E premte, 29.03.2024, 02:12 PM (GMT)

Kulturë

Drita Lushi: Dashurisë...

E enjte, 27.06.2013, 08:04 PM


DRITA LUSHI

Ka disa periudha në jetën e një vendi, në të cilat poetët e krijuesit duhet të jenë ringjallësit shpirtërorë dhe shpresa e humbur,qoftë dhe me poezinë apo krijimtarinë artistike,e sidomos në trajtimin e temave te gëzuara, e optimiste.

Ne kohërat që jetojmë, njerëzit e gjejnë fare lirë dhimbjen, stresin dhe trishtimin.Përse duhet, që edhe poetet me vargjet e tyre t’ia shtojmë këto gjendje njeriut?

Ti këndosh së bukurës, dhe asaj më të bukurës së të bukurave Dashurisë, duhet ta ndiesh së pari vetë në çdo ind. Vetëm kështu, nëse vë ndjenjën në vargje, do bësh të zgjohen ëndërrimet e njeriut për jetën dhe te ardhmen.

Vetëm kështu Zemrat do çelen si dritë e perëndimi do jetë larg!

@ Drita Lushi  2013

 

DASHURISË…

-Cikël poetik-

 

 

FLIRT

 

Flirtoj me ditën;

e në një gotë bliri,

rrëkëllej  orët e saj;

me diellin luaj kaherë,

luaj, qysh në të parin maj;

 

Flirtoj me naten;

Fshehtas takoj

yje,

kometa,

planetë

e me  flokt’ e artë ,

qiellit i freskoj, prehërin e nxehtë;

 

Edhe pse hëna tretet si drapër nga xhelozia,

une  vazhdoj  e vazhdoj  me flirtet e mia;

Flirtoj me stinën,

me Majin,

me zogjtë,

flirtoj  dhe me  erën, nëpër kaltërsira.

 

Me Ty flirtoj ,

notoj syrit tënd,

ti dallgë- une në ty lodroj

 

Flirtoj  me fjalën,

me  buzën tënde, e më tutje,

Por…

Ah!

Kaq e pat  ky flirt

Më mbet’  aty një puthje

 

Maj 2013

 

 

PAC ÇDO IKJEJE

 

Si kam dashur asnjëherë ikjet e tua,

larg teje, nje bosh e gjitha jam ndier,

me sytë nga rruga, kam pritur tëndin kthim,

si një drenushë e shqetësur deri n’agim.

 

Pas çdo ikjeje, më shumë të kam ndjerë ,

më shumë të kam dashur pa ndalur  çdo ditë.

Çdo ikje, më shumë drejt teje  më ka sjellë pa fjalë,

pas çdo ikjeje, ke ardhur drejt meje me më shumë mall.

 

Tetor 2012

 

 

PUTHJE

 

Sonte mos më fol fjalë dashurie.

As puhizë përshpërimash rrëzë veshit mos më thuaj.

Sonte shuaji të gjitha dritat, por jo ato të zemrës tënde.

Të llamburisë mbi ne dashuria - kështu më duaj.

 

S’dua të më mbash duart e mia në të tuat,

e përqafimet e gjata, sonte hidhi tutje,

sonte e dua natën time me puthje,

si burim dashurie të rrjedhin, të qeta e pa ngutje.

 

E në më zëntë gjumi nga dashuria,

me burimin e puthjeve freskom’ përsëri,

mos u lodh, mëngjesi vjen shpejt,

i dua pafundësisht – zjarr dhe ëmbëlsi.

 

Shtator 2012

 

 

TANGO  MAGJIE

 

Si në një tango të magjishme,

hapat e mij fluturojnë drejt teje,

ashtu si buzët drejt njëra- tjetrës shkojnë,

për një puthje të ethëshme;

 

Të tuat - hapa burri -,

vijnë drejt meje të rëndë -më drithërojnë -,

sikur thellë ngulin rrënjë

e jetë kërkojnë

 

E unë, jetë të dhuroj.

Brenda saj, dashurinë time të ngrohtë, të bardhë;

Muzika hesht para nesh, hesht edhe ajo!

Sepse, tingujt jemi ne!

Une edhe Ti

në një hymn të vetëm - me  dashuri!

 

Tetor 2012

 

 

VJESHTË

 

Me the,

mos të të harroja,

që bashkë me vjeshtën,

të t’ prisja dhe ty.

 

Me the,

që si frutat piqen nga dielli,

dhe ndjenjat piqen

duke u parë ndër sy.

 

Me the

që mos t’rrëmbehësha

nga vërshimi pranveror,

por në paqë të prisja

të kuqtë vjeshtor.

 

Me the...

 

Vjeshta po hyn

në vijëartën e saj.

Të pres, mos u vono!

Tani nuk është më Maj...

 

shtator 2012

 

 

PARANDJENJË

 

E ndjej kthimin tënd,ndonse

ndonse akoma s’të kam parë,

as prekur akoma s’të kam.

Por unë e di që udhës së ylbertë ti je,

në shtatë korsitë ylberore

ku hapat e tu puthin ngjyrat.

 

Edhe në më thënsh se gabohem,

unë veç do të  qesh,

sepse e ndjej me shqisen time të tetë,

që natyra, veç dashurisë ia ka dhënë,

që Ti,

je udhës së ylbertë

duke rendur drejt meje.

 

E kur të shfaqesh

para meje qetësisht ,

veç hesht!

Fjalët  në memecëri degdisi

dhe buzët le të puthen pa zhurmë,

si gurrë të gurgullojë

malli i largësisë

e shpirtrat të njomen me dashuri.

 

Ti po kthehesh.

E unë,

e ndjej kthimin tënd

edhe pa të prekur,

ende pa të parë.

 

Sepse ti,

asnjë ditë s’ke munguar brenda meje!

Asnjë...

 

p.s. Këto poezi  botohen për herë të parë, dhe do jenë  pjesë e vëllimit të ardhshëm poetik, që  po formëzohet e do Lindë në  vjeshtë.

 

@Drita Lushi

Qershor 2013 Shqipëri



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora