E premte, 19.04.2024, 10:23 AM (GMT+1)

Mendime

Gani Qarri: Vendosja e rendit në Kosovë

E marte, 25.06.2013, 07:30 PM


EULEXI, Gjermania dhe vendosja e rendit në Kosovë

Nga Gani Qarri

Shumica e banorëve të vendit,me gjithë heshtjen e pakuptueshme e cila vazhdon,deklarohen se janë për vendosjen e rendit dhe drejtësisë,si dhe për sjelljen para përgjegjësisë të të gjithë atyre që kanë bërë krime,apo çfarëdo të dyshuari tjetër i cili mund të ketë vepruar kundër ligjit,në dëm të popullit dhe shtetit të tyre.

Madje,shqiptarët e varfër nëse i referohen vetëm Raportit të “Freedom House”, dhe  Departamentit Amerikan të Shtetit, ata vërtetë kanë arsye të forta për tu brengosur dhe ndjerë tejet të shqetësuar, sidomos për shkakun serioz,që në këtë raport përmend  përfshirjen në krime të  zyrtarëve dhe qeveritarëve të vendit, veçantë në trafikimin e qenieve njerëzore.

Ndaj,nëse vërtetë EULEX-i, është i ftuar nga qeveria e Kosovës, për çuarjen e drejtësisë në vend,atëherë është e natyrshme të kërkohet me këmbëngulje nga ky mision që ta kryej si duhet detyrën e tij dhe ti vejë para përgjegjësisë të gjithë të dyshuarit për çfarëdo lloj keq-bërje, anë e mbanë vendit, që nga ato të luftës -nëse ka të tilla në mesin e shqiptarëve, deri te çrrënjosja e krimit të organizuar,korrupsionit,e nepotizmit apo çfarëdolloj krimesh qofshin ato.

Duke u nisur nga këto sa u thanë, çudit fakti sesi disa njerëz marrin guximin jo vetëm të kundërshtojnë përpjekjet e misionit të BE-së, për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Evropës.

Madje ata, kritikojnë e ngrihen hapur si kundër  EULEX-it, ashtu edhe kundër Gjermanisë dhe diplomatit të saj Bernd Bochard, i cili për momentin udhëheq këtë misionin të sigurisë në Kosovë,edhe pse si për ndihma e investimeve ashtu edhe për mbështetjen politike ndaj Kosovën,pas Amerikës, vendin e parë në kontinentin e vjetër e mbanë Gjermania e cila padyshim ofron më së shumti nga i gjithë Unioni Evropian, për vendin tonë.

Përveç tjerash, edhe ushtarët gjerman janë të përqendruar në pikat më nevralgjike të vendit,dhe tregohen më të vendosurit për sigurimin e rrugëve dhe lëvizjes së lirë në veri ,duke kontribuar kështu drejtpërsëdrejti në ruajtjen e sovranitetit në atë pjesë të Kosovës, pa harruar trysnin shtetërore të Gjermanisë mbi Serbinë, që ajo detyrimisht, të bëj implementimin e marrëveshjes së arritur me vendin tonë.

Të gjithë e dinë se as EULEXI,nuk erdhi vetë këtu, ai u ftua nga qeveria jonë për ta ndihmuar atë në vendosjen e ligjit dhe shtet-ndërtimit,ringjalljen e gjyqësorit - nga vdekja klinike, që për kohë të gjatë pothuajse fare nuk funksionon dhe instalimin e së drejtës e cila në Kosovë,gati se nuk ekziston.

Sepse,që shumë kohë,siç është e ditur tanimë për të gjithë, në këtë pjesë të Evropës ku bën pjesë edhe Kosova,tash e 14 vite,asnjëri nga këto komponentë jetike, nuk lejohet të arrihet nga pengesat që nxjerr, kuazi - "drejtësia" e korruptuar vendore.

Megjithatë,disa nga shqiptarët shajnë e ofendojnë,jo vetëm udhëheqësin momental të këtij misioni,diplomatin gjerman- Bernd Borchard, por nuk kursejnë as atdheun e tij Gjermaninë, të cilët si "mbiekspert" që mbahen,nuk hezitojnë t`ua kujtojnë atyre Nyrnbergun dhe procesin e drejtësisë të mbajtur para afro 70 vitesh atje.

Gjermanët edhe Nyrnbergun ditën ta kalonin burrërisht dhe përjetonin në mënyrën më njerëzore,duke e trajtuar si diçka të hidhur por të pakthyeshme dhe që i takon vetëm të kaluarës.

Ndaj,pak kush,mund ta sqaroj,këtë far lloj "krahasimi" cinik,pasi që shumica dërmuese e popullit gjerman me gjithë dhembjet,pranoi zbatimin e drejtësisë në vendin e tyre,njohu forcat Amerikane si çlirimtare nga nazizmi,si dhe u pajtua me stacionimin e forcave aleate të Amerikës në Gjermani,pra ushtarët Anglez dhe Francezë,të cilët ishin rivalët më të mëdhenj të të gjitha kohërave për gjermanët,me të cilët u përballën gjatë dhe përgjakën deri në fund të luftës së dytë botërore.

Pra,unë nuk shoh kurrfarë pikëtakimi në mes gjykimit të Nyrnbergut dhe veprimeve të tanishme të EULEX-it, edhe nëse ky mision përpiqet të vendos rendin e munguar dhe forcoj ligjin sipërfaqësor të pakët dhe jofunksional në vend,si dhe bëjë sjelljen e ndonjë të dyshuari para drejtësisë në Kosovë, gjë që e ka për detyrë si obligim i marrë përsipër,me bekimin shtetëror të Kosovës?!

Ndaj,athua nuk janë të vetëdijshëm "publicistët" e tillë, të cilët nuk hezitojnë të shkruajnë edhe pa argumente kundër Gjermanisë,apo nuk duan ta shohin realitetin dhe pranojnë faktin e pamohueshëm se që nga paslufta,ata që përgjaken për Kosovën,nuk janë më shqiptarët, por pjesëtarët e KFOR-it, ndërkombëtar në ballë të të cilëve qëndrojnë ushtarët e Gjermanisë.

Për Kosovën,jo vetëm ushtarët dhe shteti gjerman,por pati edhe individ të këtij nacionaliteti të madh,si Roland Bartezko i cili në moshën 30-31vjeqare, sakrifikoi rininë dhe lirinë e tij ,duke u dënuar me 23 vite burg për hedhjen në erë më 18 Prill të vitit 2001, të ish zyrave të MUP-it,serb në Prishtinë.

Për ata që me kalimin e viteve mund të kenë harruar, menjëherë pas luftës, strukturat e larta shtetërore të policisë së fshehtë të Serbisë, u kthyen pa asnjë pengesë, si "në shtëpi të babës së tyre" dhe patën  zënë vend në mes të kryeqytetit të vendit tonë,ku vepronin të lirë e të pa trazuar nga shqiptarët-duke lëshuar dokumente ilegale serbe dhe sfiduar hapur shtetin e Kosovës,mu në mes të Prishtinës.

Por, falë një trimi gjerman, kjo do të zgjaste vetëm deri më 18 Prill të vitit 2001,kur nga parashutisti i atëhershëm,31 vjeçar Roland Bartezko, do të vritej hiq më pak se vet Koloneli Aleksandër Petroviq ,njeriu më i fuqishëm në shërbimin sekret serb dhe udhëheqësi kryesor i byrosë serbe në Prishtinë, për lëshimin e pasaportave të Serbisë, banorëve shqiptar në Kosovë.

Madje,është e ditur për të gjithë se edhe ushtarët gjerman jo vetëm vitin e kaluar u përgjakën disa herë nga barrikadistët dhe ekstremistët serb në pjesën veriore të vendit tonë, të cilët edhe tani,sot e përditë përballen me këto struktura funksionale dhe të organizuara serbe,në përpjekje për mbajtjen e rendit dhe qetësisë, për aq sa është e mundur në atë pjesë, ku këmba shqiptare, ende nuk guxon të shkel e lirë.

Kurse shembulli më i freskët është marrëveshja me Serbinë e cila implementon pjesë që ajo dëshiron dhe vetëm aq sa asaj i nevojitet për afrim me Bashkimin Evropian.

Ndaj,edhe kur para lojërave të saj të pandershme,të gjitha shtetet tjera të BE, heshtin,bile derisa edhe vet kryeministri aktual i Kosovës në vend se të konsultohet me kabinetin e tij,ai vendos me Daqiqin që në Bruksel, se kur duhet të mbahen zgjedhjet e radhës në vendin tonë të lirë, "sovran", e të "pavarur" vetëm Gjermania  nga i gjithë Unioni Evropian,është ajo e cila hapur i vë kushte qeverisë së Serbisë për lehtësimin e procesit të shtet-shtrirjes së Kosovës, ne gjithë territorin e saj.

Ajo e vetmja, kërkon publikisht nga Serbia, shuarjen e strukturave paralelo-pushtuese  në Veriun e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën,duke pamundësuar edhe marrjen e datës së fillim-bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE, pa implementimin në praktikë të marrëveshjes së arritur me 19 Prill, në mes të Thaçit dhe Daçiqit në Bruksel.

Duke u nisur vetëm nga faktet e lartë-cekura,secili që mendon sado pak,bindet menjëherë se sjelljet dhe vjelljet e pakontrolluara të disa shqiptarëve, sa janë të padrejta-po aq, janë edhe të pamoralshme,ndaj një vendi mik-siç është Gjermania.

Ajo, falë mundësive të mëdha politike dhe ndikimit të gjithanshëm ekonomiko-financiar që ka në BE ,praktikisht bënë shumë më shumë, se shumica e shteteve tjera të këtij unioni,e padyshim-edhe shumë më tepër se vet Kosova dhe dy shtetet shqiptare bashkë, për implementimin e marrëveshjes,në rast nevoje-edhe me vënie kushtesh e detyrim,si asnjë vend tjetër në rajon,sa herë që kjo mbetet si e vetmja gjuhë të cilën e kupton Serbia.

Ndaj në një vend dhe shtet funksional, ku sundon rendi dhe ligji, nuk do të mund të paramendoheshin veprime të tilla të ulëta, që edhe miqve më besnik, tu rezervohen trajtime këso-fare, me fushata fyese e denigruese ndaj tyre, duke i quajtur edhe antishqiptar shkelës të vlerave dhe të motivuar politikisht, pa pasur arsyetime bindëse.

Tendencat si këto, rrezikojnë bllokimin e plotë të sistemit të drejtësisë edhe ashtu të degraduar totalisht në Kosovë, si dhe mos-zbardhjen për shumë kohë të vrasjeve të pa zbuluara, korrupsionit dhe padrejtësive tjera të shumta të cilat vazhdojnë ti rëndojnë gjithnjë e më tepër, fatkeqësitë e njerëzve edhe sot në Kosovë.

Veprimet e EULEX-it,duhet të shihen si ndihmë ndaj shtetit dhe atyre që ende vuajnë për më të dashurit e tyre të vrarë e të pagjetur deri në këto kohë, pasi që sistemi mafioz i gjyqësisë së korruptuar të Kosovës,për 14 vitet e pasluftës nuk qe asnjëherë ne gjendje të zbardhë çfarëdo rasti, qoftë edhe një të vetëm- me rëndësi,i cili do të na bënte krenar dhe meritonte të përmendej.

Nga zhvillimet e deritanishme është e njohur për secilin se jo vetëm drejtësia e cila në kuptimin e plotë të fjalës,përveç shkrimit të saj në letër si teori, praktikisht në Kosovë ajo nuk  ekziston fare, kështu që shqiptarët nuk duhet të harrojnë se pa ndihmën e Amerikës dhe të BE-së, ata nuk mund të ecin si popull dhe as mbijetojnë si shtet, ndaj nëse ne nuk jemi në gjendje që ti zgjidhim vet problemet tona të grumbulluara në shtëpinë ku jetojmë,ky është faji i ynë e jo i EULEXI-it, dhe as i shtetit gjerman.

BE dhe Gjermania,nuk mund të fajësohen, vetëm pse sistemet e tyre juridike,nuk parashikojnë shpërblime për korrupsion dhe dekorata e mirënjohje për  keqpërdoruesit e mundshëm të ligjit dhe të  jetës së njerëzve, siç mund të praktikohet në ndonjë rast në Kosovë,por veprojnë konform ligjit dhe kërkojnë sjelljen e cilit do të pandehuri të mundshëm për çfarëdo dyshimi qoftë, para drejtësisë për tu vërtetuar fajësia apo edhe pafajësia e tyre e mundshme.

Madje njeriu çuditet me të madhe sa herë dëgjon pyetjet e njerëzve si kjo; pse EULEX-i, nuk arreston edhe kriminelët në Serbi.

Pyetja është e arsyeshme dhe plotësisht me vend,por në adresë të gabuar, megjithëse është e kuptueshme që fajtorët duhet arrestuar kudo qofshin ata, por një gjë shqiptarët duhet ta kenë parasysh edhe në raste të tilla, sepse Kosova fatmirësisht-njëherë e përgjithmonë është divorcuar nga martesa e dhunshme me Serbinë,ndaj ne jemi shtet më vete i lirë dhe i pavarur,kurse misioni i BE-së,është i ftuar nga qeveria e vendit, për veprim me mandat të kufizuar kohor e hapësinor,dhe vetëm brenda territorit të Kosovës,duke mos guxuar nga rezoluta e famshme e OKB-së, ti prekë as serbët nën juridiksionin e Serbisë në veriun e Kosovës.

Kështu që edhe po të donte Shefi i EULEXI-it,gjë për të cilën unë personalisht jam i bindur se Bernd Borchard e dëshiron,por misioni të cilin ai udhëheq,nuk ka mandat ligjor,as fuqi juridike, të kaloi dhe bëj arrestime në territorin e Serbisë, e as në veriun e Kosovës,të administruar ende nga serbët, ani pse atje dihet se ka shumë kriminel dhe keqbërës të panumërt,sidomos ndaj shqiptarëve, përgjatë gjithë kohës së pushtimit si dhe gjatë zhvillimit të luftës në Kosovë.

Pra,është koha e fundit që edhe shqiptarët të mësohen dhe kuptojnë se të gjithë pa dallim janë të barabartë para ligjit,ndaj më në fund duhet të bëhet e pranueshme edhe për ata, se cilido që mund ta ketë thyer ligjin,është e natyrshme të bart përgjegjësi penale dhe të jap llogari para drejtësisë, për çfarëdo vepre antiligjore.

Për fat të mirë,ne si shtet i ri, në këtë drejtim kemi edhe ndihmën e Amerikës, Gjermanisë, misionit të BE-së etj, të cilët jo vetëm se kontribuojnë për vendosjen e rendit dhe ligjit në vend,por ata na mbështesin dhe përkrahin edhe në rrugën e shtet-ndërtimit tonë,pranimin e Kosovës në të gjitha institucionet me rëndësi ndërkombëtare si dhe njohjen e saj kudo në botë.

Madje shtetet tona mike,tregojnë shumë durim me ne, edhe duke na shpjeguar me dashamirësi se në Kosovë, nuk gjykohen njerëz vetëm për krime ndaj serbëve por edhe ndaj shqiptarëve,siç gjykohen për korrupsion e keqpërdorime tjera që bien ndesh me ligjin, në vendin tonë.

Gjermania jo vetëm se është mbështetësja jonë e drejtpërdrejtë më e madhja dhe më seriozja në të gjitha fushat dhe pikëpamjet,e dëshmuar për miqësi të sinqertë dhe përkrahëse kryesore për të gjitha proceset që zhvillohen në vendin tonë, por ajo  është edhe shembulli më i mirë për ligj dhe drejtësi në rajon,nga e cila neve na duhet ende ndihmë e gjithanshme dhe kemi nevojë të mësojmë shumë.

Ndaj edhe veprimet e EULEX-it,i cili është ftuar nga qeveria si mision,nëse janë në interes të vendit, forcimit të ligjit,vendosjes së drejtësisë dhe në të mirën e popullit tonë,megjithëse aty këtu ato kundërshtohen me forcë, për qëllime ende të pa- shpjeguara tërësisht, atyre duhet t`u bashkohen edhe organet vendore,në mënyrë që më në fund të mësohen shqiptarët kudo se Kosova nuk është pronë e individëve por shtet i banorëve të saj, ku përfundimisht duhet të vendoset ligj i njëjtë për secilin dhe sundojë drejtësi e barabartë për të gjithë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora