E premte, 19.04.2024, 02:19 AM (GMT+1)

Mendime

Imer Mushkolaj: Policët e moralit

E hene, 10.06.2013, 07:32 PM


POLICËT E MORALIT

Nga Imer Mushkolaj, Express

Të pretendosh se po bën punën e një mbrojtësi të moralit, duke propaganduar urrejtje e denigruar të tjerë që nuk mendojnë si ti, është e pamoralshme dhe s’ka lidhje me fe. Është e rrezikshme.

Ka kohë që imami i një xhamie në Prizren fyen e shan njerëz në ligjëratat e tij, por vetëm së fundi shkaktoi reagime fort të ashpra dhe plotësisht të arsyeshme nga shoqëria kosovare.

Ka kohë që me diskursin e tij publik, të mbushur plot vrer e urrejtje për të gjithë ata që nuk mendojnë e nuk sillen siç thotë ai, hoxha luan rolin e një gardiani, një polici të “moralit shqiptar”. I ka vënë vetes detyrë që të gjithë, ama të gjithë ata që nuk duan të jetojnë sipas normave islamike fundamentaliste, t’i shajë e fyejë me fjalët më të ndyta, më të ulëta e më vulgare që mund të dalin nga goja e një njeriu.

Para më shumë se një viti, po në këtë gazetë, pata shkruar për gjuhën e këtij hoxhe, i cili i quante “pise” të gjitha femrat që nuk vishen sipas rregullave islame dhe “rrospi” të tjera që zgjedhin të jetojnë sipas vullnetit të tyre.

Pak muaj më vonë u vura në shënjestër të mbështetësve dhe bashkëmendimtarëve të tij, të cilët nuk kursyen sharje, fyerje e kërcënime vetëm pse në shkrimin “Dhunshëm dhe rrezikshëm” isha shprehur se nuk ka patriotizëm më të madh se të luftohen radikalët islamikë në Kosovë - ata që dhunshëm po përpiqen t’i mveshin vendit identitet fetar.

Pas kaq kohe, unë vazhdoj të qëndroj fort pas atyre që kam thënë atëherë, por jam shumë më i shqetësuar pse askush nuk ka ndërmarrë asgjë ndaj atyre që ligjërimet - jo vetëm përpara xhematit i kanë të mbushura plot jotolerancë, mllef e fyerje ndaj feve të tjera, plot thirrje për dhunë ndaj të tjerëve që nuk janë si ata. Ndaj atyre që predikojnë islamin si fe të paqes dhe tolerancës, por që shfaqen jotolerantë e racistë. Ndaj atyre që dinë të jenë të rrezikshëm dhe të dhunshëm.

Hoxha i Prizrenit dhe të tjerë që mendojnë si ai, e që janë edhe pjesë e organizatave politike dhe institucioneve të vendit, po e shfrytëzojnë rastin që në një shoqëri e shtet të rraskapitur varfërie e mjerimi të animojnë sa më shumë ithtarë që i ndjekin pas në agjendat e veta, në rrugën drejt kthimit të shoqërisë dhe shtetit në “identitet”, siç e mendojnë ata Kosovën - të talibanizuar e të sheriatizuar.

Nuk ka faj hoxha, por institucioni që e ka zgjedhur t’i shërbejë xhematit, e jo ta helmojë shoqërinë.

Nuk ka faj aq hoxha dhe radikalët e tij, sa kanë faj institucionet shtetërore e udhëheqës të tyre të cilët, me mënyrën e qeverisjes dhe qasjes ndaj problemeve, e kanë futur vendin në një krizë të thellë, të të gjitha aspektet. E kanë kthyer vendin në një pre të lehtë për të gjithë ata që duan t’i përmbushin planet e tyre të arabizimit të vendit. Për këtë shkak, pastaj, reagimet ndaj hoxhallarëve radikalë dhe diskursit të tyre publik duken si furtunë në një gotë uji.

* * *

Hoxha i Prizrenit është njëri ndër ata që nuk pajtohen me faktin se shqiptarët e kanë mënyrën e vet të praktikimit të islamit.

Përveç ndaj femrave, ligjëratat e hoxhës janë plot vrer e mllef edhe ndaj meshkujve. Ndaj të gjithë atyre të rinjve që shpojnë veshët, bëjnë tatuazhe, kujdesen për trupin e vet, e të cilët hoxha i quan “kafshë”, “hajvanë”, “magarë”, “Millorad”. Ndaj rinisë së “çoroditur” që humb kohë në “telefona të mençur”.

Por, ligjëratat e hoxhës duken pakgjë, kur krahasohen me veprime të dhunshme të radikalëve islamikë, që pretendojnë të na tregojnë se cili është islami i vërtetë.

Ata kanë rrahur hoxhallarë që nuk e pranojnë mënyrën e tyre të praktikimit të fesë, ndërkaq në ligjëratat e veta bëjnë thirrje për luftë ndaj “të pafeve”. Vazhdojnë t’i luftojnë të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe që nuk e pranojnë “kodin” e tyre të të jetuarit. Nuk japin mesazhe paqeje e tolerance, por bëjnë propagandë denigruese. Duan që Kosovën ta largojnë nga praktikimi i islamit tradicional dhe të sjellin një frymë dhe mënyrë jetese që s’është parë ndonjëherë këndejpari.

Ata kanë sulmuar njerëz në aktivitete publike, kanë sulmuar imamë që kanë këmbëngulur të ruhen dhe kultivohen vlerat fetare, të cilat janë trashëguar nga të parët. Dhe, gjithçka e kanë bërë me mbështetjen e heshtur të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Rastet e dhunës, bashkë me diskursin radikal (që në gojën e ndonjë hoxhe mund të duket cinik e qesharak për ata që e dëgjojnë, por është shumë tragjik), duhet të jenë alarm për të gjithë - për shoqërinë e institucionet, se sa të rrezikshëm mund të jenë ata që nuk zgjedhin mjete e as mënyra për t’i arritur qëllimet e tyre.

Të pretendosh se po bën punën e një gardiani të moralit, duke propaganduar urrejtjen ndaj të tjerëve që nuk mendojnë si ti, është e pamoralshme dhe s’ka lidhje me fe. Është e rrezikshme.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora