E enjte, 25.04.2024, 05:00 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Në Tiranë fryn karajeli i kublave

E premte, 21.06.2013, 09:00 PM


  TIRANË  KA  FILLUE  ME  FRY  KARAJELI   I  KUBLAVE…

Nga Fritz RADOVANI

Besoj se nuk asht nevoja me hy me shpjegue se çka asht ajo lloj eret që thirret andej kah Shiroka, e deri në të derdhun të Bunës në detin Adriatik, me emnin karajel kublash… Ajo e ka kohen e saj aty nga gjysa e marsit e deri kah fundi i prillit, kur edhe kubles i ikë shija gatimit. Mirpo, në vitet e fillimit të këtij shekullit të ri karajeli asht tue vazhdue deri kah gjysa e muejt qershor.  Aso kohe, dikur, mbushej liqeni me lundra e sule gjoje peshkut që vinin deri poshtë në dejlan. Ndersa lumi Buna, në dukje një lum i qetë per lundrim edhe ajo mbushej me peshkatarë. Ishte gja shumë e kandshme me kenë nder ato lundra sidomos me mjeshtra gjojet, kur zinin me një mjeshtri të madhe disa lloje peshku, që asaj anë nuk i mungonin në kohen (ose vaktin) e vet. Shiroksit janë kenë të njohun per mjeshtrinë e zanjes së peshkut. Me dashtë me shkrue per këte mjeshtri që nuk i ka mungue Shkodres ashtu si edhe gatimi i peshkut, do të vazhdonim gjatë ndonse, qellimi i këtij shkrimi nuk asht ky. Era e karajelit thonë se “tashti” asht çvendosë...

Nuk më kishte shkue mendja kurrë se edhe karajelin e kublave e ka marrë Tirana!

Kjo ide, me e pasë edhe karajelin në Tiranë, paska lindë kur asht rregullue liqeni artificial dhe kopshti zoologjik mbas universitetit, ku studentat do të shihnin në terren se si fryen era dhe si njerzit duhet të mësohen me shkue kah i çon ajo. Atëherë nuk njihej karajeli i kublave kështu, tiranësit filluen me i dhanë randsi peshkut që sillej nga gjithë Shqipnia per me e gatue Tirana.

Atë peshk që ishte ma i zgjedhuni e perlante Blloku i udhëheqësave, ku mbas sa kohe e shihnim “peshkun tonë” edhe nder zyre të randsishme... Kur fillonte me “rrah” bishtin ia gjenin vendin edhe atij si shokëve të tjerë per të cilët kanë fillue me ba edhe perkujtimore... Harrojnë se edhe mbasi dilnin prej furre, i vinte era karajelit të Liqenit Shkodres. Ndersa, krapuliqat e kublat nuk i perdornin gati fare në Bllok, se kur fergohen merrte erë tanë Tirana... Ata vetem me raste kongresesh apo tubimesh per festat e themelimit PPSh, ose kur i grumbullonin atje dhe shokët e byrosë zgjidhnin ndonjë kubul të freskët per sekretare...ose në zyrat e komiteteve të Tiranës.

Specialistët këto kubla i njihnin kryesisht nder velza se kur ishin të ndiqme i kthenin në dejlanin e Shkodres, ku nuk binin në sy se aty kishte shumë si ato... Ishin mësue shkodranët me hanger çka nuk e perlante Tirana, e nga këto rasa kemi pasë mjaftë. Besoj iu kujtohet qarkullimi i kuadrit kur pat ardhë në Shkoder sekretar partie Pjeter Kosta. Më ka çuditë një mik i tij kur më ka tregue se në një bisedë ky e kishte pyetë Pjetrin, se a me të vertetë keni vendosë me e zhdukë fenë, dhe Pjetri ishte pergjegjë, deri këtu Enver Hoxha gjithshka që ka ba e ka ba per me forcue komunizmin në Shqipni, me shpalljen e Shqipnisë shtet ateist nuk jam dakord... mbasi mbrenda dy – tre vjetësh Populli Shqiptar i madh e i vogel ka me u ba hajdut, se nuk ka frikë ma as Zotin as Pushtetin...E keni me pa kur të konsiderohemi popull kot po edhe hajn... Tashti, unë këtu nuk mund të tham se a e ka pasë në rregull perkufizimin Pjetri, po dij me thanë se nuk po mbetë kush pa u permendë nder sferat e nalta të shtetit shqiptar per hajni e korrupsion, dhe se, as nuk po ka ma njeri me ma të voglen seder, të pakten me u konsiderue “peshk i ujnave t’ambla”, që tek ne ka gjithkah, në Veri e në Jug dhe madje, mos me e pasë per turp me tregue se prejardhjen e tyne e kanë prej detit Kuq apo prej detit të Zi... As dreqi nuk po e merr vesh se ku i ka zanë e ama!!

Në Shkoder që ishte qyteti ma i madh i Shqipnisë, janë numrue me gishta familjet per të cilat ndokush edhe guxonte me folë ndonjë gja jo të mirë...Koha ndryshoi!      Edhe kjo gja ngjau se karajeli kishte ndryshue edhe në Shkoder drejtimin e vet...Aty nga viti 1974 qarkullonte një nga anekdotat ma të bukra të asaj kohë. Në një ndermarrje kontrolli puntor para vitit 1967, kapë tek dera e daljes një puntor që kishte vjedhë dishka. Hapet fjala në ndermarrje e atë natë edhe në të gjithë qytetin: “Filanin xy...e kishin zanë tue vjedhë në ndermarrje!!” Shumica dyshonin mos asht kurdisje... “nuk ka mundësi xy me vjedhë, asht familje e mirë, nuk e ban ai djalë atë punë, nuk janë familje që e çojnë veten aty...”. Mbas vitit 1970, prap kontrolli puntor kap nje tjeter tek dera e një fabrikës, që kishte vjedhë...Hapet fjala e merr dheun: “Kishin kapë tue vjedhë tek dera e fabrikës ...puntorin yz tue vjedhë!” – Au, po si ngjau kjo punë, po nuk paska pasë asnjë nga ata që do të kontrollonin të njohun ai rrezikzi, me i tregue se do të kontrollojnë!..” Pra, as nuk u diskutonte ma as familja as kenja qytetare, por mbas vitit 1970...”A nuk pat kush me i tregue!?”

“Hajnia nuk ishte ma turp per Shqiptarët!!”, po vetem “rrezik” per ata që kapeshin...

Per mos me u largue nga tema duhet thanë e verteta, se nder shtete demokratike ka vlerë të madhe karajeli i kublave në periudhen e fushatës së votimeve, jo per me tregue se ata që janë tue u pergatitë per me kenë nder listat e të zgjedhunëve janë të sjellun aty nga karajeli, po tek ne Shqiptarët kryesore per ata që zgjidhen asht se dikur, ata duhet t’ ishin në rrjeten e peshkut...

Ata që nuk dijnë me notue të rrethuem në kariq nuk vlejnë, se kapen nga grepi...

Para disa vitesh pranë stacionit të trenit ishte edhe një serë ku kultivohej peshku. Unë e kam pa nga dritaria e trenit, po ma vonë më kanë tregue se aty asht kenë rritë edhe peshkaqeni... Nuk u habita aspak se Tirana gjithnjë asht kenë e mbushun me peshkaqejë madje, që edhe të kanë shkye kur ishin t’ unshem. Mbas vitit 1967 kultivimi i tyne filloi në të gjitha anët e vendit.

Sot ka aq shumë nga zogjtë e tyne sa në Shkoder, thirreshin “zojgjë ku...blash”.

Asht me u çuditë para një fakti që ngjet vetem nder Shqiptarë; as nuk mendon njeri që me kultivue dhe me i shtue delfijtë... ndoshta, nuk favorizon era e karajelit që frynë në Tiranë!

Disa ia lanë fajin qeveritarëve, se gjoja ata nuk i pelqejnë delfijtë, kanë ba e janë mësue me peshkaqejë nëper zyre e shtëpija, e nuk i bahet me i hjekë edhe prej djelmëve e vajzave të veta që kanë frikë se i ndryshojnë trashigiminë... Delfini mund ti mësojnë tjera virtyte... që nuk i pershtaten kerkesave të kohës. Sot Shqipnia asht e prirun per qeverisje peshkaqejësh!

Delfini nuk asht i prirun nga karajeli... Ai edhe knaqësinë me luejtë me fëmijë e ka kur Perëndon dielli, ndersa peshkaqejtë tanë, atëherë janë në gjoje...vetem Lindja, ua shton oreksin!

Delfini kerkon edhe kushte tjera...të cilat nuk i pershtaten as mentalitetit tonë.

Jemi mësue sot në rrjetë, neser në kariq, dikush në grep, mandej në kosh, mbasneser  dikush në tavë, dikush në gradelë...besa edhe direkt në prush, kur vinte fundi perdorej një thanje: “Edhe filanin e hangri furra...!” A janë pak prej tyne? – Jo pak! Hiqni menden nga delfini!

Shqiptarët tash 70 vjet pelqejnë me u qeverisë nga peshkaqejtë...

Edhe karajeli i këtij viti andej kah Tirana, thonë se...vazhdon me frye nga Lindja!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora