E marte, 23.04.2024, 12:18 PM (GMT+1)

Mendime

Skënder Buçpapaj: A është 23 qershori zgjidhja?

E merkure, 19.06.2013, 07:06 PM


A ËSHTË 23 QERSHORI ZGJIDHJA?

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Të dyja palët që mëtojnë se marrin pjesë si kundërshtarë në gjoja garën konkurruese të 23 qershorit e shpallin këtë datë të së njëjtës rëndësi me 22 Marsin 1992, datën kur pritej rrëzimi i komunizimit dhe kur filloi tranzicioni postkomunist i Republikës së Shqipërisë, mirëfilli tranzicioni që ia zgjati jetën komunizmit në këtë vend.

Nga njëra palë 22 Marsi 1992 trumbetohet si precedent i triumfit të qeverisjes aktuale, nga tjetra palë trumbetohet si precedent i përmbysjes së sistemit farsë tranzicionist 23 vjeçar.

Ndryshimi midis 22 Marsit 1992 dhe datave pasuese të zgjedhjeve të mbajtura në Republikën e Shqipërisë, në nivel qendror apo lokal, si dhe i dy referendumeve që janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe është se 22 Marsi 1992, pavarësisht frytit që dha, ishte zgjedhje, ndërsa të gjitha datat pasardhëse ishin farsë.

Pa zgjedhje, nuk ka zgjidhje. Farsat nuk janë zgjidhje, nuk janë pjesë e zgjidhjes. Farsat janë problemi, janë pjesa e problemit. Edhe për 23 qershorin gjasat më të mëdha, pritjet më të mëdha, parashikimet e vëzhguesve dhe interpretuesve më seriozë të realitetit të fushatës shumëmujore që i paraprin kësaj date, janë se kjo datë do të jetë pjesë e problemit dhe nuk do të jetë pjesë e zgjidhjes.

Dukuria më masive e ditës në Republikën e Shqipërisë është tashmë shitblerja e votave. Ky është alarmi kryesor që japin faktorët perëndimorë të interesuar për mbarëvajtën e fushatës dhe për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian. Njerëz me përparëset me xhepa të fryrë si ato të fatorinove iu shfaqen tek dyert qytetarëve të varfër, për t'ua blerë votën. Edhe vetë palët pjesëmarrëse në fushatë e akuzojnë njëra-tjetrën për këtë dukuri.

Është e ditur se terreni është ai që e vendos fitimtarin. Në një kuptim, kënaqësia ose pakënaqësia e qytetarëve, familjeve, si rezultat i përmbushjes së projekteve të tyre ose rrënimit të këtyre projekteve, është faktori që vendos se kujt t'ia japë votën qytetari i Republikës së Shqipërisë. Turmat që e vllaçitin vendin, buja mediatike nuk i hyjnë në vesh as në sy askujt. As interpretimet e opinionisëve, të cilëve iu mungojnë vetëm lahutat, çiftelitë, klarinetat, gajdet, zurnatë dhe tupanat në krahasim me trupat e këngëtarëve dhe kërcimtarëve që i shoqërojnë ekipet e shtabeve të panumërta zgjedhore.

Luksi i fushatës është marramendës dhe lëbyrës, tejet në kontrast me realitetin në terren. Duke qenë të gjithë bashkëpërgjegjës, askush, si deri më sot, nuk do të japë llogari për këtë shfrenim të tërbuar.

Fushatat zgjedhore, në çfarëdo niveli, në vendet demokratike janë fushata të premtimeve, të platformave, të projekteve të mëdha e të vogla për të ardhmen, por janë, para së gjithash, fushata të dhënies llogari për dështimet, për mospërmbushjet. Dhënia llogari fillon tek strukturat e partive në bazë, tek simpatizanti më i largët e më i rëndomtë, deri tek kreu i një force politike. Kur partitë hyjnë në fushatë, ato e kanë shkundur veten prej të gjitha dobësive dhe mangësive të një mandati dhe i paraqiten zgjedhësit të vet e popullit të vet me një frymë sa më të re. Pa ndryshuar veten, një forcë politike nuk mund ta ndryshojë vendin dhe shoqërinë. Pa e ndryshuar veten, një klasë politike nuk ka se si të ndryshojë vendin dhe shoqërinë. Për më tepër, kur ndryshimet në kreun, në forcat politike, në klasën politike, janë vetëm në drejtim negativ, është e ditur se çka mund të pritet prej tyre nga vendi dhe shoqëria.

Duke u rikthyer tek fillimi i këtij shkrimi, sa reale apo sa e gabuar është qasja e 23 Qershorit 2013 me 22 Marsin 1993, kjo do të merret vesh si gjatë së dielës së ardhshme, pra ditës së votimeve, por sidomos të nesërmen e kësaj date, më 24 qershor 2013.

Ne protagonistët e 22 Marsit 1992 e mbajmë mend këtë datë të zgjedhjeve të ketë qenë shumë më e ndryshme se 21 marsi i atij viti. Qytetarët kishin shkarkuar tashmë makthin e muajve, javëve, ditëve, orëve, minutave, sekondave aq të tensionuara paraprirëse dhe ishin të vendosur, të qartë, të kthjellët në përcaktimin e tyre për dhënien e votës. Në një pjesëmarrje tejet masive, me rreth tri të katërtat e votave të tij, populli, sovrani, jepte verdiktin për përmbysjen e komunizmit. Verdikt tashmë përfundimisht i sabotuar.

Krejtësisht ndryshe nga 22 Marsi 1992 ishte e nesërmja, 23 marsi 1992. Shpresa dhe besimi i kishte përtërirë njerëzit që dilnin nga një dimër i gjatë parazgjedhor dhe zgjedhor, pa drita, pa ngrohje, pa qetësi. I njihje dhe nuk i njihje dot njerëzit e një dite më parë, të një jave më parë. E njihje dhe nuk e njihje dot veten tënde të një dite më parë apo të një jave më parë.

Goditja paraprake ndaj 23 qershorit 2013 është mospjesëmarrja e elitës shqiptare në debatin zgjedhor. Elita shqiptare, ajo që është e distancuar nga partitë, do të kishte fjalën kryesore llogarikërkuese ndaj çdo force politike, pushtetare apo opozitare, ndaj atyre që ikin apo atyre që vijnë. Elita, ekspertët, ata që bëjnë analiza dhe nxjerrin konkluzione, ata që nuk lëshojnë thjeshtë fjalë, por argumente dhe vetëm argumente, janë njerëzit që mund të kërkojnë llogari jo vetëm për të shkuarën e politikës në pushtet apo në opozitë, por edhe për të ardhmen e premtuar nga politika. Këtu qëndron edhe ndryshimi thelbësor mes 23 qershorit 2013 dhe 22 Marsit 1992. Elita tashmë ose është bërë joekzistuese ose është bërë vetëjoekzistuese.

Goditja vendimtare ndaj 23 qershorit 2013 do të ishte mospjesëmarrja e qytetarëve në votime. Në qoftë se qytetarët nuk do të marrin pjesë masivisht në votime, atëherë politika do të jetë ajo që do të dalë pa u lagur si këto 21 vite që e pasojnë 22 Marsin 1992, ndërsa populli do të mbetet në shiun, breshërin, borën e 21 viteve të ardhshme, tashmë të post-tranzicionit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora