E shtune, 20.04.2024, 06:04 AM (GMT+1)

Mendime » Graciani

Deo Graciani: Behxhet Jashari dhe Turqia “moderne” e Erdoganit

E marte, 18.06.2013, 05:04 PM


Behxhet Jashari dhe Turqia “moderne” e Erdoganit

Nga Deo Graciani

Ka disa kohë, që Behxhet Jashari, një nga të ashtuquajturit “intelektualë” islamikë të Maqedonisë, po ndjek me shqetësim të madh ngjarjet që po ndodhin në Republikën e Turqisë. Sikur të mos mjaftonte gjithë kjo vëmendje e tij për situatën në Turqi, Behxheti si islamik “i devotshëm” që është, e ka ndjerë për detyrë që t’i dalë në mbrojtje “vëllait” të tij të gjakut, Erdogan Fatihut, i cili po përpiqet të rikthejë edhe një herë pas gati 100 vitesh, madhështinë e kalifatit të dikurshëm osman, që për 500 vite rresht e verboi botën me “shkëlqimin” e qytetërimit islamik.   

Duke mos dashur të merrem me analizën psikohistorike të shtresëzimeve osmano-islamike të Behxhetit, që ushqejnë botëkuptimin e tij regresiv, do të përmend shkurtimisht disa të pavërteta që ai thotë në lidhje me situatën e sotme në Turqi dhe Erdogan Fatihun, që sipas tij na qenka prototipi i njeriut që ka “modernizuar” Turqinë.

Shteti turk, që nga krijimi i tij para pothuajse një shekulli ka kaluar nëpër disa faza delikate që në njëfarë mënyre kanë formësuar identitetin e tij “modern.” Edhe ajo pakëz Turqi “moderne” që ekziston sot, është meritë e një shqiptari, me emrin Kemal Ataturk, që e nxori Turqinë nga haléja osmano-islamike, dhe u përpoq ta bënte pjesë të botës së zhvilluar. Turqit, asnjëherë nuk do të kishin krijuar shtet sikur të bazoheshin mbi ligjet e sheriatit, por do të ishin shpërbërë me kohë. Fatmirësisht për ta, në një moment kritik, doli në skenë një udhëheqës largpamës si Ataturku, i cili zëvendësoi ligjet arkaike islamike me ligjet e botës së qytetëruar. Por Ataturku nuk jeton më, dhe si rrjedhojë edhe idealet e tij filluan të zbeheshin pak e nga pak duke filluar që nga mesi i shekullit XX.   

Megjithëse Ataturku bëri ndryshime të mëdha në çdo aspekt të shoqërisë turke që nxitën zhvillimin e saj, përkrahës të halésë së dikurshme osmane kishte akoma në zona të ndryshme të Turqisë dhe në shtresa të ndryshme të popullsisë, por çuditërisht, ithtarët më të zjarrtë të kësaj haléje edhe sot e kësaj dite i gjen me bollëk në rradhët e islamikëve shqiptarë dhe shqipfolës të Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë, të cilët vajtojnë papushim mbylljen e halésë osmane, dhe shpresojnë e luten që ajo një ditë të ringrihet përsëri si feniksi, dhe të përhapë nëpër botë si dikur, kundërmimin e parezistueshëm të “qytetërimit” osmano-islamik. Një nga këta nostalgjikë, që ndien mall për këtë ish-halé madhështore, është edhe Behxhet Jashari, një intelektual islamik shqipfolës nga Maqedonia.

Behxheti, si një islamik i zjarrtë që është, e lartëson Erdoganin, edhe ky islamik i zjarrtë si Behxheti, duke e quajtur si njeriun që po e drejton Turqinë drejt një zhvillimi dhe progresi të paparë ekonomik, një progres që rivalizon vendet më të zhvilluara të botës.

Behxheti në shkrimin e tij bombastik arrin deri aty sa të akuzojë Bashkimin Evropian se ka mashtruar Turqinë në lidhje me anëtarësimin e saj në këtë union. Në fakt, është krejt e kundërta. Mosanëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian, ka të bëjë me mosplotësimin nga ana e Turqisë të kërkesave themelore që lidhen me këtë anëtarësim. Dhe faji kryesor bie mbi Erdoganin e sotëm, dhe ata që qeverisën përpara tij. Bashkimi Evropian nuk është i përsosur, por gjithashtu nuk është i tillë sa të anëtarësojë vende që nuk respektojnë as minimalisht të drejtat dhe liritë e individit. Dhe kur bëhet fjalë për të drejtat dhe liritë e individit, Turqia është pothuajse e fundit. Pra, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk varet vetem nga ekonomia e një shteti, siç pretendon Behxheti, por nga politikat e brendshme dhe të jashtme të atij shteti, trajtimi i minoriteteve, marrëdhëniet me opozitën dhe respekti i lirive të individit. Fakti që Turqia nuk është anëtarësuar në BE, nuk ka të bëjë as me përkatësinë fetare të shtetit turk. Behxheti nuk arrin të kuptojë se anëtarësimi nuk mund të bëhet pa u vëzhguar sadopak qëllimet dhe politikat e një qeverie. Deklarimi i politikave të caktuara dhe zbatimi i tyre janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Për t’u bërë pjesë e botës së qytetëruar, qeveria turke duhet të kërkojë fillimisht falje publike për gjenocidin armen. Gjatë këtij gjenocidi u masakruan disa miliona armenë. Pas kësaj duhet të kërkojë falje për gjenocidin kundër popujve të Ballkanit dhe veçanërisht t’i kërkojë falje shqiptarëve, për masakrimin e dhjetëra miliona shqiptarëve, dhe dëbimin e miliona të tjerëve nga trojet e tyre.

Përveç kësaj, qeveria turke duhet të ndalë dhunën e vazhdueshme ndaj qytetarëve turq dhe të respektojë të drejtat e njeriut. Behxheti ose nuk është i mirëinformuar për gjendjen e të drejtave të njeriut në Turqi ose bën sikur nuk di gjë. Unë mendoj se është kjo e fundit sepse duket qartë nga gjuha banale që përdor Behxheti kur etiketon protestuesit turq, të cilët i quan “pijanecë dhe kurvarë laikë, që ndotin rrugët e Taksimit dhe xhamitë aty përreth - e me këpucë dhe birra në dorë futën nëpër xhami, duke shkaktuar kaos.” Nuk është koinçidence që të njëjtat fjalë, i tha një ditë më përpara edhe Erdogani, “vëllai” siamez i Behxhetit. Fatkeqësisht, për Erdoganin dhe për Behxhetin, ishte vetë imami i xhamisë që përmendi Erdogani, i cili e përgënjeshtroi atë. Paturpësia e Erdoganit që deklaron gënjeshtra të tilla, dhe paftyrësia e Behxhet Jasharit që përsërit të njëjtat gënjeshtra, janë shenjat e asaj që përkufizohet si ‘solidaritet islamik.’ Në praktikën e ‘solidarietit islamik,’ flliqësisë dhe pastërtisë, gënjeshtrës dhe të vërtetës, të mirës dhe të keqes, i jepet e njëjta vlerë, për hir të idealeve të njëjta islamike që ndajnë të solidarizuarit.

Erdogani me sjelljen e tij, e ka deklaruar haptazi se nuk është i interesuar të anëtarësojë Turqinë në BE, por të ringrejë edhe një herë kalifatin neo-otoman, ku Turqia të jetë qendra, dhe koka e kalifatit të jetë Erdogan Fatihu. Fatkeqësisht, edhe këtë progres ekonomik që Turqia ka arritur me kaq mund, sidomos këta 10 vitet e fundit, Erdogani ka vendosur ta sakrifikojë për hir të krijimit të kalifatit islamik. Ai e ka deklaruar edhe publikisht kur ishte kryebashkiak i Stambollit dhe vazhdon ta deklarojë edhe sot, se ka ndërmend ta kthejë Turqinë në një vend islamik. Pikërisht nga këto deklarata që pati bërë në të kaluarën, Erdogani u arrestua për nxitjen e ekstremizmit islamik.

Behxheti, ashtu si edhe Erdogani, e shumë të tjerë që ndajnë idealet e Fanarit të Buharës, nuk kuptojnë, se shumë turqve nuk u intereson haléja neo-otomane, por duan të jetojnë në paqe dhe të lirë, larg nga humbëtira islamike. Turqia e këtyre dekadave të fundit në aspektin e të drejtave njerëzore, ngjason me vendet akoma të pazhvilluara të botës së tretë. Erdogani nuk ka bërë asnjë përmirësim në këtë fushë, dhe madje e ka përkeqësuar atë. Si mundet që Turqia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian kur në burgjet turke, njerëzit dhunohen e torturohen sikur të ishin në Iran! Minoritetet trajtohen si qytetarë të dorës së tretë. Raportet e Amnesty International mbi Turqinë për vitin 2002 e më pas janë shokuese. Dhuna seksuale dhe torturat ndaj grave dhe vajzave të reja të marra në pyetje nga policia ose të arrestuara, të kujton haremet e dikurshme islamike ku femrat dhunoheshin sistematikisht. Dhuna e vazhdueshme sadiste ndaj qytetarëve turq, femra dhe meshkuj, dhe veçanërisht ndaj minoriteve kurde dhe alevite, është vetëm një nga arsyet që Turqia nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Madje Bashkimi Evropian, së fundmi, paraqiti edhe një rezolutë ku kritikohet dhuna ndaj qytetarëve turq gjatë protestave në qytete të ndryshme të Turqisë. Edhe zyrtarët amerikanë shprehën kritikat e tyre ndaj dhunës policore turke. Reagimi i  Erdoganit ishte se “ne nuk do t’i njohim vendimet e parlamentit të Bashkimit Evropian.” “Kush mendoni se jeni që merrni vendime të tilla,” shtoi ai. Është interesante hipokrizia e Erdoganit ndaj Bashkimit Evropian, kur ai vazhdimisht ka kërkuar që Bashkimi Evropian të ndërhynte në Siri, dhe në këtë rast ishte i gatshëm të zbatonte çdo lloj rezolute apo vendimi të Bashkimit Evropian në lidhje me gjendjen në Siri, por kur është puna për dhunën ndaj qytetarëve të vet, ai nuk i pranon udhëzimet e Bashkimit Evropian. 

Një tjetër arsye, është lufta që Erdogani u ka shpallur mediave të lira. Gjendja e mediave në Turqi, krahasohet me atë të Kinës dhe Iranit. Madje numri i gazetarëve që dergjen në burgjet turke, është më i më lartë se në Iran dhe Kinë. Erdogani ka vendosur të zhdukë çdo lloj opozite.

Reagimi i policisë ndaj protestave të kohëve të fundit ishte tepër i dhunshëm dhe rezultoi në vdekjen e disa qytetarëve, verbimin e disa dhjetëra të tjerëve nga plumbat e gomës, plagosjen, gjymtimin dhe arrestimin e gati 10mijë vetave. Jo vetëm që shumë qytetarë janë arrestuar dhe keqtrajtuar, por është arritur deri aty sa të mos lejoheshin as doktorët që t’i mjekojnë, por edhe doktorët janë arrestuar. Ky nuk është shtet evropian dhe as shtet i qytetëruar, por një shtet me tipare islamike diktatoriale, ku njerëzit keqtrajtohen sistematikisht sepse nuk pranojnë një sundim otomano-islamik. Vitin e kaluar, mediat zbuluan përdhunimet sistematike të të rinjve nga moshat 13-17 në burgjet për minorenë http://www.guardian.co.uk/global-development-professionals-network/2013/jun/10/turkey-history-sexual-violence. Gazeta turke Dickle News raportoi për dhunën dhe torturat në burgun Pozanti ku mbaheshin minorenët. Ata ishin abuzuar nga rojet, policia dhe ushtarët, dhe nuk u ishte lejuar ndihma mjekësore, por përkundrazi, pas torturave dhe abuzimeve ishin varur me kokëposhtë nga unazat metalike të tabelave të basketbollit. Pas zbulimit të këtij krimi makabër, fëmijët u dërguan nëpër burgje të tjera. Qeveria turke, në vend që t’i falënderonte gazetarët që zbuluan këtë krim, i arrestoi ata duke i akuzuar se ishin të lidhur me organizata kurde.

Sjellja diktatoriale e Erdoganit i cili kontrollon pothuajse çdo institucion përfshirë gjykatat dhe mediat, ka kapërcyer kufijtë e paligjshmërisë. Ai është shkaktari kryesor i protestave në Turqi. Protestat filluan kur policia sulmoi disa grupe ambientaliste që po qëndronin paqësisht në parkun Gezi, në formë protestë ndaj vendimit për prishjen e parkut. Erdogani kishte dhënë urdhër që të shkatërrohej parku Gezi në Stamboll, si pjesë e një “projekti” më të gjerë për përmirësimin e sistemit urban. Por projekti i vërtetë nuk ka lidhje me përmirësimin e infrastrukturës, por me zëvendësimin e qëllimshëm të simboleve të Republikës së Turqisë Kemaliste me simbole neo-otomane dhe salafiste. Plani “urbanistik” i Erdoganit përfshin rindërtimin e kazermave ushtarake të periudhës otomane dhe shkatërrimin e qendrës historike kulturore Ataturk. Qeveria e Erdoganit ka bërë prej kohësh deklarata të dyshimta dhe kontradiktore mbi projektin, dhe këto kanë rritur irritimin e popullatës, e cila kundërshton zëvendësimin e parkut të gjelbër të qytetit me ndërtime prej betoni. Turqia është në grahmat e fundit të lirisë, dhe pakënaqësia popullore është në rritje. Ligjet e miratuara kohët e fundit nga qeveria e Erdoganit kanë kufizuar në maksimum të drejtat dhe liritë e qytetarëve turq. Ky është Erdogani që ka “modernizuar” Turqinë. Një ekstremist islamik që çdo ditë përsërit përpara mediave se “shekullarizmi është një gënjeshtër.” Ndërsa, mjerani Behxhet Jashari, i cili edhe vetë e urren sistemin shekullar evropian, akuzon Bashkimin Evropian që nuk e pranon Turqinë si anëtare të tij.   

Dhuna e autoriteve turke ndaj qytetarëve, i ka trembur investitorët e huaj, të cilët kanë vënë re se Erdogani po shfaq nga dita në ditë një paqendrueshmëri mendore edhe në daljet e tij publike, ku pothuajse gjithmonë flet në vetën e parë, unë, unë dhe vetëm unë, deputeti im, ministri im, policia ime, partia ime, qeveria ime, etj. Pra kemi të bëjmë me një njeri autoritar, i cili ka arritur tashmë të burgosë pothuajse çdo kundërshtar të tij politik. Ky njeri rrezikon ta destabilizojë plotësisht Turqinë, duke nxitur edhe përplasje civile. Nga ana tjetër, së bashku me fundosjen e të drejtave civile po fundoset edhe ekonomia turke që ka pësuar rënie nga viti i kaluar, dhe borxhi i jashtëm është rritur 162%

http://www.hurriyetdailynews.com/turkeys-imf-debt-to-be-paid-off-foreign-debt-stock-still-on-increase.aspx?pageID=238&nid=46647.

Në këtë përballje midis lirisë dhe skllavërisë, demokracisë dhe diktaturës, që po zhvillohet sot në Turqi, intelektuali islamiko-shqipfolës Behxhet Jashari thotë se “Gezi parku ishte epiqendër e Perandorisë Osmane prej ku sundohej në më shumë vise të botës.” Në mendjen e tij, ai e shikon si domosdoshmëri që ky park të rikthehet në “gjendjen e mëparshme,” që të “sundojë” edhe një herë shumë vise të botës. Behxhet mjerani harron se sot jemi në shekullin XXI. Fizikisht, Behxheti ndodhet në vitin 2013, ndërsa mendja e tij në vitin 1434 të kalendarit islamik. Në imagjinatën e tij, Behxheti do të dëshironte që të gjendej edhe fizikisht në vitin 1434, kur kalifati osman “ndriçonte shumë vise të botës me dritën e qytëtërimit islamik” dhe vëllezërit e tij siamezë endeshin nëpër Ballkan duke përhapur “kulturën” e tyre në një botë që endej në padije. Pamundësinë e të qënit fizikisht në vitin 1434, Behxheti mund ta kompensojë me një vizitë në Kosovë tek varri i sulltan Mehmetit dhe në Prishtinë tek xhamia e Fatihut. Aty do të gjejë mjaft “vëllezër” të tjerë që si ai, ndjehen më pranë fizikisht dhe shpirtërisht realitetit të vitit 1434.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora