Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


LB: Ekstremizmi i VV-së në shërbim të PDK-së

| E diele, 30.06.2013, 05:36 PM |


Më 27.6.2013, Kuvendi i Kosovës, me shumicë dërrmuese votash, miratoi marrëveshjen për normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Pasojat e kësaj marrëveshjeje Kosova, qytetarët e saj dhe mbarë populli shqiptar do t’i vuaj për një kohë të gjatë.

Fajtori kryesor për këtë marrëveshje të dëmshme është padyshim Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Hashim Thaçi, por atij dhe Qeverisë së Kosovës i ndihmoi jashtëzakonisht shumë Lëvizja Vetëvendosje.

Që nga fillimi i bisedimeve që sollën këtë marrëveshje, nga zhurma e ekstremizmi i qëllimshëm i VV-së dhe kundërpërgjigjet e PDK-së, shoqëria shqiptare nuk ka arritur të zhvillojë asnjë debat të mirëfilltë për këto bisedime, për temat që duhet të negociohen e as për zgjidhjet e pranueshme të problemeve të cilat e mundojnë Kosovën dhe shqiptarët. Protagonizmi i krijuar artificialisht nga Lëvizja Vetëvendosje, më tepër përmes skandaleve sesa përmes përpjekjeve racionale, si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij, ka bërë që opinioni më shumë të merret me këto skandale dhe sulme midis këtyre dy subjekteve, se sa me situatat me të cilat po ballafaqohet ai.

Kjo zhurmë e çakorduar e VV-së dhe PDK-së e ka dominuar çdo zë të arsyeshëm dhe e ka ndihmuar Hashim Thaçin që pa u negociuar çështjet të nënshkruhen marrëveshjet dhe po nga kjo zhurmë ratifikimi i marrëveshjeje së Brukselit është bërë me lehtësi të madhe dhe madje edhe duke ua mohuar deputetëve mundësinë të votojnë kundër saj.

Lëvizja për Bashkim, e shqetësuar nga dëmet e mëdha që po i shkaktohen Kosovës, nuk mund të rrijë pa e shprehur indinjatën e thellë për veprimet e këtyre dy subjekteve, që me kokëfortësinë e tyre bën që këto dëme, të sotme dhe të nesërme, t’i vuajnë qytetarët tanë të pafajshëm.

Lëvizja për Bashkim - Prishtinë, 29.6.2013