Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: Kush fitoi e kush humbi në këto zgjedhje parlamentare?

| E enjte, 27.06.2013, 06:00 PM |


Kush fitoi e kush humbi (nëse humbi apo fitoi kush) në këto zgjedhje parlamentare?

Nga Elvi Sidheri

84 mandate për të majtën, 56 për të djathtën dhe rreth 57 e ca % vota për koalicionin e majtë kompleksivisht në këto zgjedhje.

Ky qe verdikti i pakundërshtueshëm i popullit sovran në këto votime që për fat të Zotit sapo u mbyllën qetë dhe suksesshëm në Shqipëri.

Pra e para dhe më e rëndësishmja që do theksuar, është se s’pati vonesa, incidente, kundërshtime kokëforta, largqoftë protesta, dhunë, tenda model Hezbollahësh në sheshe qendrore, sulme ndaj insititucioneve shtetërore e gjëra të ngjashme.

Njëra palë fitoi, tjetra humbi, të tretët, pra FRD-ja e ish-presidentit Topi, tollumbacja pseudo nacionaliste kuq e zi dhe deputetët e pavarur, s’hynë fare në sallën e përfaqësuesve të popullit shqiptar, sepse ose s’morën vota mjaftueshëm, ose ligji elektoral ua pamundësonte këtë gjë.

Kryeministri i ardhshëm shpalli me tepër kulturë fitoren e tij dhe të së majtës shqiptare, lideri i lëvizjes socialiste integruese, pra personi përgjegjës për sjelljen në pushtet të PD-së në dy legjislaturat e mëparshme...dhe të PS-së tashmë, edhe ai kremtoi me tejet të drejtë 16 deputetët e tij dhe nga ana e djathtë, kryeministri në detyrë dha dorëheqjen nga çdo funksion i tij partiak, pasi atë shtetëror e pati humbur me votë.

Të gjitha këto fakte, mua të paktën, edhe duke qenë një i djathtë aspak entuziast me rezultatin (për të tjera të pritshëm) zgjedhor, më lanë një lloj përshtypje të mirë, që më bën të deduktoj se kushedi, edhe TRANZICIONI siç po duken bathët, do ketë mbaruar për Shqipërinë tonë.

23 vite të gjata dhe në shumicën e tyre, mjaft rropatëse për banorët e këtij vendi, gjithçka e keqe, çdo prapambetje, çdo krim, çdo vjedhje, çdo vonesë, çdo mungesë, çdo nuancë korruptive, të gjitha janë mbuluar nga veli i helmatisur i fjalës “Tranzicion”!

E pra more njerëz, more shqiptarë banorë të Republikës sonë 100 e ca vjeçare, tashmë mos e lejoni më asnjë politikan që pretendon t’u përfaqësojë në qeveri, parlament apo opozitë, që t’u shfajësohen me anë të fjalës sa magjike, aq edhe vërtetë-fshehëse dhe manipuluese...”Tranzicion”!

Kjo periudhë monstuoze historike, e cila pasoi ndryshimet demokratike të vitit 90-të, që realisht duhej të qe mbyllur në pak vite, na shoqëroi megjithë peshën opresuese të mashtrimeve, dhunës, korrupsionit, keqpërdorimeve dhe mbetjes prapa shumëkujt në Europë, për shumë më tepër kohë se ç’duhej ose ishte normale të ndodhte për një vend të dalë nga Enverizmi Stalinist më i egër 45 vjeçar, siç qe ky i yni.

“Iku vapa me Gushtin”-thotë i mençuri popull...dhe sadoqë gushti efektivisht si muaj veror nuk ka ardhur ende, kjo shprehje tanimë gjen vend me meritë, në kuadrin e ri të situatës pas-zgjedhore në Shqipëri.

Domethënë pra që me tranzicionin e flamosur, ikën ndoshta edhe shumë nga efektet dhe pasojat e tij për vendin tonë, nga ato që të gjithë ne i kemi vuajtur në kurriz, lëkurë e gjer në palcë në shumë raste.

Të mos harrojmë ndërkohë, që tranzicioni nuk është një fjalë apo term amorf, por ai përbëhet nga situata të shumta dhe mbi të gjitha njerëz që pikërisht karrocës, kalit dhe trenit të tranzicionit shqiptar, i kanë hipur dhe kalëruar për plot 23 vjet, duke i sjellë mjaft dëme ndoshta të pariparueshme këtij vendi.

Por ky tranzicion na ka bërë po ashtu të lirë të flasim, sillemi e mendojmë apo veprojmë siç duam dhe jo siç na thotë e urdhëron ndonjë Timonier i Madh shqiptar me model Mao Tse Tungu, të besojmë ose jo në Zot, të dashurojmë kë të na dojë qejfi, të rrimë apo të emigrojmë etj.

Vendi ynë është bërë gjatë këtyre viteve një shtet më në fund jo-rural, me mbi 50% popullsi urbane (shpesh me qytete të stilit brazilian, pra plot lagje periferike “FAVELA” pa infrastrukturë dhe shërbime minimale për banorët), jemi integruar në krah të Europës së Bashkuar dhe kemi zënë vend denjësisht në aleancën më të madhe ushtarake demokratike të botës, pra në NATO.

Për ata që kanë aq lekë sa të ndërmarrin ndonjë udhëtim në Perëndim, edhe viza s’u kërkon kush dhe po ashtu vendi jonë disponon rrugë moderne (që pasi ndërtohen askush nuk kujtohet t’i mirëmbajë dhe prandaj dëmtohen e rrënohen kafshërisht-shqiptarisht dita-ditës), tunele male-çarëse, ndonjë port dhe aeroport modern.

Por megjithëse 23 vjet pas kalimit në demokraci, ende në Shqipëri investues fantazmë lindorë (të cilëve dikush ua ka dhënë liçencën për të hyrë në tregun tonë të majmë) mbifaturojnë klientët e heqin dritat, uji mungon, ka korrupsion të përhapur, krim të shtuar, dhunë në familje, diskriminim ndaj femrës, gjakmarrje, arrogancë të pushtetit kundrejt atyre që e kanë ngjitur në fron, shkëputje të politikës dhe politikanëve nga elektorati që i voton dhe izolim të tyre brenda kështjellës së kristaltë të shtet-pushtetit, ekonomi jashtë sistemit, taksa, çmime në ngritje, njerëz që blejnë e hanë me lista, masakra të pandalshme kundër natyrës, erozion bregdetar, betonizim, plehëra në çdo cep, sektor turistik ende diletantesk dhe jo-vizionar, lidhje të dyshimta me regjimin autokratik Erdoganist në Turqinë neo-otomane etj.

Nuk janë pak pra si shenja këto, për të treguar se megjithë një punë kolosale të qeverisë së djathtë me në krye PD-në (por edhe LSI-në tashmë sërish pushtetare), ishte normale që zgjedhjet të humbeshin bindshëm.

8 vjet janë shumë për një vend si Shqipëria.

Memoriet e mbretërisë apo aq më tepër e 45 vjetëve të Shokut Enver dhe 200 petritëve të tij, mjaft shqiptarëve u sjellin idenë e drejtë se pushteti i gjatë, nuk i bën mirë vendit, ashtu si edhe vetë të zgjedhurve të popullit për të qeverisur.

Është e qartë dhe nuk ka nevojë të heshtet, fakti se shumë përqind votues të rregullt dhe besnikë të PD-së, kanë rrëshqitur qëllimisht jo majtas, por “qendras”...pra nga ana e lëvizjes socialiste integruese, ish-partnere në qeverisje me të djathtën.

Kjo nuk është një tradhëti, cilido të ketë qenë shkaku i këtij fenomeni (blerje votash nga 50 në 300 a më shumë euro për kokë, në varësi të zonës ku kryhej shitblerja, me kuotat kulmore në Shkodër ku lufta dhe zhurma që do shkaktonte humbja e bastionit të djathtë qe më e madhe), por është thjeshtë dhe qartë një mesazh për Partinë Demokratike dhe liderin e saj të ardhshëm (që supozoj se kushdo e di se cili do të jetë...dhe mirë do jetë që pikërisht atë njeri mesa duket do të zgjedhin si lider të së djathtës).

Mesazh që thotë me shkronja të mëdha se BESNIKËRI të verbër nga votuesit e djathtë nuk ka më dhe nuk do të ketë në të ardhmen!!!

Këtë t’a kenë kuptuar paria e re e PD-së do të jetë shumë mirë sepse kështu edhe suksesi do të kthehet mjaft shpejt ashtu si edhe era pas velave të anijes së të djathtës shqiptare.

Ndryshe punët e anës së djathtë, pra e të paktën 46% (në kohë normale, jo votash “dufi” si rasti i fundit)...të popullsisë së Shqipërisë, nuk do të shkojnë mirë për ca kohë.

Por unë mendoj dhe them se ata që do të trashëgojnë jo vetëm bashkinë e Tiranës (40 e ca % të ekonomisë shqiptare), por edhe kokën e Partisë Demokratike, mesazhin e sinqertë të votuesve të tyre, tashmë e kanë kuptuar dhe sintetizuar siç duhet.

Elektoriati i djathtë në Shqipëri, fundja është ai më liberali, i lëvizshmi, i pakomandueshmi dhe moderni në këtë vend.

Është ky elektorat i pari pra, që dha sinjalin se urdhërave të përfaqësuesve të tij moskokëçarës në pushtet, nuk ua vë fare veshin dhe për më tepër, si formë proteste, por edhe pragmatiste, gjen të udhës që kundrejt edhe ndonjë shpërblimi (ekonomi tregu fundja, unë marr-ti jep)...të votojë një forcë centriste të majtë, që ka qenë pjesë kyçe në qeverisjen e djathtë dhe që siç po del tashmë, është treguar më e hapur dhe e përzemërt ndaj problemeve dhe ankesave të militantëve dhe votuesve të djathtë, sesa të zgjedhurit dhe të “besuarit” e vërtetë “demokratë” të kësaj shtrese.

I lumtë Laçit, Mamurrasit, Paskuqanit, Kamzës, ndonjë qyteze në jug...që nuk u larguan nga të qënurit të djathtë edhe në mënyrën e të votuarit.

Po ashtu edhe Tropojës që nuk e shiti birin e saj, kryeministrin akoma në detyrë, si dhe Kukësit që nderin e jashtëzakonshëm të Rrugës Durrës-Kukës e vlerëson ende siç nevojitet.

Ndoshta jo me humor, por ministri aktual i brendshëm, është i vetmi që ka kredenciale elektorale që të paraqitet me duart plot në mbledhjet e ardhshme të kryesisë së PD-së, pasi zgjedhjet në zonën e tij, vetëm ai i ka të fituara.

Të tjerët, duke përfshirë edhe “atë” që unë dhe shumë të tjerë, mendojmë dhe dëshirojmë si kryetar të Partisë më të madhe të djathtë, asaj që përmbysi sistemin kriminal gjakatar monist, që integroi vendin sa në Europë, aq edhe në NATO, që modernizoi infrastrukturën rrugore dhe shtetërore shqiptare, që fitoi dhe qeverisi të plota 3 mandate, që u ngrit nga hiri pas kryengritjes së para 16 viteve, që i rezistoi me sukses sulmit tjetër para dy vjetësh, që i hapi qytetarëve shqiptarë dyert e lëvizjes në Perëndim, të gjithë ata pra, duhet që të shfaqen me kokë ulur, të pranojnë disfatën, leksionin që jo opozita e deridjeshme, por vetë votuesit e tyre u dhanë duke u spostuar me vetëdije në qendër për tek reformatorët e pasur dhe plangprishës të LSI-së...dhe të nxjerrin përfundimet e duhura.

Me njerëzit që mendojnë dhe kanë bindje të djathta pra, ore miq dhe zotërinj që drejtoni Partinë Demokratike, nuk bëhen lojëra, sepse rezultatet janë të dukshme!

Elektorati i djathtë që deri dje, kur ishte i zhgënjyer ose me nerva, nuk dilte fare në votime, tanimë është emancipuar dhe perëndimorizuar edhe më tej...dhe ka mësuar që votën “e shenjtë” kur të tijët i sillen keq, arrogantshëm dhe mosmirënjohshëm, t’a japi jo tek PS-ja e purpurt (aman shpëtuam edhe nga dokrrat me “mavi” dhe “Nastradinë”)...urueshëm tashmë më moderne dhe social-demokrate europianiste, sesa ish-komuniste e 1941-shit dhe anarkiste, por tek LSI-ja e shekullit të 21-të, lëvizja e vetme vërtet europiane për nga të sjellurit dhe vepruarit pragmatik me votuesit dhe qeverisjen, e cila nuk sheh as majtas apo djathtas, por vetëm nga fitimi, suksesi dhe pushteti!

Sinjalet e Mamurrasit para disa vitesh, Laçit dhe Kavajës në zgjedhjet e fundit lokale, por edhe nja 40 mijë vota nga PD-ja për LSI-në në ato zgjedhje (120 mijë vota pati LSI në 2011-ën, nga 82 mijë në 2009-ën dhe siç duket këto nuk ishin fare dhuratë e qëllimshme elektorale e PD-së për aleatin e saj, por zgjedhje e qartë e votuesve të djathtë qysh atëherë për këtë forcë politike)...nuk u përfillën seriozisht nga askush.

Me këtë rast, elektorati i djathtë, pasi u sigurua se nga kjo do të mbushte përkohësisht edhe xhepat (“një votë-shumë euro” dhe ndonjë bast në llotosport, I-Pad i ri, celular modern, pushime jashtë shtetit, bukë për të ngrënë, televizor a kushedi çfarë tjetër)...vendosi që partisë së vet mospërfillëse, t’ia bënte të dukshme dhe rrezatuese si drita e diellit, se i kishin kërcyer kacabujt!

Ku më mirë se në Shkodër mund të vihej kjo dramë në skenë???

Qyteti që nuk pyeti për shtypjen Enveriste, për masakrën e 2 Prillit, për revanshin e pas 97-ës dhe për harresën e qëllimshme (me pasojë skamjen totale të Shkodrës) të praktikuar nga çdo qeveri e majtë gjer në 2005-ën.

Pra më mirë se prej aty, kjo thirrje rizgjimi nga gjumi i ëmbël sa edhe marramendës i pushtetit, për PD-në, nuk kishte sesi të vinte!

Dhe thirrja erdhi dhe u bë ulurimë të cilën besoj se tani duhet t’a kenë dëgjuar ata që janë përgjegjës për këtë punë e prej saj të jenë çuar pupthi nga vendi, në mënyrë që të mos e lënë kohën të rrjedhi, sepse sfida të tjera e presin të djathtën përpara.

Fakt i kryer pra, është që e djathta ka kaluar me meritë kësaj rradhe në opozitë!

Dhe e djathta, ka demonstruar se opozitën di t’a bëjë shkëlqyeshëm në Shqipëri!

Në kushte tejet më të vështira se këto të sotmet, me 20 e ca deputetë siç pati dalë nga zgjedhjet luftarake të vitit të mallkuar, apo me afërsisht sa ç’ka tani pas zgjedhjeve të vjedhura me vendime arbitrare gjykate dhe duar “zyrtare” kutimbushëse në mes të ditës në 2001-shin.

Opozita 2001-2005 shkëlqeu nga të bërit opozitarizëm edhe me 47 a aty afër deputetë.

Diti të përçante një të majtë tepër të fuqishme në numra, të hiqte nga posti zyrtarë të lartë shtetërorë, ngriti mbështetësit e saj në këmbë, provoi në kuvend me fakte makutërinë korruptive të asaj qeverie dhe më pas krijoi sinergjinë e duhur që mundi të sjellë në pushtet sërish të djathtën.

Pra mua numrat e PD-së (48-49) dhe nja 7-8 mandatet e PR-së dhe PDIU-së, nuk më shqetësojnë as edhe njëçikë.

Opozitë bëhet me argumenta, dëshirë, pasion, vullnet, qëndrestari, fakte, punë të palodhur, gjendje pranë secilës ankesë dhe nevojë të votuesit tënd tradicional së pari dhe kujtdo votuesi tjetër potencial tëndit, fjalë të besueshme që godasin gabimet e antagonistëve politikë (jo “armiqve”, uroj të jetë zhdukur tashmë ky term “i qelbur” nga përdorimi politik, pas fundit të Tranzicionit)...dhe një angazhimi masiv për të modernizuar strukturën partiake të PD-së, nga koka e gjer në zyrën e fundit të lagjes më të vogël të ndonjë qyteze shqiptare.

Është Partia Demokratike dhe kreu e kryesia e saj e re, ajo që nevojitet të shkojë sërish me përulje dhe dëshirë të mirë, pranë njerëzve, votuesve dhe militantëve të saj...e jo anasjelltas!

Të dëgjojë ankesat, nevojat, dëshirat, kërkesat, thirrjet dhe zhgënjimin që buron fort prej tyre.

Të kuptojë sesi dhe ku qëndrojnë çalimet dhe dështimet, se përse shumë të djathtë zgjodhën një forcë centriste dhe moderne të majtë, në vend të së djathtës tradicionale, që sidoqoftë aq shumë ka bërë për këtë vend, por që si rëndom ndodh në Shqipëri, sërish u shkëput paturpësisht nga njerëzit e saj dhe flirtoi pak si tepër me efektet haluçinante dhe akomoduese të një pushteti, i cili në kushtet e demokracisë të cilën pikërisht të djathtët dhe PD-ja e sollën në Shqipëri...të deh dhe të trullos, e më pas zgjimi nga kllapia për të djathtën, është ky, 56 deputetë dhe 39 e ca % vota në rang vendi.

Kush fitoi pra?

Sigurisht kolaicioni i sajuar vonë nga të majtët.

S’mohohet dot ajo që është mëse e dukshme.

Partia Socialiste mbeti si një monolit shkëmbor, në kuotat e saj historike, pra tek 40 e ca % dhe me një mandat më tepër se në 2009-ën, pra me 66 deputetë (efekti FRD ndoshta, që nja 30 mijë vota djathtas i ka marrë).

PBDNJ-ja e Dules mezi e mori një mandat me kryetarin e saj, por nuk shëndriti aspak.

Ndër të tjera vura re me kënaqësi që në Himarë, vetëm PS-ja ka mbi 41% të votave, që kombinuar edhe me PD-në e parti të tjera shqiptare, kalojnë dukshëm partitë shqiptare të minoritetit grek.

Por kur flitet kodra pas bregut për pensione greke e njerëz të “shitur” në jug e tjetërkund, do vënë re se “rastësisht”...edhe në zonën e Shkodrës, PBDNJ-ja, figuron me 600 vota!!!

Malazezë sipas Censusit të fundit, andej dalin nja 300 (dhe jo të tërë votues, se duke llogaritur kalamajtë, pleqtë, nja 50% që si në rang rrethi nuk votojnë, 70 prej tyre do e kenë hedhur votën), po të tjerët çfarë janë???

Meqë zona e Postribës u përfol shumë këto ditë, sepse aty ku regjimi komunist ndërmorri dhe kreu një nga krimet më makabre, duke shtypur kryengritjen e parë anti-totalitare me dhunë të pashembullt, tani na pati fituar “demokratikisht” e majta, sido që të jetë, edhe atje pashë se 12 veta votonin partinë shqiptare të minoritetit.

Për të qeshur apo për të qarë, nuk dua t’a komentoj këtë zhvillim!

Ndërkohë edhe në Pustecin e sapo kthyer në emrin e origjinës, banorët sllavë të zonës buzë liqenit piktoresk të Prespës, kanë votuar 65% partitë shqiptare, PS-në, PD-në, LSI-në, PR-në, PDIU-në etj.

Përgjithësimet në realitetin dhe shoqërinë shqiptare, nuk kanë vend mendoj.

Ajo që ka fituar VËRTETË këto zgjedhje (heqim kapelen në shenjë respekti)...është padyshim LSI-ja dhe askush tjetër!

Kjo lëvizje e majtë moderne dhe centriste, ishte ajo që goditi në zemër pushtetin klientelist dhe të korruptuar (sa edhe liberal, meritë kjo që i do njohur atij njeriu) të qeverisë Nano në 2005-ën dhe ndihmoi fitoren e së djathtës atë vit.

Në 2009-ën luftoi fort kundër tentativës për eliminim të saj nga PS-ja me prirje të forta për të qeverisur dhe fituar e vetme, ndërsa më pas me pragmatizëm hyri në pushtet me PD-në duke u bërë pjesë e një zhvillimi unikal në historinë moderne anti-bashkëpunuese të një Shqipërie ende të ndarë thellësisht në llogore me partizanë e ballistë.

Qeverisi sa mirë, aq edhe keq si edhe partnerët e saj të PD-së, teksa sollën bashkë heqjen e vizave për në BE dhe dy muaj nga fundi, iku sërish majtas pranë PS-së.

Ka fituar LSI-ja, ka përfituar nga aleanca dhe forca elektorale e LSI-së...PS-ja dhe ka humbur si pasojë e zhgënjimit dhe dëshirës për t’i dhënë asaj një leksion të mirë...nga votuesit e vet, PD-ja.

Shqipëria ka fituar një kalim normal pushteti, PS-ja dhe lideri i saj një rast të rrallë për të qeverisur të qetë, për t’u treguar liberalë dhe për të bërë realitet shumë prej premtimeve të tyre, ashtu si edhe për të larë imazhin e opozitarizmit të tyre shpesh të pakuptimtë, të dhunshëm, bllokues dhe pa drejtim.

LSI-ja do të përfitojë sërish makslimalisht nga të qënit pjesë themelore e pushtetit, do të vërë në zbatim strategjitë e saj pro-biznesit dhe punësimit...si dhe po ashtu do të mbajnë në punë shumë ish-kuadro ose votues pragmatikë të PD-së që zgjodhën të votonin për të, por me siguri që gjatë këtyre viteve kjo lëvizje do të tërheqë në anën e saj edhe mjaft simpatizantë dhe njerëz nga e majta e përfaqësuar nga PS-ja.

LSI-ja do të jetë edhe garantja e mos-uzurpimit total të shtetit nga forca e madhe numerike e mazhorancës së re.

Qënia e LSI-së afër PS-së ose PD-së, është indikatori që gjërat në Shqipëri kanë ndryshuar.

Asnjë prej partive të mëdha, përfaqësuesit e të majtës së vjetër dhe të re si dhe të djathtës tradicionale dhe aktuale (larg e larg tek partizanë e ballistë kthehemi)...nuk abuzon dot më me pushtetin, sado thellë të ketë fituar, sepse njerëzit, pra shqiptarët kanë treguar se dinë të votojnë edhe dikë që partitë e mëdha t’i kontrollojë dhe t’i kushtëzojë.

Shqipëria ka evoluuar, për mirë do të thoja pra!

Të majtët të shijojnë fitoren e parë pa revolucion qysh nga 1941-shi, të qeverisin mirë dhe të mos bëjnë gabimet e tyre para 2005-ës ose ato të PD-së gjatë këtyre dy mandateve.

E djathta, më saktësisht PD-ja (se PR e PDIU i tejkaluan parashikimet me suksesin e tyre)...të mbedhi veten, të riorganizohet, të zgjedhi liderin e ri, të afrohet me votuesit e saj dhe të nisi opozitën moderne duke shfrytëzuar rastin e artë që vjen nga kjo periudhë paqeje dhe refleksioni.

Zoti Berisha, dje bëri një gjest madhor që PD-në e bashkoi dhe që mendoj se do të evitojë luftën e brendshme mes eksponentëve të ndryshëm të lartë të partisë, lidhur me kryesinë e ardhshme dhe përgjegjësitë e humbjes.

Ai njeri sidoqoftë ishte në krye të lëvizjes së Dhjetorit 90-të, presidenti i parë i demokracisë, dy herë kryeministër, çoi në fund tre mandate të plota dhe ishte në krye të vendit gjatë çdo zhvillimi integrues të Shqipërisë.

Në 23 vjet bëri dhe një mori gabimesh, por edhe shumë të mira për këtë vend.

Por epoka e tij, megjithë ngarkesën emocionale që tek shumëkush ajo ngjall, kaloi.

Ata që qajnë e mallëngjehen për shkak të fjalimit të tij fundit, kanë të gjithë të drejtën për t’a bërë këtë gjë.

Ndërkohë kushdo na del të na përqeshi këto shfaqje përmallimi e ngashërimi njerëzor, duke guxuar të kujtojë vdekjen e merhumit Enver në 85-ën dhe histerinë kolektive ala-Kore e Veriut që pasoi atë ngjarje (të lumtur) për vendin tonë...minimalisht IA FUT KOT!

Enveri dhe regjimi i tij Titist si fillim, Sovjetik dhe Lejfenist kinez më pas, ishin shëmbëlltyrat e një diktature mizore që nuk do të fshihet kurrë nga historia e Shqipërisë, si një nga plagët më të thella e të përgjakura në trupin e popullit të Shqipërisë.

T’u thuash enveristë, militantëve të PD-së, atyre të djathtëve të vërtetë që në shumicën e tyre jo vetëm që nuk kanë fituar asgjë materiale nga qënia në pushtet e PD-së, por edhe rrjedhin pikërisht nga shtresat më të shtypura nga regjimi komunist...kjo është diçka tejet pa shije, banale dhe e pashpirt!

Çfarëdo thirrje miqësore nga e majta, drejt anës së djathtë të popullit, është normale dhe shenjë e një përballje europiane me fitoren.

Nuk ka fitues apo të humbur, fiton vetëm demokracia kur secili bën pjesën e tij.

Të thuash që nuk kemi ardhur për t’iu ofenduar apo opresuar ore miq të djathtë, është diçka për t’u vlerësuar, por asgjë e re, pasi demokracia këto gjëra i parashikon dhe janë ABC-ja e sistemit pluralist.

Edhe ndokush të donte të sillej ndryshe, nuk do ia dilte dot, sepse Shqipëria ka 23 vjet që të drejtën e mendimit ndryshe, fjalës dhe lirinë e shprehjes, qoftë në pushtet apo opozitë, e ka fituar në mënyrë të pakthyeshme.

Është i mirëpritur fjalimi paqëtues i krymininistrit të ardhshëm, fjalët e tij modeste, thirrjet për maturi dhe përkorje ndaj militantëve të partisë së tij.

Ky është normalitet, kjo ka rëndësi!