E shtune, 20.04.2024, 08:21 AM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Shërbetori

E hene, 01.07.2013, 09:09 PM


SHËRBETORI

NGA KALOSH ÇELIKU

Atdheu historikisht mbi krye ka patur mbretër, pashallarë, agallarë, kryetarë, presidentë, kaçakë, komandantë dhe shërbetorë. Populli dihet, gjithë jetën ka qenë në rolin e shërbetorit, ndërsa udhëheqesit politik e shpirtëror siç u ka hije në ballë. Teuta ishte Mbretëreshë ilire, po nuk ishte shërbetore. Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Skënderbeu poashtu me shumë shokë lufte. Ali Pashë Tepelena. Bajram Curri e Isë Boletini. Kalosh Zajazi e Dervish Cara… Kurrë, nuk ka ndodhur në histrorinë shqiptare, popullit t’i pri shërbetori. Përmëkeq, në shekullin XXI, kur popullit shqiptar i digjet zjarr mbi krye. Nevojë ka për politikanë vizionar e jo për shërbetorë. Vërtetë, Don Kishoti i Mançes e kishte me vete shërbetorin e tij Sanço Pança, po betejave me mullinjt e erës dhe kopenë e deleve, ai vetë u printe në ballë me shpatë për fitore heroike.

Ndodhë kjo, edhe atë, në Shqipëri. Atdheun dhe Mëmëdheun e Rilindasëve tanë: Sami Frashëri, Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Asdreni, Zef Serembe, Mihal Grameno, Gjergj Fishta, Vaso Pashë Shkodrani, Filip Shiroka, Çajupi, Hil Mosi, Ndre Mjeda, Ali Asllani, Fan Noli, Faik Konica, Luigj Gurakuqi… Shtetin e shqiponjave, që vitin e kaluar e festoi Njëqidvjetorin historik. Tortës së Pavarësisë iu sulë me legenë e karroca dore. Dhe, përçudi pas një fushate zgjedhore plot eufori e premtime (2013), populli e zgjodhi me “vota të lira” një  shërbetor t’i pri nga “fitorja në fitore”. Përmëkeq, një shërbetor të sprovuar me poste të larta politike: kryetar bashkie e kryetar  partie, që vite me radhë i ngatërrohet si ferrë nëpër këmbë Shtetit Shqiptar.

Mjerim kombëtar! E them me plot gojën: ne shqiptarët jemi popull i vonuar me shekuj. Historikisht, po na përsëriten gabimet politike: në kohën e Turqisë, kur  e Sëmura e Bllkanit jepte shpirt në shtratin e vdekjes, ne shqiptarët e kërkonim Baba Dovletin, në kohën e fashizmit, kur Hitleri e humbi Berlinin, shqiptarët ende luftonin maleve të Zajazit, në kohën e Jugosllavisë, komunizmi humbte në Rusi, studentët shqiptar në Prishtinë u prinin demonstratave në ballë me fotografinë e shokut Tito. Përçudi, erdhi koha sot këtij populli t’i prijnë edhe shërbetorët. Lumë populli shqiptar. E kënaqën mbretërit, pashallarët dhe agallarët e turkut, tashti u ka mbetur radha ta provojnë veten edhe shërbetorët besnik të Partisë Neokomunsite. Vërtetë, siç duket çështjen shqiptare në Ballkan, më në fund do ta zgjidhë Shërbetori i tyre neokomunist me votën e lirë të popullit shqiptar. Dhashtë, Zoti! Duartrokitje, binu duarve o popull shqiptar! Vetëmse, nuk ma merr mendja mes këtyre veprimeve politike pakrye të arrini deri te qëllimi. Shkaku se, ky kalorës i arratisur njëzetë vjet me radhë është në skenën politike. Gjurmët e thella që i ka lënë rrugës me “protesta demokratike” nuk i fshin dot, asnjë stuhi, borë e madhe. Gjithë bota zgjedh në krye të Shtetit, mbretër, krajli, kryetarë shteti, presidentë republike… Shqiptarët për t’u pri në ballë nëpër beteja historike, zgjedhin Shërbetorin.

Mirë, do të thoni ju si zakonisht pas dështimeve politike, nuk kemi pasur rrugë tjetër për “Ndryshime – Rilindje”: nga dy të këqijat kemi zgjedhur atë më të mirën (Partinë Neokomuniste). Ndonjëri me “analizat e tij profetike” para kamerave televizive edhe: “populli e ndëshkoi me votën e lirë Doktorin”. Pavetëdije përbaltin Rilindjen Kombëtare, e cila ndodhë çdo Njëqindvjet. E, për një “Rilindje” të dytë partiake, duhet pritur të kalojnë edhe njëqindvjet të tjerë përmes betejave historike. Dihet, pa bagazhin e djeshëm komunist në shpinë. Mrekullitë historike ndodhin çdo njëqindvjet. Moti e kam thënë nëpër shkrimet e mia publicistike, e përsëris për të njëqindën herë: vërtetë, e ka pasur lehtë gomari me Nstradin Hoxhën (60 kg.) mbi samarë, por vështirë do ta ketë tashti kur do t’i hip në shpinë Nastradinica (120 kg), rrasë edhe më thellë me të katra këmbët në batak deri në bark. Gabim historik, që nuk është arsye politike. Populli  shqiptar në këto zgjedhje “historike” në  garë nuk ka pasur vetëm dy parti politike shqiptare. Përmëtepër, dy liderë politik, që të zgjedhë ajkën intelektuale. Doktorin, keni mundur ta ndëshkoni “gabimisht” edhe me ndonjë parti tjetër politike, lider të ri që deri më sot nuk i ka pri mbrapshtë popullit shqiptar. Duart nuk i ka përlyer me gjak dhe është mbytur deri në fyt me korrupsion shtetëror. Ndryshim politik (“Rilindje”), vetëm atëherë do të bënim si popull, e jo me kalorës të arartisur që me vite i kemi lidhur në grazhd për brirësh dhe mezi i mbajmë gjallë në skenën politike shqiptare. Burra të grave që e kanë rrokur për fyti, ngulfatë keq politikën shqiptare për të dalë faqebardhë para syve të botës. Nevojë e kohës është sot për një Lëvizje Politike Mbarëkombëtare t’i dalë zot Atdheut. Krah më krah t’ua hapë dyert në politikëbërje edhe rinisë shqiptare. Ardhmërisë, që nesër do të rroket fytas me politikëbërjen e Ballkanit për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Napolon Bonaparta i madh ka thënë: Më mirë një brigadë gomarësh me luanin në krye, sesa një brigadë luanësh me gomarin në krye. Ose, një mençuri tjetër popullore, kur e kanë pyetur deven se, kur e ka pasur më së vështiri në jetë? Devja është përgjigjur: kur më ka pri gomari. E, nuk e di sa lehtë do ta ketë populli shqiptar në Ditën e sotshme, kur në ballë do t’i pri katër vite me radhë Shërbetori?! Nesër, ndoshta Doktori. Herë njëri, herë tjetri i hipin e i zbresin gomarit të Nastradinit. E, asnjëri nuk e nxjerrë dot të shkretin nga balta, nuk i hedhin në grazhd së paku një krah kashtë.

Përsëri, nga zemra e plasur copë-copë, siç vajtoi Fan Noli:

Anës detit i palarë,

Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,

Pranë dijes i panxënë,

Lakuriq dhe i dregosur,

Trup e shpirt i sakatosur.

Them: Zoti i ndihmoftë Shqipërisë, se politikanët e sotshëm hë për hë, nuk e kanë mendjen ose nuk dinë ta zbresin Nusen nga koçia në Lëmë. Qerrja u është thyer në rrugë mes maleve. Hajdutët ua kanë ndërruar Nusen me një Xhadi. Krushkat i mashtruan Ditën e Madhe, copë-copë nga gëzimi të mos i bëjnë dajret. Burrat mos qesin pushkë para porte, hedhin valle krah për krahu me lodra atë këngën e krushqve për Nusen pa kurorë si te ajo vjersha e Vaso Pashë Shkodranit: O moj Shqypni.

Hajdeni bini djemtë e Shalës, përmes Sarajeve të Pashës!...



(Vota: 199 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora