Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Oliver Kahn: Ne portierët duhet të jemi pak të "çmendur"

| E shtune, 17.05.2008, 06:53 PM |


Oliver Kahn
Legjenda e Kombëtares gjermane dhe Bajernit të Mynihut do të varë dorashkat në gozhdë këtë mbrëmje

Oliver Kahn do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen e tij të fundit për Bajernin e Mynihut, duke mbyllur kështu një karrierë të suksesshme 20-vjeçare. Portieri legjendar, në një intervistë, flet për ndjenjat e çmendura që e karakterizojnë dhe planet e tij për të ardhmen. 38-vjeçari, që iu bashkua Bajernit në vitin 1994, do të tërhiqet pas 8 fitoreve të kampionatit gjerman dhe 6 të Kupës së Gjermanisë. Ishte pikërisht ai njeriu që i dhuroi Bajernit fitoren e "Champions League"-s kundër Valencias në 2001-shin, lojtari më i mirë i Botërorit të 2002-shit dhe tri herë portieri më i mirë në botë. Ajo e së shtunës do të jetë ndeshja e 557 për të në Bundesligën Gjermane, një rekord për një portier.

Mr. Kahn, fjala e vetme që mund të përshkruajë gjithë karrierën tuaj është çmenduria. Një nga momentet që do të mbahet mend ndodhi gjatë vitit 1999 në ndeshjen kundër Borusias së Dortmundit, kur ju "kafshuat" sulmuesin e skuadrës kundërshtare, Heiko Herrlich në faqe dhe "dërguat" një goditje tip "kung fuje" për Stéphane Chapuisat. Cili është mendimi juaj për këtë?

I kam kujtuar këto skena për muaj me radhë, pasi transmetoheshin në disa programe televizive. Ajo ishte një ndeshje shumë emocionuese, në të cilën unë vërtet që e teprova paksa. Gjithsesi, asnjë nuk pësoi dëme.

Por ju e humbët kontrollin...

Dukesha si i çmendur, por e kisha veten nën kontroll. Vërtet që nuk kam dëmtuar askënd gjatë gjithë karrierës sime. Është pjesë e lojës sime të jap mesazhe, që edhe pse mund të mos jenë të rëndësishme për ata që na shohin, mund të jenë të rëndësishme për skuadrën. U mërzita shumë gjatë ndeshjes në Dortmund, në vitin 1999. Kishin kaluar një sërë ndeshjesh pa shënuar asnjë gol dhe unë sapo isha kthyer nga një ndeshje me kombëtaren, ku kisha pësuar një dëmtim në kofshën e majtë. Të gjitha këto gjëra mund ta bëjnë një lojtar agresiv.

Çdokush mund të mendojë: Kahn është një dështak...

Kjo më habit vërtet. Me vete them se nuk më njohin, sepse përndryshe do t‘i shikonin gjërat në një mënyrë tjetër. Gjithmonë e di se deri ku mund të arrij para se të zbres në fushë.

Por në 20 vjet të karrierës suaj nuk keni qenë asnjëherë afër të bërit çmendurira?

Portierët e kanë të nevojshëm një element të tillë. Kush tjetër mund të qëndrojë në portë dhe të shohë të tjerët që godasin topin para fytyrës së tij dhe të vazhdojë të mendojë se kjo është e mrekullueshme.

Gjatë kohës te Kalsruhe, ju keni thënë se rivali juaj është njëkohësisht edhe armiku juaj. A nuk është edhe kjo një çmenduri?

Jam rritur në kohën kur "Dallas dhe "Dinasty" shfaqeshin në televizion, ndërsa filma si "Rambo", "Rocky" dhe "Wall Street" po jepeshin në kinema. Mesazhi ishte i qartë: nëse punon shumë, ti mund të bësh diçka për veten dhe nëse dikush përpiqet të të zërë rrugën, atëherë ai është armiku yt. Këto janë edhe përpjekjet e mia për të motivuar vetveten. Sot vetëm mund të qesh me këtë. Por, mendoj se kjo u takon viteve 1980.

Por 1980 ishte gjithashtu dekada e hedonizmit...

Më kushtoi shumë kohë për të kuptuar se futbolli nuk është vuajtje, por një lojë që të kënaq dhe nëse arrin të marrësh më të mirën prej tij, është diçka argëtuese. Ndoshta do të kishte qenë më mirë nëse do ta kisha kuptuar këtë që i ri. Por ky realizim nuk ndodhi deri vonë në karrierën time. Përveç kësaj, jam tërësisht i bindur se jo domosdoshmërisht duhet të vini theksin tek hedonizmi, kryesisht në fillim të karrierës, por duhet të fokusoheni më shumë tek performanca.

Si munde që një njeri të bëhet i famshëm?

Të mos ndihet keq kur është i lodhur dhe të jetojë në një botë që lidhet vetëm me futbollin. Kur jemi fëmijë, futbolli na bëhet si një i afërt. Edhe kur e ndiejmë veten të përfshirë në problemet e të rinjve, futbolli të bëhet akoma më i afërt. Kur ju filloni t‘i ndalni këto shqetësime dhe probleme me miqtë, futbolli sërish ngelet i afërt. Gjithçka duhet të rrotullohet rreth punës tënde.

Bëja marrëveshje me futbollin çdo ditë dhe çdo ditë praktikohesha më gjatë dhe më shumë se çdo njeri tjetër, duke përdorur çdo mundësi që të mund të rritesha profesionalisht. Isha kaq shumë i fiksuar pas futbollit, sa më dukej sikur flisja me topin çdo natë. Pastaj pati edhe një moment dobësie...

Kjo ndodhi kur nisi edhe koha e festave. Ju vishnit bluza trendi dhe i kalonit netët jashtë nëpër lokale. Në këtë kohë jeta juaj ishte në qendër të të gjithë tabloidëve.

Koha e tranzicionit. Kështu do ta quaja.

Ju po përpiqeni t‘i mbani gazetat jashtë jetës suaj...

Më e thjeshtë të thuhet se sa të bëhet. Nuk jam ai lloj personi që kërkon vëmendjen e tabloidëve, ndërkohë po përpiqem të ndryshoj jetën time, duke dalë jashtë rutinës. Gjithmonë e kam parë vetën time si një atlet. Sigurisht bëra gabimi kur pa qëllimin u tregova gazetave shumë gjëra nga jeta ime private, por nuk kam për të bërë sërish të njëjtën gjë. Duhet pranuar se jeta ime private është private dhe nuk i intereson askujt përveç meje.

Edhe Botërori i 2002-shit, kur topi kaloi sipër duarve dhe Ronaldo shënoi, ishte pjesë e periudhës suaj të tranzicionit?

Shumë njerëz mund të kenë thënë: Khan është i lumtur që gjermanët nuk e fituan kupën e botës në atë vit.

Edhe ju kështu mendoni?

Sigurisht që jo. Do të kisha dashur të kishin fituar kupën e botës. Por ka njerëz që thonë: Ju po kalonit një periudhë të keqe atë kohë. Problemi ishte se po jetoja një periudhë rraskapitëse. Të qenit kampion bote do të thoshte se çdo gjë ishte në rrugën që duhej të kishte qenë. Por nuk ishte kështu. Gabimi gjatë finales më tregoi se disa gjëra të vogla duheshin ndryshuar në jetën time. Kur i bëra këto ndryshime pas fazës së tranzicionit, gjërat u përmirësuan.

Pikëpamja e përgjithshme ishte se Oliver Kahn po përpiqej ta fshihte gabimin e tij në Kupën e Botës, që u zhvillua në Gjermani në 2006-ën, duke fituar kampionatin atë vit. Por, nuk ndodhi kështu?

Duke e kthyer kokën pas më bën të mendoj se të qëndroja ulur në pankinë gjatë Kupës së Botës ishte shumë e rëndësishme për mua, madje edhe më e rëndësishëm se sa të luaja. Shqetësimi im do t‘ia kishte vlejtur nëse ne do të ishim kampion bote. Por nuk e di nëse do t‘ia kishim dalë mbanë po të isha unë në fushë.

A mendoni se do të ishte e mundur?

Nuk e di, por më duket e padrejtë të flas rreth kësaj çështjeje tani.

E mbani mend se si u ndjetë kur u larguat nga hoteli atë ditë, kur Jurgen Klinsman i dha fund rivalitetit 2-vjeçar mes portierëve, duke zgjedhur Lehmanin në vendin tuaj?

Një shuplakë e rënë në fytyrë, megjithatë e kisha shumë të qartë se si do të përfundonin gjërat.

Ju mendoni se nuk iu dha kurrë rasti?

Kështu mendoni ju.

Hmm.

Sigurisht i kam bërë disa pyetje vetes. Ka pasur Klinsman dhe Lehman të njëjtin këshilltar? Bierof dhe Lehman a nuk e njihnin njëri-tjetrin që fëmijë? Është një rastësi që gratë e tyre janë mikesha? E shumë të tjera si këto.

E keni diskutuar vendimin e Klismanit me atë vetë?

Jo.

I vështirë për t‘u harruar?

Ta harroj? Nuk e kam parë kurrë veten në rolin e viktimës. Pse ta harroj? I jam shumë mirënjohës.

Për çfarë?

Kam mësuar shumë nga viti 2006. Pas humbjes pyeta veten: Çfarë mund të bëj ndryshe? Si mund të vazhdoj të përmirësohem akoma. Pas Botërorit të vitit 2006, mësova se jo gjithmonë të nevojitet suksesi në fushë. Ideja se nuk je në fushë vetëm për të fituar dhe për të qenë i suksesshëm është shumë çliruese. Dikush mund të jetë i suksesshëm duke ndihmuar skuadrën, apo shokët e tjerë të skuadrës. Pas kësaj fillova të ndieja më shumë dashuri për njerëzit, gjë që nuk e kisha ndjerë më parë.

Po tani jeni i lumtur që ju do të jeni larguar kur Klinsmani të marrë detyrën e trajnerit të Bajernit?

E shoh vetëm nga pikëpamja profesionale. Nuk do të kisha asnjë problem me të.

Sot ju do të luani ndeshjen e fundit në Bundesligën Gjermane, të 557-ën. Pas kësaj do të dalë libri juaj i ri me titullin "I". Një tjetër çmenduri?

Titulli është një provokim. Shumë mund të mendojnë se kjo është një tjetër pjesë ku Khan shfaq egoizmin e tij. Por ju siguroj që nuk ka fare lidhje me këtë. Nëntitulli është: "Suksesi vjen nga fitorja". Çdonjëri që bën "pakt" me suksesin duhet më parë të bëjë pakt me vetveten. Kjo është arsyeja se përse titulli është "I".

Por libri tregon gjithashtu se si të tjerët duhet ta jetojnë jetën?

Nuk mendoj se lexuesve u krijohet ndjesia se autori po përpiqet t‘u tregojë se si duhet ta jetojnë jetën e tyre. Thjesht dua t‘i motivoj.

Por ju doni t‘u tregoni lexuesve se çfarë duhet për të qenë i suksesshëm?

Aty ka disa elementë që ju duhen për të qenë të suksesshëm. Është krejt ndryshe dhe nuk ka lidhje me fitoren tetë herë të kampionatit gjerman, apo se si të bëhesh milioner. Portieri luan në një pozicion psikologjik. Dua të përshkruaj gjërat që kam bërë gabim dhe shumë prej atyre ku kam vepruar drejt, kështu që të gjithë, madje edhe ata që kanë të tjera profesione në jetë, mund të mësojnë diçka nga eksperiencat e mia.

Pse nuk shkruat një autobiografi?

Sepse mendoj se do të kishte qenë i çuditshëm për një njeri që nuk i ka mbushur akoma të 40-at. Autobiografitë më kujtojnë njerëz si Helmut Kol, ose figura të tjera të mëdha.

Kishit ndonjë bashkautor?

Kam punuar me një trajner për pesë vjet. Ishte një ndihmë e madhe për mua për të plotësuar të gjitha gjërat me të cilat përballesh në biznes apo sportet profesioniste. Shumë nga ato që kam shkruar në libër është ajo çfarë kam mësuar gjatë procesit të stërvitjes. Trajneri më ndihmoi gjithashtu të organizoja mendimet e mia dhe t‘i rendisja së bashku në formën e librit.

Shpesh shkrimtarët kanë shkruar edhe budallallëqe?

Shumë herë mendova se ishte më mirë që t‘i hidhja në kosh të plehrave të gjitha ato që kisha shkruar. Megjithatë vazhdova.

Ju flisni për stërvitje dhe jo për terapi.

Sepse ka një ndryshim të madh mes tyre. Stërvitja nuk ka të bëjë fare me problemet apo sëmundjet psikologjike.

Ju citoni shpesh Aristotelin dhe Kantin. Po përpiqeni të tregoni se futbollistët janë më të zgjuar se sa mendojnë njerëzit?


Sigurisht, i njoh shumë mirë klishetë për futbollistët, por nuk jam tipi që e harxhon kohën e tij të lirë në stërvitje, duke luajtur me playstation apo letra.

Keni shkruar gjithashtu se si të jesh i suksesshëm në jetë. Cili është suksesi i ardhshëm në axhendën tuaj?

Që ta kaloj në mënyrë të suksesshme tranzicionin nga jeta në sport, në një lloj tjetër jete pa stres dhe mërzitje të madhe.

Ju frikëson jeta pa futbollin?

Është normale që të ndihesh bosh në shpirt dhe i mërzitur. Megjithatë, nuk e di se çfarë do të vijë më pas, do të doja të thosha diçka, por nuk mund të flas pa pasur një eksperiencë personale. Megjithatë e respektoj këtë fakt, ndaj nuk duhet të mërzitem.

Oliver Kahn, njeriu që nuk ka ndaluar kurrë, tani flet për zbrazëti dhe të ndjerit një njeri pa vlerë? Kjo duket si një eksperiment interesant.

Gjashtë muaj më parë mendoja se doja të tërhiqesha nga futbolli krejtësisht. Por, sa më shumë e ndien që po vjen fundi, aq më i pasigurt bëhesh. Kush e di, ndoshta pas tre javësh nga tërheqja do ta shikoj se deri ku mund të arrijnë nervat e mia.

Por jeta juaj nuk do të jetë krejtësisht bosh. Ju keni në plan për të qenë komentatori i ndeshjeve të kombëtares në rrjetin televiziv ZDF. Duket si një karrierë tipike e një ish-lojtari. Po mendoni për diçka më të veçantë?

Kam një numër të madh planesh, që nuk janë gjë tjetër vetëm harxhim kohe.

Çfarë tjetër mund të jetë e lidhur me të ardhmen tuaj. Karriera si trajner, president, menaxher?

Kahn: Në fillim do të doja të bëja diçka në lidhje me futbollin. Për momentin ne jemi duke punuar për një projekt në Azi, të quajtur "Oliver Kahn searches for the super goalkeeper", që do të zhvillohet në vende të ndryshme të këtij vendi.

Ndoshta një ditë mund të jeni pasardhësi i Uli Hoeness (trajneri i Bajernit të Mynihut)?

Ka pak mundësi, por sigurisht që nuk mund të ndodhë tani afër.

Çfarë do t‘u mungojë?

Eksperienca e të qenit pjesë e grupit. Asgjë tjetër.

Jo fama?

Është mirë ta kesh, por nuk duhen harruar të këqijat e saj.

Cilat janë ato?

Rreziku për të mos qenë i lumtur dhe shumë të tjera si këto.

U frikësoheni emocioneve, ndoshta edhe lotëve të 17 majit?

Jo, më e shumta do të qaj. Ku është problemi?

Faleminderit për intervistën.


Oliver Khan

38-vjeçari, që iu bashkua Bajernit në vitin 1994, do të tërhiqet pas 8 fitoreve të kampionatit gjerman dhe 6 të Kupës së Gjermanisë. Ishte pikërisht ai njeriu që i dhuroi Bajernit fitoren e "Champions League"-s kundër Valencias në 2001-shin, lojtari më i mirë i Botërorit të 2002-shit dhe tri herë portieri më i mirë në botë. Ajo e së shtunës do të jetë ndeshja e 557 për të në Bundesligën Gjermane, një rekord për një portier

G. Shqip