Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Ujku nder dhen... bre burra!

| E marte, 25.06.2013, 07:55 PM |


“OOOOO…UJKU  NDER  DHÊN… BRÈ   BURRA !..“

Nga Fritz RADOVANI

Ka mjaft Shqiptarë që kur e ndigjojnë zanin e malokut tue vrritë… dhe tue kujtue kallximin e vjeter nuk ua venë veshin as atyne që thrrasin mes të Tiranës, edhe pse me të vertetë «u ka hy ujku nder dhên» që në dhjetorin e vitit 1945…

Kjo ngjet jo pse nuk besojnë se «ujku po prêt delet» po Shqiptarëve u asht krijue një indiferencë aq e madhe sa edhe me u thanë se asht ngjallë ujku i vjeter e po prêt prap «shokët e vet» si dikur, haje dreq se shkon kush me shpetue një nder tà…

U bane plot 21 vjet që nga kopetë e ujqëve njerzit mundohen me zgjedhë njenin që duket paksa ma ndryshej…e shpesh, mundohen me rrejtë veten dhe tjerët se «ky duket ma i miri», por kur vjen fundi ujku ujk se ujk… Fatkeqsisht shkelqimi i qimes nuk ngjet nga ndrrimi i vesit por nga pasunimi i xhepit… Porsa zen vend… të shkyen në fyt !

Pak gjak u ka mbetë Shqiptarëve me kujtue se janë prap Shqiptarë!

Çka nuk i ra me provue të shkretit Popull! As vorfnia as skami i skajshem nuk mund të njësohen me rrenen dhe nepërkamjen e Tij nga kopetë e ujqëve, dhelpnave dhe kobrave, që sa njeni e sa tjetri, veç mendojnë me mbushë xhepat e vet dhe turmat e vorfnueme veç tue pritë “a thue po del një politikan që po mendon per né!?”...

A thue kështu si Shqipnia asht San Marino, Luksemburgu apo Zvicrra?!

Persa i perket bankave e xhepave...ua kalojmë edhe atyne. Por, per tjerat..?!

– Nuk besoj! Ndoshta, edhe atyne fqinjtë ua kanë marrë ndonjë pllambë tokë, por nuk besoj se ajo copë tokë asht ma e madhe se ajo që perfaqson Shtetin e tyne...ashtu si ka ngja me né Shqiptarët... E mbasi na kanë marrë mezet e vendit, kanë gjetë edhe nga një “malok” me vrritë: “Oooo ujku ndër dhên bre burra!”...E Shqiptarët e shkretë, jo me ju afrue vâthës me pa ku asht ujku e me ba çmos me e mbytë...por secili tue mendue se si mund të shpetohet nga ujku e me ikë sa ma larg atij vendi të nêmun e të mallkuem... E pra, kështu komshija i keq gjeti edhe modelin e vet të veshun me petkun e tradhëtarit dhe e bani edhe “zot shtëpije”! Që në vitin 1925 Shqipnia sundohet nga sherbëtorët e t’huejt!

Vriten, priten, theren...shahen e shilohen njeni me tjetrin...vrasin kedo që u rrin mendja se mund t’ iu zanë vendin, por kurrë até që i mban zagar mbas vetes...një ditë pa pritmas mbështesin kryet në jastek dhe ngordhin... U prijnë dekoratat deri tek varri ...

O Zot, po ku del tjetri diten e neserme edhe ma i poshter se ai që ngordhi dje?!

Rrin në krye të shtetit tue leh e ulëritë e sa vjen koha e “zgjedhjeve...” kerkon se cili nga armiqtë e Shtetit Shqiptar e paguen ma mirë tradhëtinë e tij...veç, kur e ndigjon tue vrritë “oooo ujku ndër dhên bre vëllezër!” e pa mbarue virrmen, veç kur ia behin pa pritë e pa u kujtue “vëllezërit e gjakut” nga Turqia, Arabia e Kaukazi...me qese në dorë: “Fol brè vëlla, sa do... veç me mbajtë nder Troje tueja sundimin me ujkun tonë!”...

U duhet me “ndrrue” parti...U duhet me “modifikue” programe... U duhet me vue “elemente të rijë”... U duhet me dijtë “gjuhë të hueja”... u duhet me njoh “monedhat”...

U duhet me kenë “agjentë”... U duhet me dijtë sesi me pritë e me qitë vëllezërit e gjakut... U duhet me kenë “besnikë të parimeve” kur “Populli do të vazhdojë të hanë bar”...

A e shihni pra, sa shumë “gjëra u duhej me dijtë” Fatosit, Saliut, Bujarit, Edit... “Nxënësve të shokut Ramiz”?! Si kujtoni, “është e thjeshtë tradhëtija?”...

E Populli Shqiptar pret kur po thrret: “Oooo ujku ndër shokët e vet...brè burra!”

Melbourne, 2013.