E shtune, 20.04.2024, 01:44 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Atdheu nga shiu ra në breshër

E merkure, 26.06.2013, 09:05 PM


ATDHEU NGA SHIU

RA NË BRESHËR

NGA KALOSH ÇELIKU

Kohën e fundit lexoj lloj-lloj marrëzirash politike e fetare. I hurit dhe i litarit, siç thotë populli shet mend me “analiza” politike. Larg e parasheh edhe prejardhjen e tij ortodokse, që deri dje haptas e deklaronte veten në mjetet e informacionit si shkrimtar maqedonas. Përmëtepër, nuk dinte asnjë fjalë në gjuhën shqipe, po krenohej me gjuhën e ardhshme të perspektivës intelektuale. Shkollimin që e kreu në gjuhën e “Njerkës”, afirmimin në atë gjuhë si shkrimtar maqedonas i stolisur me dy-tre vende pune, çmime letrare e poste politike. Vonë, shumë vonë i doli gjumi mes ëndrrave karrieriste si “patriot shqiptar”: filloi ta mësojë gjuhën shqipe dhe përkthejë librat e tij në gjuhën e “dytë zyrtare”. Rolin ta luaj si Kalë Troje në mesin e shqiptarëve. I pari ngutet t’ia urojë “fitoren” mikut Pandeli Majko. Edhe, atë: kohën e fundit, kur Gruevski filloi ta mveshi Shkupin shqiptar me kulturë sllave e antike. Rrënjët e Shtetit Ri t’i kërkojë në antikë, te vëllezërit ortodoks shqiptar. Bythekrye me shokë, turr kalorësit e arratisur shqiptar në “zbulimin” e shqiptarëve ortodoks të “harruar” nëpër institucionet e “Shtetit të përbashkët”. Rikthimin e tyre pas një gjysmë shekulli tek rrënja e stërgjyshërve.

Përçudi, nga ku i gjithë ky “interesim” për shqiptarët ortotodoks, që moti e kanë humbur veten me vite në këtë shoqëri “demokratike” dhe e kanë gdhirë mëngjesin në  çerdhen e sorrave si qyqe fushe. Dorën në zemër, secili ka të drejtë të deklarohet dhe t’i përkasi sipas dëshirës atij populli ku merr lirisht frymë. Vallë, çka duam ne shqiptarët në Ditën e sotshme, kur me vete rrugës për në Baba Tomor nuk i kemi as shqiptarët dudumë: disa deklarohen myslimanë, disa ortodoks e tjerët turq “ehamdurila” duke protestuar në Gostivar, Shkup e Tiranë ta “shpëtojnë” kryeminstrin turk, Erdogan nga populli i vet, në mesin e Turqisë. Luftë pakrye bëjnë për pushtet e interesa fetare. O Imzot, tashti kur qerrja na është thyer në rrugë! Nusja me koçi na ka mbetur mes maleve. Krushqit na i kanë ngrirë në mes të udhës. Aman, mos o Zot edhe kësaj radhe të na fusin në koçi tjetër Nuse. Përsëri, e ka thënë populli: pasi të thyhet qerrja, gjenden plot rrugë për në shtëpi. Burrat e botës nuk lënë faqe të zbrazët në mjetet e informacionit pa i rënë me shqelm kusisë plot me qumësht si lopa e nënkryeme në mes të Lëmës. Tjetër punë është ajo se, e kanë derdhur tambëlin dhe i kanë lënë shumë fëmijë shqiptar nëpër djepa pa ushqim. Ardhmërinë e Nesërme të Atdheut. Vërtetë lirë, shumë lirë na kanë shitur te “vëllezërit”. Kulminacioni, ndonjëri më azgani edhe të vret pas shpine, dhe që të nesërmen të kërkon falje publike. Realiteti, sot nuk është gjallë plaku i urtë Anton Çetta të bëjë pajtimin kombëtar mes shqiptarëve, po ka të tjerë pajtimtarë të gjaqeve mes popujve të Ballkanit. Punemadhe që ti ke vdekur, rrëzë Çukës bën çerepë në varr për ta pjekur bukën me saçin e arnuar të skuqur nga shpuza, i ndezur flakë nga degët e Rrapit, në Katund. E, për ringjallje të duhen Tri Zana të të japin gji, zgjojnë nga varri. Dorasi, “herët” është penduar pas atentatit politik, plot gojën të kërkon falje publike.

Fatkeqësi e madhe kombëtare është, kur dorasi kërkon falje publike. Nuk ka vra një njeri, pesë ose njëqind, po “toptan” një popull. Ngutet të rrëmbej çmime kombëtare dhe republikane për merita patriotike dhe “flijime artistike”. E pabesueshme, papritmas shqiptari ortodoks para syve ia rrëmben nga duart. Sançoja shqiptar, nuk mund të pajtohet me këtë veprim të Presidentes Kosovës. Zërin e ngre në një intervistë: Çmimi kësaj radhe është dashur t’i takojë Don Kishotit Shqiptar të tij ideologjik, që gjithë jetën bën luftë heroike për Dylqinenë e Tobozës. Tjetri, merr guximin të kërkojë falje në mjetet e informacionit. Rast ky, tragjik. Nuk e di a mund ta ketë fatin e këtillë unikat ndonjë popull tjetër i Ballkanit. “Vëllai” pasi të vret, pushton me shekuj, dhe t’i bën nëntëdhjetenëntë të këqija, të kërkon falje publike. Përmëtepër, heq veten edhe si “çlirimtar”. Jo, s’ma merr mendja. Shkaku se, nuk është njësoj të vrasësh një, dy, disa vetë dhe një popull. “Heroi” ynë e ka vra nëpër kabinete të Qeverisë dhe parti politike një popull shqiptar. Dhe, turr i kërkon falje një kryetari dhe një partie politike. E politika shqiptare është e mbushur plot e përplot me kësi partizanësh partiak të harruar nëpër kabinete të Qeverisë së presidentit të republikës. Kandari i Çajupit nuk i mbanë tradhëtitë e tyre në dëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Mbarë e prapë, bëjnë “politikë madhore”. E shesin popullin shqiptar për një vend pune, titull shkencor, post në Qeveri. Nateditë sharrojnë shelgje mes livadheve ende të pakositura rrëzë Çukës. Edhe atë, përderisa nuk u hasë sharra në gozhdë. Ditën, që sharra has në gozhdë, ata janë si rriqërat e deleve. I ngjiten edhe kalit, edhe gomarit. Dhashtë Zoti, nuk i luten Mushkës me të katra këmbët në batak t’i nxjerrë në rrugë.

Shpëtimtari sigurtë si gjithmonë, është kali i “vëllezërve”. Vetëmse, jo ai i Skënderbeut dhe Aleksandrit të Madh mes Shkupit me të dyja këmbët e para në qiell. Punemadhe, që kali i tyre nuk ka shalë. Edhe Karposhi në breg të Vardarit e shalon kalin me të katra pa shalë, po nuk u bë nami. Shkak ky, që turqit e hodhën në Vardar. Pse, edhe këta burra mejdani të mos i hipin një “kali” me samar?! I ka hipur Nastradin Hoxha për së prapthi ditën e pazarit për në qytet. Xha Deralla i Cërvicës, kurrë nuk i ka besuar gomarit. Kalë me shalë nuk ka pasur asaj kohe, por e ka pasur Çiflikun me ferra. Pronë, që edhe sot e kësaj dite e njohim si Çifliku i Xha Derallës. Dardhat e egra gorrice, që ai me sharrë në dorë i shartonte te Jasakët e Tikeve dhe Përroni i Thanës.

Ujë si gjithmonë na ka dhënë Natyra e Zoti, kemi me bollëk, Vardarin që buron matanë Gostivarit, në Vrutok. Burim që mbi pesëdhjetë vjet i ka mbajtur ende “gjallë” shqiptarët ortodoks të asaj ane. Këmbeduar të “lidhur” nga politika komuniste të mos e deklarojnë përkatsinë e tyre të vërtetë kombëtare. Problemi i njëjtë është edhe me torbeshët dhe goranët e Kosovës, që gjatë fushatave zgjedhore lokale e parlamentare brenda një nate marrin nënshtetsi maqedonase, ja sot thonë: ne jemi “maqedonas mysliman”. Mirë them unë, po çka janë djemtë tuaj, vajzat e juaja, nipërit?! Ku i keni ato sot, në cilën përkatësi kombëtare?! Tekefundit, a e dini se ia bëni varrin Shtetit më të Ri në Ballkan?! Baçishti, një fshat afër Zajazit, luftë të madhe ka bërë me vite në atë kohë (komunizëm) për shkollë shqipe. E ka detyruar Nijazi Limanin me disa prapashtesa të mbiemrit (ovski, ov, an), në “zbulimin e maqedonasve mysliman” ta vjellë edhe kafenë. Vonë, shumë vonë siç duket u ka dalë gjumi. Gabim historik, të cilin disa kalorës të arratisur shqiptar, përpiqen edhe sot e kësaj dite t’i kthejnë me çdo kusht te burimi për intersa dhe përfitime partiake e fetare. Edhe më të vonuara janë partitë politike shqiptare, që në ditën e sotshme e mashtrojnë veten se numri i tyre simbolik do t’i shpëtojë nga rrëshqitja thyeqafe politike. Ende do t’i mbajë gjallë me pak shpirt në Qeveri. Rasti ma kujton një familje të Brajeve në fshatin Zajaz. Kohë kur Turqia me të madhe përhapte myslimanizmin në këto anë shqiptare. Gati e gjithë Kërçova me dhunë e pa dhunë (përfitime personale e familjare) e kishte pranuar fenë e halldupit. Brajet një familje problematike e fshatit Zajaz, kurrësesi nuk u bindej urrdhërave të Sulltanit. Atëherë, Sulltani e ndryshoi planin e veprimit për asimilimin e shqiptarëve. Pleqtë, mos ngulni këmbë t’i bëni myslimanë, ato ashtu edhe ashtu do të vdesin një ditë. Përpiquni me të gjitha metodat t’i ktheni të rinjtë, ardhmërinë e Perandorisë Osmane! Dikur, e pyeti, plakun e katundit: Çfarë familje janë ata “pis” arnautë?! Plaku i katundit aty për aty iu përgjigjë: familje trimash, kaçakësh dhe kryngritës. Sulltani, zëshëm urdhëroi: atyre, rreptësisht u ndalohet hyrja në xhami!

Ditë më vonë, kur plaku i katundit u kthye nga Stambolli në Zajaz, Brajet i dolën para me setret krahëve te xhamia: Hë, çka tha Sulltani për ne të “pafetë”? Plaku i katundit me plot gojën u përgjigjë: Mjerisht, juve me urdhër të Sulltanit u ndalohet hyrja në xhami. Brajet i hudhën struket që i kishin krahëve dhe nxorrën koburet nga brezi. Kush është ai burrë nëne të na e ndalojë ne të mos hyjmë në xhami?! Njëri pas tjetrit me gjithë opinga hynë në xhami. Kështu, edhe familja e fundit në rrethin e Kërçovës që nuk e pranonte me dhunë Fenë Islame, në mënyrë vullnetare u bë muhamedane.

Prandaj, edhe Gruevski ndërton një anije provizuese pranë bregut të Vardarit, që të lidhemi përmes rrugës ujore me Greqinë si “turistë”. E, Greqia nëpër Preshevë me Serbinë përmes Danubit drejtë e në Beograd. Përmëtepër, të kemi ndonjë bashkëpunim fetar - politik ose si dikur krah pune “me sharrë në krah”. Shqiptarët e fundit ortodoks as edhe për farë nuk i kemi me vete në anije. Punë tjetër është ajo se, ata gati të gjithë janë asimiluar (me përjashtim të dy-tre pleqëve), i japin shpresë Gruevskit t’i dalin zot Shtetit Ri. Ani, shqiptarët historikisht më shumë u kanë dhënë të tjerëve se vetes duke i bërë shtet, po vaj halli nëse kthehen tek rrënja edhe bullgarët, vllehët, serbët, turqit, goranët e romët?! Atëherë, kujt do t’i mbetet Shteti Ri i “përbashkët” si popull shumicë? E di, tinëz qeshni me ironi pas kamerave televizive: shqiptarëve.

Vëllezërit ortodoks gjatë këtyre viteve nuk kanë punuar fare për arsimin, kulturën dhe çështjen shqiptare. “Maqedonasit mysliman” e kanë shitur veten për një “qebaptore” me trutë dhe këmbët në legen.  Djersën e kanë derdhur me vite në tjetër arë të kojshive. Në kohën e komunizmit, vullnetarisht janë deklaruar si “maqedonas” për vende pune dhe poste politike. Shumica e tyre kanë qenë personalitete të njohura politike - intelektuale: gazetarë, shkrimtarë, shkenctarë, ambasadorë, ministra, deputetë, kryetarë të akadimeve të shkencave. Sot për sot, gjithë atë bagazh intelektual përpiqet t’i përvetësojë si heronj antik vetëm politika ditore e Gruevskit, jetë nate të bëjnë në Greqi, e ditën të freskohen me ujë Vardari mes grave të begatshme nëpër fontanat e Shkupit, nën këmbët e Filipit të Maqedonisë. Pse jo, edhe të fotografohen krah për krahu me turistë, kalimtarë rasti para përmendoreve mbi kuaj e më këmbë në të dy anët e Vardarit.

Edhe unë autori i këtij shkrimi, shkaku shkrimeve të “egra”, më në fund u “kërkoj” falje publike partive politike shqiptare dhe “vëllezërve” të Njerkës. E di se lutjet për faljen e mëkateve bëhen në kishë para syve të priftit pas perdeve, ose në xhami para këmbëve të hoxhës, po ja unë vendosa kësaj radhe t’i kërkoj si shqiptarët në prehërin e Nënës Parti. Shkaku se, të zë një ditë nëma e Nënëmadhes dhe jo e Njerkës. Populli thotë: ndryshe të mallkon tambëli Nënëmadhes, e ndryshe ai i Njerkës.

Atdheu, kësaj radhe shpëtoi nga shiu, por ra në breshër. Faik Konica, po të ishte sot gjallë, përsëri do të thoshte: Shqipërinë, shpëtoje Zot nga Shqiptarët!...



(Vota: 82 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora