Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Peter Tase: Agron Shele, arkitekti i lidhjes se vargut

| E hene, 17.06.2013, 09:09 PM |


Agron Shele, arkitekti i lidhjes se vargut Permetar me ate Parisian

Nga Peter Tase

Agron Shele ka lindur, në 1972, në fshatin Leskaj,Krahina Maleshovë,rrethi Përmet. Është Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve Artistëve dhe Shkrimtarëve “ATUNIS” Albania, Është anëtar i Lidhjes së Poetëve të Globit WPS, si dhe Drejtor i Qendrës Kulturore Përmet.

Autori  Agron Shele, ka shkruar këto vepra: Hapat e Klarës, “Clara’s Steps,” Roman; “Përtej perdes gri” “Beyond grey curtains,” Roman, fitoi çmimin e Lidhjes Pegasi viti 2005, dhe vlerësim me medalje nga Kongresi i Lidhjes së Poetëve dhe Shkrimtarëve Ndërkombëtare, Salaminëe, 2007;      “Imazh i rremë” Roman “False images,”(çmimi i parë i Lidhjes Pegasi viti 2008); “Pasazh i pafaj” “Innocent episode,” vëllim me poezi, përkthyer në Greqisht nga revista Qeleno, Italisht nga revista Artista a Confronto dhe në Anglisht; “Antologji poetike /Korsi e hapur” (Bashkëautor)

Vëllimi “Pasazh pa faj” është vëllimi i parë poetik i Agron Sheles, por poezitë e tij janë botuar në disa shtete dhe dallohen nga vlera të larta kompozimi, elemente të muzës poetike që i ngjajnë katercipërisht vargjeve mbreslënese të Charles Baudelaire, një shkrimtar Francez i lindur në Paris më 1821, i cili bëri emër me vellim e tij të parë me poezi, botuar me 1857 dhe titulluar “Lulet e Djallit” (“Les Fleurs du mal”).  Temat e trajtuara nga Baudelaire janë vdekja, metamorfoza, depresioni, korrupsioni, pafajësia e humbur dhe alkohoolizmi.  Megjithëse ky shkrimtar i përket një kohe pothuajse dy shekuj përpara se të dilte në skenë shkrimtari i talentuar Agron Shele, përseri ngjashmeria e metaforave të përdorura nga këto dy pena ndërkombetare kërkon një studim dhe meriton shumë faqje me analizë.

Për të dhënë një përmbledhje të kesaj ngjashmërie midis poetit përmetar dhe atij nga Parisi kozmopolitan mjafton të vështrojmë dhe analizojmë poezinë e Baudelaire me titull: “Muza e sëmurë” (“The Sick Muse”) dhe poezinë e shkrimtarit Shele me titull: “Muza Ime” (“My Muze”)

Tek “Muza e Sëmure” Baudelaire shkruan: Muza ime e trishtuar, ç’farë po të trishton sot?/ Sytë e tu të thellë janë mbushur nga vështrimet e natës;/ Unë shikoj të reflektuar në fytyren tënde /  Horror, çmenduri, ftohtësi dhe qetësi./... Do të doja që të lindje, aromën e shëndetshme,/ Ku rregullisht përplasen mendimet gjeniale, / dhe gjaku yt kristian të burroj nëpër valë ritmike. /  ashtu si ritmet e mirë menduara të vargjeve të lashtë, / mbi të cilët mbretëron babai i të gjitha këngëve, / Phoebus, dhe i madhërishmi zoti i prodhimtarisë.

Në kanton e tij kushtuar muzës, Agron Shele, metaforizon me këto vargje:

Qëndroj majë shkrepit të heshtur, / heshtjen godas mes të përjetshmes  tretur. / Ngado shoh perëndim të plakur, / më shfaqet kudo agimi i ringjallur.

Fare lehtë mund të konstatohet që vargu i Agron Shele-s, në fillimin e mijëvjecarit të tretë, mban ende vlerat ritmikën dhe kontekstin e shkrimtarit të madh Baudelaire.  Në vargjet e tij Baudelaire dëshironte që muza të “çel[te], aromën e shëndetshme” ndërsa kolegu i tij, që dëshiron të hedh vargje të ngashme dy shekuj më vonë, në nje vend të larget nga Franca, do të shkruante: “Ngado shoh perëndim të plakur, më shfaqet kudo agimi i ringjallur.” Mos vallë Agron Shele është në një komunikim të heshtur me vargjet e shkrimtarit të famshëm Francez? Nuk është rastësi që “mbremjet e ngrysura” të Agronit të krijojnë ne vetëvete një harmoni kuptimore të përkryer me “Sytë e thellë që janë mbushur nga vështrimet e natës” të Baudelaire.  Ndoshta lëximi i plotë i poezisë “Muza Ime” do të na ndriçonte më tej shtegun kuptimor dhe largë pamësinë e Agron Shele-s, e cila nuk njeh, kufij, shtete, kontinente, por vetëm përqendrohet në gjuhën metaforike të vargut e cila mund të realizohet falë fijeve poetike që lindin nga burimi i asaj që quhet letërsi.

 

MUZA IME

 

Muza ime!

Ç´bukuri fsheh brenda muzgjeve?

Ç´ëndrra rilinde përtej lirishtave?

Ç´këngë këndon honeve të gremisura?

Ç´rreze kërkon mbrëmjeve të ngrysura?

 

Muza ime!

Qëndroj majë shkrepit të heshtur,

heshtjen godas mes të përjetshmes  tretur.

Ngado shoh perëndim të plakur,

  shfaqet kudo agimi i ringjallur.

 

Muza ime!

Vitet dhe thinjat si vetë kreshtat,

zbardhin nën mjegullat e fshehta.

Shpirti i gdhendur nga pena thatime,

dridhet, griset, tutje humbëtirave.

 

Muza ime!

Mos erdhe si mallkim ndër deje

a  si lojë  luajtëse marramendshe?

Kundroj sy  vashe fshehur brenda teje

dhe lotkthyerin në smerald.

 

Muza ime!

Si frymë e shenjtë shtyn në harrim,

pse poetë u gdhimë në agim.

Vegimeve  të paqta jeta në vlim

Dita shpejton dhe rremben pa kthim!

 

Ëndrrat e mia mbetën aty

 

Ëndrrat e mia mbetën aty,

si mijëra ajzbergë në oqeanin e pafund.

Mendja depërton tutje fluturimth,

në të tjera qiej, rrugëtimesh “plot mund“.

 

Ëndrrat e mia mbetën aty,

netëve pranverore, yjeshumë.

Copëza ndjenje drithmojnë shpirtin

dhe endën magjinë pëlhurë.

 

Ëndrrat e mia mbetën aty,

si zbardhja e dritës, në agim.

Me mallin e vjeshtës në gji

dhe ... e pikat e shiut -trishtim.

 

Ëndrrat e mia mbetën aty

mbi harqe ylberësh, koloritë kuptimësie;

Të bardhën ditë, shpresë dhe ngazëllim,

përthyen shtigje “rrebelim“ poezie.

 

Ëndrrat e mia mbetën aty

Të formatuara ndjenjësisht...

Një shikim i hedhur qiellit të tymtë

Konturim frymor –figurë statujisht...