E marte, 17.09.2019, 01:45 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Wanted një ''Kokë Turku'' për humbjen!

E hene, 01.07.2013, 05:49 PM


WANTED një  “Kokë Turku” për humbjen!

Nga Elvi Sidheri

Disa ditë pas profilizimit të shfryrjes së “habitshme” elektorale të Partisë Demokratike dhe fitores sipas tyre “plebishitare” të së majtës moderne LSI-ste dhe klasike PS-iste, nga krahu i djathtë, sadoqë vetë lideri historik ende në fuqi (kujdestar tashmë në pritje të zgjedhjes së të riut)...bëri qartësisht të ditur se “gjueti” shtrigash në parti nuk do të ketë, sërish shumëkush është vënë në ndjekje të “fajtor-es” së kësaj eksperience traumatike për forcën kryesore të së djathtës shqiptare.

Heqim alibinë e zakonshme që qëndron e stampuar në gojën e gjithëkujt, pra “shitjen” e “mallit-votues” të djathtë tek ofruesi më i mirë, pra tek bosët dhe biznesmenët e majtë, apo tek fuqia magnetike derëhapëse, halldëgjuese dhe punëgjetëse e lëvizjes socialiste integruese, por të shumtë sidoqoftë po bëhen edhe ata që fajin tashmë edhe hapur, po ia mveshin me tepër bindje kryesueses së listës së PD-së në qarkun e Shkodrës, pra zonjës Çoba Topalli.

-“Jozi është arrogante”...”Të qet për zhelesh”...”Krekoset ca si shumë”...”Flet veçse në dialektin e vet”...”Humbi Shkodrën”...e çfarë të munden më tepër thonë dhe hamendësojnë!

Tani, me sa kam vënë re unë, ka ditë të tëra që çdo insinuatë, etiketim dhe gisht i drejtuar “si pushkë qitje” vetëm tek një shënjestër, të bën të kuptosh se faji na qenka i saji...dhe sido që të jetë të pohosh me plot gojë se zgjedhjet e 23 qershorit na i ka humbur vetëm zonja Jozefinë, se ç’më tingëllon paksa futje koke “strucërisht” nën rërë, apo fshehje pas gishtit dhe asgjë më shumë se kaq!

Në qarkun e Shkodrës Partia Demokratike dhe aleatët, në 2009-ën, patën fituar 7 deputetë, kurse PS-ja dhe të sajët 4.

Këto janë numrat dhe me to nuk mund të manipulohet.

Të mos shtoj tani se efektivisht numrat më pas brenda në parlament ndryshuan edhe më tepër në favor të PS-së pasi një deputet kaloi nga krahu i tyre pasi qe zgjedhur nga të djathtët.

Pra gjer para këtyre zgjedhjeve ishin fiks 6 me 5 për PD-në.

Tani nga këto fakte na rezulton se PD-ja në Shkodër dhe rrethina ka rënë me 2 deputetë qysh prej 2009-ës dhe me një deputet po të kemi parasysh numrat realë në kuvend legjislaturën e kaluar.

Mënjanë që këto të dhëna nuk mundet të shërbejnë fare brendapërbrenda kuadrit shkodran, për të justifikuar kataklizmën zgjedhore që ndodhi në atë qark dhe mbi të gjitha këtë qytet jo PD-ist, as berishist, aq më pak demokrat, por thjesht dhe qartë TË DJATHTË!

PD-ja siç del në Shkodër qytet ka rënë tek 37% mbështetje nga nja 58% që ka qënë, pra 20% më pak.

Ka përfituar nga kjo jo PS-ja (poshtë 30%-shit vetë), por edhe LSI-ja me disa partiçka të tjera të majta apo aleate të saj.

Gjithësesi çështjet rajonale shkodrane të PD-së dhe së djathtës në atë zonë, nuk influencojnë aspak numrat e përgjithshëm të zhytjes së thellë të së djathtës në rang kombëtar.

PD-ja, PR-ja dhe PDIU-ja kanë marrë 56 deputetë gjithësej.

Sikur edhe në Shkodër të ishte ruajtur ekuilibri 7 me 4, e djathta në kuvend do të dispononte 58 deputetë.

Edhe???

Mos do e sillte gjë në qeveri ky numër i kufizuar mandatesh?

Ah po, kjo do të shërbente që të majtët të mos zotëronin shumicën aspak komfortuese të 3 të pestave (84 deputetë), pra mundësinë që t’i bien me kazmë kushtetutës si t’ua ketë ënda, të shkelin “me karton” opozitën dhe të bëjnë “ligjërisht” ç’të duan pra me parlamentin dhe sistemin institucional shqiptar.

Por sidoqoftë numrat në Shkodër nuk e kanë sjellë kurrësesi përmbysjen e pushtetit në të mirë të së majtës dhe këtë e kupton lehtë edhe biba apo pata e jo më njerëzit me tru të patharë apo funksional në kokë.

Në rang kombëtar, humbja e pastër në Shkodër është edhe më traumatike emocionalisht sesa lënia me rezultate kaq të dobëta e pushtetit  dhe kjo s’do shumë mend që të kuptohet.

Në 97-ën kur qënia me PD-në, nënkuptonte jashtë Shkodrës dhe ndonjë zone tjetër, edhe plumbin, në atë qytet e djathta merrte 5 mandate (4 PD dhe një e djathta e bashkuar), në 2001-shin fitohej po ashtu thellë, bashkia nuk ra asnjë vit, në pushtet a opozite të ishte e djathta, kurse në 2005-ën pati një triumf total.

Shkodra është qytet traditash, shtresash të mirëngulitura në atë territor të lashtë, borgjezie urbane dhe aristokracie të vjetër, kulture, arti, rrënjësh të forta shqiptare, dokesh e memoriesh të pashlyeshme të cilave regjimi enverist nuk ua gjeti dot çelësin e fshirjes nga faqja e dheut, megjithë një përpjekje titanike për t’a realizuar këtë “vepër” (me pasoja çnjerëzore për Shkodrën dhe banorët e saj), pra aty Njeriu i Ri nuk erdhi në jetë si tjetërkund.

Për këtë arsye edhe dufin e fundit regjimi aty e shfryu mbi katër të rinj shkodranë në 91-shin.

Ndaj dhe qëndresa e djathtë e Shkodrës, vazhdoi gjatë, derisa para pak ditësh nuk është se përfundoi, por ndryshoi, sepse edhe atje tranzicioni arriti mesa duket në grahmat e tij të fundit.

Shkodra mbetet Shkodër, me gjakun, traditat, qytetarinë e saj unike, por ajo refuzoi që të trajtohet si e qenë “brenda xhepit” të dikujt, të PD-së në këtë rast.

Shkodra është shumë më tepër se PD-ja ose e djathta në përgjjithësi!

Shkodra është nga shumë këndvështrime E DJATHTA dhe perëndimi për Shqipërinë...dhe PD-ja duhet tashmë t’a ketë mirë parasysh këtë fakt të cilin dukej t’a kishte anashkaluar qëllimisht.

Por, duke u kapur sërish me fillin e idesë, nuk është se humbja në Shkodër përveç efekteve psikologjike tek masa e të djathtëve shqiptarë, ka shkaktuar dëme të tjera të dukshme.

Shkodra, po qe se të djathtët në qendër në Tiranë dhe ata rajonalë në qytet, do të dinë t’a lexojnë siç duhet këtë rezultat dhe më tej do të sillen siç nevojitet pas analizës së disfatës, me siguri që do të kthehet në natyrën e saj, e cila s’është kurrësesi e majtë, e më pas fitorja do të vijë prapë në origjinë, pra djathtas.

Të majtët kanë shansin që njëherë të festojnë, të shullohen ca kohë në diellin e triumfit të pabesueshëm, të gëzojnë “shpenzimin” e tejmadh financiar të bërë për të blerë një porcion të theksuar të këtij suksesi...dhe më pas të ribëhen gati për t’u rikthyer aty ku e kanë vendin në Shkodër, pra në minorancë.

Gjithmonë që nga e djathta t’a kenë kuptuar mesazhin e votuesve të tyre, se ndryshe...Shkodra “BLU” për nga gjaku aristokrat dhe jo nga ngjyra e partisë, e purpurt do mbetet për ca kohë!

Ndërkohë znj.Topalli përgjegjësinë e saj duhet t’a marri përsipër (ashtu si edhe tërë funksionarët dhe strukturat e zinxhiri partiak)...vetëm para popullit të Shkodrës i cili meqë i majtë nuk ka mundësi të jetë (aq sa arinjtë polarë jetojnë në Australi), atëherë një arsye për të mos votuar të djathtën do e ketë pasur.

Por humbja e saj edhe personale në qytetin e lindjes dhe origjinës, nuk mund të mbulojë lakuriqësinë e asaj që PD-së i ka ndodhur kudo në Shqipëri!

T’a vëmë tani atë që ndodhi në Shkodër, si gjethe fiku, para cunamit të zhveshur që përfshiu votat e PD-së nëpër gjithë vendin, do të ishte një “Lojë me të futme” pa pikën e shijes dhe kuptimit.

Kur dy mandate u humbën në Shkodër, po 1 në Durrës, po 1 në Lezhë, po 1 në Dibër, po nga 1 tjetër në Elbasan e Korçë, po 1 në Berat, po 1 në Vlorë, po 3 në Tiranë, po 1 në Fier, 1 në Gjirokastër?

Pra rezulton të jenë lënë rrugës plot 12 mandate të tjera nga partia dhe koalicioni, përveç atyre të Shkodrës.

Të tërë këto mandate bëjnë dukshëm diferencën në kuvendin e ardhshëm, të gjithë janë minus për PD-në dhe opozitën, të tërë përbëjnë një plus të madh për ish-aleatin LSI dhe mazhorancën e re.

Dikush supozohet të ketë dështuar edhe në ato rastë më duket mua, ka përgjegjës gjithnjë, nuk është se ka pasur gabime, qoftë edhe trashanike me menaxhimin e votës, vetëm në rastin e Shkodrës, por ngado dhe me këdo drejtues dhe struktura fushatë-bërëse.

Nuk mund të tentohet, si fshehtas e si haptas, që barra e humbjes së rëndë t’i hidhet sipër (bashkë me turpin)...vetëm Shkodrës dhe zonjës Jozefinë!

Kjo është thjesht një pafytyrësi, një fërkim duarsh nga kënaqësia (edhe më e madhe se e të majtëve)...lidhur me të pasurit humbur në Shkodër, që vjen fatkeqësisht nga qarqe pranë së djathtës.

Znj.Topalli ka përgjegjësitë e saja, mendoj se ajo vetë i di ato më mirë se të tjerët, sidomos se kritikuesit e ethshëm dhe të zëshëm të sajët tani, ose ata që asnjëherë s’e kanë përtypur qënien e saj shkodrane shumëkaratëshe prej vërteti (domosdo që edhe tejet e bukur), bijë e një familje të madhe dhe të respektuar, mbesë njerëzish që shtetin shqiptar e kanë themeluar dhe bërë nga e para, grua dhe vajzë e persekutuar nga regjimi, njeri “self made” dhe simbol i gruas së suksesshme shqiptare, që ka çarë me forcën e saj vitale, mespërmes një ambienti të përdalë burrash, siç ka qenë, është dhe ndoshta do të mbesë ky i yni, në politikë apo jashtë saj!

Nuk ka nevojë për shumë shkencë, që të kuptohet se nga burojnë sulmet e shpeshta ndaj saj këto kohë.

Në periudhë opozite (97-05 nuk ishte koha me e lehtë për të qenë në krye të PD-së, edhe pa qenë një grua)...znj.Jozefinë nuk konsiderohej si pengesë nga shumëkush, pasi trastat PD-së dhe opozitës ia kishin varur me kohë dhe bërien e rezistencës ndaj kleptomanisë së majtë, ia kishin lënë “dhuratë” edhe karakterit të fortë dhe egos së pathyer të kësaj zonje.

Por kur e djathta erdhi me votë në pushtet, atëherë hija e rëndë dhe fisnike e kësaj gruaje, shumëkujt nisi t’i zërë diellin e përfitimeve nga qënia në pozitë tashmë.

Kjo sepse, që të dëgjosh eksponentë të së majtës t’a quajnë qoftë edhe nëpër dhëmbë “reaksionare”, përfaqësuese shtresash të përmbysura, ”sulltaneshë” etj, nuk është se të habit shumë.

Origjina, sjellja dhe forca imponuese, kombinuar me sitilin në të veshur dhe përfaqësimin mese dinjitoz të postit të saj institucional si dhe të vendit, brenda e jashtë Shqipërisë, çdo të majti të vërtetë Enver-qarës, do i rënqethte mishin dhe do i bënte t’u venin jargë nga gojët për ndonjë gjyq publik monist, demaskim popullor-fshatar, Daci-Bao kineze apo pse jo, edhe ndonjë dorë skenë nga filmi “Malena”.

Të tillë janë shqiptarët në përgjithësi ndaj kujtdo femre me pak respekt për veten, të bukur, të panënshtruar, të zgjuar, potente, të pajisur me inteligjencë superiore, me karrierë, të fuqishme dhe origjinale, pra jo vetëm me zonjën në fjalë, por me cilëndo shqiptare pa dallim feje, krahine, ideje dhe krahu politik, që do bënte përpara në jetë, pa qenë nën hijen apo shërbimin e ndonjë mashkulli.

Unë nuk mund t’a imagjinoj se çfarë do të thotë për një çfarëdo grua, aq më tepër për një të tillë me një respekt të fortë ndaj vetes dhe të qënit “grua”, prania si drejtuese seancash, në parlamentin banal, sharës, armiqësor, gojëqelbur dhe fjalorshpifur shqiptar!

Është ky një heroizëm i pashoq i saj, asgjë tjetër!

Për zhelesh dhe më tepër mund t’i kishte nxjerrë të gjithë meshkujt e asaj salle!

Arroganca e saj ndaj përçmimit mashkullor deputetor shqiptar, s’ka lidhje me arrogancën pushtetase që PD-në e nxorri në opozitë.



(Vota: 20 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT