E marte, 10.12.2019, 11:47 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: A janë shqiptarët rrënjëshkulur?

E premte, 21.06.2013, 08:43 PM


Gjaku, rrënjët dhe trualli

A janë shqiptarët rrënjëshkulur?

Nga Gani MEHMETAJ

Shumica e dalmatëve, por edhe e kroatëve intelektual, më mburrje ta thonë se kanë gjak ilirë. Dalmatët e sotëm nuk duan ta pranojnë se janë ardhacak në Dalmaci, por thonë ata, janë vendës, më rrënjë të forta ilirë, të përzierë ca- më të tjerët. Të gjitha emërtimet e lumenjve, qyteteve e të katundeve i nxjerrin me rrënjë ilire. Tezën e tyre duan ta fuqizojnë me disa analiza laboratorike të ADN-së, ku ata dolën më përqindje të lartë të gjakut ilirë. Edhe në “Guidën turistike” (2012) të Dalmacisë vihet në pah se fjala Dalmaci rrjedh prej fjalës shqipe delme.

Rrënjët, gjaku dhe trualli kanë shumë rëndësi për ta.

Shkrimtari nga Mali i Zi Mirash Martinoviq ka qasje dashamirëse për antikën tonë, duke shkruar me dashuri e respekt për historinë e ilirëve dhe të mbretërve ilirë. Mrekullohet me kulturën shpirtërore e materiale, më kështjellat të cilat edhe sot e kësaj dite janë buzë detit, në Kotor, apo në qytetet e tjera deri në Ulqin. Artisti nuk duket që synon të përvetësojë të kaluarën e të tjerëve, por qëmton në këtë pasuri materiale e shpirtërore me dashuri e përkushtim. Një pjesë jo e pakët e malazezëve të sllavizuar ta thonë më mburrje se ata u takonin rrënjëve ilire, por gjatë shekujve ndryshuan kombësi. Edhe ata duan të kërkojnë rrënjët në antikë e jo tek fiset nomade që erdhën nga Karpatet.

Është po ashtu e habitshme sa këmbëngulës janë sllavët e Maqedonisë për të kërkuar të kaluarën e tyre në antikë, tek ilirët, atje ku nuk i kanë rrënjët dhe ku nuk ishin kurrë gjatë historisë.

Të skandalizon përvetësimi agresiv i kolosit ilir-dardan- Konstandinit të Madh që ia  bënë historiografia serbe, ndërsa ne i kalojmë në heshtje këto përvetësime. Edhe ata duan t’i kërkojnë rrënjët atje ku nuk i kanë, sepse të qenit fis nomad i vë në siklet.

Sllavët e Maqedonisë, duan ta përvetësojnë të kaluarën e të tjerëve, për të futur rrënjët e tyre në thellësinë e tokës, e cila kurrë më parë nuk qe e tyre. Duke përvetësuar herë një kolos, herë një tjetër, përpiqen t’ua përplasin etnisë shqiptare euforinë e mujsharit. Duke përvetësuar kulturën dhe personalitetet antike, Lekën e Madh, babanë e tij, Filipin, u ngrehin monumente gjigante të papara kund tjetër, u këndojnë himne, ua shtrembërojnë të kaluarën dhe përkatësinë, sepse e kanë pushtuar tokën e tyre. Duan të bëjnë shtetin, por mbi gënjeshtra e përvetësime.

Ne nuk ua bëmë asnjë përmendore Konstandinit të Madh apo Lekës së Madh, nuk i kujtuam në asnjë përvjetorë dhe nuk u kushtuam asnjë vepër artistike (libra, portrete, filma, monumente). Ende më keq, nuk reaguam as kur i përvetësuan të tjerët. I ndjekin këto përvetësime me gjakftohtësinë budiste, s’na bëhet vonë as sot dhe as në mot. Pavarësisht neglizhencës sonë të pafalshme, të bënë nervoz se si edhe serbët rrënjëshkulur, përpiqen të përvetësojnë Konstandinin e Madh, njërën ndër figurat më të mëdha të historisë kombëtare, i lindur në Iliri, (Nish), qytet shqiptar që para më shumë se 100 vjetësh ishte okupuar nga serbët. Beogradi organizoi simpozium, financoi projekte të kushtueshme kinematografike për personalitetin më të shquar ilir-dardan, ndërsa në Prishtinë nuk e kujtuam më asgjë. Në Tiranë u mbajt një simpozium, ku mori pjesë edhe kreu i shtetit shqiptar. Por a mjafton më kaq? Ku janë shtatorët, filmat, librat, portretet historike?

Për ne gjaku, trualli dhe rrënjët sikur s’kanë rëndësi!

Pse duam t’i shkulim rrënjët?

Ne i kemi rrënjët, e kemi të kaluarën e lavdishme, i takojmë gjakut dhe truallit ilirë, por nuk u bëjmë nderët e duhura paraardhësve tonë, apo figurave të lavdishme, nuk mburremi më ta, nuk i përjetësojmë në vepra kinematografike e letrare, i trajtojmë sikur të ishin të huaj.

Përderisa ne jemi shpërfillës ndaj të kaluarës, nuk i kërkojmë rrënjët, nuk e përfillim gjakun dhe truallin, mercenarët shqipfolës (por që nuk janë shqiptarë, kryesisht janë aziatik të vendosur në trojet shqiptare gjatë okupimit turk ), duan të na i shkulin rrënjët, të na shkëpusin nga e kaluara, t’ua falin të tjerëve truallin dhe gjakun tonë dhe të na shndërrojnë në fise nomade me çadra beduinësh. Kjo dukuri e shëmtuar është e pranishme në Kosovë dhe, tek shqiptarët etnik në Shkup e Kumanovë. Derisa mercenarët antishqiptarë punojnë në koordinim më armiqtë tanë historik që i përvetësojnë personalitetet apo historinë tonë, ashtu sikurse e pushtuan truallin tonë, pjesa më e vetëdijshme e kombit-elita  është bukur inerte, apatike, nuk shkruajnë as nuk i kujtojnë emrat e kumbueshëm të antikës, nuk e përmendin fare lavdinë e Dardanisë, Konstandinin e Madh, apo heronjtë ilirë, i shmangen festave apo traditave antike (Darka e Lamës, flamuri i Dardanisë, prodhimet antike vendëse etj). Ndërkaq, mercenarët antishqiptar e përqeshin më dashakeqësi të kaluarën, ku e ku përpiqen ta heshtin fare, sepse atë detyrë kanë- të shlyejnë historinë dhe të himnizojnë pushtuesit.

Të tretët, ata të frymës ideologjike synojnë ta pronësojnë të tashmen për interesa meskine politike, ekonomike e pushtetore, duke shpërfillur historinë, thua se çdo gjë fillon nga viti 1999 ashtu sikurse për partizanët që çdo gjë fillonte pas vitit 1945. Nga frika se mos ua zënë diellin e lavdisë emrave të luftës së fundit, i kanë lënë në harresë të tërësishme heronjtë e antikës, nuk i përmendin as në përvjetor dhe, as në hierarkinë e emrave të kumbueshëm. Si do ta plotësojnë boshllëkun dymijë vjeçar? Me zhurmë shurdhuese e tullumbace? Apo në koalicion të heshtur me mercenarët që duan t’ua shkulin rrënjët shqiptarëve?

Madhështia e mbretit Agron, mbretëreshës Teuta, Bardhylit, Dhimitër Farit, Batos, Konstandinit të Madh, Lekës së Madh, Gjergj Kastriotit, Lekë Dukagjinit, Gjin Bua Shpatës e të tjerëve nuk e zbeh asnjë personalitet të sotëm që ra në mbrojtje të atdheu.  Madhështia e personaliteteve të antikës a të mesjetës dëshmon se nuk jemi rrënjëshkulur, se jemi populli më i vjetër i Gadishullit, se kemi arsye të mburremi më të kaluarën tonë. Lavdinë e të parëve tanë duhet ta përjetësojmë më monumente-shtatore, me libra, filma artistik e dokumentar dhe më forma të tjera të shprehjes artistike.

Gjaku, trualli dhe rrënjët janë fondamenti i kombit tonë.

Historinë dymijë vjeçare po e fshijmë nga kujtesa!

Është vështirë të arsyetohet heshtja që u bëhet personalitete të fuqishme të historisë kombëtare nga antika e deri në mesjetë, është vështirë pse shpërfillen bëmat e tyre, ose pse lejohet që bëmat dhe emrat e tyre të përvetësohen nga serbët apo nga sllavët e Maqedonisë. Maqedonasit i ngritën përmendore Lekës së Madh, ndërsa ne nuk ia bëmë asnjë bust të vetëm në Prishtinë, Tetovë apo në Tiranë. Leka ishte i fisit tonë jo vetëm nga nëna (Olimbia), sikurse e paraqesin historianët, por edhe nga babai, sepse maqedonasit ishin pjesë e fiseve ilire. Sllavët erdhën më shumë se dhjetë shekuj pas bëmave të Lekës së Madh.

Serbia thuhet se dha 100 milion euro për të financuar filmin për Konstandinin e Madh, ndërsa ne nuk e bënë asnjë film dokumentar shkollor për këtë personalitet të antikës. Serbia vitin 2013 e shpalli vit të Konstandinit të Madh, ndërsa ne e heshtëm fare, si të mos kishte qenë. Ç’bëjnë institucionet e shtetit? Ku janë institucionet e shkencës?

Në vend të zgjerojmë gamen e heronjve, në vend të dalin nga dhjetëvjetëshi i fundit, sepse nuk e kemi një histori dhjetëvjeçare, ashtu sikurse duan të na e imponojnë trushkulurit, sikurse duan të na e imponojnë Lindja e Perëndimi, ne jemi mbyllur në dy-tre emra, duke i rënë vi historisë gati dymijë vjeçare.

Dardania antike ishte Kosova e sotme, por me territor dy-tre herë më të madh, ndërsa ne nuk e përmendim fare, sikur kemi frikë mos na akuzojmë për pretendime territoriale ndaj Serbisë së sotme apo Maqedonisë. Dardania antike kishte heronjtë e vet, simbolet dhe traditën, ndërsa ne u heqim vi, sepse disa qarqe duan që historia e shqiptarëve të filloj nga ata.  S’ka gazetë, s’ka televizion apo ueb- faqe që nuk shkruan me dhjetëra herë për të njëjtët emra të dhjetëvjetëshit të fundit, duke e fshirë me gomë traktori gjithë të kaluarën tonë.

Jemi popull pa rrënje? Kemi të kaluar, kemi të tashme, apo të ardhme? Sepse nëse s’kemi të kaluar, pra, nëse duam ta fshijmë historinë dymijë vjeçare, s’do të kemi as të ardhme. Sipas qëndrimit politik e institucional, apo sipas asaj që lexojmë nëpër gazeta, që shohim në televizion, ose që na e imponon literatura e pavlerë historiografike, “kosovarët” dolën në skenën historike vetëm në mileniumin e tretë!  Kjo tezë po përvijohet gjithnjë e më shumë. Po shqiptarët e Dardanisë, ku janë? I hëngër ujku!

Kujt i duhet kjo gjë? Shteteve që duan tutelë të vazhdueshme mbi ne, atyre që kanë angazhuar mercenarë shkombëtarizues, duke u përpjekur të na imponojnë ideologji të reja lindore, thua se pak e patën komunizmin. Të gjitha ideologjitë: komuniste e islamike ishin dhe janë thellësisht antishqiptare. Sa më parë ta kuptojnë këtë gjë elitat politike e pushtetore, aq më mirë për kombin tonë, ndryshe rrezikojmë të rrëshqasim në harresë, të mos jemi, ose të bëhemi territor për pazare ndërkombëtare.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT