E premte, 29.03.2024, 06:17 AM (GMT)

Kulturë

Halil Haxhosaj: “Burri i gruas sime”

E merkure, 19.06.2013, 07:00 PM


ANALIZË E PREMIERËS

MARRËDHËNIET BASHKËSHORTORE BIGAMIE, INTRIGA NË KOMEDI

Miro Gavran: “Burri i gruas sime”, komedi, regjia Flamur Hysenit, regjisor nga Ferizaj, interpretuar nga trupa e Teatrit Profesional të Gjakovës.

Nga Halil HAXHOSAJ

Edhe kësaj radhe Teatri Profesional i Gjakovës shfaqi komedinë me tekst të një autori të huaj. Kjo gjë kohëve të fund është bërë dukuri, jo vetëm e këtij teatri, por pothuajse e të gjitha teatrove tona në Kosovë, por pse jo edhe në Shqipëri, Shkup, e tjerë. Shumica e këtyre teatrove, e sidomos e regjisorëve këtë e arsyetojnë duke thënë se mungojnë tekstet e dramaturgjisë origjinale shqiptare. Mbase, ky disi është një arsyetim sa për sy e faqe, sepse edhe tekstet e autorëve të huaj, që merren për t’u përgatitur e shfaqur në skenat e teatrove tona, janë të shkrimtarëve dhe të krijuesve pak të njohur të letërsive prej nga vijnë.

Andaj, ky teatër, pra Teatri Profesional i Gjakovës, brenda vetëm një muaji e dha edhe premierën e dytë, komedinë “Burri i gruas sime”, të autorit kroat Miro Gavran, në regji të Fatmir Hysenit regjisor nga Ferizaj me asistente regjie Rushe Berisha, ku disi e përmbushi boshësinë e shfaqjeve të repertorit të tij. Dhe mirë u bë, sepse për publikun e Gjakovës “e prishi” atë bosh që dominonte këtu. Trupa e këtij teatri u “ndie e gjallë” edhe pse me numër të vogël aktorësh të përfshirë në këtë projekt teatror. Por edhe kështu është mirë, edhe kështu puna merr drejtimin e duhur dhe del në breg mosfunksionimi dhe neglizhenca e atyre që duhet të kujdesen për dinamikën dhe funksionimin e këtij teatri.

Teksti dhe koncepti regjisorial

Në këtë premierë u angazhuan nga regjisori, Fatmir Hyseni, tre aktorë të gjeneratës së vjetër të këtij teatri dhe sonte në dërrasat e skenës ata ballafaquan përvojën dhe konceptin regjisorial të regjisorit, i cili për këtë projekt teatror angazhoi aktorët: Jahja Shehu, Ahmet Bakija dhe Muradije Muriqi, ku secili prej tyre ka një bagazh të madh interpretimesh të roleve në këtë teatër. Nëse shikohet nga fillimi, përzgjedhja duket e mirë, por kur shikohet interpretimi i këtyre aktorëve në rolet e kaluara, atëherë lind diçka tjetër. Mbase, secili prej këtyre tre aktorëve nuk e kanë fah të vetin interpretimin e roleve të ashtuquajtura humoristike, por talentin e tyre e kanë shprehur në role të zhanreve të tjera dramatike. Mbase këtë ka mundur ta kishte parasysh edhe regjisori me rastin e angazhimit të tyre.

Teksti i kësaj komedie të Miro Gavranit nuk është aq i shtresuar nëpër mekanizma figurash, por shtrihet në intrigën paksa më bashkëkohore të gjendjes së një gruaje, Evës, e cila ka dy burra, por vetëm një me kurorë, apo legjitim, Lekën, tjetrin pa kurorë, Tonin, por edhe disa të tjerë dashnorë, si Nikollën e ndonjë tjetër. Kjo bigami e kësaj femre është paksa e çuditshme për shkak të moshës së saj, moshës të burrave të saj mbi gjashtëdhjetë vjeçare e me siguri edhe të dashnorëve të tjerë të saj. Kështu, ky konflikt dramatik duhet të zhvillohet në komedi, sipas konceptit të regjisorit F. Hyseni, dhe të intrigojë edhe me bashkëkohoren, apo deri diku të injorojë atë, duke e pasqyruar edhe të sotmen e njerëzimit që koordinohet në marrëdhëniet shoqërore edhe me të drejtat e njeriut të parashtruara me ligje, pse jo edhe me nene kushtetuese të shteteve, besa edhe të Kosovës. Këtë e paraqet si intrigë regjisori në bisedimet në mes Tonit dhe Lekës, të cilët disi shprehin elementet të “gey”, sepse kështu intrigohet edhe shtrirja e konceptit regjisorial në ambientin e lokalizuar të qyteteve të Gjakovës dhe Durrësit. Duke e vendosur ngjarjen në këtë relacion, komedia “Burri i gruas sime” fiton elemente lokale, pse jo edhe shqiptare në këtë kohë dhe në këtë hapësirë. Ky është leximi i tekstit të kësaj komedie të Gavranit nga regjisori Fatmir Hyseni. Dhe për ta ambientuar edhe më mirë këtë regjisori i nxjerr edhe burrat e Evës, Lekën nga Gjakova dhe Tonin nga Durrësi, pasqyrime të jetës dhe marrëdhënieve bashkëshortore të gjakovarit me gruan e tij dhe të durrsakut me të tijën. Kjo vërehet edhe me ndonjë shprehje “batutë” të të folmeve karakteristike të tyre e sidomos të gjakovarishtes. Pasqyrimi i këtillë shpesh dilte paksa tjetër, e pse jo edhe i improvizuar apo i tejthekësuar nga Leka i Ahmet Bakisë, sa që kalonte me batuta me elemente interpretimi imitues. Ky ishte teksti i regjisorit Fatmir Hyseni të lexuar nga teksti i komedisë “Burri i gruas sime” të autorit Miro Gavran në natën e premierës.

Rolet, interpretimi dhe shtrirja e tipareve të tyre

Ngjarja e kësaj komedie të inskenuar nga regjisori Fatmir Hyseni, u zhvillua kryesisht në skenë, edhe pse njëherë pati një shpërfaqje edhe në paraskenë me paraqitjen e Evës, Muradije Muriqit, me efekte dritash si element përkujtues.

Aktori Jahja Shehu e interpretoi rolin e Tonit në komedinë “Burri i gruas sime”. Përvoja interpretuese e këtij aktori doli në shesh edhe sonte në natën e kësaj premiere. Ky aktor ka një numër të madh interpretimesh të roleve në dërrasat e këtij teatri, e madje edhe të roleve të tjera në film e tjerë. Duke pasur këtë bagazh të madh rolesh, edhe sonte në natën e kësaj premiere u pa kjo begati. Ky aktor e qiti në shesh përvojën e tij dhe disi e shpëtoi kjo aftësi në interpretimin e sontem. Kjo vërehej, madje, në disa momente me lëvizjet skenike, aktoreske e të tjera, që funksionalizoheshin në njërën anë dhe kurorëzoheshim artistikisht e figurativisht në interpretim, në anën tjetër. Edhe në diksionin e gjuhës e të shprehjes skenike vërehej ky element. Andaj, roli i Tonit, interpretuar nga ky aktor ishte ai që ishte dhe që u pa nga publiku në natën e premierës.

Leka, interpretuar nga Ahmet Bakija, ishte një rol i tipizuar, i ambientuar dhe i lokalizuar të një burri gjakovar. Dhe këtë me siguri e pati qëllim kryesor në interpretimin e vet edhe ky aktor në natën e premierës. Por kjo nuk doli aq e brumosur sonte, sepse shpesh, madje në momentet më kyçe, interpretimi i këtij aktori mungonte dhe kalonte në imitim apo interpretim paksa estradesk. Këtë e vërente edhe publiku, i cili reagonte me ndonjë shprehje reagimi spontanisht. Edhe gjuha e shtruarjes interpretative tek ky aktor ishte në njëtrajtshmëri paksa të mbetur në horizontalen interpretuese të fahut të tij. Por, Ahmet Bakija, interpretoi rolin e besuar në suazat e leximit të figurës së Lekës në këtë komedi të strukturuar nga ana e regjisorit.

Muradije Muriqi interpretoi rolin e Evës, gruas e cila në një formë ishte qendër e konfliktit të komedisë. Roli i Evës nuk shfaqet si funksionim interpretimi nga fillimi i komedisë, por paraqitet më vonë. Paraqitja e kësaj aktoreje me figurën e Evës në skenë, fatmirësisht e dinamizon rrjedhën dramatike të komedisë, duke i dhënë rrjedhën e dinamikës dhe shtrimit të konfliktit artistik. Figura e Evës, disi e thyen deri diku njëtrajtshmërinë e rrjedhës që kishte marrë komedia deri në këto qaste, që mëtonte të kalonte në ngadalësim dhe rrjedhë të njëtrajtshme. Aktorja Muradije Muriqi me Evën e saj sjell atë që duhej të ishte intriga kryesore, por edhe dominuese sonte në rrjedhën dhe konfliktin e komedisë. Dhe kjo erdhi. Eva doli sheshit nga “strehimorja” e fshehur krijuese e artistike dhe u shfaq realisht, por edhe intrigisht në skenë. Edhe figura fizike e saj përkoi me atmosferën, peizazhin, skenën e skenografinë dhe pasqyrimin fizik e psikik të saj. Dhje kjo u shfaq mirë në skenë edhe strukturalisht. Interpretimi i rolit të Evës nga aktorja Muradije Muriqi, kaloi lehtë, pa ndonjë teprim as ndonjë gjest imitues dhe shkaktoi një lëvizje në skenë. Këtë, kjo aktore, e plotësoi bukur me gjuhën skenike që ishte mirë e shtruar nga diksioni, niveli i tonalitetit dhe rrjedha dramatike. Por ndonjëherë disi hetohej ndonjë mosfunksionim i efektshëm i transferimit të zërit e gjuhës nga një gjendje (vajit) në tjetrën (të qeshurit) e të tjera.

Por, shikuar në tërësi, Muradije Muriqi e interpretoi mirë në natën e premierës rolin e Evës në komedinë “Burri i gruas sime” të Miro Gavranit.

Thënë në përgjithësi, interpretimi i roleve nga këta aktorë në natën e premierës, disi përkoi me konceptin regjisorial si dhe me shtrirjen konceptuare të kësaj komedie në tërësinë e saj.

Skenografia, kostumet, muzika dhe dritat

Pjesa më e veçantë e premierës së kësaj komedie është padyshim skenografia e Petrit Bakallit, e cila ishte funksionale dhe e lehtë, e pangarkuar dhe domethënëse. Ajo shfaqej suksesshëm nga të gjitha këndet e skenës, i funksiononte ato, i shfaqte, por e dhe i kombinonte aq sa duhej në tërësinë e kuadrit të konceptuar. Duke bërë edhe bashkëveprimin e ngjyrave të skenografisë pa ndonjë ngarkesë të tepruar, shtresohej pamja vizuale dhe bashkëvepronte mirë edhe me kostumografinë e aktorëve. Ky bashkëveprim dhe funksionalizimi artistik i skenografisë së Petrit Bakallit ishin anët më të suksesshme në premierën e komedisë “Burri i gruas sime” të Miro Gavranit.

Ndërkaq muzika e kompozitorit Ardi Islami u akordua me konceptin e regjisorit të komedisë, duke u bërë funksionale dhe duke marrë rolin e rëndësinë aq sa i takonte pa ndonjë teprim apo anë tjetër.

Dritat dhe efekti i tyre të realizuara nga Nafi Baraku, kishin shtrirje njëdimensionale, apo thënë ndryshme në veprim total pa ndonjë efekt tjetër. Kjo ndodhi vetëm njëherë me rastin e skenës së Evës që funksionoi si efekt tjetër i dritave. Kjo është bërë kështu sepse, ndoshta, vet koncepti regjisorial i komedisë nuk ka pasur kërkesa për ndonjë shtrirje tjetër të efekteve të dritave sonte në premierën e komedisë së shfaqur.

Dhe në fund mund të konstatohet se edhe pse për shkak të të gjitha këtyre mosfuksionimeve dhe sukseseve jo të mjaftueshme, megjithatë premiera e kësaj komedie në Teatrin Profesionist të Gjakovës e ka rolin dhe rëndësinë e vet në këtë kohë dhe në këtë hapësirë.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora