E premte, 19.04.2024, 11:16 AM (GMT+1)

Mendime

Vangjush Saro: Përtej euforisë...

E merkure, 26.06.2013, 09:04 PM


Përtej euforisë...

Përsëri ngelëm në klasë, por le të shohim në të ardhmen!

Nga Vangjush Saro

Duke shpresuar se po mbyllet një periudhë mjaft e vështirë dhe gjatë së cilës Shqipëria ka lozur me demokracinë si macja me miun, nuk mund të mos shohim në mënyrë kritike qoftë edhe të fundit budallallëqe të një procesi zgjedhor sërish jo të mirë. Shikoni se ç’ndodhi midis të tjerave. Nga dita e parë deri në ditën e fundit, administrata u ‘ndy’ në këto zgjedhje. Gjuha e urrejtjes prevaloi. Në ditën e zgjedhjeve, u derdh gjak. Më tej, në shumë qendra votimi, banda të lidhura me pushtetin e klanit Berisha, kërcënonin njerëzit të mos votonin ose hynin nëpër qendrat e votimit të armatosur. Disa parti e individë po ankohen se iu kanë vjedhur votat. Dhe unë e besoj këtë. Por do të jetë e vështirë për t’u verifikuar. Gjithsesi, është e qartë që e majta në përgjithësi ka marrë votat e veta dhe ato të prodhuara nga një qeverisje e mëparshme shumë e keqe.

Por le të kthehemi te zgjedhjet. Ministri i Brendshëm Noka dhe njëfarë mbijetuesi i çuditshëm, Ndoka, sipas mediave, nxorën në facebook votat e tyre për PD-në(!) Dhe shtypi i huaj shkroi se kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri. Sh. Shehu, një ekonomist i rëndomtë, që PD-ja krejt papritur e bëri zëvendësministër, mbase ishte shok i Bodes, dhe pastaj deputet, na paska thënë se në zgjedhje (në Dibër) ka pasur manipulime(!) Pra, përfaqësuesi i pushtetit, ai që organizon zgjedhjet, ankohet se ka manipulime. Besoj se edhe kjo vetëm në Shqipëri ndodh. Edhe më tutje ende. Na vjen një deputet nga Kosova dhe voton në Shqipëri. Edhe e shpall këtë haptazi. Pra, lesh arapi...

Gjithsesi, ishte një fushatë e lodhshme. Dhe gjatë gjithë kohës, e pështirë; me sharrje, ngjirje, kërcënime dhe, sidomos, frikë se...po humbas pushtetin(!) Si kështu, e do për gjithë jetën pushtetin, si Enveri? Nja çerek shekulli po bëhet që drejton dhe dikton në politikën dhe në jetën shqiptare, ani pse je një komunist i pashembullt dhe ke krijuar Klan, Byro Politike, nuk di çfarë tjetër. Kurse në PD, partia që zgjoi së pari shpresat e shqiptarëve për një jetë tjetër, ka vetëm heshtje dhe servilë të trembur. Kjo është e turpshme. Dikush duhet të ngrihet mbi frikën dhe të flasë, të tregojë pse ‘humbëm’, si e ‘ndihmuam’ Millosheviçin me naftë, si e ‘shamë’ Rambujenë dhe të nderuarin Rugova, si nuk ‘deshëm’ asnjë President, asnjë Kryeprokuror, asnjë drejtues të SHISH, asnjë opozitar, nuk ‘deshëm’ askënd, vetëm servilët; dhe më në fund se si kuturisëm e ‘vramë’ njerëz, në Gërdec e në 21 janar dhe se si ia hipëm këtij populli duke abuzuar e duke mëkuar vetëm çerekun e çerekut (në mos më pak) të shqiptarëve...

Këto janë mësime për të gjithë ata që merren me politikë, për të gjithë shqiptarët, për të gjithë bashkëkombasit. Edhe ai deputeti kosovar që vrapon të votojë për një pushtet që kishte marrë me kohë rrokëpujën, do të bënte më mirë të shikonte punët e veta e të Kosovës, ku po hedhin valle fanatikët dhe ekstremistët fetarë, e ku kolegët e tij ngrihen edhe na thonë se Skënderbeu na qenkej hero vetëm i katolikëve apo se osmanët i paskemi pasur thjesht monitorues...O kasolle ku na mblodhe! Disa gjëra me sa duket nuk i vëmë dot në vijë menjëherë (ose asnjëherë) ne shqiptarët. Kjo tregon se duhet ende të qytetërohemi, të mbledhim mendjen për më shumë dritnim, qetësi, larg euforisë, mburrjeve, ekstremizmave dhe emfazës, të ulemi me këmbë në tokë dhe të shohim se si një komb i tërë, i shpërndarë në disa shtete, madje në (pothuaj) të gjitha kontinentet, ka nevojë për një rishikim të pozitave të veta fizike e shpirtërore. Mësime duhet të nxjerrin edhe disa shkrues të nxituar dhe të mbrujtur me ideologji, që shpesh i përhitin mediat me krijime denigruese dhe që janë tejet të anuara e pa vërtetësi.

Tani, duke qenë se gjithnjë më duket e drejtë t’iu referohem atyre që kanë prodhuar e prodhojnë mençuri, po sjell disa mesazhe që i vijnë përshtat temës. Te “Jeta ime”, Isadora Duncan thotë: “Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe tragjik.” Dhe Gjergj Fishta, në ditët e tij më entuziaste këndonte: “Edhe hana do ta dije,/ edhe dielli do t’ket pa,/se per qark ksaj rrokullije/si Shqipnia ‘i vend nuk ka!” (Shqypnija) Kurse Naim Frashëri pyeste: “Atë anë e ke ndriçuar/ne pse na harron?” (E kishte fjalën për Perëndimin.) Te “Kapitalizmi dhe liria”, Milton Friedman thotë: “Kërcënimi më i madh i lirisë është përqëndrimi i pushtetit...Si mund të përfitojmë nga premtimi  i qeverisë dhe ndërkohë të evitojmë kërcënimin e saj ndaj lirisë? Së pari, fusha e veprimtarisë së qeverisë duhet të jetë e kufizuar...Funksioni kryesor i saj duhet të jetë mbrojtja e lirisë sonë...Të ruajë ligjin dhe rendin, të garantojë zbatimin e kontratave private, të nxisë tregjet konkurruese.  Parimi i dytë i rëndësishëm është që pushteti duhet të shpërndahet...”

Atëherë, le të hiqemi nga euforia dhe nga urrejtjet, le të fillojmë të punojmë si Perëndimi, nëse e kemi këtë objeksion.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora