E shtune, 20.04.2024, 01:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Punon Shabani dhe ha Karemani

E marte, 18.06.2013, 06:08 PM


Punon Shabani dhe ha  Karemani ?!!!

(esse)

Nga  Përparim Hysi

Ky është një proverb myzeqar që, sado  është si një përgjithësim historik, ja tek më erdhi sot ndërmënd si  një pikë referimi shumë aktuale.  Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesin, ia vlen, them unë, që të sqarojë se pse ka lindur ky proverb dhe,sado që origjinën e ka në  Myzeqe,  shtrirjen e ka në gjithë Shqipërinë e asaj kohe kur ka lindur. Çudia qëndron se ja tek merr jetë sot e kësaj dite me të njëjta vlera. Me pak fjalë, SHabani është populli fukara që punon e rropatet, kurse  Karemani është beu që rron e bën pallë në kurriz të tyre. Në e sjellë si titull të kësaj esseje, jo se do  merrem me këtë raport historik të shekullit që iku apo dhe më parë, nuk kam qëllim që të hyjë në analet e historisë (nuk kam tagër të tillë dhe as qëllim).  Përkundrazi. Objekti i essesë sime është tek Shabanët e letërsisë dhe të kulturës dhe, veç tyre, edhe me Karemanët.

*     *    *

Por para se ta shtjelloj atë që do shkruaj, do të merrem paksa dhe me "Gurin e Sizifit" të Thani Naqos. Jam dhe unë njëri nga ata që e kam mbajtur atë gur. Kur udhëtova për Amerikë, nga biblioteka ime zgjodha mbi 250 libra dhe,pasi mbusha gati tri vallixhe,i zbarkova atje. Atë kohë (qe viti 2000) ishte lehtë se  kishte lehtësira për bagazhet. Qëndrova 12-vjet    Amerikë dhe biblioteka u zmadhua me gati dyfishin. Mrekullohesha me librat e mi se, sa herë më tekej, zhytesha si ata palombarët në thellësinë e deteve në librat e zgjedhura. Kini parasysh që  dy të tretat e këtyre librave  e përbënte letërsia ruse (unë jam filorus) dhe pjesa tjetër nga letërsia mbarëbotërore. Kur portën e emgrimit e mbylla ( në mars 2012 ), nuk kisha mundësi që këto libra ( janë si copërashpirti) t'i rimerja me vete, se tanimë, qysh pas rënies së Kullave binjake, ta matin kokën me pe. Dhe ndodhi si me atë proverbin nga Skrapari që thotë: " Qejfi ta ka, po bytha s'ta mban/ Kapedan, more Mestan !". Kështu që "copërat e shpirtit" mbetën  në Amerikë. Vërtet mbetën, por një gjë e di mirë: - Asnjë copë nga ato nuk do përfundojë në kazanin e plehërave, sado të mëdhenj ( siç thotë, me të drejt Thani Naqo që jeton atje, në Florida, ku kam jetuar dikur unë). Dihet që fati i librave është si fati i njerëzve: disa humbin pa nam e nishan. Për kazan të plehrave, as që bëhet fjalë. Për librin kam po atë dashuri që ka populli për bukën. Të vraftë buka!- është mallkimi më i rëndë. Të njëtin mallkim lëshoj për këdo që gris apo çon për "pamjemeshe" ( përpunim si brumë i letrës).

*     *     *

A e zëvëndëson kompjuteri dhe internetin libri? Kësaj pyetjeje i përgjigjem pa frikë ( ma ha mëndja që me mua janë  shumica e njerëzve) : - JO. Kënaqësinë që të jepë libri, kur e shfleton atë me nge, kurrë nuk ta jep interneti. Kur zë një libër të dashur me dorë, unë kam po atë këndellje që ka një fëmijë në një pavion me lodra. Libri ma ngroh gjakun. Në një analogji banale, them se kur lexoj një libër (jo në internet), më duket se flas me një të gjallë. Me internetin: me një të vdekur dhe aq. Ose dhe pak më tej: dihen përparësitë që ka dhënë interneti përmjet "skype"( t'i sjellë të afërmit dhe miqtë mu parasysh), por tjetër, fare tjetër kur të kam aty( në çdo pozicion: qoft dhe shtrirë në krevat) kur shfletoj librin. Vërtet që libri është i shtrenjtë dhe si përgjithësim, le të vjedh paksa atë titullin sinjifikativ të Helenaut "Trëndafila që nuk çelin për ne", por tjetër kënaqësi të jepë libri. Bota vërtet që ka ecur dhe do ecë përpara, por, siç mendoj unë, ndodh si me atë pyetjen që e ka marrë përgjigjen me kohë: në raportin njeriu apo teknika, gjithmonë në buxhak qëndron njeriu. Tjetër punë  është se sa dhe si e vlerësojmë librin, sidomos, këtu në Shqipëri. Deri sa në Shqipëri libri është parë si një apendiks pa vlerë, e merr drejt përdrejt përgjigjen: s'ka librari, drejtohu internetit. Edhe Tirana nuk ka  mjedise për librari të kohës. Ca më keq nuk ka një ndërtesë ku të shitet libri bukinistik. Këto (librat e vjetra) ose i gjen si rrobat "gabi" të shtrira për tokë, ose në kioska, vënë si mullar, njëra mbi tjetrën, ku as ti si i interesuar dhe as pronari i kioskës nuk e di seç  tituj ka. Kështu që do nuk do, kot që u afrohesh kioskave të tilla. Dihet që në të shkuarën në disa qytete ka patur. E kujtoj me mirënjohje bukinisitin elbasanas ( si bukinisti Mendel !), të ndjerin Sulë Kurani që ishte aq njerëzor në tregëtimin e këtyre librave. Por a është vlerësim ky, i sotmi?

*     *    *

Unë do t'i paguaj gjithë poçet e thyera, thotë diku, pas betejës së Bordinos, Kutuzovi. Pra, dhe unë jo më kot erdha me këtë titull: për t'i paguar, pak nga pak, të gjitha "poçet" që kanë të bëjnë me librin. E risolla jo më kot proverbin. Gama e njerëzve që shkruajnë libra në Shqipëri është rritur mjaft. Me aq sa kam lexuar unë, Islanda, sado një vënd i vogël, shquhet për shkrimin e librave për frymë.

Me sa më kujtohet, në çdo person të tretë, njëri prej tyre ka shkruar një libër. Natyrisht, ne nuk jemi në  një pozicion të tillë, por, krahasuar, me  krijuesit e regjimit që përmbysëm, themi se kemi bërë hop. Sikur këtë hop ta kishim në ekonomi, shëndetësi apo arsim-kulturë, nuk do kish gjë më të bukur. Por e vërteta është e paluajtshme: librashkruesit janë të shumtë. Krahas këtij realiteti të bukur, vjen dhe përgjigja: mirë shkruajnë e botojnë libra, por çfarë fitojnë ata që shkruajnë libra?!!!  Pra, Shabanët e dikurshëm janë gjallë. Më gjeni një shkrimtar që jeton dhe  siguron jetën e tij dhe të familjes përmjet librit. Këtu nuk flitet për shkrimtarë si Kadare apo tri- katër të tjerë. Ose dhe më tej: sa janë shkrimtarët që kanë botuar libra me fondet e tyre dhe  sa janë nga ata që i kanë vjelë frytet nga krijimtaria e tyre. Pothuajëse, as edhe një. Këtu nuk flitet për shkrimtarë që kanë gjetur "flirtin" apo donatorin extra. Flas  sa e  pagueshme është puna e një krijuesi dhe  si  e merr në mbrojtje dikush që ka lincencën e të  drejtës së autorit. Dhe si kapak mbi tenxhere: a më gjeni një Kareman ( botues) që  të ketë të njëjtin nivel jetese me cilindo Shaban që krijon. Mardhënia krijues- botues është po me ato parametra të atij Shabanit proverbial myzeqar me beun e dikurshëm Kareman. Duke përfundur, unë"poçethyeri" sikur kam të drejtë që të bërtas ashtu si Migjeni dikur: "... Deri kur kështu  ma ? !!!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora