Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Për të mira Pal Neçaj!

| E premte, 21.06.2013, 06:00 PM |


Reportazh –ekskluziv-

(diçka si bashk-portret emigrantësh)

PER TË MIRA PAL NEÇAJ!

-Dhe…të pershëndes me vargjet e këngës (që kendohen në tërë trevat shqiptare) per axhen tënd të dashur: “Tahir Sokoli musteqe gjati,/ Po e merr pushka e s’po i del gjaku…”.

…!

E pra, djali i Grudës Gjergj Kalaj, do të na ftojë një natë tjetër-

-Se kush është Pal Neçaj, familja e biografia e tij, vet ai vitin që shkoi i ka thënë në një liber të titulluar “Udhë Brezash”, plot në 538 faqe. Pra, goxha faqe dhe prap i kanë mbetur shumë gjera pa thënë. Kështuqë, unë nuk po hy fare në at’ punë. Edhe ZSh-ja jonë ka shkruar per këtë liber. Veç një fjalë po ju them se: -Pali është nipi i Tahir Sokolit, të cilin kënga shumë e preferuar “Kosovë trimja po çon fjalë” na e prezenton edhe më tej se një kreshnik legjendar-

Nga Zeqir Lushaj

Si hyrje të ketij reportazhi, dua të ju kujtoj lexuesve të vëmendëshëm se kam botuar paralelisht (gjë e bëj teper rrallë), edhe në ZemraShqiptare edhe ne VOAL të Buçpapajve në Ch, me daten 11 Qershor, të marten, një vjershë të Pal Neçajt “Mergimtari plak”, të shoqruar me një foto (Unë dhe Pali), të bërë një natë para, pra të hënën në darkë, në Manhatan. E gjeta edhe veten në at’ poezi dhe ndaj e vendosa per ilustrim të ide-mesazhit që percillte Pali me ato vargje. Edhe kjo që do lexoni më poshtë, në esencë, është kjo linjë që po ju sjell në paragrafet që vijojnë si dhe fotot e ketij shkrimi modest, por ndoshta të vlefshem në moral e ide… I tillë ardhët ky shkrim edhe tek ju, të nderuar lexues të Internetit të kudondodhur, (internetit, i cili po na ben edhe neve klienteve të tij të medojmë se jemi njëkohësisht gjithkund!).

 

Te nesermen e publikimit të kësaj fotoje në ilustrim të vjershes së Palit, ai më shkruan;
I dashur Zeqir!
Ke bere nje gje shume te mire me botimin e kesaj fotografie.
Ajo, per mua, do te jesin si kujtim i paharruar. Te lumte  mendja e dora. Qofshe faqebardhe. Kurse ajo vjerrsha “Mergimtari plak”, e shkruar ne maj te 2004-se, eshte siç e kam ndije une shpirterisht, dmth, nje diçka me shume shpirterore se sa artistike.
Por sidoqofte, faleminderit shume prej teje:
-Edhe per ardhjen tuaj nga Nju Xhersi dhe qendrimin nje cope kohe sebashku, shumë të faleminderit. Deshiroj qe ta perseritim takimin tone disa here.
Jeta nuk eshte mjaftueshem e gjate, e dikur do të na pamundsohet kjo dëshirë.
Te fala familjarisht,
- Pali -   NY, 11 Qershor, 2013

-----------------
Dhe unë menjëherë i shkrova Palit:…
Faleminderit per pergjigjen.

Krejt nderimet, te pakten ne kete rast, ju takojne Juve, personalisht.
Nga ana ime jeni i nderuar dhe i falenderuar (si perherë).
                                -----------------

E pra, pse më gëzoi dhe frymëzoi një darkë me mikun e vjeter të nderuarin Pal Neçaj? Sepse, në radhë të parë Pali, hyn tek ata njerëz që nuk i thua kollaj “ jo”. Është edhe mosha e tij, me shikim kah 80-ta, që të nderon duke të ftuar në një tryeze miqsore. Po edhe tjetra bre: -si thua se, e ke mik a dashamirë një njeri me të cilin banon jo më shumë se 2 km vijë ajrore larg (NJ – NY, me lumin Hudson në mes), e kaluan kaq vjet pa u takuar? Apo jo? …Të ju them lexuesve të dashur, sidomos atyre që nuk e kanë fort idenë e Amerikes, se unë kisha mbi 20 vjet pa e takuar Pal Neçajn, megjithese jetojmë veç me një lum në mes, droj se do më qortojnë ashper. Por e verteta është e vertetë. Fol sa të duash per kapitalizmin, per jeten amerikane (secili në punë të vet), se të pakten në Shqipëri do duhet edhe shumë kohë të pertypet kjo gjë…

Unë, perpiqem në at’ kandarin tim që  t’i dua dhe vleresoj njerezit në identitetin e tyre. Çdo gje jasht  identitetit, më shqetëson, më merzitë…Ndokush edhe mund të më qykojë si konservator. E pranoj. S’më prishë asnjë punë gjykimi i një tjetërkujt rreth meje. Siç kam unë të drejtë të shkruaj e të gjykoj per të tjerët, të njejten të drejtë ua njoh plot respekt edhe të tjerëve ndaj meje…E pra, të rrishë me zotriun e nderuar Pal Neçaj do të thotë që, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale, të rikthehesh në identitet, në indentitet që sidomos ketu në dhe’ te huaj është kaq e kaq i rrezikuar! Per vet faktoret që dihen.

Pal Neçaj më gëzoi se nuk i ka harruar aspak miqt e vjeter…  -Se kush është Pal Neçaj, familja e biografia e tij, vet ai vitin që shkoi i ka thënë në një liber të titulluar “Udhë Brezash”, plot në 538 faqe. Pra goxha faqe dhe prap i kanë mbetur shumë gjera pa thënë. Kështuqë, unë nuk po hy fare në at’ punë. Edhe ZSh-ja jonë ka shkruar per këtë liber. Veç një fjalë po ju them se: -Pali është nipi i Tahir Sokolit, të cilin kenga shume e preferuar “Kosovë trimja po çon fjalë” na e prezenton edhe më tej se kreshnik legjendar: “Tahir Sokoli musteqe gjati,/ Po e merr pushka e s’po i del gjaku…”-

Në atë ndeje bëmë një freskim kujtese, sado në kohë të kufizuar, per të cilen ia di per nderë….E Pali nuk mund ta kapercejë biseden pa kujtuar miqtë e vjetër të tijët e të familjes, Isuf Abazin e Lekurtaje, Taf Avdinë e Lamnicës në Selimaj, Sadik Selmanin në Gri…, e shumë e shumë të tjerë anë e mbanë malesisë ku Pali ka qenë mesues, drejtues arsimi zone, punonjës drejtues në rreth etj etj detyra të kohës, të cilat duhet thenë se i ka kryer me nder e i ka lënë vend vetes kudo që ti shkeli kamba.

Ndonëse në zemer të Amerikës, midis Manhatanit ku jeton e punon mbi dy dekada jetë, Pali i ben zakonet si në Mserrin e tij, në Nikaj-Mertur…Ndoshta, jo per të treguar se nuk i ka harruar, por më shumë nga malli e nostalgjia e vendlindjes per të cilen kaq bukur ka shkruar në librin e tij poetik  “Ëndërren  e lashë atje”, liber nga i cili ZSh-ja jonë ka botuar jo pak cikle..

…Ndonëse në një moshë të konsiderueshme, Pali mbahet si djal i ri, dmth se, i ka hije edhe pleqeria…Bile, edhe vazhdon e punon, sigurisht që me orar të reduktuar, ama  por çdo ditë. Në mendime, më duket ai që e kam njohur dekada më parë. I qetë, i qartë, tolerant por edhe i prerë aty ku duhet në qendrimet e tij. Shpirtin poetik, si një furtune dashurie e malli per atdheun e sidomos vendlindjen e ka shprehur ne librat e tij të botuar. Edhe libri i dytë, në prozë, “Udhë Brezash”, i para pak muajsh është impresionues. E kam edhe këtë liber monografik me shenimin e autorit që per kenaqesine time por edhe të zotit Pali, të lexuesve poqëpo, po e publikoi ketu poshtë, në perberje të ketij reportazhi:

---------------------

Manhatani, si një mikeshë e shtrenjtë…! Po po, si nje mikeshë e shtrenjtë, që ndonese nga një herë “zihesh e grihesh” edhe “e shan dhe e urren” prap nuk ndahesh dot prej sajë…

Jasht  një shi i rrëmbyer. Po më duket se sa herë që dal unë në Nju Jork behet shtërngatë. (Mu kujtua takimi para pak javesh me Neki Lulajn…). Por jo. Me Nekiun isha i nxituar në kohë dhe nuk e bemë qefin ashtu si duhet. E sonte, jemi shtruar per shtat palë qefe. Meze amerike e raki Tropoje, birra të ftofta hollande e muhabete prej kahmosi…

Veranda e restorantit është e hapur. Bile disa sterpika shiu arrijnë afer nesh dhe sikur na thonë: -Hej! Bani qef se perjashta nuk dilet…!

…Autobuzë, taksi jeshile, njerëz të të gjitha ngjyrave, rracave, kombeve e kombesive të botës vrapojnë rrugëve e ndalojnë si me suste nëper semaforë…Atje, diku pak me tutje puthen buzëmëbuzë e shterngohen burra me burra e gra me gra…Shumë prej tyre fiksojnë edhe diten e martesës dhe ceremoninë në Bashki! Njerëz të lirë, Amerikë hesapi! Dikush kreh qenin që e ka shumë më të çmuar se djalin…Një tjetër të drejtohet per një adresë. Tjetri të zgjat doren dhe nen avull duhani e droge perserit refrenin e ditës e ndoshta të jetës së tij: -Me jep diçka zotri, Zoti të bekoftë, (Zoti të dhashtë, -thoshte lypësi i Migjenit tonë)…

E të gjitha këto, në të gjitha gjuhet e botës…Nesjse. Pse hyra në këtë temë sonte? Më mirë po rri brenda, në tavolinë me Palin, Gjergj Kalajn dhe Sokol Neçajn, djalin e Palit. Po bejmë sikur nuk shohim, ndiejmë  as dimë asgjë nga këto që permenda në këtë paragraf. Edhe, per të mos e nxirë realitetin, -siç druheshim kur shkruanin dikur në monizmin që e kemi lënë pas, (pas në kohë por jo sa duhet edhe aq në ide).

Sonte po mundohem të orjentohemi veç kah e mira. E mira në konceptin tonë, pra, po shohim punen tonë…

Dhe per sonte, jemi ”të punesuar” mirë.

 

Grudjani , miku i mirë i Palit, Gjergj Kalaj, i ftuar aty veç per qef, e per “me e trazue muhabetin”, na kenaqi. Eshtë jo vetem me një jetë të pasur dhe gojëtar, por ka këtu plot 44 vjet. Din shumë e kallxon bukur. Per at’herë e per tash. E unë e ngacmoj se nga Malesia e Madhe kam njohur gjithnjë njerez të mëdhenj…! Gurbetrqaret, të dashur lexues, jemi diçka si ushtarët. E dini ju që në ushtri, kush është ushtar i vjetër, don dhe kujton se gjithnjë nxjerr kunja me ushtarin e ri. Jo Gjegji, jo. Gjergji din të pershtatet edhe me te rinjtë edhe me të vjetrit ketu ne kurbet se edhe ka nje jete të ngjeshur ne komunitetin shqiptar të Amerikes.  Bashkë, dolem edhe moshatar. Jemi të një datëlindje me Gjergjin, të ’49-ës.

Por, që të mos ju lodhi edhe aq shumë sot, edhe që të mos i hyj ne hise të mikritjes zotri Palit, ketë  temë, pra “Hot e Grudë”, siç i thonë nga anet tona, do e lëmë per një ditë tjeter. Pse? Sepse, në fund të fundit, edher une edhe Gjergj Kalaj ishin të ftuar aty, dhe megjithe nderimin, të ftuarit nuk mund as duhet të “peshojnë” më randë se sa i zoti i shtëpisë.

…Edhe per një arsye tjeter, se Gjergj Kalaj eshte figurë shumë dimensionale dhe meriton një shkrim të vacantë, ndoshta-ndoshta, një portret të zgjeruar. Kohen de e gjejme, se, sa per dijeni,

Gjergj Kalaj, na tha se -do na ftojë nje natë tjetër…Le të presim, le të shohim… A thue foli rakia e fortë e Palit, apo ne, “ne burrat e mirë në shtepi të huaj”., (Kur permenda rakinë, e pata me shume fjalen per vete se Gjergji, at’ natë nuk piu alkohol, se siç tha nuk ndjehej bash në formë). Pra, edhe nese Gjergji e kundershton kete premtim per ftesë, unë fajin ia lë rakisë së Palit…që mi paska ngaterruar mbamendjet, pra edhe fjalet që po shkruaj sot!

Por jo-jo! Nuk koritet per nje darke Gjergj Kalaj, se ndryshe do e pyesim: - Je prej Malesisë së Madhe, apo e kie shtëpinë pak më poshtë…!?. Nuk lahet muhabeti i burrave me dy birra, të paguara me kredit-kartë, çka do të thotë se, rrezik-rrezik, i kemi borxh!! (Bej shaka, ose siç thone shkodranët,-qeshem se, e di që Gjergj Kalaj, të pakten në raport me mua e me zotri Palin, është në rrangun e një kapitalisti!).

…!

Ndoshta u zgjata pak. Nuk është mirë të shkruajmë gjatë edhe per faktorin ekonomik = kohë. Bubullima e Bukureshtit, apo prof Ismet Hasani nga Suedia,Gjon Neçaj në Tropojë apo deputeti  norvegjes Selim Nengurra me pushime në Istog te Pejes, Fritz Radovane në Australi, a Petrit Sokoli ne NJ, etj etj miq e lexues të mi e të ZSh-së,  rrezik kur ta lexojnë këtë reportazh të një darke shoqrore kan per të thanë “na e bëre si darken e Kadaresë!”. E pranoj. Veçse, jo “darkë e gabuar”!!

Njeriu kur ndjen kenaqesi, pa dashur, jo rrallë edhe e tepron në kallximin e saj. E sidomos ne emigrantet që jemi kaq të deshiruar të rrijmë e të shmallemi me njeri tjetrin, pra, të rrijmë e të shmallemi shqip. Ne, kurbetlinjet, të mallur per të folë, kur fillojmë me kallxue nuk keni të ndaluar. Eshtë tipar i jetes në kapitalizem, i jetës në vetmi. Mbushesh e mbushesh per të folur, e një ditë do të shperthesh, se s’ben!

Por… të mos harrojmë kryesoren e kesaj ndejtje dhe të ketij shkrimi: - PER TË MIRA PAL NEÇAJ! -Dhe se…djali i Grudës (banor i Tuzit) ,Gjergj Kalaj do të na ftojë një natë tjeter.

Ja kam borxh Palit, ne emer te krejt Nikaj-Merturit kete urim. Pse, mund të pyesi lexuesi që nuk na njeh neve dhe nuk e din mardhenien tonë? Ja kam borxh tia them një herë këtë urim “Per te mira Pal Neçaj”, jo se u ba nami me një darkë e dy gota raki në Amerikë, por, pa ekzagjerim, me mijëra herë ia kan bërë këtë urim shumë shpirtëror, tradicional e tejet të sinqertë, bashkvendesit e Palit, babait e axhallareve të mi tu Blini i Grisë ku e kalonin naten (herë me darkë e herë pa darkë), por me bujari e dashuri pa kufi, kur “sheka e drithit kushtonte sa nje dash”.

Sokol Pali - Sokol djali. Djali i Palit, i nderuari Sokol Neçaj, i kaluar të 50-at, por në at sofer ishte më i riu. Kështu që unë, edhe se e takoja thuajse per herë të parë, nuk po e konsumoj ndonjë rrefim  rreth Tij në këtë reportazh të një darke miqsore. Në fund të fundit, një ekonomist i zoti, një pedagog Universiteti, një nismëtar i dhjetëshes së parë të Dhjetorit 1990, një (ish) diplomat perfaqësues në USA…meriton diçka më shumë…

Ndoshta-ndoshta, besoj se Sokoli një ditë, do na e japi me kenaqesi një intervistë interesante per revisten tonë ZemraShqiptare…Ai ka shumë se çfarë të thotë. Do ia kerkojmë at’ mbas zgjedhjeve. Mbasi të qetësohen gjakrat. Mbase do jemi edhe ne diaspora diçka më të qetë, diçka edhe më të vlersuar. Ashtu shpresojmë.

…!

Ecim drejtë Nju Xhersit ku unë, por edhe Sokoli jetojmë në këtë shtet. Ndonese vonë dhe kemi kthyer edhe ndonje gotë, profesor Sokoli dravë mirë dhe nuk ben gabime. Por, ketu në Amerikë, edhe makina ta kallxon rrugen vet. Mjafton ti thuash se per ku je nisur!

Ora është 11 e darkës. Jam në shtepi, në 431 Oakdene Av Cliffside Park 07010 NJ dhe po mendoj se e kaluam shumë mire ketë natë mes miqesh në Manahatan.. Kështu i “raportoj” edhe gruas Sabries e cila më ka pritur jo pa merak se, unë shumë rrallë e “kaloj lumin (per NY)”.

…E, mendja kthehet si me sustë tek e nesërmja. Me të gedhirë (siç thonë nga Toska), atje në Aderson Av, në supermarketin A&P, me presin gabiqat, karrocat, shportat (baskitat), fshisa e mapa…në punen e perditëshme në mirëmbajtjen  e stores ku punoj tash 15 vjet. (Dhe, -faleminderes Zotit, që kemi gjetur punë e jetojmë me punen tonë).

Dhe per gjë ju garantoj, mqtë e mi, lexuersit e mi; -askush nuk do më pyesi se ku isha as si e kalova mbremë! Të huaj në vend të huaj. Por, kur të mungon vendi yt, mbylle gojen dhe thuaji 100 herë –faleminderit!

…!

“Amerikë i thonë ketij vendi”, është titulli i një librit tim që po punoj per të dhe ndoshta një ditë, (por jo tani shpejt), në na dhashtë Zoti leje do e shohi driten e botimit…

I falenderoj lexuesit që gjeten kohen dhe paten deshiren e durimin të më ndjekin e të më lexojnë fund e krye në këtë reportazh, me shkas, nga një darkë miqësore Shqipatare-Amerikane në NY.

Në gëzime u takofshim perherë, me shoket e miqtë poqëpo, por edhe me lexuesit tanë!

--------------

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga NY-NJ, USA,  20 qershor, 2013-