Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halil Haxhosaj: ''Pushkatimi'' - Lufta e drejtë e UÇK-së

| E shtune, 22.06.2013, 07:30 PM |


Shkrim për premierë teatri

DRAMA “PUSHKATIMI”, DËSHMI E LUFTËS SË DREJTË TË UÇK-së

Ekrem Kryeziu: “Pushkatimi”, dramë, me regji të Ekrem Kryeziut, interpretoi trupa e Teatrit Publik “Istref Begolli” Pejë

NGA HALIL HAXHOSAJ

Teatri Publik “Istref Begolli” i Pejës e shfaqi premierën e dramës “Pushkatimi” të Ekrem Kryeziut, i cili është edhe autor dhe regjisor e me asistente regjisore Rudina Zhara. Këtë rol të dyfishtë ky krijues, shkrimtar, regjisor dhe njeri i denjë i kulturës shqiptare e arsyetoi shumë herë, jo vetëm me regjit e veta, por edhe me krijimtari artistike, sidomos të gjinisë së dramës, të filmit edhe të tjera. Madje, ky autor e regjisor është dëshmi se nuk mungon, aq sa thonë disa regjisorë këtu në Kosovë dhe më gjerë, drama origjinale. Kjo u dëshmua edhe me rastin e premierës së shfaqjes “Pushkatimi”, interpretuar nga trupa e Teatrit Publik “Istref Begolli” të Pejës.

“Pushkatimi”, dramë me tematikë lufte të UÇK-së

Në qendër të kësaj drame të Ekrem Kryeziut është lufta e UÇK-së, por e paraqitur nga një këndvështrim disi tjetër dhe pak i njohur nga realiteti. Për luftën, trimëritë, betejat, heroizmat, rënien, sakrificat dhe në fund fitoren e luftëtarëve të UÇK-së janë shkruar disa vepra të zhanreve të ndryshme letrare, publicistike, fejtonistike, monografi, ditar lufte, por edhe romane, drama, madje edhe janë xhiruar e shfaqur filma të ndryshëm. Secila prej këtyre veprave ka shpërfaqur elemente të caktuara, por drama “Pushkatimi” e Ekrem Kryeziut është një veçanti, është një dëshmi, është një shprehje dhe kundrim nga një kënd specifik, por edhe krejtësisht tjetër. Dhe kështu, autori Ekrem Kryeziu në njërën anë, por edhe regjisori i shfaqjes, po Ekrem Kryeziu, në anën tjetër, patën mu këtë qëllim. Dhe kësaj ia arritën mirë ai dhe aktorët e angazhuar në natën e premierës të shfaqjes së kësaj drame.

Në qendrën fabulative e dramatike të dramës “Pushkatimi” është një situatë tejet e konfliktuar, madje edhe e paparashikuar në një tog të luftëtarëve të UÇK-së. Ky konflikt duket se depërton shumë shpejt tek të pranishmit me një ngurrje, por habi se si mund të ketë ndodhur kjo ngjarje në mesin e ushtarëve të UÇK-së. Ushtar Luani, që kishte ardhur nga diaspora ku jetonte e punonte, të luftojë bashkë me të dashurën e tij Blerinën, për disa gabime që kishte bërë, u dënua me pushkatim nga Gjykata ushtarake e UÇK-së. Luani është bir i prindërve intelektualë, nënës profesoreshë e matematikës dhe babait jurist. Zhvillimi i konfliktit dramatik i kësaj shfaqje, në natën e premierës, zhvillohet dhe merr drejtim më të thellë me rastin e vizitës së Nënës në burgun e UÇK-së të djalit të saj, Luanit. Dialogu në mes saj, Gjykatësit që njëherë është edhe komandant, shtrihen në rrafshin e pasqyrimit të duhur artistik dhe funksional. Edhe takimi i saj me Luanin ka shpalosë disa nuanca që në momente duken paksa të tjetërsuara, mbase edhe pse shihen si të tilla për shprehjen e artistikes. Ballafaqimi i Nënës me djalin luftëtar të dënuar me pushkatim, paraqitet në skenë disi i ngurtë nga ana e djalit, gjegjësisht e Luanit. Por dhimbja e Nënës megjithatë është e pranishme dhe dominuese në këtë ballafaqim, tash skenik.

Gjera të tilla, madje edhe më me dramaticitet, shfaqen edhe në skenën e ballafaqimit të Babait të Luanit me komandantin, pra Gjykatësin, sepse këta të dy dikur kishin qenë shokë të një gjenerate në shkollë, madje edhe në studime. Dhe të gjitha këto konflikte dramatike kurorëzohen me rrethimin e hekurt të ushtarëve të këtij togu të UÇK-së nga ushtria armike. Gjykatësi komandant e gris vendimin e dënimit dhe ushtarit të dënuar me pushkatim, Luanit, ia jep armën, automatikun, për të hapur rrethimin. Dhe kjo ndodh sepse ai në fund jo vetëm që lufton me trimëri e heroizëm, por shpëton dhe merr edhe gradën e komandantit të UÇK-së.

Mesazhi i shpërfaqur në këtë dramë të Ekrem Kryeziut është një dëshmi për gjykatat dhe hetuesit e EULEX-it që po ua bëjnë sot luftëtarëve të UÇK-së, duke i hetuar gjoja se për krimet e luftës që i kanë bërë. Kjo dramë dhe sidomos premiera e saj e shfaqur në skenën e Teatrit Publik “Istref Begolli” të Pejës, është përgjigja më adekuate se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte ushtri me të gjitha parimet, normat, etikën dhe veprimtarinë e ushtrisë së rregullt, heroike, humane dhe çlirimtare, andaj luftëtarët e saj as nuk ishin kriminelë dhe as që kanë bërë krime lufte. Këto krime dihet kush i ka bërë ngase dihet kush ishte okupatori.

Aktorët, rolet dhe interpretimi

Regjisori Ekrem Kryeziu në dramën “Pushkatimi” i angazhoi aktorët: Nimon Muçaj-Gjykatësi, Liridon Nikçi-Ushtari, Faik Zekaj-Luani, Rudina Zhara-Nëna, Herodita Ramshaj-Blerina, Rrustem Latifaj-Baba dhe Luan Daci-Fatmiri. Siç shihet përvoja e aktorëve të angazhuar për këtë projekt dramatik të Ekram Kryeziut shtrihet në dy rrafshe. Në rrafshin e parë të përvojës së aktorë janë Nimon Muçaj, Rrustem Latifaj dhe Rudina Zhara, ndërsa në grupin e aktorëve të rinj e pa përvojë aktoreske janë: Faik Zekaj, Liridon Nikçi, Herodita Ramshaj dhe Luan Daci. Gërshetimi i kësaj ane, fatmirësisht në natën e premierës nuk paraqiti ndonjë barrierë të dallueshme, edhe pse ndonjëherë mundi të shpërfaqej sado pak.

Aktori tashmë i talentuar dhe me përvojë të madhe, jo vetëm të teatrit, por edhe të filmit, Nimon Muçaj, në natën e premierës qe në fahun e vet dhe në tërësi e interpretoi dallueshëm, mirë dhe arsyeshëm rolin e Gjykatësit. Anët e interpretimit nuk patën ndonjë dallim në rolin e tij, edhe pse në disa momente arriti kulmin e vet prej aktori. Figura e tij ishte e kompletuar, e konstruktuar mirë e pa teprime as rënie në lojën e vet. Dhe kjo kompletohej edhe me gjuhën skenike, timbrin e zërit në dialogë me të tjerët, sa që shpesh ishte edhe një figurë që dominonte në skenë. Nimon Muçaj bëri edhe një rol të tij, i cili do të jetë i dalluar në fahun e tij prej aktori. Madje, në lëvizjet skenike, qëndrimet dhe interpretimin në skenë kishte dhe shfaqte figurën që dukej disi më e ngritur nga të tjerët. Ky aktor dita-ditës kështu po e pasuron dhe po e shpreh edhe më tutje talentin e vet prej aktori të dalluar.

Edhe roli i Rrustem Latifajt, pati nuancat e veta që e bën interpretimin solid, të shtruar, në nivel artistik duke i përmbushur kërkesat e regjisorit, por edhe të rolit të tij në premierën e sotshme. Njëri prej elementeve dalluese në interpretimin e këtij aktori është zëri skenik, i cili përkundër peshës që shfaq në shfaqje, ai e bën të shtruar, gjuhë të një intelektuali, të njeriut të arsyeshëm e plot dituri dhe dashuri për atdheun e luftën. Dialogu skenik i rolit të tij me atë të Gjykatësit të Nimon Muçajt, janë të shprehur bukur dhe mirë skenikisht. Edhe ky aktor ishte në nivelin dhe përvojën e vet prej aktori të suksesshëm dhe të dalluar.

Nëna e interpretuar nga Rudina Zhara, doli si figurë me disa elemente disi plot dhimbje e mall për Djalin e dënuar me pushkatim. Dialogu i saj me Gjykatësin paraqet gjendjen e rëndë e të vështirë të të gjitha nënave tona në kohën e luftës, por edhe gjendjen tragjike të popullit në atë kohë plot paramilitarë, ushtarë e policë serbë me shumë postblloqe e kurthe të ndryshme. Dhe shpirti i Nënës është i trazuar, por disi “çmallet” kur e sheh ende djalin e gjallë edhe pse të dënuar. Kjo aktore ishte në fahun e saj prej aktoreje dhe ia doli mirë paraqitjes së këtij roli.

Ndërkaq, Faik Zekaj, në rolin e Luanit, ushtarit të dënuar me pushkatim, ishte në nivel, edhe pse ndonjëherë u hetua ndonjë rënie. Por, kjo ndodh ngase përvoja e këtij aktori është ende e pamjaftueshme për t’u përballuar me role të tilla të këtij bagazhi dhe peshe. Por, megjithatë, ia doli që roli i Luanit i interpretuar nga ky aktor të dallohet paksa nga kolegët e gjeneratës së tij.

Edhe Liridon Nikçi në rolin e Ushtarit, Herodita Ramshaj të Blerinës dhe Luan Daci të Fatmirit dhanë atë që kishin mundësi dhe që ua kërkoi koncepti i regjisorit të shfaqjes, Ekrem Kryeziu. Por, siç u pa në premierën e sontme të kësaj drame, të gjithë këta posedojnë talentin, por edhe shkollimin në këtë profesion, që në të ardhmen do ta gërshetojnë dhe sendërtojnë ashtu siç duhet dhe siç kërkohet në skenat e teatrove.

Kombinimi i aktorëve të këtyre rangjeve të gjeneratave megjithatë funksionoi dhe u koordinua mirë në interpretimin e roleve aq sa kishin mundësi dhe aftësi kreativiteti.

Skenografia e shfaqjes qe e lehtë dhe e pangarkuar edhe pse në mesin e skenës nga fillimi i shfaqjes e deri në përfundimin e saj qëndroi “guri i xhenazes”, i cili aq sa ishte funksional në fillim, po aq edhe shfaqte pengesë, madje, edhe për skenat e tjera të shfaqjes. Ndërsa pjesa tjetër e skenës ishte e lehtë, e pangarkuar dhe korrespondonte me zhvillimin dhe dramatiken e shfaqjes dhe me gardërobën e punuar nga Melihate Kasapolli.

Edhe muzika bëri efektin e saj dhe që u realizua nga Memli Kelmendi. Pikë paksa tjetër ishin efektet e dritave apo ndriçimit i realizuar nga Ali Thaçi. Diçka nuk funksiononte aq mirë dhe siç duhet sonte në këtë premierë të dramës, sepse shpesh ndodhte që ndonjë pjesë e trupit të aktorëve mos të ndriçohej mirë dhe mbetej në errësirë.

Premiera e dramës “Pushkatimi” e autorit dhe regjisorit Ekrem Kryeziu e shfaqur në skenën e Teatrit Publik “Istref Begolli” të Pejës edhe pse nuk shënoi ndonjë “befasi”, prapë se prapë dëshmoi se ky teatër po konsolidohet dhe po merr veten dita ditës.