E enjte, 28.03.2024, 01:41 PM (GMT)

Kulturë

Ndue Lazri: Albana Lifschin - ''Yjet nuk janë të kuq''

E hene, 17.06.2013, 07:03 PM


Kulturë, -libri i Ri

KUSH MË MIRË SE MBESA, FLET PER DAJËT E SAJË

SHPËRNDARJA E MJEGULLAVE MBI NJË DERË TË MADHE BAJRAKTARËSH

“Yjet nuk janë të kuq” i Albana Melyshit – Lifschin –

Nga NDUE LAZRI

Një grua, një gazetare, e vendosur në qendër të një libri, që shkruan sagën e një dere të madhe bajraktarësh, mbi të cilën koha dhe politika kanë hedhur mjegulla të shumta. Kjo grua intelektuale vjen që nga Amerika. E ka menduar gjatë sipërmarrjen e saj aspak të lehtë: Të shpërndajë mjegullat e të sqarojë dritë – hijet mbi njërën nga familjet më në zë e dyert më të mëdhae më fisnike të Mirditës, atë të bajraktarëve të Kthellës, me emrin e shumëlakuar: Melyshajt.

Sipërmarrja është e komplikuar edhe për një arsye tjetër: Bajraktarët e derës Melyshaj ishin burra që kanë folur dhe e kanë shkruar historinë e tyre me pushkë. Ndërsa autorja, një ndër pasardhëset e kësaj dere të madhe, është grua e do të flasë me penën e saj. E për të qenë e besueshme, duhet të jetë plotësisht e paanshme, e pandikuar nga emocionet e fjala t’i peshojë siç u kishte hije burrave të një dere të madhe. Gati si të thërrasësh një grua në shkoqitjen e ngjarjeve kanunore…

Për ta bërë sa më mirë këtë, autorja merr rugën nga Amerika për të shkelur me këmbë ato treva e troje që u kthyen në amfiteatër ngjarjesh e luftrash heroike që e lartësuan emrin e derës së Melyshajve, por edhe ngjarjesh tragjike që hodhën mjegulla e hije të errëta dhe i gremisën kullat e bajraktarëve. Në misionin e saj jo të lehtë, Albana na kujton deri diku shtegëtimet e studiueses e gazetares Edith Durham, në kohën kur shkruante librin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”. Kjo përqasje bëhet edhe më e madhe po të kujtojmë që Albana ka qenë me mision në kohën e luftës në Kosovë e ka shkruar edhe një libër mbi fëmijët kosovarë.

Por le të kthehemi tek Saga e Melyshajve, që tani e kemi në dorë. Nuk do të ndalem në subjektin e librit, sepse do të doja që lexuesi ta zbulonte vetë e ta shijonte ashtu siç e kam shijuar edhe unë. Dua të jap disa mendime si lexues.

Më ka bërë përshtypje që në fillim mënyra e thjeshtë që ka zgjedhur autorja për të na sjellë në dritë të diellit një histori të komplikuar të një familjeje të madhe. Autorja e tërheq lexuesin me vehte, e bën pjesë të atyre kërkimeve për të zbuluar të vërtetën. Ajo nuk është një hetuese librash policeskë, por është rrëfimtare, që di të takojë njerëzit e duhur, të cilët me ato çka tregojnë plotësojnë pak nga pak atë mozaik që e bën të plotë e të ndritshme sagën e Melyshajve.

Koha dhe politika e kishin vënë opinionin shqiptar përballë një familjeje të ndarë në dy pjesë: Njëra, e përbërë nga reaksionarë, tradhëtarë, armiq të popullit, të internuar e të burgosur me gjithë familjet e tyre. Me përfaqësues kryesor Nikollë Melyshin. Tjetra, e dalë po nga kjo familje tradhëtarësh, por që ka në epiqendër një personazh misterioz që pas damkës së tradhëtarit dhe të arratisurit në bandat reaksionare, merr papritur titullin Hero i Popullit, shtatë vjet pas një vrasjeje të dyshimtë, që mbeti e tillë edhe 60 vjet më vonë. E ky ishte Pal Melyshi, djali i Nikollës. Një familje, ku sipas ideologjisë komuniste njëra palë duhej të ishte armike deri në vdekje ndaj palës tjetër. E që, për ironi të fatit, ky konfrontim ideologjik mbetet edhe sot, pas 23 vjet demokracie, por e kthyer në invers, tashmë me biografi të keqe konsiderohet Heroi i Popullit. Surrealizma që ndodhin vetëm në një vend si Shqipëria,ku ideologjizmat vazhdojnë të sundojnë mbi logjikën e faktet historike.

Kur i shkon në fund librit kupton se me sa mjeshtëri, thjeshtësi e mençuri autorja ka arritur ta sqarojë përfundimisht që familja Melyshi ishte një, integrale, me brumë thellësisht patriotik, me një ideal të vetëm: lirinë e vërtetë të Shqipërisë. Edhe pse në dy binarë paralele, Nikollë Melyshi e Pal Melyshi, kanë një ideal lirinë e Shqipërisë. Është ky ideal që përbën shtyllën kurrizore të kësaj familjeje të madhe, që i ka ringritur kullat e bajraktarëve Melyshaj edhe kur i kanë djegur turqit, kolaboracionistët apo komunistët .

Albana e ka arritur këtë duke lënë personazhet e shumtë të flasin, pa rënë vetë ne kurthin e komenteve e opinioneve të saj personale. Si një dirigjente e mirë ajo ka ditur të lerë secilin të flasë me tingullin e zërin e vet deri në plotësimin harmonik të asaj kolone zanore që përbën sagën e vërtetë të Melyshajve.

Mençuria e derës së Melyshajve është trashëguar natyrshëm deri tek pasardhësja e saj, autore e librit. Gjatë leximit më bëri përshtypje në dy paragrafe qetësia e Nikollë Melyshit. E para, kur merr vesh se i biri është bërë komunist. Ai u thotë të tjerëve ta lënë djalin në punën e vet, se ai e di çka bën. Dhe kur e merr vesh se djali u vra, duke qenë si “i arratisur” në radhën e bandave reaksionare, ai e kupton menjëherë që kjo ishte një lojë e ndyrë e komunistëve me qëllime të largëta. Në rastin e dytë, kur Nikollë Melyshi arrin të marrë një vizë për t’u kthyer nga Amerika që të vdesë në vendin e tij dhe shteti shqiptar i thotë se është bërë një gabim e duhet të kthehet mbrapsht, ai përgjigjet: “ani, ani, edhe gabime bahen”. Ai edhe nga larg e njeh egërsinë e pushtetit komunist, e edhe pse ka ardhur me vizë si shtetas amerikan dhe gëzon mbrojtjen e atij shteti, ikën pa fjalë, për të mos u bërë dëm atyre që tashmë i përkisnin një familjeje heroi e që ishte gjithnjë i biri. Babain e heroit e përzënë edhe njëherë nga toka e vet, e ky ishte pushkatimi që nuk mundën t’ia bënin kurrë me armë. Por ai kishte jetuar në Amerikë e ishte mësuar me demokracinë e vërtetë amerikane, ndaj dinte të sillej si xhentelmen edhe përpara një “pushkatimi” si ky.

E, meqë jemi tek mençuria e Melyshajve le të ndalemi edhe në paragrafin e fundit të librit. Heroina që na ka marrë përdore në tërë ngjarjet e që është autorja, punon në një studio avokatie në Nju Jork e ndihmon shumë nga ata që kërkojnë azil politik. Sidomos shqiptarë. Një ditë aty paraqitet një djalë i ri nga Shqipëria, që kërkon të fitojë azilin politik, duke përdorur si dokument të rëndësishëm filmin “Operazioni Zjarri” që i kushtohet Pal Melyshit. Ai e kthen në invers përmbajtjen e thotë që filmi i kushtohet gjyshit të tij Prengë Dodë Gjin Keçi që ka vrarë komunistin Pal Melyshi. Gazetarja nuk flet asnjë fjalë, shikon me dhimbje që nga kaseta është fshirë vërtet fakti që filmi i kushtohet dajës së saj, Heroit të Popullit, Pal Melyshi. Përkundrazi, me qetësinë e gjyshit të saj, ajo e merr kasetën për t’ja përkthyer avokatit dhe e ndihmon nipin e vrasësit të dajës që të marrë azil politik.

Sepse, edhe ajo jeton prej më shumë se 20 vjetësh në Amerikë, sepse ka fituar nga mentaliteti i hapur e demokracia e amerikanëve, sepse e urren luftën e klasave që e ka vuajtur dikur mbi kurrizin e saj, sepse është pasardhëse e Melyshajve.

E vetëm një pasardhëse me një mentalitet të tillë mundi ta shpërndajë mjegullën e të na dhurojë sagën e ndritshme të Melyshajve.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora