Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: A doni ''tek a çift''...

| E hene, 24.06.2013, 07:23 PM |


A  DONI  “TEK  A  ÇIFT ?!”…

Nga Fritz RADOVANI

Kush di me luejtë cilendo prej lojnave din me hjedhë edhe shortin…

Shumica e lojnave kanë arbitra, të cilët hjedhin shortin para fillimit të lojës. Zakonisht ata pyesin njenin nga dy lojtarët se çka kerkon “çift a tek”? Zgjedhja e njenit i jep të drejten tjetrit me kenë fitues i anës tjeter të monedhës që albitri hjedhë me percaktue të drejten “me zgjedhë”... mbas ramjes monedhës në tokë. Ky asht shorti. Deri këtu arbitri asht i paanshem...

Në politikë nuk pyesin kurrë “a doni çift a tek ?!”, ata perdorin tjera fjalë që janë marrë nga ato që perdornin të huejtë kur na sundonin në shtëpinë tonë, p.sh. “a do turrë a jazë?”...ose kur në të shumten e rasave ata ishin arbitrat tonë, që drejtonin “lojen e vet” me lojtarët tanë.

Në kohen e osmanllinjëve nuk e kam idenë se çka mund të na kenë pyet ata ne. Dij se në këta 100 vjet të shkueme, pothuej askush nuk e ka pyet popullin as per qeverisje as qeveritarë.

Pleqtë tregonin se kur e kanë pyet Luigj Gurakuqin një rreth miqësh pse nuk martohesh, Luigji u ka thanë: “Per me u marrë me politikë dhe me kenë i drejtë në Shqipni, politikani nuk duhet kurrë me u martue!” Pra, duhet me kenë “tek”, që mos me lanë familjen rrugash...

Edhe Ahmet Zogut kur i hodhi “shortin” Pashiq në Bristol të Beogradit, në gusht të 1924, Ahmet Zogu i tha: “Due turrë” dhe i ra “turra”... E filloi me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Hasan Prishtinen...e shkoi “turra” deri në fund të Shqipnisë...e besa, edhe të Dardanisë.

Në vitin 1941 erdhi në Tiranë një tjeter “trajner” politik nga Beogradi, njëfarë Dushan Mugoshet, të cilit nuk besoj se do t’ia harrojnë emnin Shqiptarët edhe nja 250 vjet tjera... Edhe ky i pat hjedhë “short” Enver Hoxhës, i cili i kerkoj “turrë”, ndersa “jaza” i takoi Qemal Stafës, Vasil Shantos, Zef Malës me “mbarë” Shkodren, e pak ma vonë edhe grupit Korçës... Edhe kur ndokush e pyeste Enverin “a do çift a tek?”, ky i pergjegjej “turrë”, pra kerkonte “çift” se me “tek” as nuk u ulte me fillue lojen e vet... Edhe në vitin 1948, vazhdoi me “çift” kur luejti me kokat e Koçi Xoxes e kompani... Prap vazhdoi me “çift” kur hodhi shortin per Tuk Jakoven dhe Bedri Spahiun... Prap me “çift” kur erdhi Hrushovi, me Liri Belishoven e të shoqin Maqo Çomo.

Në vitet 1970 – 74 nuk e perdori ma fjalen “çift”, po thonte “turrë”...e kriste turra nga ministria e mbrendshme e deri naltë në Byro politike, prej Kadri Hasbiut, Feqorr Shehut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Beqir Ballukut dhe turrës gjeneralave...derisa, vetem njëherë i tha Nexhmijes, dua “çift” dhe ajo ia plotsoi dëshiren me “çiftin” Mehmet e Fiqrete Shehun... Kur u plak e nuk mujte me hjedhë ma as shortin, i la porosi Ramizit, që para se me thanë “turrë a jazë”, gjithmonë shiko në sy Nexhmijen, mbasi ai kurrë nuk kishte hjedhë short pa shikue ate. Asht kenë qefli taullet, aqsa kur dilte në balkon kur ishte budallosë dhe i bante rojeve të bllokut me dy pllambët e veta te vendosuna tek hunda, thërriste me të madhe “haps”; i dukej si taullë ambjenti perrreth...e kur vriste ndonjë njeri dhe harronte, i thonte Nexhmijes, “më ke fshehur gurin!!”

Ramizi ishte mjeshter i vjeter në hjedhje shorti. E pat fillue lojen me kosovarë në 1944, dhe njihej si mjeshter i zhdukjes së “turrave” të Shqiptarëve... Vetem njëherë kur iu desht me sigurue “t’ardhmen” e postit PPSh, kerkoj “tek” dhe na solli Hysni Kapon në arkivol nga Parisi.

Edhe në vitet 1990 – 91 kur lojen e fitoi Regan, dhe komunizmit i erdhi fundi... Ramizi, mbasi kishte vra Djelmët fatzezë nder kufinjë, në fjalen e vete në Byro politike tha: “Dua çift!” dhe zgjodhi “çiftin” Nano – Berisha... I çoi në Venecia...Atje një trajner italian, i hodhi shortin... Nano kerkoj “turrë” dhe i ra “turra e komunistëve”, ndersa Berisha, kerkoi “jazë”, dhe i rane të gjithë agjentët e sigurimit dhe të “persekutuemit politik ‘antikomunistë”...

***

Tashti, sigurisht, që koha e ka ba të veten... Jo vetem arbitrat, po edhe lojtarët janë shumë të specializuem dhe komunikues me grupet “turrë” të atyne, që shumica kujtojnë se me të vertetë janë kundershtarë me njenitjetrin. Sigurisht, kanë ndonjë keqkuptim kur bisedojnë per “turrat” e eurove apo të rrezervave nder banka, por shpejtë i pajton qellimi dhe prejardhja e vjeter...

Asht gja e bukur me i pa kur bajnë sikur janë zemrue...E mandej...i pajtojnë gratë! Sa të jetë gjallë Nexhmija nuk kanë nder mend me u prishë per gjana të vogla. As këta asnjeni nuk ia prishin as qejfin as zemren asaj... I ka dashtë fort qyshë të rijë...i ka rritë vetë (edhe si veten).

Tashti në zgjedhjet e vitit 2013, shorti do të hidhet mes Berishës dhe Ramës... Tashti nuk ka ma as Berisha “jazë” se gati – gati janë ba të dy grupet “turrë”...”të persekutuemit” u harruen!

Shqiptarët mundohen me hjedhë “short” po sa herë hjedhin monedhat nalt...u bijnë “jazë” se nuk janë mësue me lujtë me pare...vazhdojnë me kujtue se po lozin me “letrat me vlerë”...

Prap si dikur...kur të shkoni me votue hidhni shortin...kujt ti bijnë “turra” jepni voten!

Ka shkue puna; si ka turra si ka jaza... “qeverinë e ka n’ dorë masa...”!

Kam harrue si asht ajo fjala... a thohet: “Turrë, turrë, bahesh mur...”?

Uuuuuuaa...si i binte “turra” gjithnjë atij...!?

Kam vetem një shpresë: “Në dorë të Zotit”, se mjaft me dreqin!

Melbourne, 2013.