E premte, 29.03.2024, 01:38 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Kujtim Mateli: Me ekipin ku kandidoi Majko

E diele, 30.06.2013, 08:04 PM


Me ekipin e fitores ku kandidoi z. Majko

Nga Kujtim Mateli

Këto zgjedhje patën befasinë e tyre, por në njërën prej këtyre befasive është edhe njësia nr. 5 në Tiranë. Është njësia më e madhe në Tiranë dhe e krahasueshme me qytetet kryesore të Shqipërisë. Rëndësinë kësaj njësie zgjedhore, ia dhanë dhe aktorët e politikës shqiptare. Këtu garoi për PS ish kryeministri i Shqipërisë z. Pandeli Majko bashkë me znj.Blerina Gjylameti dhe z. Afrim Qëndro. Kjo treshe e bëri tepër interesante garën në këtë njësi zgjedhore. Me një fjalor për t`u admiruar, ata shpalosën programin e PS. Gjuha e urrejtjes për kundërshtarin, nuk ekzistonte. Komunikimi i vazhdueshëm me elektoratin, ishte i pandërprerë gjatë gjithë kësaj fushate, derisa u konkretizua me 23 qershorin.

Po z. Pandeli Majko ishte njëkohësisht dhe kryesuesi i listës së Tiranës. Ishte një nga ekipet më të spikatura që PS kishte në të 12 qarqet e vendit. Ja si është shprehur z. Pandeli, në diskutimin e tij në koventën e PSSH, për ekipin që kryesonte: "Jam i nderuar që udhëheq një ekip kaq të veçantë sa ky i Tiranës ku përfshihen militantë të skalitur si Saimir Tahiri, Fatmir Xhafa dhe Besnik Bare, përkrah mendjeve intelektuale si Vasilika Hysi, Ditmir Bushati, Milena Harito dhe Lindita Nikolla. Padyshim aty rrinë krah për krah Xhemal Qefalia, Artan Gaci dhe Sadri Abazi, Parid Cara i Kavajës dhe Pjerin Ndreu, Enkelejda Shkreli dhe Dashamir Peza. Pa i përmendur të gjithë me emër, kandididatët e Tiranës e kanë forcën e tyre jo tek renditja në listë, por tek besimi i palëkundur i votuesve tanë në fitoren e 23 qershorit".

Kështu punuan kandidatët e Partisë socialiste. Ata e lanë mënjanë renditjen në lista dhe punuan e luftuan si një ekip i vetëm për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit.

****

Ndaj z. Majko  iu desh që të shkonte në të gjitha njësitë zgjedhore që kishte qarku i Tiranës. Kudo u dëgjua fjala e tij e mençur dhe e urtë që e ka burimin tek urtësia dhe mencuria e popullit tonë.  Ka qenë  kryeministër i vendit, në periudhën më të vështirë, pas shkatërrimit që pësoi vendi në vitin 1997 dhe gjendja e vështirë që u krijua nga Lufta e Kosovës. Në ato momente të vështira, ideja e lidhjes me një rrugë të re kombëtare të Shqipërisë me Kosovën, është e z. Majko. Madje u vendos dhe një taksë për grumbullimin e të ardhura e cila dhe u quajt në gjuhën popullore: "taksa Majko".

 Politikan popullor, që e thotë mendimin e vet ashtu si e mendon, duke patur parasysh interesat e vendit, pastaj të forcës politike që përfaqëson, duke ngjallur admirim, jo vetëm tek të majtët, por edhe tek e djathta shqiptare.

****

Ekipi i kandidatëve për deputetë i njësisë nr.5, e shkeli çdo pëllëmbë të kësaj njësie zgjedhore. Takimet e shumta me elektoratin bëri që të njiheshin nga afër me shqetësimet  e përbashkëta apo dhe individuale. Të mendonin seriozisht për ta dhe problemet e tyre. Ja si shprehet z. Majko pas njërit prej këtyre takimeve:

"Një takim i veçantë tek "Kodra e Diellit"... Në një zonë ku problemet ndërthuren me shpresat. Aty ndërtohet Tirana e së ardhmes, mes problemeve të së sotmes. Njerëzit janë të thjeshtë dhe të tilla i duan edhe fjalët. Bashkëjetesa e komuniteteve të ardhura nga rrethe të ndryshme, e bëjnë edhe më të merituar emrin "Kodra e Diellit".

Çdo  pjesë e kësaj njësie zgjedhore kishte problemet e veta. Ndaj grupi i kandidatëve për deputetë, zotërinjtë Majko e Qëndro, si dhe znj. Gjylameti, kanë patur konsultime të vazhdueshme me ta. Mbanin shënime, diskutonin e debatonin, sidomos në takimet që u quajtën : "Këndi i fjalës". Të pranishmit pyesnin dhe sugjeronin.

Për njërën nga zonat e njësisë nr.5, z. Majko do të përshkruaj realitetin në të cilën ndodhet kjo zonë. Një realitet që pret të ndryshojë nga politika e partisë së tij që do të vijë në pushtet. Përshkrimi, edhe pse i shkurtër, të kujton ato të Viktor Hygoit për Parisin e shekullit XIX:

"  Zona e "bllokut" është pjesa më elitare e Tiranës dhe e Njësisë Bashkiake nr 5. Aty gjen përfaqësues të të gjitha shtresave, nga ato të varfërat që shesin anës rrugës dhe ata me gjendje të mirë ekonomike. Një "bursë" e llojit të vet edhe për politikën ku mat "pulsin" edhe duke ecur lirshëm".

****

Kandidatët e njësisë nr.5 gjetën mbështetje kudo që shkonin. Pandeli Majko u entusiazmua nga pritja e ngrohtë që i bënë ish ushtarakët e kësaj njësie dhe do të thoshte:

 " Me ish ushtarakët fjalët janë të tepërta. Janë shtresa më e lidhur me të majtën, kur në fakt duhet të ndodhte e kundërta për profilet që të djathtat perëndimore kanë karshi kësaj shtrese. Ata janë fjalëpak dhe presin të drejtën që u përket nga ligji i shfuqizuar i vitit 2005. Si djalë i një ish ushtaraku, detyrimin ndaj tyre e kam të dyfishtë"

Shumë mbrelënëse ishin dhe takimet që z. Majko zhvilloi me  pensionistët, veteranët, biznesmenët, etj.  Ai bëri mjaft vizita në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë, por edhe të disa figurave në fusha të ndryshme të dijes e artit, që kjo njësi i ka dhe i ruan si xhevahiret e saj. Një vizitë e tillë u bë në shtëpinë e poetit Faslli Haliti. Ishte një bisedë e ngrohtë midis poetit dhe politikanit Majko. U takuan dy miq. Faslli Haliti ka qenë për një legjislaturë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kur z. Majko ishte kryeministër. Ndaj pikat e takimit ishin të shumta dhe biseda rrodhi natyrshëm nga poezia e poetit në vitet e komunizmit e deri më sot, gjer tek shqetësimet e politikanit Majko për rezultatin në zgjedhjet e 23 qershorit. Faslli Haliti e shfaqi angazhimin e tij të dyfishtë: në letërsi dhe politikë. Faslli Haliti e bëri prezent shqetësimin e shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, të cilët u ndjenë të dhunuar nën rregjimin e Sali Berishës. Nën këndvështrimin e poetit, krijuesit e kishin humbur dinjitetin dhe identitetin, të detyruar për të siguruar ekzistencën e tyre.

 Të dy, poeti dhe politikani, shkëmbyen mjaft mendime se çfarë duhej të bëhej në të ardhmen. Në këtë takim z. Majko shoqërohej nga kryetarja e PS për njësinë nr.5, znj. Violeta Kila dhe kryetari  i PS në lagjen ku banon Poeti, z. Erjon Gozhdari.

****

Në njësinë nr. 5 gratë kanë zënë vendin e tyre në shoqëri dhe kjo, falë punës dhe përkushtimit të tyre, por edhe shkallës së lartë emancipues të shoqërisë sonë në këtë njësi. Njësia  Bashkiake nr. 5 drejtohet nga një grua që është znj. Jeta Seitaj. Po kështu edhe kryetare e PS  është znj.Violeta Kila, si dhe Kryetarja e FGS, znj. Violeta Sinoimeri. Ndoshta është kjo arsyeja që Njësia nr.5 në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, njihet si bastioni i socialistëve. Sic duket, kur e gjitha shoqëria ndihet e përfaqësuar, edhe rezultati është më i lartë. Këtu rezultati ka qenë gati i pandryshueshëm në favor të PS, edhe kur ajo ka qenë në nivele më të ulta në njësitë e tjera zgjedhore në Tiranë dhe në shkallë vendi. 

Ja si do të shprehej, gjatë ditëve të fushatës, për këtë rol të rëndësishëm të gruas në këtë njësi zgjedhore z. Pandeli Majko:

 " Gratë kanë qenë zakonisht "të padukshme" në fushatat elektorale. Në Njësinë Bashkiake nr 5. ato janë një rast i rrallë për Shqipërinë. Ato drejtojnë  partinë dhe Njësinë Bashkiake nr 5. Në një nga zonat më elitare të Tiranës vota e gruas nuk është "sasi", por cilësi e një fakti jo vetëm politik".

 Gjithçka ato e kanë arritur me punë. Forumi Gruas Socialiste Njësia 5, është tepër aktiv. Është mbështetja më e fuqishme e Partisë Socialiste në këtë njësi.

Ja si e vlerëson këtë rol, Kryetarja e  Forumit të Gruas Socialiste, znj. Violeta Sinoimeri, gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit: "Forumi  Gruas Socialiste Njësia 5, një bashkim mendjesh, idesh, vlerash, kontributesh, për të arritur ndryshimin e madh në qershor, 2013! Ky është slogani që udhëheq e motivon qindra vajza dhe gra të këtij forumi drejt 23 qershorit, drejt Rilindjes Shqiptare!"

Ato e pritën me padurim 23 qershorin, donin të shihnin sa më parë kontributin e punës së tyre:

"...Edhe një ditë...edhe një natë.. të mos ndalemi, të rendim, të shpërndajmë në çdo zemër e shtëpi aromën e Rilindjes, ta orientojmë atë drejt kutive të votimit!

Puna e palodhur dhe frutdhënëse e Forumit të Gruas Socialiste Njësia 5, i dha rezultatet e saj. Në këtë drejtim vlen të falënderohen pa përjashtim të gjitha vajzat e gratë, qofshin ose jo anetare të FGS, si dhe Kryetarja e ketij Forumi, znj, Sinoimeri dhe nënkryetaret znj. Etleva Dura, Azbie Rama, Lul Njebza, Ervis Rrahmani.

 Kryetarja e këtij forumi, znj. Sinoimeri,  e ka përjetuar si festë ditën e votimit, 23 qershorin, ja si shprehej ajo ne facebook:

"Unë sot, si  gjithmonë, ndoqa ëndrrën time, votova për t'i hapur rrugën Rilindjes, votova nr. 29, votova PS, votova Edi Ramën. Unë sot, votova së bashku me një gjyshe, donte Partinë Socialiste, donte Edi Ramën. E ndihmova edhe gjatë procesit të votimit dhe fjalët e saj "mos më rrej, dua Edi Ramën" Vec kontributeve të tjera, sot unë ndjehem e gëzuar, se në kuti kam çuar dy vota".

*****

Forumi Rinor Eurosocialist  njësia nr.5, dha një kontribut të çmuar në zgjedhjet e 23 qershorit. Të dy drejtuesit e saj kryesor, Olsi Lazi (kryetar) dhe Brisela Mehmetllari (nënkryetare) ishin të pranishëm atje ku fushata ngrinte këndin e saj të bisedës. Por në rrugën e tyre ata hasën dhe pengesa, për të mos zhvilluar veprimtaritë e tyre, siç ishte takimi tek amfiteatri i parkut Kombëtar tek Liqeni Artificial i Tiranës. Këtë frymë dhe këmbëngulje të tyre z. Majko do ta përshkruante kështu:

 “Ata, thjesht janë të vecantë e të vërtetë. Kështu e duan edhe politikën. Një falënderim për djemtë dhe vajzat eurosocialiste të Njësisë Bashkiake nr 5. Në një moment gjithçka shkoi keq si pasojë e një "perplasje" aktivitetesh me PD, por  vendosmëria e djemve ishte e padiskutueshme përballë njerëzve me uniformë. U vonuam pak, disa kujtuan se do të anullohej, por gjithçka u zgjidh nga ata që janë shpirti i garës elektorale. Faleminderit miqtë e mi të FRESH-it. Fitimtarët, sot, ishit sidomos JU"

Rinia eurosocialiste e  kësaj njësie, nuk u dekurajua edhe kur Policia Ndërtimore hoqi në mesnatë flamujt e Partisë Socialiste. Brenda një kohe të shkurtër, ata i rivendosën përsëri. Në vend të lodhjes ndihej gëzimi që gjithçka qëndronte mrekullisht si më parë. Marialena Dura, Klajdi Meta, Reald Kila, Arlind Cani, Andi Nuzi, Dritan Ziu, Anisa Sala e shumë e shumë të tjerë që ishin të pranishëm në çdo veprimtari që organizohej gjatë kësaj fushate elektorale.

Ja sido të shprehej një nga anëtarët e forumit eurosocialist:"22 vjet demokraci, 8 vite diktaturë , ç'do të bëjmë? Do të vazhdojmë të mendojmë që të votosh s`ka vlerë? Mos e bëj , të mos votosh është pasojë për ty qytetar, vota juaj ka një vlerë, ka një forcë të pandalur për ta bërë vendin më të mirë.  Jepe mendimin tënd me votë".

*****

Partia Socialiste e njësisë nr. 5  dhe Shtabi Elektoral, kanë qenë forca kryesore që realizoi rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Cdo anëtar i kësaj partie kishte pozicionin e tij në këtë betejë të madhe.  Përballë secilit ishte makineria e madhe e qeverisë për të baltosur cilindo që i dilte përpara. Me besim e guxim, u arrit që alternativa e Rilindjes të shkonte tek çdo banorë i kësaj njësie.  Rezultati ishte fantastik. Rilindja u bë alternativa kryesore në këtë njësi zgjedhore. Kontributi i kandidatëve për deputetë: zotërinjtë Majko e Qëndro dhe i znj. Gjylameti, ishte tepër i madh. Një kontribut të veçantë dhanë dhe anëtarët e Shtabit Elektoral, znj. Violeta Kila (kryetare), Jeta Seitaj, Violeta Sinoimeri, Elisa Spiropali, Ermonela Xhafa, Anila Shehu, Mirela Roshi, Kozeta Fino, z. Banush Gozhdari, Androkli Kokthi, Donald Dikollari, Olsi Lazi, Edi Nallbani etj.  Po banorët e njësisë nr. 5, nuk mund të harrojnë kontributin që dha në këtë njësi znj. Mimoza Hafizi, Milena Harito, Enkeleda Omeri dhe Mimoza Arbri, si dhe z. Arjan Jaupllari,Alfred Dalipi Elvin Lako e shumë e shumë të tjerë deri tek votuesit që me votën e tyre shënuan një faqe të re në historinë e politikës shqiptare.

Askush nuk e mendonte se edhe pjesa veriore e Shqipërisë do të përqafonte alternativën socialiste deri në atë shkallë sa të fundosej ajo e PD. Po liderët ndaj ndryshojnë nga masa tjetër, se kanë aftësinë të parashikojnë atë që do të ndodhë. Në ditën e fundit të fushatës elektorale z. Majko shkoi në Shkodër. E parandiente atë që do të ndodhte në njërin prej djepave të kulturës shqiptare. I përshëndeti dhe u la një mesazh tepër të rëndësishëm: të votonin PS. Dhe në vijim :

 "Këtu nga Shkodra, e kishës dhe e xhamisë, ne e kemi një besë dhe kjo është shqiptaria. Pas datës 23 qershor, flamujt e partive do të ulen dhe do të ngrihet veç një flamur, ai që e meriton, flamuri kombëtar i Ismail Qemalit".

*****

Gjatë këtyre ditëve të numërimit të votave, njerëzit u ballafaquan me rezultatet e punës së tyre. Më shumë se gëzimit të fitores për të majtët dhe hidhërimit për humbjen për të djathtët, njerëzit u gëzuan për një tjetër gjë që është shumë e rëndësishme dhe mbi gjithçka: u thyen ndasitë krahinore jug dhe veri. Deri dje, dukej se qëndrimi politik i shqiptarëve ishte i kundërt për shkak të liderve të tyre. Veriu i djathtë se kishte nxjerrë një lider të djathtë që ishte Sali Berisha dhe jugu i majtë se kishte një lider të majtë që ishte Fatos Nano. Gjuha e urrejtjes midis këtyre liderve ndikoi dhe në qëndrimin politik të shqiptarëve. Po kjo ishte e dëmshme për Shqipërinë. Po erdhi në skenën politike një lider i ri, që ishte Edi Rama. Gjuha e urrejtjes së Sali Berishës u drejtua mbi të dhe deputetët e tjerë të Kuvendit të Shqipërisë duke shkuar edhe jashtë sferës së politikës, deri në qelizën e shoqërisë që është familja. Po asnjëri nuk reagoi me gjuhën e urrejtjes. I gjithë reagimi i të majtëve ishte ndonjë batutë miqësore për liderin e së djathtës. Këtë skenë 8- vjeçare, populli e pa dhe reagoi. Me Sali Berishën, Shqipëria nuk kishte të ardhme. Me Sali Berishën po i mbylleshin portat e Bashkimit Europian. Ndasitë fetare të ngritura artificialisht u rrëzuan. Egjithë Shqipëria mban të njënjtin qëndrim edhe ndaj politikës dhe politikanëve. Më shumë se fitorja e të majtëve, kjo i ka gëzuar më shumë shqiptarët. Një politikan  jugor nuk do të gjejë strehim në jug dhe një politikan verior nuk do të gjejë strehim në veri nëse puna e tij vjen në kundërshtim me interesat e të gjithë shqiptarëve. Me këtë veprim, shqiptarët u unifikuan edhe politikisht dhe bënë hapin e parë drejt botës së qytetëruar europiane. Me këtë veprim Shqipëria i krijoi mundësinë vetes të hyjë në portat e Europës. 23 qershori ishte fillimi i një epoke të re për shqiptarët.

*****

Në njësinë numër 5, numërimi i votave dha një rezultat që kapërceu cdo parashikim. Në të gjitha garat elektorale diferenca midis PS dhe PD kishte qenë rreth 5.000 vota në favor të PS. Po rezultati u arrit përtej këtij parashikimi. Diferenca midis dy forcave kryesore u rrit në 10.000 mijë vota. Në këtë mënyrë, njësia numër 5, e dha qartë dallimin midis dy alternativave. E djathta nuk mund të qeveriste dot më, kur tre të katërtat e shqiptarëve ndodhen në gjëndje papunësie, të përkohshme apo të përhershme. Tre të katërtat e shqiptarëve ndodhen nën nivelin e një jete  normale. Tre të katërtat e shqiptarëve rrojnë mes stresit që u krijon gjendja e vështirë ekonomike. Shqiptarët, çdo mbrëmje dëgjonin kryeministrin e tyre që fliste për bollëk dhe në fakt ky bollëk ekzistonte. Ky bollëk ekzistonte në familjen e kryeministrit të shqiptarëve dhe për ata të fisit të tij, për mirëqënien e të cilëve kujdesej deri në detaje. Bollëku ekzistonte në familjen politike të Sali Berishës, të cilët i kishte bërë me rroga të majme duke punuar njëkohësisht në dy e tre vende. Shqiptarët e panë se me një kryeministër të tillë nuk mund të ecej përpara. Ndaj dhe ndëshkimi i tyre me votë ishte përtej parashikimeve.

Po e mbyll këtë shkrim me ato fjalë që z. Pandeli Majko  bëri në mbyllje të numërimit të votave në njësinë nr.5.

 "Faleminderit për gjithçka miq! Faleminderit njerëz! Faleminderit votues! Faleminderit emigrantë që erdht nga larg! Faleminderit ju që votuat për herë të parë! Ajo që po shikohet me sy, duket ende si diçka që ndodh midis ëndrrës dhe realitetit... Kjo përfshin, deri tani, edhe mënyrën si po sillen kundërshtarët tanë elektoral. Po kryejme të gjithë bashkë detyrën karshi kohës që jetojmë.

Një falënderim njerëzor tani që u mbyll edhe kutia e fundit në Njësinë Bashkiake nr 5. Me një  ekip të mrekullueshëm njerëzish dhe miltantësh që bënë të mundur diferencën që trokiti tek shifra e 10.000 votave diferencë nga kundërshtarët tanë. Kjo ishte një fushatë e njerëzve me shpresë dhe ëndrra për të nesërmen. Dua që kjo ditë të zgjatet sa më shumë dhe të kem kohë t`u them të gjithëve faleminderit. Nga Selita, "Komuna e Parisit", "Irfan Tomini", "Kodra e Diellit", "Vasil Shanto" etj...ju faleminderit në çdo detaj. Pa Ju, asgjë nuk do të ndodhte. Leta, Afrimi, Blerina, Fredi... dhe gjithë shtabit elektoral të "5"-ës...Faleminderit të gjithë kryetarëve të organizatave të PS. Faleminderit ty socialist dhe socialiste e "padukshme"  që punove  pa u lodhur për këtë fitore. FALEMINDERIT MIQ!.

Grave të FGS 5, djemve dhe vajzave të Fressh-it u detyrohem një falënderim të vecantë. U bëmë pjesë e jetës së njeri-tjetrit duke krijuar një ngjarje kaq të veçantë sa FITORJA e 23 qershorit. Fituam "bastin" tonë me historinë. Të heshtim pak dhe të presim që historia të ndodhë edhe falë jush, miq të njësisë "5"... Ne e bëmë pjesën tonë. Ju të gjithë më shumë se unë. Ju jam mirënjohës.

Me ekipin fitues te z. Majko

Ne shtepine e poetit Faslli Haliti, Pandeli Majko, Violeta Kila dhe Erjon Gozhdari

Pandeli Majko



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora