E enjte, 18.04.2024, 12:43 PM (GMT+1)

Mendime

Tony Blair: Telashet brenda islamit

E shtune, 15.06.2013, 12:44 PM


Telashet brenda islamit

Nga Tony Blair

Në mbarë Lindjen e Mesme dhe më tej një betejë është duke u zhvilluar. Në njërën anë janë islamikët dhe qëndrimet e tyre përjashtuese. Ata përbëjnë një pakicë, të zëshme dhe të organizuar. Në anën tjetër janë ata me qëndrime moderne, të cilët kanë pasur urrejtje për represionin e diktatorëve të korruptuar dhe ndiejnë neveri për represionin e ri nga fanatikët fetarë. Këta përbëjnë shumicën që fatkeqësisht nuk është e organizuar

Londër, 10 qershor – Ekziston vetëm një qëndrim rreth vrasjes së ushtarit britanik, Lee Rigby, në një rrugë në pjesën jugore të Londrës, tri javë më parë: tmerr.

Megjithatë, ekzistojnë dy qëndrime rreth asaj që çfarë ndikoi në këtë akt. Njëri është se ishte ky një akt i njerëzve të çmendur, të motivuar nga një nocion i shtrembëruar i islamit, pa ndonjë ndikim të madh. Njerëzit e çmendur bëjnë gjëra të çmendura. Qëndrimi tjetër është se ideologjia që inspiroi vrasësit e Rigbyt është tejet e rrezikshme.

Unë e mbështes qëndrimin e dytë. Natyrisht se duhet të tregohemi të matur. Të tillë u treguam edhe pas sulmeve të 7 korrikut të vitit 2005, në sistemin londinez të transportit publik. Megjithatë, ne vepruam. Dhe, ne patëm të drejtë ta bëjmë një gjë të tillë. Puna e shërbimeve tona të sigurisë pa dyshim se parandaloi sulme të shumta. Programi “Prevent” në komunitetet lokale ishte i arsyeshëm.

Masat e reja të qeverisë duken po ashtu të arsyeshme. Por, ne mashtrohemi po qe se besojmë se mund ta mbrojmë Britaninë e Madhe thjesht duke e bërë atë që po e bëjmë. Ideologjia vazhdon të jetë e pranishme, ajo nuk po zhduket.

Ta marrim parasysh Lindjen e Mesme. Siria tani ndodhet para një procesi të përshpejtuar të shpërbërjes. Presidenti Bashar al-Assad është duke shkatërruar brutalisht komunitete të tëra, të cilat kundërshtojnë regjimin e tij. Të paktën 80.000 persona janë vrarë, janë gati 1.5 milion refugjatë, derisa numri i të zhvendosurve ka shkuar në mbi katër milion. Shumica e shteteve në rajon besojnë se qëllimi i Assadit është që të spastrojë sunitët nga rajonet e dominuara prej regjimit të tij, duke formuar një shtet të ndarë afër Libanit. Atëherë do të krijohej një shtet de fakto sunit në pjesën tjetër të Sirisë, i shkëputur nga pasuritë natyrore të shtetit dhe qasja në det.

Opozita siriane përbëhet prej shumë grupeve. Megjithatë, luftëtarët e grupit të lidhur me “Al-Qaedan”, “Jabhat al-Nusra” janë duke pasur gjithnjë e më shumë përkrahje, duke siguruar edhe armatim dhe fonde prej jashtë shtetit.

Assad është duke përdorë armatim kimik në një shkallë të kufizuar, por vdekjeprurëse. Disa prej depove ku mbahen këto armë ndodhen në zonat në të cilat po zhvillohen luftime të ashpra.

Dëshira e madhe e Perëndimit për të mos ndërhyrë është krejtësisht e kuptueshme. Megjithatë, ne po ashtu duhet ta kuptojmë se ndodhemi në fillim të kësaj tragjedie. Kapaciteti i saj për destabilizimin e rajonit është krejtësisht i qartë. Jordania është duke u treguar e guximshme, por prej këtij shteti nuk mund të pritet që të absorbojë një numër të pakufizuar të refugjatëve. Gjendja në Liban është jostabile, derisa Irani është duke e trimëruar “Hezbollahun” që të futet në luftë. “Al-Qaeda” po mundohet sërish të bëjë kërdi në Irak, derisa Irani vazhdon të përzihet në çështjet e brendshme irakiane. Ndërkohë, në Egjipt dhe në mbarë Afrikën Veriore, partitë e “Vëllazërisë myslimane” e kanë marrë pushtetin, por kundërthëniet midis ideologjive të tyre dhe aftësisë për të udhëhequr ekonomitë moderne kanë rezultuar me jostabilitet dhe presion prej më shumë grupeve ekstreme.

Pastaj kemi regjimin iranian, që vazhdon ta ketë synim posedimin e armëve bërthamore, duke eksportuar në të njëjtën kohë terror dhe jostabilitet. Në Afrikën nën-Saharë, Nigeria është duke u përballur me sulme të tmerrshme terroriste. Në Mali, Franca ka zhvilluar një betejë të ashpër për të mos lejuar ekstremistët që të marrin nën kontroll shtetin.

Pastaj kemi Pakistanin dhe Jemenin. Më në lindje, kontesti kufitar midis Birmanisë dhe Bangladeshit po intensifikohet. Po ashtu, ngjarjet e kohëmëparshme brenda vetë Bangladeshit, ashtu si edhe në rajonin filipinas me shumicë myslimane, Mindanao, vetëm sa i shtohen listës së problemeve.

Në shumicën e zonave të prekura rëndë, një gjë është evidente: një popullatë me rritje të shpejtë. Mosha mesatare në Lindjen e Mesme është rreth të njëzetave. Në Nigeri është 19. Në Gazë, ku pushtetin e mban “Hamasi”, çereku i popullsisë është nën moshën pesëvjeçare.

Vizita ime e radhës në Jerusalem, të cilën do ta ndërmarr së shpejti, do të jetë e 100-ta në Lindjen e Mesme që kur u largova nga posti, në kuadër të përpjekjeve për krijimin e një shteti palestinez. Unë vetë e shoh se çfarë është duke ndodhur në atë rajon.

Për këtë arsye, e kuptoj dëshirën që kjo botë të interpretohet duke u marrë për bazë armiqësitë lokale, kriza ekonomike dhe natyrisht “njerëzit e çmendur”. Por, a nuk mund ta gjejmë ne një pikë të përbashkët të konfliktit, apo ndonjë ideologji që është duke nxitur, apo duke përshpejtuar gjithçka?

Nuk ekziston asnjë problem me Islamin. Për neve që e kemi studiuar atë, nuk ka fare dyshim rreth natyrës së pastër dhe paqësore të tij. Nuk ekziston po ashtu ndonjë problem me myslimanët në përgjithësi. Shumica e tyre në Britani janë tmerruar nga vrasja e Rigbyt.

Por, ekziston një problem brenda islamit dhe ne duhet të flasim pa dorëza rreth tij. Natyrisht se ka edhe ekstremistë të krishterë, hebrenj, budistë apo hindus. Megjithatë druaj se pjesa e problemit brenda Islamit nuk ka të bëjë me disa ekstremistë. E tëra ka të bëjë me një qëndrim të fesë – dhe raportit midis fesë dhe politikës – që nuk përputhet me shoqëritë pluraliste, liberale dhe të hapura. Në fundin e këtij spektri janë terroristët, por qëndrimet e tyre fetare shkojnë më thellë dhe janë më të përgjithshme, sesa që jemi të gatshëm ta pranojmë ne. Për këtë arsye, ne nuk e pranojmë.

Një gjë e tillë ka dy ndikime. Së pari, ata që mbështesin qëndrimet ekstreme besojnë se ne jemi të dobët dhe një gjë e tillë vetëm sa i fuqizon. Së dyti, ata myslimanë – dhe lajm i mirë është se ka shumë të tillë – që e dinë se ky problem ekziston dhe duan të ndërmarrin diçka rreth tij, janë duke e humbur guximin.

Në mbarë Lindjen e Mesme dhe më tej, një betejë është duke u zhvilluar. Në njërën anë janë islamikët dhe qëndrimet e tyre përjashtuese. Ata përbëjnë një pakicë, të zëshme dhe të organizuar. Në anën tjetër janë ata me qëndrime moderne, të cilët kanë pasur urrejtje për respresionin e diktatorëve të korruptuar dhe ndiejnë neveri për represionin e ri nga fanatikët fetarë. Këta përbëjnë shumicën që fatkeqësisht nuk është e organizuar.

Fanatizmi dhe terrorizmi – e ka mundësi edhe ndonjë konflikt i madh – ka filluar që të zërë rrënjë. Detyra jonë është që t’i japim hapësirë pajtimit dhe paqes. Megjithatë, krijimi i kushteve për paqe nuk arrihet gjithnjë në mënyrë paqësore.

Luftërat e stërzgjatura dhe të mundimshme në Afganistan dhe Irak i kanë bërë fuqitë perëndimore skeptike sa i përket ndërhyrjes. Megjithatë, ne nuk duhet harruar se përse këto konflikte ishin të gjata dhe të mundimshme: ne mundësuam krijimin e shteteve të dështuara.

Saddam Hussein ishte përgjegjës për dy luftëra të mëdha, në të cilat u vranë qindra e mijëra persona, shumica me armë kimike. Ai vrau edhe popullin e tij. Talebani u krijua si rezultat i okupimit sovjetik të Afganistanit, duke e shndërruar Afganistanin në një bazë për stërvitjen e terroristëve.

Jo secili angazhim duhet të jetë ushtarak. Po ashtu, jo secili angazhim ushtarak duhet të përfshijë ushtarë. Por, mosangazhimi në këtë betejë nuk do të na sjellë paqe.

Rezultat të njëjtë do të sjellë edhe vetë siguria. Ndonëse komunizmi revolucionar u rezistua nga vendosmëria mbi sigurinë, ai në fund u mposht nga një ide më e mirë: liria. E njëjta mund të bëhet edhe këtu. Ide më e mirë është një qëndrim modern i fesë dhe vendit të saj në shoqëri dhe politikë – një model i bazuar në respektimin dhe barazimin midis njerëzve të besimeve të ndryshme. Feja mund të ketë zë në sistemin politik, por nuk duhet ta qeverisë atë.

Duhet të fillojmë me fëmijët, këtu dhe jashtë. Për këtë arsye, unë kam themeluar një fondacion, qëllimi specifik i të cilit është që fëmijët e besimeve të ndryshme të mësojnë për njëri-tjetrin dhe të jetojnë me njëri-tjetrin. Tani ndodhemi në 20 shtete dhe programet janë duke funksionuar. Megjithatë, kjo është një pikë ujë në oqean, krahasuar me masivitetin e jotolerancës, që është duke iu mësuar shumicës.

Tani, më shumë se kurrë, duhet të tregohemi të fortë dhe me strategji.

(Autori është ish-kryeministër britanik në vitet 1997-2007. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora