E enjte, 28.03.2024, 08:07 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Të jetë vërtetë “pushtimi” = me “administrim”???

E premte, 14.06.2013, 06:00 PM


Të jetë vërtetë “pushtimi” = me “administrim”???

Nga Elvi Sidheri

Titulli i këtij shkrimi i ka sqaruar gjithësesi mendimet e mia lidhur me atë se çfarë kam ndërmend të shkruaj një copëz herë sot të nderuar lexues.

Në pjesëza tek-tuk edicionesh informative që kam patur durimin të ndjek këto ditë tek kanalet tona, përveç mërzitshmërisë së tejskajshme që përfaqësohet denjësisht nga një fushatë elektorale tejet pa fantazi dhe e rikthyer si në kohë të “xhaxhit” tek vajtja e liderëve të ndryshëm partiakë “gju më gju me popullin”...sido që të jetë njëherë vura re ashtu si kalimthi edhe një lajm interesant.

Se çfarë na qe zhvilluar një konferencë në Tiranë po t’a kem kuptuar mirë dhe aty mund të kenë marrë pjesë edhe historianë të tjerë veç shqiptarëve vendas dhe “miqve” turq, por bujë kishin bërë vetëm deklaratat, apo thënë më mirë “urdhërat” e turqve të cilët na paskëshin ftuar që në librat TANË të historisë, pushtimit të vënë në jetë mizorisht nga stërgjyshërit e tyre, tanimë t’i referohemi si një palo administrim dhe asgjë më tepër.

Turku e pati thënë të vetën me anë të gojës së çpuar porsi vrimë haleje të historianëve të tij të dërguar në kryeqytetin tonë për të mbrojtur këto teza provokuese dhe ndërkohë historianët tanë prezentë në të njëjtën sallë (Romeo Gurakuqi, Beqir Meta etj), qenë përgjigjur në nivelin e sfidës, detyrës dhe fyerjes që po i bëhej inteligjencës dhe trashëgimisë sonë historike, asaj të lidhur me zgjedhën e gjatë dhe të tejvuajtur e prapambetëse që ka të bëjë me osmanët gjakatarë turko-mongolë.

Dhe këto lajme shfaqeshin në TV-të tona ndërsa jo vetëm tek ne, por edhe nëpër tërë botën, veçanërisht në Europë dhe Amerikë, po ndiqen me vëmendje të shtuar ndodhitë aspak demokratike të shtypjes së dhunshme të protestave popullore si fillim ambientaliste e më pas anti-Erdoganiste (pra kundër prirjes autoritaro-fetare të këtij kryeminstri të ashpër që fsheh nën një zhguall gjasme liberal demokratik, një qënie thelbësisht filo-orientale ala Hamas dhe Ajatollahër iranianë, të përzjerë me një dozë të mirë neo-otomanizmi tejet të rrezikshëm sidomos për trojet shqiptare ku ende shumë turq-mendues shqipfolës gjallojnë të gëzuar).

Pra ndërsa brenda në Stamboll dhe kryeqytetin Ankara, mijëra njerëz ngrihen kundër një personi autoritar që është zgjedhur me votën e lirë dhe i cili tashmë po e keqpërdor postin për t’a kthyer vendin në epokën e errët osmane para-Ataturk me ndërhyrjet e veta kundër kushtetutës laike dhe mënyrës perëndimore liberale të të jetuarit të popullit të vet, në Shqipëri gjejnë kohën të vijnë emisarët e tij në fushën e historisë me qëllimin e qartë për të na shpënë në “rrugën e zotit Erdogan” dhe për të na e shpëlarë njëherë e mirë trurin e mbushur sipas tyre me ca si shumë “shqiptarizma”.

Sepse të dashur lexues...që të jesh dhe mendosh si shqiptar, kjo nuk do të thotë kurrësesi që të jesh edhe anti-turk, as anti-grek apo qoftë edhe anti-serb.

Kjo jo!

Mund të jemi të tërë shqiptarë dhe kjo nuk do të na kushtëzonte aspak një armiqësi të lindur ndaj kombeve që me ne ndajnë kufinjtë, rajonin e Ballkanit apo me ata që ndonjëherë na kanë pushtuar.

Ne në punën tonë fundja e ata në të tyren.

Por që ndërkohë të jesh shqiptar, ndër të tjera të nevojitet që në shkollë të mësosh edhe historinë e popullit tënd o njeri...dhe këtu me Erdon e Davutogllun & Co se ç’na nisin edhe problemet.

Në historinë e popullit tonë, ashtu siç brez pas brezi qysh në të gjallë të Gjergjit nga Kastriotët, të mbiquajturit nga vetë turqit e kohës si Princi Aleksandër (për nder të iliro-maqedonasit të lashtë të cilin si rastësisht vetë turqit e dinin që i një gjaku me heroin tonë kombëtar paskësh qenë)...pra Skenderbeut, të parët tanë, burimet perëndimore, ato arbërore dhe historianët e çdo shekulli më pas e kanë ditur se turqit osmanë Arbërinë dhe jo vetëm ...e kanë PUSHTUAR!!!

Pushtimi vetëm pushtim është dhe këtë fakt nuk ka top apo bazuk e antitank që t’a luajë vendit, t’i bjerë Erdo apo shokët e tij në Turqi ose shqiptarët turqisht-ndjerës e mendues...këmbës dhe t’a bëjnë dhëmbin jo sa të elefantit, po sa të mamuthit parahistorik po t’ua ketë qejfi!

Kur flitet për fakte, këto të fundit janë kokëfortë dhe mbështeten kryekëput në dokumenta dhe të dhëna të mirëkompletuara historike të cilat nuk mund të korruptohen dhe sillen mbrapsh e parsh nga kushdo kolopuç erdoganist, qoftë ky ose këta edhe historian turqie ose ithar i turqizmës mes shqiptarësh.

Prandaj kur me të drejtë muaj më parë një Shqipëri e tërë (unë po ashtu) u ngrit në këmbë kundër një turisterrosuri të Agimit të Artë i cili erdhi të na shante me rrënjë e me degë dhe bëri thirrje për Vorio Epirin e fantaksur që kurrë s’ka ekzistuar realisht, atëherë përse bien në vesh të shurdhër një mori provokimesh të përditshme me adresë dhe burim të vazhdueshëm nga Turqia, për t’a thënë më drejtë nga fuqia e pushtetit të zotit Erdogan dhe shpurës së tij obskurantiste neo-osmaniste?

Patriotizmi nuk është përzgjedhës në luftën e tij kundrejt çdokujt që sulmon themelet e qënësisë territoriale, njerëzore dhe historike të një populli, atij shqiptar në këtë rast.

Nuk mund të jemi patriotë vetëm kur na vjen provokimi i rradhës nga qarqet e dështuara ekstremiste helene, as vetëm kur qeveria, historianët apo qoftë edhe kryeministri serb (maçoku i ngehur Daçi-ç) na hakërrehen për diçka dhe ndërkohë gjithçka që sillet nga Turqia të kalojë si pa u vënë re.

Ç’është kjo pseudo vëllazëri me Ankaranë e cila lejon që çdo tezë dhe pohim i turqve...edhe ato më fyeset dhe përçmueset për historinë dhe epopenë tonë çlirimtare antiosmane, të na serviren si normale dhe të pakundërshtueshme?

Pse Davutogllu, Erdogani dhe një grumbull (pirg jashtëqitje të tharë sa nuk i afrohen as mizat)...sulltanësh, vezirësh e pashallarësh turq na qenkëshin më të mirë se Milosheviçi, Daçiçi, Rankoviçi, Mugosha, Zervasi apo Agimi i Artë?

Pse disa t’i luftojmë e të tjerët jo?

Thirrja rilindase “Atdheu në rrezik” nuk bënte dallim se nga kush vinte ky rrezik, pra grekë, serbë, bullgarë, turq apo çfarë, prandaj edhe një popull i tërë i përçarë vërtetë mes kulturash, rajonesh, malesh, fushash, deti e liqenesh, religjionesh e botëkuptimesh të ndryshme, por që ndante një gjak, histori e gjuhë të përbashkët, u ngrit në këmbë dhe luftoi me armë e penë në duar gjersa lirinë e gjeti sa në 1912-ën, aq edhe në 2008-ën.

Djegin sllavët e Maqedonisë një flamur tonin në vendin e tyre dhe ne ua kthejmë “nderin” një më një në Shqipëri, i gjuajmë edhe me ndonjë vezë të prishur kryeministrit të tyre kur e sjell kokën tek ne po ashtu...dhe shumë mirë e bëjmë!

Erdhi një ministër i jashtëm serb në Tiranë, i kaloi një perëndi e di sesi dhe kush e la t’a bënte këtë gjë, pra 24 orë duke u takuar dhe stisur një palo-minoritet serb me boshnjakë Sanxhaku të kamufluar 90 vjet më parë si shqiptarë të vuajtur Kosove dhe që tashmë prej aq kohësh kanë zënë toka shqiptare e kanë ngrënë bukën e shqiptarit...dhe me të vërtetë vizitën e tij e kundërshtuan shumë njerëz e disa syresh edhe vajtën të protestonin para ministrisë së jashtme me pankarta në duar për protestë.

E drejtë edhe kjo.

Erdhi para do kohe edhe një grup deputetësh e ekstremistësh helenë në jug, gjasme për të homazhuar varret e zbrazura të ndonjë ushtari pushtues grek të 1914-ës (që bëjnë sikur u përkasin atyre të luftës italo-greke)...kur andartët dhe vorio-epirotët digjnin e piqnin fshatrat shqiptare të jugut tonë.

Aty në prani të ambasadorit helen në Shqipëri, bërtitën dhe fyen vendin dhe popullin shqiptar brenda territorit tonë dhe sërish me gjithë të drejtën e Zotit dhe të atdheut, shumë të rinj vajtën të protestonin dhe ishin që ishin edhe i qëlluan me ndonjë gur miqtë provokues të paftuar nga Greqia.

Mirë e bënë edhe këta.

Ndërkohë që nga Turqia dhe qarqet filo-turke në trojet shqiptare, ka vite të tëra që po thuret ditë për ditë me durim dhe shumë impenjim, një rrjetë e koklavitur merimange, që synon të mundësojë mbulimin e të vërtetave shqiptare të ndërlidhura me zgjedhën turke, me anë të shumë pezhishkave turkomane, për të arritur kështu tek një pluhurosje e rishkrim i historisë sonë, sipas ëndjes së institucioneve të Ankarasë.

Dëgjojmë si pa të keq se kemi edhe gjak turk nga ndokush me shumë pushtet tek ne, të tjerë që pushtetin pas zgjedhjeve e mëtojnë fort, për të mos mbetur prapa në këtë garë të marrosur filo-erdoganisto-turke, na thonë se patën takime të mrekullueshme me “liderin vizionar Erdogan” nga ku morën edhe mjaft frymëzim në të njëjtën kohë.

Fjalorin e gjuhës sonë shqipe, na e sulmojnë përditë sipas një strategjie të mirëstudiuar gjer në detajet më të vogla.

Me qindra fjalë turke futen tinzash sa në përkthimet dixhitale, aq edhe në gazeta apo të folurën politike, derisa të vjen të plasësh teksa mendon se 100 vjet më parë pas shporrjes së kërrmave të fundit turke nga tokat tona dhe shtypjes së kryengritjeve “DumBabiste” të Haxhi Qamilëve të atëhershëm turkomanë (prindërit dhe gjyshërit e këtyre të sotmëve, turqizma ka bërë rrugë të gjatë, por ka rezistuar megjithë ngarkesën e orientalizmit, errësirës dhe prapambetjes turko-centrike në venat e shumëkujt akoma)...atëherë pra shqiptarët e pas-pavarësisë arritën që fare lehtë gjuhën tonë t’a qërojnë pa tepër mundim nga pesha toksike e turqizmave gjuhësore dhe ajo gjuhë si e folur nga ndokush, së paku në Shqipëri vdiq as një brez të plotë pas 1912-ës.

...Se ndryshe po të kishte pasur qoftë edhe një folës të saj, asgjë s’do t’a kishte penguar Turqinë që edhe tek ne të kërkonte ndonjë minoritet siç ka bërë kudo, edhe në Kosovë për shembull, ku sipas të dhënave të tyre turqit pretendojnë se jetojnë jo pak, por plot 50 mijë turq sot.

Ndërhyrjet ekonomike turke i dimë dhe i kemi parasysh, s’po humb kohë me to fare tani.

Edhe mendësinë turke që sa herë lidhet me Shqipërinë apo trojet shqiptare, ato i konsideron si asgjë më pak sesa ish-koloni apo turq shqipfolës maksimumi, edhe këtë e njohim po ashtu.

Na mungonte vetëm mohimi total i luftës sonë gati pesëshekullore kundër tyre, por edhe atë po na e bëjnë të qartë përherë e më tepër turqit vetë dhe pasuesit e tyre shqipfolës.

Sepse për këtë arsye pohimeve fyese të historianëve turq në Tiranë ose atyre të emisarëve institucionalë të qeverisë turke në Prishtinë, u paraprijnë rregullisht fushata të tëra brendashqiptare, që synojnë të mohojnë figurën e Gjergj Kastriotit, luftën e drejtuar nga ai kundër perandorisë osmane dhe tërë kryengritjet shqiptare anti-turke gjer në fazën e Rilindjes Kombëtare dhe pavarësisë.

“Direktivë nga lart e inciativë nga poshtë”...siç thuhej në një skeç humoristik televiziv i thonë kësaj!

Pra që domethënë se nga Ankaraja, nga zyra e krye neo-otomanit Davutogllu, vijnë direktivat sesi të veprohet në drejtim të zhbërjes së historisë shqiptare përsa i përket luftës dhe përballjes me zgjedhën dhe pushtimin turk-osman dhe më pas iniciativën e marrin në duart e tyre të zhytura thellë në pusetat gjithë fekale të osmanërisë Erdoganase, përfaqësuesit e mendimit filo-turk në rradhët e shqipfolësve nostalgjikë të “Babës turk”.

Tani ja ku e nxorrën nga goja edhe mufkën e rradhës.

Pra pushtim nuk ka pasur fare, por është bërë fjalë vetëm për një administrim të thjeshtë.

Mirë ore njerëz, të themi se keni të drejtë ju.

I bie që ai Skënderbeu të ketë qenë kështu një rival i juaji në biznes të cilit ia kishit zënë territoret e familjes dhe të kushurinjve të të njëjtit gjak dhe për këtë arsye edhe ai ua ktheu shpatën dhe ju vuri përpara për 25 vjet sa ishte gjallë.

Pra oferta juaj afariste në atë kohë qe sidoqoftë më e dobët se ajo e konsorciumit arbëror “Lidhja e Lezhës” dhe për 25 vjet firma juaj “Perandoria Osmane” e sulltanëve shallvaregjerë harem-mbajtës, nuk ia doli që antagonisten e saj arbërore t’a rivalizonte si dhe sa duhej.

Më tej kur Gjergji nuk qe më në jetë, juve ia dolët që t’a përvetësonit ndërmarrjen “Arbëri” dhe si hakmarrje ndaj rezistencës së punonjësve të saj, i pushuat ata nga puna (dhe jeta) brenda pak kohësh dhe i përzutë në bregun italian përballë masivisht, por kishte edhe nga ata të punësuar që të vënë përpara dilemës a të jetonin nën punëdhënës mongolë si ju, apo të iknin për Itali, zgjodhën këtë të fundit si gjë më optimale.

Për nja 400 e ca vjet që firma juaj “dreqëtoi” punët në Arbërinë që më pas si ndërmarrje e ndërroi emrin në Shqipëri, mjaft punonjës shqiptarë, preferuan që në mënyrë praktike, pra që vendin e punës t’a mbanin dhe të mos zëvendësoheshin nga punëtorë të sjellë prej krerëve të firmës suaj “Perandoria Osmane” nga Anadolli, Dagestani, Arabia, Tatarstani etj, t’i përshtateshin kushteve tuaja dhe t’u ngjanin juve për nga mënyra sesi komunikonin me perëndinë, të tjerëve këtë gjë jo rrallë edhe ua detyruat se përndryshe s’kishte vend pune, ekonomi tregu fundja ishte!

Por një ditë prej ditësh, një firmë e re dhe moderne, me qendra në disa vende të kulturuara si Bukuresht, Arbëri italiane, Sofie, Misir e gjer në Amerikën e largët, e quajtur “Rilindja Kombëtare” doli në skenë dhe nisi sërish t’ia marri në kthesë firmës suaj e cila tashmë kishte nisur të kalbej përfundimisht dhe e pati humbur garën me kohën dhe modernizimin e normave të tregut të lirë në të cilin kishin dalë në pah edhe ca ndërmarrje të reja të quajtura “Kombe”, si ato të rajonit ballkanik për shembull.

Ndërmarrja Greqi pati zënë vendin e saj në fushën e komplikuar të shahut ballkanik.

Ndërmarrja kombëtare Serbi po ashtu.

Ajo Mal i Zi, ndërmarrja Bullgari si një investim i firmës së fuqishme tregtare ruse dhe në fund ajo Rumani.

Firma afariste “Rilindja Kombëtare” synonte që kapitalin e saj kulturor, etnik, historik dhe gjuhësor t’a shkrinte të tërin në të mirë të ndërmarrjes së madhe që pritej të krijohej, asaj që një ditë do të quhej Shqipëri.

Por nga ana tjetër, firma “Perandoria Osmane” sadoqë po i venin për dreq të gjitha investimet jetësore nga Egjipti në Arabi e Ballkan, sërish ekskluzivitetin e saj mbi

Shqipëri nuk donte që t’a humbte kurrësesi.

Për këtë arsye ajo bashkëpunoi në bursa dhe jo vetëm, edhe me firmat e ndërmarrjet konkurente si të quajturën Greqi, Serbi etj.

Por sido që të jetë, në fund këtij të ashtëquajturit “administrim” të tyrit, i erdhi fatalisht (për ta) fundi i pashmangshëm në 1912-ën.

Meqë ndokush ndër punonjësit dhe stazhierët shqiptarë të firmës “Perandoria Osmane” do pranuar se ia kishte kaluar paq aty, të tillë qenë ata që të shtyrë nga zyrat qëndrore të kësaj firme në Stamboll, qysh në 1914-ën ngritën krye duke pretenduar të drejtat e firmës mëmë turke, lidhur me aksionet e ndërmarrjes Shqipëri në bursën botërore të shteteve të pavarura.

Por edhe kjo tentativë e ndonjë ish-punëtori të zellshëm filo-turk si Haxhi Qamili apo Esat Pashë Toptani, dështoi dhe firma “Perandoria Osmane” jo vetëm që u shpronësua totalisht edhe në Shqipëri si kudo tjetër në ish “administrimet” e saj, por në fund ajo vetë u shkri fare dhe u rithemelua me kapital unik turk nën emërtimin Republika Turke nga Mustafa Qemal Ataturku.

Vjen një ditë që shef i madh i kësaj firme e cila gjatë dhjetëvjeçarëve qe dalluar si mjaft e suksesshme ekonomikisht si dhe për nga stabiliteti i investimeve të saja, të bëhet një zotëri me mustaqe dhe ego të rëndë i quajtur Erdogan.

Këtij çoç i duket vetja dhe mendon se është pasues i atyre bosëve (sulltanëve) të dikurshëm të firmës së madhe dhe të kudondodhur me anë të “administrimeve” të saja të paftuara dhe të detyruara për shumëkënd, pra të “Perandorisë Osmane”.

Ai vendos që investimet strategjike të ndërmarrjes Turqi, t’i shtrijë sërish drejt ish-“administrimeve” osmane të dikurshme dhe si synim të parë ka padyshim ndërmarrjen tashmë 100 vjeçare Shqipëri dhe atë më të re 5 vjeçare Kosovë si dhe ndonjë firmë më të vogël shqiptare në ndërmarrjen FYROM-Maqedoni.

Të tjerat i dimë...

Ky do ishte pra lexues, pa qenë unë aspak një ekonomist, një lloj ilustrimi me sfond afarist i kësaj çështje me qeverinë turke erdoganiste të sotme dhe pasuesit e teorive të saj osmaniste mes historianëve turq dhe turkomanëve shqiptarë.

Edhe të kishte qenë tërë historia jonë me turqit, thjesht biznes, aty do kishin ekzistuar prapëseprapë rregulla tregu, shkelje të tyre (nga turqit përherë) dhe të drejta të mohuara për shqiptarët apo dëme të pashlyeshme të shkaktuar prej tyre kundrejt nesh dhe “ndërmarrjes” sonë nacionale të mbetur pikërisht si pasojë e atij “administrimi” të mbrapshtë osman-turk...në bisht të zhvillimit dhe simotrave europiane.

Por kur për çështje afariste nuk është bërë absolutisht fjalë, atëherë punët janë normalisht shumë më të rënda se kaq!

Në qoftë se nazistët gjermanë në Birkenau, Dakau ose Aushvic vetëm kanë administruar 6 milionë hebrenj dhe për arsye ngrohje ndoshta, apo shkurtimesh buxhetore i kanë mbytur në dhoma gazi dhe djegur nëpër furra ata qyqarë, atëherë PO...“administrim” ka qenë edhe ai.

Ashtu turqit s’kanë fare përse t’a mohojnë aq ethshëm “genocidin armen” sepse mjafton të pohojnë gjakftohtësisht, mundësisht nga e njëjta gojë e hidhët dhe e helmatisur e liderit të madh Erdogan që sot me fjalë nga më fyeset po kërcënon edhe popullin e tij që po guxon t’a sfidojë pushtetin e vet nëpër sheshe...të thonë pra se me armenët osmanët nuk kanë bërë asgjë më tepër sesa një administrim ku nja 1 milion e ca armenë të gjorë, kanë dalë “tepricë teknologjike”!

I ka administrimi këto gjëra!

Edhe Pol Poti i marrë në Kamboxhia sipas po kësaj teorie neo-otomaniste, ka praktikuar veçse një tip unikal “administrimi” të kobshëm çnjerëzor me banorët e vendit të tij, kur në fund si pasojë direkte rreth 2 milionë kamboxhianë u “administruan” përfundimisht (vdiqën fushave të orizit) edhe aty.

Më pas me këtë rast, nën këtë shembull të “ndritur” që na vjen nga historianët e dërguar pako postale nga Davutogllu (po e vutë re që nga nisja e protestave në Turqi, vetëm ai i qëndron gjithnjë në krah Erdos, pasi Gyli e ka distancuar veten)...pse mos propozohet që në librat tanë të historisë, përveçse të heqim menjëherë fjalën e “turpshme” “pushtim” për vëllezërit tanë turq, të njëjtën gjë t’a bëjmë edhe për “zemërmirët” serbë, ”miqtë” grekë e deri tek administruesit italianë të pas 1939-ës e nazistët e 1943-shit.

Të gjithë me mish e me shpirt siç po na del tani nën këtë vizion të ri që po synojnë të na imponojnë nga Turqia erdoganiste, nuk paskëshin ardhur kurrësesi ashtu si mendonim neve, për të na pushtuar, vrarë e shfarosur, jo ore, vetëm për të na ADMINISTRUAR!

Edhe ne që kemi 100 vjet të gjata që e mësojmë mbrapsh historinë pale!

Të tjerët na “administrojnë” e ne ia fusim kot e duam të “çadministrohemi”!

Të mos harrojmë që kështu i bie që edhe serbët të kenë administruar qysh në 1878-ën zonën e Nishit dhe me qëllime të pastra “administruese” të kenë përzënë qindra-mijëra shqiptarë prej atyre viseve.

Po ata gjithmonë për “administrim” e asgjë tjetër veç kësaj, i janë vërsulur Kosovës dhe veriut të Shqipërisë në 1912-ën.

Disa qindra-mijëra të tjerë shqiptarë nuk janë therur, djegur, përdhunuar e vrarë prej serbësh e malazezësh apo sllavësh Maqedonie gjer në 2001-shin, por ata ndryshe nga ç’na patën “mashtruar” historianët dhe prindërit e gjyshërit tanë, janë “administruar” prej sllavëve...dhe në këtë “administrim” të tyre hynte përse jo, edhe eliminimi fizik.

Andartët helenë Korçën, Përmetin, Gjirokastrën vetëm e vetëm i kanë “administruar” fillimshekullin e kaluar, kurse mijëra çamë shqiptarë të masakruar e të shkulur nga vatrat e tyre amëtare në 1944-ën ishin asgjë më tepër sesa pasojat e një lloji “administrimi” grek të këtyre njerëzve të pafajshëm.

Për t’u kthyer në realitet dhe për të evituar më tej dokrrat turke, ajo që mendoj unë është që si ndodhi që një provokimi të tillë të paprecedenttë si ky i atyre të pafytyrëve historianë turq, të cilët në mes të Tiranës guxojnë të pohojnë se Perandoria Osmane nuk e ka “pushtuar”, por “administruar” vendin tonë, nuk iu përgjigj kush me protesta apo përse jo edhe me një shpallje “non grata” për ata vetë dhe një notë proteste për ambasadën turke në kryeqytetin tonë?!

Kristo debilin e Agimit të Artë, për fyerje të ngjashme e shpallën “persona non grata” më duket, këta ç’i bën më të mirë se ai???



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora