E marte, 23.04.2024, 11:13 PM (GMT+1)

Faleminderit

Kostaq Xoxa: Gjomarkaj - Antikomunisti dhe Misionari

E marte, 02.07.2013, 07:54 PM


Kapidan Ndue Pjetër Gjomarkaj - Antikomunisti dhe Misionari

Nga Kostaq Xoxa

Vlera e madhe e këtij libri historik të njëmendët është rrëzimi i stereotipit  falsifikator të portretizimit të figurës së një desanti, të cilin historianët e enverizmit e quajnë diversant. Desanti në këtë vepër është quajtur edhe parashutist. Ani se historianët e indoktrinuar  kanë harxhuar bojën e dynjasë për t’i paraqitur me një shabllon përkeqësues personat që ‘kërkojnë të rrëzojnë pushtetin popullor përmes diversionit’ sipas përdhosjes së historisë enveriste. Pushtet popullor është ai që e vë në dorë pushtetin me terror, duke mos kursyer as gratë, as fëmijët! Dhe pastaj shpall, në mënyrë cinike se ka besimin e popullit në masën 99, 99 %! Madame Roland dë la Platière njihet për shprehjen e saj: “O popull, sa krime bëhen në emrin tënd”.

Autori i librit, Dr. Nikoll Toma, me arsyetimet e tij të thella e të argumentuara, ka nxjerrë një figurë të re të atyre që vinin vullnetarisht jetën në rrezik për t’i bërë qëndresë dhunës komuniste të E. Hoxhës. Të ashtuquajturit diversantë, ofroheshin si misionarë për t’iu kundërvënë keqtrajtimeve të popullatave të tëra,  të regjistruara në listat e Sigurimit të stalinistit E. Hoxha, për të zhdukur çdo gjurmë pluralizmi, të proklamuar me hipokrizi në konferenca si ajo e Pezës, apo në Mbledhjen e Mukjes, një ‘marrëveshje’ që u prish sa pa u tharë boja, nga vasalët e mareshalit Tito. Historiani demokrat Dr. Nikolla ka marrë si emblemë qëndrese Kapidan Ndue Pjetër Gjomarkajn, të çmuar në Itali nga presidentët italianë Xhovani Leone dhe nga Xhuzepe Saragati dhe të dekoruar në Pashkët e vitit 1989 nga Papa Gjon Pali II.

Cilido që e lexon këtë libër sheh altruizmin e njerëzve të malit për t’u përballur kundër krimeve në masë të toger Babës (kurveleshasit Hodo Habibi), që torturonte burrat, por edhe gratë e fëmijët e pafajshëm. Dr. Toma përdor gjuhën e historianit erudit, pa shprehje subjektive urrejtjeje dhe, në vrasjen e Bardhok Bibës, ngre më shumë së tri versione për ndonjërin prej të cilave shkruan me modesti se nuk i ka të dhënat e mjaftueshme për t’u shprehur në mënyrë të prerë. Ka vetëm besimin se duhen bërë hulumtime më të bollshme, në shfrytëzime të mëtejshme dokumentesh arkivore. Ekziston edhe varianti i vrasjes së Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Mirditës, Bardhok Bibës  nga “të vetët”, domethënë nga komunistët, që mizorët të përligjin atë plojë, e cila është nga më të përgjakshmet e krimit komunist në vendin tonë. Autori mbase ka parasysh edhe  disa vrasje në B.S, si ajo e Kirovit, vrarë prej Nikolajevit (veglës së Stalinit), apo si ajo e Kuibishevit, etj.

Megjithatë historiani ynë i nuk i përdor shprehjet e vrazhda propagandistike kundër atyre që e kanë shpërdorur fjalorin e tyre denigrues ndaj  misionarit-protagonist të veprës së vet. “Diversant” është më e pakta. Që të mos zëmë në gojë edhe shprehje standarde si “bisha me fytyrë njeriu”, “kriminelë të shitur te imperializmi amerikan”, “katolikë në shërbim të Vatikanit”, etj. Për Kapidan Ndue Pjetër Gjomarkajn, flasin presidentë qeverish, flet Papa Gjon Pali II, flasin veprat humanitare në shërbim të vendit për mbledhje ndihmash në një shtet të rrënuar ekonomikisht, flet përkushtimi i tij për të fashitur grindjet ndërmjet të arratisurve, njëfarë përçarje e  ndikuar nga vështirësitë e jashtëzakonshme në të cilat ndodhen antikomunistët. Këta  e pritën pushtuesin me armë në dorë, paçka se pushteti i pasluftës i trajtoi si armiq.

Doemos që në rol të historianit serioz e të përpiktë, autori  hyn edhe në analiza të metodave që përdoreshin për të shtypur qëndresën antikomuniste, duke filluar me joshjet e parespektuara. Në vitin 1945 u shpall një amnisti për ata luftëtarë të malit që do të dorëzoheshin dhe nuk do të kishin pasoja. Nuk qenë të pakët ata që ranë në këtë kurth. Më të shumtët e paguan keq mirëbesimin. Mjaft prej tyre u pushkatuan me akuza të sajuara. Një pjesë u burgos dhe nuk munguan ata fatkëqij  që nuk i përballuan dot torturat çnjerëzore. Kapidan Ndue Pjetër Gjomarkaj ka qenë nismëtari i themelimit të organizatës “Heroizma Shqiptare” për t’i dhënë fund përçarjes në emigracion Kjo është pasqyruar në librin e tij të kujtimeve, “Në male dhe në mërgatë”. Kapidani, i lindur në vitin 1920, është sot në një moshë mjaft të shkuar, por aktiv prej kohësh në mbledhje ndihmash për atdheun-amë , qysh me ndryshimin e sistemeve, kur Shqipëria ishte në një gjendje kritike ekonomike. Në këtë veprimtari humanitare ishte vepruese edhe bashkëshortja e tij nga Palermo, zonja Enca, profesoreshë e shquar e matematikës. Natyrisht që edhe protagonisti i librit kishte kryer studimet universitare në lëndët  histori-gjeografi, në Itali. Fotot e këtij libri janë të shumta  dhe ajo e  faqes 158 pasqyron takimin e përzemërt me presidentin e kohës, Dr. Sali Berishën. Të dhënat për përpilimin e kësaj vepre, thuajse të munguar në gjininë e saj, janë të përmbyllura në një bibliografi të gjerë prej afro 100 punimesh dëshmish e intervistash, ku përfshihen materiale arkivore, muzeore  dhe  të bibliotekave, në shqip dhe në gjuhë të huaja.

***

Krahinës së Mirditës i kushtohet një studim i posaçëm. Është e banuar që në kohën e Neolitit, 4000 vite më parë. “Në asnjë vend të botës miku nuk ishte më i sigurt se në këtë krahinë. Autorët shprehen me superlativa”. Pouqueville e ka quajtur formën e qeverisjes si njëlloj Republike autonome. Hecquard H. Hist e përshkruan si një Republikë Aristokratike. E. Barbarich e paraqet si një Republikë aristokratike ushtarake. E Recluse: “Republikë oligarkike”. C. Paganeli e ka cilësuar si një Demokraci fshatare. F. Fidel, në ‘En Albanie et au Montenegro’, Paris 1992, faqe 41: “Një shtet i vogël autonom”. Vumë referencën në këtë të fundit; por të gjitha përcaktimet kanë referencat përkatëse, si në këtë rast.

Por është një fatkeqësi e paparë prej shekujsh që komunizmi enverist depërtoi për ta rrënuar Mirditën, këtë autonomi krahinore. S’do t’ia kishte arritur kurrë, po të mos përdorte metoda barbare nga më të paimagjinuarat, që vetëm stalinizmi i përçoi në mënyra nga më të dhunshmet.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora