E enjte, 22.04.2021, 11:54 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Cikël poetik nga Sejdi Berisha

E merkure, 03.07.2013, 07:59 PM


Cikël poezish

 

LULEVE UA MËSOJ GJUHËN PËR T’I PAJTUAR STINËT

 

Sejdi BERISHA:

 

HYNI NË DHOMËN TIME

 

1.

Një ditë...

Një ditë hyni në dhomën time

Merrni çfarë të doni

Vetëm kornizën e jetës ma leni

Ëndrrat në te t’i ngujoj

Ma leni

Vetëm një grimë varg poezie

Për ta vazhduar këngën e çuditshme

Pa laps as pa letër

Mos ma vidhni një pikë e një presje

Një ditë

Për t’i vënë aty ku duhet

Por

Mos ikni nga dhoma ime

Nëse ushtima iu shurdhon

Nëse loti faqet ua përvëlon

Nëse gëzimi rri kacavjerrë në pritje

 

2.

Një ditë

Hyni në dhomën time

Por mos ia trembni gjumin

 

3.

Një ditë

Lirshëm hyni në dhomën time

Aty

Askush nuk do të jetë

As heshtja as dhembja

Sepse unë

Kaherë jam në brendinë tuaj

Lumturinë për t’ua dhuruar

 

Dhoma ime nuk ka ulëse

As tavolinë pune

Dhoma ime jeni Ju

 

4.

Dhe, një ditë

Të gjitha nxirrni nga dhoma ime

Vetëm ngrohtësinë dhe acarin

Mos i trazoni

Sepse qëndrojnë në përqafim

Jetën për ta madhështuar

 

5.

Një ditë

Hyni në dhomën time të zbrazët

Në mure do hasni

Vetëm etjen e poezive

Si shkrime në dhoma burgu

Nga çunat

Që e kanë trembur rininë

Me ëndrrat e stërgjyshërve

Me kujtimet për vashat

Të cilat me gjinjtë e tyre

Shkrirë e kanë akullin

E kanë djegur hartën e botës

 

6.

Një ditë

Dhoma ime muze

Pa asnjë dokument

As pa foto të fëmijërisë

As pa ditar të rinisë

As pa tapi të atdheut

Të cilat

Pa u lind unë

Babait ia kishin vjedhur

Por, ndoshta

Zëri im do t’i lus kujtimet

Të mos shlyhen ato nga dhoma ime

Të cilat i ngjajnë edhe barkës

Kurrë pa ia ditur

Cakun as rrugëtimin

 

7.

Një ditë

Urdhëroni

Mos hezitoni

Hyni në dhomën time

Edhe nëse nuk më gjeni

Përgjithmonë

Të lumtur do të jeni

 

 

PELEGRINAZH NËPËR ESHTRAT E MI

 

Vetëm pluhur dhe pritje

Askush tjetër në këtë shëtitje

Rrugëtim i gjatë

Qumështin e gjirit të nënës

Për ta lypur nëpër eshtrat e mi

Me vete vetëm një letër pa shkronja

Mbi supe frikën e lumturisë

Për dritën e humbur

Për zjarrin e pashuar...

Çfarë shëtitje është kjo

Duke kërkuar fjalën e babait

Edhe djepin

Ku shtati më është rritur

Pelegrin në atdheun tim

Duke kërkuar vendlindjen

 

 

UNË JAM AI RRUGËTARI...!

 

Natë

Shumë vonë ishte

Rrjedha e lumit më trazonte

Duke kërkuar për ta qortuar vetveten

I zemëruar më doli zëri

Pse lumi kurrë nuk i tregon fshehtësitë e veta

Kurse unë

Edhe sa beteja duhet bërë

Për ta kthyer lotin në sy

Edhe sa lutje edhe sa fjalë

Duhen për ta shëruar plagën e qiriut

Edhe sa fjalë duhen

Për t’i shëruar dhembjet tjera

Papritmas në atë natë të vonshme

Dikush si ma zuri frymën

Qëndro këtu i thash

Për ta përqafuar tokën në vjeshtë

Për ta puthur gjethin në pranverë

 

Kjo është beteja ime

Për t’i pajtuar stinët

 

Unë jam ai, pra

Që lejlekëve ua mësoj rrugën

Për ta kuptuar kthimin

Bjeshkëve ua tregoj historinë

 

Unë jam ai, pra

Që luleve ua mësoj gjuhën

Për t’i kuptuar fjalët e tokës

Për ta qetësuar dritën e diellit

 

Në këtë afërsi të largësive

Në këtë largësi të vetvetes

Unë jam ai rrugëtari

Që nuk ka punë tjetër

Pos përqafimit të zjarrit

Që më djegë

Shkrumb më bën

Për këngën

Të cilën deri sot

Askush  kënduar s’e ka

As nuk do ta këndojë

Etja është kjo

 

Etja, o beteja ime e plaçkitur

Ndize dritën

Të ecim sërish bashkë

O, ankthi im i tradhtuar

 

Kjo është beteja ime

Stinët për t’i pajtuar

 

 

KUSH E DI DHEMBJEN TIME

 

Vetëm loti dhe shiu

E din dhembjen time

E din etjen dhe peshën e lumturisë

I din të gjitha

Pra

Vetëm me lot më mbuloni

Vetëm me shi më këndoni

Ky është peizazhi i jetës sime

Kjo është historia e klithjeve të mia

Këto janë plagët e pritjeve

Këto janë dhembjet e mia

Që kurrë nuk më tradhtojnë



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora