Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kush e dëmtoi Kosovën Lindore?

| E diele, 09.06.2013, 10:48 AM |


Të premten, më 31.5.2013, në Kuvendin e Kosovës u debatua dhe nuk u arrit të votohet Rezolutë për Kosovën Lindore. Për ironi, para kuvendarëve dhe përfaqësuesve të Kosovës Lindore me mocion për këtë çështje u paraqit deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri dhe me “kundërmocion” (ndryshime kushtetuese) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi – dy njerëzit që më së tepërmi e dëmtuan çështjen e Kosovës Lindore.

Lutfi Haziri i udhëhoqi bisedimet Kosovë-Serbi më 2006, në Vjenë, ku u bisedua gjerë e gjatë për serbët e Kosovës, e nuk u tha asnjë fjalë për shqiptarët e Kosovës Lindore! Pastaj, si Ministër i Pushtetit Lokal zbatoi decentralizimin, me anë të të cilit serbët e Kosovës “u diskriminuan pozitivisht”, ndërsa shqiptarët e Kosovës Lindore u harruan fare!

Hashim Thaçi i udhëhoqi bisedimet në Rambuje, mori pjesë në bisedimet në Vjenë, po i udhëheq bisedimet e tashme në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në të gjitha këto ngjarje Kosova Lindore u përjashtua padrejtësisht, duke e dëmtuar kështu rëndë këtë çështje!

Tani, këta dy njerëz, vetëm pas përmbylljes së proceseve që rezultuan me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, udhëheqës të të cilave ishin vetë, dalin me projektrezoluta e amendamente kushtetuese kinse në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore.

Se këta politikanë e përdorin çështjen e Kosovës Lindore vetëm për qëllime elektorale tregon edhe fakti i kushtëzimit të kësaj çështjeje me formimin e komunës së re të Zhegrës(!), apo edhe me votat për ratifikimin e  marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë(!) pa u zgjidhur çështja e Kosovës Lindore.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 3.6.2013