E premte, 19.04.2024, 10:27 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Jemeni, "burgu" i femrave

E enjte, 15.05.2008, 06:51 PM


Ligjet e rrepta që e mbajnë në injorancë dhe ia shkelin të gjitha të drejtat

Vendi arab ku gruaja është shndërruar në mall shkëmbimi

Në Jemen të shohësh një grua të pambuluar është një ndër gjërat më të rralla që mund të të bjerë rasti të takosh. Femrat janë të mbuluara dhe ecin shpejt nëpër rrugët e mbushura me meshkuj. Nëse ndodhesh në këtë vend për punë dhe më pas në atdhe të pyesin se si ishin gratë e Jemenit, e vetmja gjë që mund të thuash është: femrat janë kodra të vogla, të mbuluara, lëvizëse. Në rrugë, apo edhe në ambiente të tjera publike nuk ke shans të shohësh ndonjë femër fytyrëzbuluar, ndaj ato mbesin për ty një mister që nuk të takon ta dish. Në vendet arabe fjalët "grua" dhe "të drejta" rrallë bëhen bashkë, por edhe kur kjo ndodh, ata që i shqiptojnë janë me siguri anëtarë të ndonjë shoqate joqeveritare. Megjithatë, në Jemen, situata është shumë më e rëndë se ajo te fqinjët. Për sa i përket lirisë e të drejtave, vendin e parë për shkeljen e tyre e zë Arabia Saudite, por edhe në këtë vend gratë mund të arsimohen dhe të kenë kujdes shëndetësor. Në Jemen, mungesa e të drejtave qytetare për gratë kombinohet me një varfëri tronditëse dhe kështu është krijuar një shoqëri ku gratë, jo vetëm janë pronë e burrave, duke mos pasur as të drejtën e daljes nga shtëpia pa lejen e tyre dhe subjekt arrestimesh në rrugë, nëse nuk e kanë marrë një leje të tillë, por ato janë lënë në kushte injorance të plotë dhe për më tepër e kanë për detyrë që të martohen përpara moshës së pubertetit e madje edhe të vdesin gjatë aktit të sjelljes në jetë të foshnjës. Ligjet e familjes janë ndër më të këqijat për gratë në gjithë Lindjen e Mesme. Është një situatë mesjetare për femrën në një nga vendet më të prapambetura të botës, ku niveli i varfërisë është 40%. Vetëm 35.9% e popullsisë ka akses në ujin e pijshëm. Por ndërsa i gjithë populli jeton në kushte shumë të vështira, gratë prekin vërtet fundin me dorë. Në Jemen vetëm 1 në 3 gra ka shansin të mësojë shkrim e këndim. 71% e femrave të vendit janë analfabete, ndërkohë që për Lindjen e Mesme kjo shifër është 31%. Nëse një grua nga Jemeni duhet të sjellë në jetë një fëmijë, shanset për t‘u asistuar nga një mami janë 1 në 7, ndërsa shanset për të humbur jetën gjatë lindjes janë 1 në 39. Për sa i takon të drejtave, gruaja e Jemenit ka aq pak, sa po të thoshe fare nuk do të bëje ndonjë gabim. Në ligj nuk thuhet se cila është mosha minimale kur një femër duhet të martohet, që do të thotë se shumë femra vënë kurorë që pasi mbushin 10 vjeç dhe kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në vdekshmërinë foshnjore dhe atë të nënave vetë. Pushteti mashkullor është i plotë dhe shtrihet kudo. Jo vetëm në politikë ku ka vetëm një femër deputete në 301 anëtarë të Parlamentit dhe për sa i përket pushtetit lokal ai përfaqësohet vetëm nga 35 gra ndaj 6000 burrave. Një grua, për shembull, nuk mundet të martohet pa lejen e një mashkulli të afërt, në mos të familjes të fisit të saj. Nëse nuk ka baba për të duhet të vendosë i vëllai, apo ndonjë i afërm tjetër, por nëse nuk ka asnjë mashkull në familje, atëherë ajo duhet t‘i kërkojë leje një gjyqtari. Gratë janë rregullisht viktima të arrestimeve arbitrare, ose të arrestimeve për shkaqe morale të tilla si tradhtia bashkëshortore, pirja e duhanit, apo ngrënia në një restorant me ndonjë mashkull. Të drejtën për arrestime të tilla nuk e ka vetëm policia, por të gjithë meshkujt që punojnë në Ministrinë e Brendshme, shefat e seksioneve të lagjeve e zonave të ndryshme administrative, madje edhe rojet bregdetare. Me pak fjalë çdo njeri me uniformë mund t‘i verë prangat një femre, nëse ai e gjykon se sjellja e saj është e pamoralshme për ligjet e vendit. Burgjet e Jemenit janë të mbushura me gra, të cilat shpesh as që e dinë se cili është "krimi" që kanë bërë. Shpesh ato nuk përballen as me gjyqe. Krahasuar me këtë situatë, mënyra me të cilën gratë vishen duket një e keqe qesharake dhe e parëndësishme. Megjithatë, për sa i përket paraqitjes ato janë tërësisht të mbuluara, edhe pse kjo është një zgjedhje personale, por e preferuar nga shumë gra në një shoqëri thellësisht fetare. Në zonat rurale, gratë që punojnë gjithë ditën nëpër fusha e kanë trupin të mbuluar, madje edhe duart e sytë. Për një të huaj nuk ekziston shansi që të shohë qoftë edhe një fytyrë femre jemenase. Të udhëtosh në këtë vend nuk është aspak e lehtë. Konfliktet fisnore në veri të vendit dhe rritja e ndikimit të Al-Kaedës, e bëjnë një vend të rrezikshëm, sidomos për perëndimorët. Grabitjet janë gjithashtu një problem shumë i madh. Koncepti i "haram" (turpit) është kaq i ngulitur në kulturën e njerëzve, saqë kjo është ndër fjalët më të përdorura dhe ndër termat më të përhapura. Një ndër "haramet" që merr më shumë jetë grash është paragjykimi i tyre për të mos u vizituar te doktorët, sepse ata janë meshkuj dhe nëse ata do t‘u shihnin grave pjesët e mbuluara të trupit ky do të ishte "haram". Kjo do të thotë se një grua mund të shkojë lehtësisht drejt vdekjes, vetëm për të mos u turpëruar. Megjithatë, ka disa gra të cilat janë rebeluar ndaj një situate të tillë dhe me këmbëngulje, por edhe falë tolerancës së familjeve të tyre ia kanë dalë të ndryshojnë diçka, të paktën për vete, por edhe për të tjerët, pasi ato janë gjithsesi një shembull ndryshimi. I tillë është rasti i një gruaje që falë këmbënguljes ia ka dalë të bëhet doktoreshë. Si është e mundur? Kur e pyesin perëndimorët ajo thotë se kishte bërë një grevë urie treditore në shtëpi dhe më në fund i ati kishte pranuar. Ajo punon në spital dhe bashkë me të ka edhe një numër gjithnjë e në rritje mamish që kualifikohen nga shoqata perëndimore. Kjo ka bërë që në njëfarë mënyre kujdesi shëndetësor të shtohet, por në zona të veçanta, pasi masivisht gratë vuajnë shumë nga mungesat e mamive dhe nga turpi për t‘u vizituar nga mjekët meshkuj.

Shtëpitë karakteristike të Jemenit janë disa kulla të larta me shumë kthesa dhe kalime të ngatërruara brenda, me shkallë që të çojnë në dhoma të vogla e të larta. Sigurisht që një konceptim i tillë i banesës ka të bëjë edhe me mënyrën e konceptimit të jetës së femrës e cila duhet të jetë sa më pak prezente dhe të jetojë e veçuar nga mashkulli. Një nga karakteristikat e vendit është që gratë pavarësisht frikës se mund të humbasin jetën gjatë lindjes, kanë shumë fëmijë, sidomos në zonat rurale. Në një familje të tillë të kesh 6 fëmijë është pak. Zakonisht gratë sjellin në jetë 9 ose dhjetë fëmijë. Pjesa më e madhe e lindjeve kryhet në kushtet e shtëpisë e me ndihmën e grave të tjera të familjes e të fisit, në rast se nuk ka pranë ndonjë mami. Ideja e planifikimit familjar është krejtësisht e panjohur dhe ato nuk mund ta imagjinojnë jetën pa lindje të vazhdueshme. Për to fëmija është një dhuratë e Zotit që duhet mirëpritur sa herë që vjen, edhe nëse kjo mund të ndodhë çdo vit të jetës së tyre. Po me se rriten kaq shumë fëmijë në një vend të varfër, që tani me rritjen e çmimeve është kthyer në një vend edhe më fatkeq? Në këtë situatë që të duket e pamundur për gratë ka edhe gra që janë ndryshe. Edhe pse e mbajnë fytyrën zbuluar, ato kanë të mbuluar trupin dhe kokën. Shpesh gra të tilla janë në të tridhjetat dhe janë të martuara me intelektualë që kanë qenë në Perëndim dhe mendojnë se koha për të ndryshuar ka ardhur edhe në Jemenin e varfër dhe të mbyllur. Përgjithësisht të gjitha vendet arabe kanë mungesa në ligjet e të drejtave të njeriut, tolerojnë dhunën ndaj grave dhe e privojnë atë nga shumëçka në jetë, por ndërsa në disa prej këtyre vendeve femrat kanë më shumë akses në shkollim, punësim dhe të drejta politike në Jemen nuk ekziston asgjë e tillë. Gratë në Jemen janë të pambrojtura dhe mbajnë gjithë peshën e barrën më të rëndë të një shoqërie të mbyllur dhe të varfër. Kur Jemeni përbëhej nga dy vende: në veri Republika Demokratike e Jemenit dhe në jug shteti marksist, ai kishte Kushtetutën më pro femrave në të gjitha vendet arabe. Por ribashkimi i dy shteteve në një të vetëm në vitin 1990 u pasua nga një luftë civile që zgjati 4 vjet dhe në fund të saj veriu vendosi rregullat e shoqërisë së tij edhe ndaj jugut liberal. Uniteti u forcua dhe baza ligjore u bë ligji i sheriatit. Ndikimi i Arabisë Saudite dhe i linjës së saj të ëahabismit është i madh dhe ka pasur shumë ndikim në mënyrën e jetesës, veçanërisht në zonat kufitare. Një ndër vendet më të dhimbshme të Jemenit është burgu i grave. Ato janë godina të mëdha prej betoni dhe gratë zakonisht jetojnë jo në qeli më vete, por në qeli të mëdha kolektive. Ajo që është e dhimbshme është se pjesa më e madhe e të dënuarave janë nëna me fëmijë dhe se një pjesë e madhe e atyre që popullojnë qelitë janë shumë të reja në moshë. Historitë e tyre janë të pabesueshme. Ja njëra syresh e rrëfyer nga një grua që tani vuan brenda hekurave: "Po vizitoja një mik në shtëpinë e tij dhe po hanim drekë, kur befas më arrestuan për prostitucion dhe jam dënuar plot 11 muaj burg". Një vajzë tjetër thotë se është arrestuar ndërsa po shihte televizor në shtëpinë e një fqinji me dyshimin se ajo kishte pasur ndër mend të kryente ndonjë akt të pamoralshëm. Një grua tjetër ndodhej në burg që prej 6 muajsh, sepse kishte refuzuar të bënte seks me një mashkull, i cili më pas nga inati e kishte paditur për mungesë morali. Arrestimi i femrave për motive morali është kthyer në një biznes të vërtetë, pasi disa i arrestojnë dhe më pas u kërkojnë para familjarëve për t‘i liruar. Kësisoj ato janë shndërruar në mallra të vërtetë për përfitim. Ka edhe gra në burgje që kanë punuar vërtet si prostituta. Zakonisht prostitucioni është një fenomen që shtohet në muajt e verës kur vijnë shumë turistë nga Arabia Saudite, por pjesa më e madhe e të burgosurave janë viktima të ligjeve të rënda që bien mbi kurrizin e grave. Por egërsia shkon përtej ligjeve të sheriatit që kërkojnë edhe prova për një akuzë. Gratë mbahen brenda hekurave pa prova dhe askush nuk mund t‘u dalë përkrah. Dhe në fund ka edhe një tjetër rregull absurd. Nëse një grua nuk pritet jashtë burgut nga një mashkull i familjes, apo i autorizuar nuk lejohet të dalë jashtë hekurave. Është e vështirë të ndryshosh rregullat e shtetit, por gjëja më e vështirë është që të ndryshosh mentalitetet e njerëzve, mendësitë e atyre që kanë një jetë të tërë që janë rritur me zakone të caktuara. Një ndër zakonet më të rënda është ai i martesave të hershme. Në familjet e varfra që duan të kenë një gojë më pak për të ushqyer ky fenomen merr përmasa të jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha mosha e vajzave që martohen është thuajse e mitur. Si pasojë e miturisë dhe e shtatzënive të menjëhershme në çdo 100 mijë gra 500 humbasin jetën gjatë sjelljes në jetë të fëmijëve. Kjo është edhe një nga shifrat më të larta në botë. Pjesa më e madhe e këtyre grave vdesin para moshës 20-vjeçare. Pra bëhet fjalë për martesa vrasëse ku mituria e nuseve gërshetohet me mungesën e shërbimit shëndetësor e pasoja është vdekja. Ka disa organizata të huaja që së bashku me gra vendase janë përpjekur që të ndryshojnë ligjet për moshën e martesave të femrave në Parlament, por një ndërmarrje e tillë është thuajse e pamundur. Qëllimi është ligjërimi i moshës 18-vjeçare për martesë. Shpesh janë vetë nënat që rregullojnë martesat e të bijave. Ato vetë janë martuar hershëm. Zyrtarisht thonë se kanë qenë të lumtura, por kur nisin të hapen mund të dëgjosh histori të dhimbshme. Një grua tregon se kur e takuan në moshën 11-vjeçare me burrin e ardhshëm 25 vjeç më të madh ajo ishte tmerruar aq shumë sa i kishte rënë të fikët, por gratë e kishin përmendur, duke i thënë se ai nuk ishte një gogol, por zoti i saj i ri me të cilin do të kalonte jetën dhe të cilit duhet t‘i bindej për çdo gjë. Histori të tilla janë të zakonshme në Jemenin e prapambetur çka të bën të mendosh se gjithmonë varfëria dhe prapambetja e një shoqërie lidhet ngushtësisht me gjendjen në të cilën ndodhet femra. Sa më e shtypur është ajo, aq më e vuajtur është edhe gjithë familja e më gjerë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora