E enjte, 25.04.2024, 11:06 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Bedri Tahiri: Poradeci i frymëzuar prej Azem Galicës

E shtune, 22.06.2013, 08:03 PM


Lasgush Poradeci i frymëzuar prej Azem Galicës

Pushim, argëtim e këndellje

Nga Bedri TAHIRI

Gjimnazi ynë, “Eqrem Çabej i Vushtrrisë, gati që nga paslufta jonë çlirimtare, e ka bër traditë që, fill pas mbarimit të mësimit, kolektivisht, të vete tri- katër ditë në pushim në bregdetin e mrekullueshëm shqiptar. Edhe sivjet vepruam ashtu. Vajtëm në Golemin e bukur dhe u çlodhëm për shtatë palë qejfe.

Thënë të drejtën, unë atje shkoj shpesh, sepse kam zënë shumë miq të idealit e të penës. Nuk mund ta marrë me mend të kalojnë tre muaj të plotë e të mos takohem me vëllezërit Kapiti, ku ndjehem si në shtëpinë time. Dy javë më parë isha në përurimin e librit të Skënder Kapitit “Triumfi i Kombit” që qe madhështor. Diçka e paparë kohëve të fundit. Salla e madhe e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës nuk e përpiu dot gjithë lumin e të interesuarve. Një organizim i mire që mblidhte krijuesit mbarëkomëtarë. Në ballë të tyre edhe dy udhëheqësit e tyre, z. Nikolla Spathari e znj. Flora Brovina. Me mua ishte edhe kryesuesi i KK të Vushtrrisë, z. Habib Mustafa.

Mirëpo, sidoqoftë, ndeja dhe pushimi me anëtarët e familjes sate, me kolegët e nderuar të punës, krijojnë  ndjenja të  veçanta, aty çdo gjë ka shije dhe kënaqësi...

Megjithatë, kurrësesi nuk mund ta fsheh dobësinë që kam për Shqipërinë e  ëndrrave,  mbase të  idealizuar nga librat e lexuar. Ajo kërshëri e ai mall nuk po shuhen dot as sot, kur Udha e Kombit na bëri NJË.

Dhe, edhe ditën e diel, të 9 qershorit 2013, nisesha andej me ndjenjën e njëjtë. Madje, kësaj radhe edhe me një merak që më kishte zgjuar një mik imi nga Londra,  krijues i pasionuar, z. Xhemail Peci. Ai, ditë më pare, më kishte folur për diçka që unë, sado që e mbaja veten lexues të madh, nuk e kisha hasur askund. Qe fjala për poetin tonë të madh, Lasgush Poradecin, i cili paskësh shkruar për kryetrimin e Drenicës e të shqiptarisë, Azem Galica. Kjo më nuk më është shqitur fare nga mendja. Edhe pse e kam besuar,  e  vërtetova se rasti është mbret i botës.

Ditën e fundit zu të binte shi. Meqë për plazh nuk bënte, u nisëm për në Tiranë. Ca kolegë propozuan ta vizitonim një qendër të madhe tregtare në rrugën e Elbasanit. U pajtuam të gjithë. Dhe, nuk gabuam. Kishte e çnuk kishte. Dihet, ku dhemb dhembi vete gjuha. Unë, turr e vrap në katin e dytë, në një librari të madhe e të pasur.

Pasi ua hodhi një sy fund e krye rafteve të stërmbushura me libra, e pyeta edhe shitësin, por nuk e gjeja dot atë që kërkoja. Mora ca libra të tjerë, por këmbët disi nuk më bënin të ecja përtej pragut të saj. E dija që  autor ishte  Nasho Jorgaqi. Dhe, rikthehem. Në qoshen e një stede shoh një libër të tij me titull “Udhëtime letrare”. E mora, pa pasur kohë ta shfletoja fare. Në autobus  humba nëpër faqet e librit të lezetshëm e joshës “Haxhiu i Frakullës“ të Vath Koreshit.

Që thua ti, pas dy- tri ditësh, e mora ta lexoja atë libër mbresëlënës, me ato udhëpërshkrime interesante, që të lënin pa gjumë. Dhe, kah fundi, si papritur, më del titulli: Lasgushi, si e njoha unë. Obobo! Sakaq, mbylla librin! Nuk më besohej. Atë që me ngulm e kisha kërkuar, e paskësha gjetur, ore vëllaçko. Nuk më pritej ta lexoja të tërin. E shfletova nxitimthi, gjeta ato që kërkoja prej kohësh dhe paskëtaj iu qasa  leximit e studimit me laps në dorë, siç i thonë një fjale...

 

Gjysma e Shqipërisë përtej Drinit plak...

 

Studjuesi dhe letrari i shquar, Nasho Jorgaqi, në librin e tij me udhëpërshkrime Udhëtime letrare”, botuar në Tiranë, më 2001, krahas shkrimeve të mrekullueshme, mbushur me informacione  për Naimin, Varibobën, De Radën, Balën, Seremben, Nolin, Migjenin, Asllanin, ka shkruar edhe për poetin e paarritshëm të letrave tona, poetin që për të gjallë ishte thuajse i vdekur dhe i harruar, për të madhin, Lasgush Poradecin.

Përbrenda këtij shkrimi, hartuar me akribi fanatiku, zë vend edhe takimi i përzemërt i poetëve nga Kosova me prijetarin e modernizmit shqiptar në kafen “Tirana në Tiranë...Me emocione të veçanta është dhënë  takimi i Lasgush Poradecit me poetët nga Kosova:

 

“-Domethënë qenkish poetë!? Të gjithë, ë? Dhe nga Kosova? Nga Shqipëria e jashtme, ë? Se e brendshmja është kjo që gjendemi ne, kurse e jashtmja është ajo që mbeti jashtë kufijve të 13- ës...

 

Sytë plot dritë të Lasgushit lëviznin sa të njëri  te tjetri. Ishte vërtet i gëzuar, por brenda natyrës së tij të përmbajtur.

 

…Sepse ta dini ju- vazhdoi poeti duke e ngritur zërin,- një kritik më kritikoi njëherë, se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë. Bobo, ç’më dëgjua veshët. Sepse në vjershën “Poradeci kam shkruar vargjet:“Duke nisur udhëtimin mes përmes për Shqipëri, Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndnaumi…”. More, i paditur, t’í thuash. Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i përrallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu?

 

Të gjithë miratuan me gaz, ndërsa poeti mbante kokën lart.  Lasgushi që kësi rastesh fliste pak, i prekur nga takimi jo i zakontë mori të flasë prapë, i gjallëruar e i gëzuar:

 

-Domethënë- pyeti rishtazi Lasgushi- qenkëshit të gjithë poetë? Shumë poetë paska Kosova? Ah, Kosovë, Kosovë, Kosovë, ti që ke nxjerrë njëherë trima, tashi nxjerr poetë!

 

Dhe me kokën lart, zuri përsëri t’i vështrojë të ardhurit një nga një, me dashamirësi dhe kureshtje si prej fëmije. Askush nuk fliste. Vetëm dëgjonin. Në mesin e tyre ishte edhe poeti Latif Berisha...

 

Jeni poetë e profesorë, po Azema, jeni ndopak?

 

Dhe, biseda vazhdonte...

 

-Më vjen mirë që Kosova ka sot poetë. Një herë e një kohë kishte vetëm trima, që mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, gjeneral Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi…Kur suleshin ata mbi armiqtë ndizej qielli dhe toka.

Po Azem Galica?

Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufeja, kur serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, por edhe luftonte në tokën e tij dhe për tokën e tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’ia merrnin Arbaninë e vogël!”. Hajde, hajde Azem Galica. Kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behar í 1921, kur shkoja për herë të parë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastaj me tren mes përmes Kosovës. Atij treni kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i madh ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisabardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhën dhe në vagonin tonë. Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je e thashë gjithë mburrje se jam shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjithë kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën e ikën si era. Kapet era ë? Po për Lasgushin kjo mbeti një erë skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kish vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e universitetit, me një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju kosovarët, trima përmbi trima…Tani shoh që jeni dhe poetë e profesorë, po Azema jeni ndopak?

 

Miqtë sa u ngazëlluan nga këto fjalë, aq u vunë edhe në pozitë të vështirë. Nuk shikonin njëri- tjetrin në sy. Poeti thoshte me zë të lartë gjëra që ata i kishin për zemër, por për kushtet në të cilat gjendeshin s’i shprehnin dot qoftë edhe në një bisedë.

Poeti u ngrit në këmbë pa marrë përgjigje dhe u zgjati dorën me një përzemërsi që s’ishte e zakontë për të. Asnjëherë s’e kisha parë të bisedonte aq gjatë me njerëz të saponjohur. Por në këtë rast ishte në mes Kosova...

 

Tek e mbyllja librin e Nasho Jorgaqit, sërish mendja më vete tek Lasgushi ynë mendjehollë. Ah, i uruari, në të ngrysur të jetës do të shkruaj një si testament:

 

“Do të vijë një kohë, kur do vemi në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemi në vdekje e do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën!...Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën!

 

Sa bukur!

E mrekullueshme!

Profetike!

 

Atë natë të bukur, derisa drekonim në Prizren, ne mësimdhënësit e Gjimnazit të Vushtrrisë, ngremë gotat me urimin: Gëzuar Bashkimin Kombëtar!

Autori me Xhemail Pecin para Kullës së Azem Galicës (Galicë, qershor 2013)



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora