E merkure, 17.07.2019, 07:40 AM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: Nuk duhet përdorë ma fjala ''turp''!

E premte, 28.06.2013, 09:20 PM


NUK  DUHET  PERDORË  MA  FJALA  “TURP” !

Nga Fritz RADOVANI

Ju lutem mos më keqkuptoni! Kur turpi hahet me bukë ai asht ushqim…

Edhe gushakuqët kanë ditën e tyne nr. 41 në listë. Ata ua kanë marrë ditën e pranverës dallëndyshave, jo me forcë por me “vullnetin” e tyne, tue e festue até në ditët e para të stinës së verës, pikrisht në një nga datat ma të pritëshme per ndrrimin e qeverisjes, me 23 Qershor 2013.

Po, dallëndyshat çka u bane? – Flitet se kanë ikë dikund ma larg se në Misir… Thonë se u ka mbetë “hatri” që komunistët nga inati me Filip Shiroken, ua kanë flliq Shkodren…

Nuk kanë faj fare! Filloi në Prill të 1913 me hanger pare tradhëtije Esad Pashë Toptani, dhe u bane plot 100 vjet, me 22 Prill 2013 që nipat e sternipat e tradhëtarit (nuk po i shkruej të gjithë, se kam frikë se po harroj ndonjë…) erdhen prap, me lidhë miqësi me pushtuesit e vjeter…

Me i pyet kush, po shka po bani kështu? Të gjithë “njëzëri” pergjegjin: “Po pse, iu bënë juve shkodrianëve pershtypje kjo, a nuk jemi me fëtyrë nga Europa?” Në të vertetë nuk kanë faj, u asht ba fëtyra ... tash 72 vjet tue i premtue Popullit Shqiptar, se “do hajmë me lugë ari!”.

Po lugët e arit ku janë? – Sternipi nuk i zen me gojë, ka frikë se i duhet me i shkri per me zevendsue lingotat që ka vjedhë gjyshi në thesarin e Bankës Shtetit Shqiptar... Po edhe me kenë, neser me ia kthye gjykata Pallatin e Brigadave apo të mbretit (nuk po dij i kujt asht, se nuk po dij as kush ka pague me e ba...), me shka do të hanë qeveritarët tanë, ata nuk perdorin pirunjë, se hanë me gishta kur shkojnë në “Konferencen Islamike”, po lugë e thika i kanë edhe nder zyre.

PPSh na la një trashigimi me na pasë lakmi edhe vendet tjera të “Konferencës Islamike”.

Kush nuk asht trashigimtar në Shqipni?! Cili mret, president, kryeminister, minister i mbrendshem apo bodigard i tyne, nuk ka “tapi” per të gjitha institucionet shtetnore dhe ata “private” kur ua venë synin ata, a “nuk janë të tyne” tue fillue nga Presidenti?...

Të flasim “drejtë” dhe troç: – Kush e ndertoi burgun e Burrelit, Gjinokastres, Tiranës apo të Shkodres? – Populli a qeveritarët? – Sikur Ahmet Zogu, mos të ndertonte “burgun e Burrelit” a do ti vente kush bustin e tij në Burrel... – Nuk besoj!

Po sikur, Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Koçi Xoxe, të mos hapnin në 1946 në Shkoder, 26 hetuesi, burgje e podrume torturash, a do të ishin “heronjë populli” këta barbar?

– As këte nuk e besoj! Prandej, edhe kerkohet rivendosja e tyne nder sheshe!

Po sikur, të mos hapnin kampet e interrnimit dhe të shfarosjes apo fermat famkëqija, dhe  shfrytzimin e minjerave me të burgosun, mese ata do të joshnin bankat Islamike e Perëndimore?

Po pse, budallenjë janë turqit, që mbajnë “peng” qeverinë shqiptare tash 100 vjet me “veqilat” e tyne, tue ua krijue të gjitha kushtet e sigurisë, madje edhe tue i quejtë “pashallarë’, “hoxhallarë, shehjlerë apo haxhi – ibriklerë...” të tyne, dhe tue “garantue” per ta? ...

Janë ba plot 21 vjet që Shqiptarët vazhdojnë me votue per “trashigimtarët” që jo vetem i vodhën dhe i plaçkitën, po edhe i masakruen dhe i vranë tue i dhunue si asnjë pushtues tjeter...

Të gjithë pa pikë turpi në se nuk kishin teserat e PPSh, ishin bashkpuntorë të atij sigurimi që ka ushtrue dhunen dhe Gjenocidin ma barbar të Shek. XX në Shqipninë Martire! Autorët e këtij Gjenocidi jo vetem nuk u dënuen gjatë qeverisjes 21 vjeçare, gjoja “demokratike”, po edhe u asht dhanë mundsia me zhdukë edhe “dosje” e dokumenta të krimeve të tyne mizore.

Tue fillue nga Presidentët, Kuvendi Popullor i Haxhiqamilistëve dhe qeveritarët anadollakë që edhe pse ndonjë thotë se jam “kaurr”, ashtu mund të jetë, “po katolik kurrë”! Me respektue të gjitha “titujt e dekoratat” që janë dhanë nga qendra vrastare e atij “Kuvendi barbarësh”, kjo nuk i lejohet as Muslimanëve, as Bektashijëve, as Ortodoksëve dhe as Katolikëve Shqiptarë të vertetë!

Ata që vazhdojnë rrugen e kriminelëve të vitit 1944, janë kriminelë pasues ma të poshter!

Të bash thirrje me votue per këta dhe të votosh si asht votue, asht tri herë tradhëti:

1. Kundrejt Gjakut Martirëve të Atdheut.

2. Kundrejt Vorrezave të zhdukuna nder kampe shfarosje e interrnimi.

3. Kundrejt Rinisë Shqiptare, që do të konsiderohet trashigimtare e një vendi pa Histori.

E ndoshta, krimi ndaj Rinisë Shqiptare asht ma i madhi, mbasi do të vertetojnë të gjitha ato shpifje e poshtersi per të cilat, nder shekuj na kanë veshë okupatorët e komshijtë dashakëqijë.

Të votosh per tradhëtarët e Atdheut që kanë shitë Trojet tona, kanë dhunue Flamurin e Atij Gjergj Kastriotit që shpetoi Europen nga barbarizmi anadollak, kanë nenshkrue marrveshje pushtimi dhe zaptimi nga jugosllavët, grekët, turqit apo rusët e kinezët, pa perjashtue tryezat e flliquna të Italisë, në vitin 1991 në Venecia...apo në ....asht Tradhëti Kombtare dhe asgja ma pak.

E ku, thoni ju, se duhet perdorë fjala “turp”?



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT