Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shkreli: Wilson - Zëri im në mbrojtje të Shqipërisë

| E shtune, 22.06.2013, 07:59 PM |


100-VJETORI I INAUGURIMIT TË PRESIDENTIT WOODROW WILSON

Nga Frank Shkreli

"Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë."   Presidenti Woodrow Wilson

Ky vit shënon 100-vjetorin e inaugurimit të ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson.   Ky përvjetor po shënohet anë e mbanë vendit me festime të ndryshme por edhe me diskutime akdemike dhe historike me qëllim për të vënë në dukje për brezat e rinjë, trashëgiminë e politikës të mbrendshme dhe të jashtme të presidentit të 28 të Shteteve të Bashkuara.   Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit të tij, ai tha se, “Këjo nuk është një ditë triumfi.  Por këjo është një ditë dedikimi.   Këtu nuk ftoj forcat e partisë, por forcat e humanizmit.  Zemërat e njerëzve presin, shpresat e njerëzve kumtojnë dhe na kërkojnë të themi se çdo të bëjmë….U bëj thirrje të gjithë njerëzve të ndershëm, të gjithë patriotëve të më përkrahin.”

Në detyrën e presidentit, Wilsoni e konsideronte veten si, një "përfaqsues perosnal i popullit."    Ai ka thënë gjithashtu se askush tjetër përveç Presidentit, "nuk pritet që të kujdeset për të mirën e përgjithshme të vendit."    Në këtë frymë, ai ndërmori një seri reformash të mbrendshme dhe çka është më e rëndësishme,  në fushën e politikës së jashtme, ai theksoi rolin ndërkombëtar  si një mjet për krijimin e një rregulli të ri botëror dhe shpalli hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore, si një fushatë -- sipas tij -- për të bërë botën "të sigurt për demokracinë".     Pasi kishte vendosur se ishte e pamundur që Amerika të qendronte neutrale në Luftën e Parë Botërore, Wilsoni i kërkon Kongresit miratimin e deklaratës së luftës kundër Gjermanisë.    Ndërhyrja amerikane bëri që lufta të përfundonte në favor të aleatëve dhe më Janar të viti 1918,  ai i paraqiti Kongresit objektivat amerikane të përfundimit të luftës duke njoftuar,  "Katërmbdhjetë Pikat'', njëra ndër të cilat do të krijonte një Lidhje të përgjithshme të kombeve...në bazë të së cilës, të gjitha kombet -- të mëdha e të vogëla-- do të gëzojnë garanci të përbashkëta për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të tyre.''

Gjëndja politike në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore ishte tepër e paqartë. Fqinjtë e saj serbët, grekët dhe italianët mezi prisnin të ndanin mes tyre Shqipërinë copa copa.   Në të vërtetë, përfaqsuesit diplomatikë evropianë kishin rënë dakort që Shqipëria të ndahej duke i dhënë nga një pjesë Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë.   Këjo marrëveshje u arrijtë pa marrë parasyshë dëshirat e Shqiptarëve, por dhe në mungesë të negociatorit diplomatik amerikan.    Natyrisht se Kongresi i Lushnjës, në Janar të vitit 1920, vendosmërisht hodhi poshtë marrëveshjen e armiqëve të shqiptarëve për të ndarë Shqipërinë copa copa midis tyre sikurë të ishte plaçkë, dhe njëkohësisht paralajmëruan fqinjtë dhe Evropën se Shqiptalët do të luftonin në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.    Në Mars të vitit 1920, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Woodrow Wilson ndërhyri për të bllokuar zbatimin e marrveshjes anti-shqiptare të Parisit dhe menjëherë vendosi të pranonte  përfaqsuesin diplomatik shqiptar në Washington, duke theksuar në këtë mënyrë përkrahjen e Amerikës për pavarësinë e Shqipërisë.   Nga fundi i atij viti, Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin territorial të Shqipërisë duke e pranuar atë si anëtare të plotë të organizatës botërore, megjithëse me kufij të cunguar.

Siç dihet Peshkop Fan Noli kishte lidhje me  Presdientin Wilson.  Në një fjalim të vitit 1918 me titull, "Borxhi që Shqipëria i ka Amerikës", Peshkop   Noli shpreh bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara do të përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë.   Duke shprehur besimin e tij se Amerika do të dilte fituese dhe se këjo do të ishte, sipas Nolit, edhe një triumf për demokracinë anë e mbanë botës, ai ishte i patundur në besimin e tij se kushtet e paqës do të të vendoseshin nga "një arbitër i botës, i cili është i drejtë, dmth presidenti Woodrow Wilson", ka thënë Noli.  "Kushtet e tija njihen mirë prej të gjithëve... se secili popull duhet të ketë të drejtën të zgjedhi vet sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë."   Fan Noli pastaj vazhdon duke thënë se, ''Unë kam patur nderin të takoj këtë njëri të madh, me një rast historik.''   Noli thotë se Presidenti Wilson kishte ftuar përfaqsues të grupeve etnike, përfshirë edhe Nolin si përfqseus të komunitetit shqiptaro-amerikan, për të shkuar me vapor tek varri i Xhorxh Washingtonit në Mount Vernon, jo larg kryeqytetit amerikan.   Duke u këthyer  nga Mount Vernon për në Washington, Noli thotë se ai iu afrua presidentit Wilson për ti folur për hallet e kombit të tij duke i bërë apel Wilsonit që të shpëtojë një racë heroike por të pa-mbrojtur. Sipas Peshkop Nolit, Presidenti amerikan Wilson iu përgjigj pa hesitim: "Unë do të kemë një zë në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë."

Për fat të Shqipërisë,  dhe falë  Wilsonit, ishte këjo një politikë e re e jashtme e Shteteve të Bashkuara, pasi deri atëherë nuk kishte ndonjë interesim të madh nga ana e Amerikës për fatin e kombeve të tjera, duke qëndruar larg punëve dhe problemeve të vendeve të tjera.

Gjatë debateve  të kohëve të fundit ne kujtim të 100-vjetorit të inaugurimit të presidentit Wilson, në Qëndrën Wilson në Washington mbi trashëgiminë e tij   në politikën e jashtëme, folën ekspertë dhe historianë, pëfshirë edhe ish këshilltarin e Presidentit Bush, gjenerali Bret Scowcroft, i cili tha se Presidenti Wilson besonte se, ''është detyra jonë të ndihmojmë vendet e tjera të cilat dëshirojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë".

Duke shprehur admirimin dhe falendrirmin e tij ndaj Wilsonit, Fan Noli ka thënë se Amerika kishte Presidentin Abraham Lincolnin, i cili nuk duronte një Amerikë gjysëm të lirë e gjysëm të skllavëruar.  Edhe Shtetet e Bashkuara,  tha ai, në personin e Presidentit Wilson, "kanë tani një president i cili nuk mund të durojë një botë gjysëm të lirë dhe gjysëm të skllavëruar."   Noli ka thënë se Wilsonin,  "do ta njohë historia si çlirimtar i të gjitha kombeve, të mëdha e të vogëla."

Woodrow Wilsoni njihet edhe sot për sukseset e tija në fushën e politikës së jashtme, si një idealist i cili besonte në paqën botërore, në vetvendosjen dhe në sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogëla.   14 pikat e tija të famshme  për paqën në botë, ishin një vizion i bashkpunimit ndërkombëtar për lirinë dhe demokracinë e vendeve, vision ky që më në fund çoi në krijimin e Lidhjes së Kombeve, përpjekje këto për të cilat ai fitoi Çmimin e merituar Nobel për Paqë në vitin 1920.

Në këtë 100-vjetor të inaugurimit president, le të kujtojmë këtë burrshtetas të madh amerikan, Woodrow Wilsonin, zëri i të cilit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë,  duke kontribuar, sipas Fan Nolit, “sadopak për kauzën njerëzore dhe qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.”