të jetë njëra nga arsyet pse  Berisha humbi me 23 qershor, sepse i doli nga dora administrata e korruptuar, nuk e luftoi më sukses korrupsionin, nuk u ballafaqua me disa realitete të hidhura. Megjithatë pushteti i tij shpartalloi banda dhe e godit krimin e organizuar më shumë se asnjë qeveri tjetër.

“Atij ia dhamë besimin, por ia shpërdoruan të tjerët”, ishte refreni i shpeshtë i atyre që e votuan katër vjet më parë.

Rruga e kombit e ngjalli turizmin shqiptar

Mediet e majta duke e sulmuar Berishën, i paraqisnin “kosovarët” në dritën e errët, sikur ata duan ta përcaktojnë fitimtarin, sikur ata janë barrë e shtetit shqiptar, sikur ata janë fajtorë për Ramën që nuk i kap majat e  pushtetin etj. Pse u lejohet të votojnë, pyesnin të alarmuar analistët e Top Chanel? Pse u jepet shtetësia, çirreshin të skandalizuar analistët e porositur. Vetëm sa nuk thërrisnin për linçim të “kosovarëve” këto medie të çoroditura.

Asnjë televizion a gazetë e majtë nuk e tha se shqiptarët e Kosovës janë burimi kryesor i të ardhurave për industrinë turistike nga Velipoja deri në Ksamil, asnjë televizion a gazetë nuk e tha se pa “kosovarët” turizmi do të falimentoj.  Mirë është ta dinë nikoqirët e turizmit nga Velipoja deri në Ksamil, por edhe mediet e majta se “kosovarët” para së të hapej rruga e kombit, shkonin në Greqi, Turqi, apo Kroaci e Mal të Zi. Pra, për fillimin nga puna të magjistrales kombëtare: “Berisha”  duhej të dëshpëroheshin grekët, turqit dhe malazezët, sepse atyre u bëhej dëm, ata pësonin, por kurrsesi nuk duhej ta sulmonin rrugën e kombit mediet shqiptare, sepse shteti i tyre fitonte nga turizmi. Konkurrenca turistike e Turqisë, Greqisë dhe Malit të Zi ende u rri mbi kokë.

Ky qëndrim dashakeqës i shumë televizioneve shqiptare, është vështirë të kuptohej, edhe më vështirë të arsyetohet, sikur te financoheshin nga agjencitë turistike greke e turke e jo nga taksat e industrisë turistike shqiptare.

Salih Berishën në raport me Kosovën e shquan angazhimi i jashtëzakonshëm, përkushtimi i liderit që nuk i takon vetëm Shqipërisë londineze, patriotizmi i kultivuar nga fëmijëria,  prandaj edhe pati simpatinë e shqiptarëve etnik.

Dhe në fund. Salih Berisha, megjithëse dha dorëheqje prania e tij në skenën politike do të ndjehet kohë të gjatë jo vetëm me faktin se do t’u rri mbi kokë në Kuvendin Shqiptar socialisteve në pushtet, por edhe sepse do të jetë i pranishëm si frymëzues shpirtëror në skenën politike dhe në Partinë Demokratike. Ai dha dorëheqje, por ai nuk hoqi dorë nga lufta politike.



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT