Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Drita Lushi: Peshorja

| E diele, 09.06.2013, 06:03 PM |


DRITA LUSHI

AH SIKUR…!

- Peshorja-

Skicë – essé

Qysh kur jemi në bark të nënës,“dëgjojmë” të flitet për peshë dhe peshore!

Kur mamatë shkojnë tek mjeku obstetër ai u thotë: “Peshohu, peshohu  njëherë të shohim!”

E ato, nga dëshira për një shtatzani normale dhe rrjedhimisht për fëmijë të shëndetshëm, peshohen jo pa një farë “ankthi” se sa kanë shtuar, a thua se pesha e tyre përcakton dhe shëndetin e fëmijës.

Te tjera, që duan të ruajne linjat, peshohen edhe pa u thënë doktori dhe përsëri kanë “ankth” se sa kanë shtuar, duke menduar se si do ti heqin kilogramët pas lindjes.

Ne të dy ratet “fajin” e ka peshorja për ndjenjën e “ankthit” që i pushton femrat, përballë saj (peshores).

Po po!

Ai send i çuditshem i shpikur nga njeriu, arrin të na krijoje frikëra, iluzione, shtrëngime, dieta, tkurrje, strukje,stepje, tërheqje.

Po s’mbaron këtu.

Ju kujtohet pas lindjes?

Shkojme tek mjekja çdo tri javë ose njëhere në muaj të peshojmë fëmijën, të dimë sa  gramë shton, mundësisht pa peshën e rrobave, e s’pyesim fare në femija qan në atë peshore të vogël si minidjep që e gjejmë në Qendrat Shëndetesore Shqiptare.

Po ti dëgjosh pak me vëmendje duket sikur fëmijët thonë: “ Po unë jam mirë, po rritem, pse më “torturoni” çdo muaj kështu?

A nuk piva mbrëmë gjithë natën qumësht?”

E nëse gramët nuk janë ato që duam ne, fillojmë merakosemi, vëmë në lëvizje gjithë shtëpinë,vjerrat dhe mamatë tona, motra e vëllezër, u shprehim shqetësimin tonë: “Çfarë ka ky fëmijë që nuk shton?” Vrapojmë në farmaci të gjejmë ushqimet më të mira, masim mililitrat që pi fëmija nga biberoni (përsëri ja ku hyn kjo e “shkretë” peshore!),e nuk presim; As pa u bërë java, vrapojmë përsëri para zonjëzës peshore.

Raste ekstreme, kur mamatë i japin të hajë  fëmijës, dhe pas dy orësh shkojnë për ta peshuar, të bëjne të ndihesh ekstremisht çuditshëm dhe keq.Harrojnë  se kjo mani, mund të ketë pasoja të parikthyeshme.

Kanë qenë dikur dhe kandarët,( janë edhe sot, jo vetëm si relike)por jo mo jo!

Nuk janë kaq të kërkuar sa peshoret moderne.

Por mos kujtoni se peshorja dhe pesha është një problem vetëm për femrat.Meshkujt gjithshtu kanë raporte të mira me peshoren… e ju femra mos u bëni “xheloze”.

Por lidhja me peshoren nuk mbaron deri tek pesha fizike.

Pa mendoni pak përtej së përditshmes sonë…

Jo aq larg, por ja deri aty… kur kemi qenë të vegjël…

Sa herë jemi përpjekur të mos gabonim në shkollë, nga frika   se do të na gjykonin prindërit, mësueset e shokët?

Sa here jemi munduar te “mos gabonim”se do ti konsideronin sjelljet tona të pahijshme, do na shihnin shtrembër,e  do të na quanin  “dele” që dilnim nga kopeja?

A ju kujtohet sa herë na kanë thënë prindërit :“Mos këtu!”, “Mos u shoqëro me këtë, apo me atë?”

Pa shihni pak tani të përditëshmen tonë…

Sa herë u jemi drejtuar  fëmijeve tanë, me pjesëzen mohuese:”Mos?!”

A nuk ju duket  vetja përsëri si në atë peshoren ku na vinin prindërit të vegjël, ose ku kemi vënë fëmijët tanë?

Pra, peshohet  sjellja dhe veprimet.

Po po peshohen!

“Si?”- do pyesni ju.

A nuk ekziston përhere një grup njerëzish që ju njeh, që flet për ju, që ju gjykon sjelljet, veshjen, punën, qoftë ndër sy, qoftë pas krahëve?

Eshtë e sigurtë  se edhe ai që është indiferenti  më i madh, nuk mund t’u shpëtojë këtyre opinioneve,ose të kalojë kaq shpërfillës përballë tyre.

Qofsh njeriu më i mirë, më i drejtë, më i mençur , ç’rëndesi ka; Nuk mund të shpëtosh pa u “situr”  në PESHOREN E OPINONIT.

Edhe kjo lloj peshorje, krijon frikërat e veta, ashtu si peshorja e fëmijërisë, shtatzanisë, ashtu si peshoret ku masim eleganecën apo mbipeshën  tonë .

Duke pasur “frikë” si do të dukemi në këtë “peshore”, dhe njëkohësisht për tu dukur sa më mirë, e di ç’bëmë ne njerëzit?

“Shpikëm”  autopeshoren.

Autopeshorja “mat” veprimet, sjelljet, interesat, dashurinë, servilizmin;Mat gjumin, zgjimin, shoqërine, punën.

Uf!

Ç’torturë , pa mendojeni një çikë?!

E di si e mendoj ketë “vetëpeshore”?

Si nje burg Brenda vetes, ku gardianet jemi ne vetë, dhe çelësat e prangave i mbajmë po ne.

Liria ka qenë dhe ështe gjëja me e çmuar për ne shqiptarët, dhe për të gjithë popujt e njerëzit.

E nëse do quanim zgjedhë vetëm atë,kur një i huaj na pushton vatanin, do ishim kryekëput gabim dhe jo të drejtë.

Zgjedha më e madhe është ajo që njeriu i bën mendimit dhe sjelljes së tij, kur e cungon, e pret, si jep frymëmarrje, e ndrydh e akoma më shumë, e kyç brenda vetes, duke pasur pikërisht frikën e gjykimit të kësaj “dreq” peshorje!

Personalisht s’më ka pëlqyer që jetën ta shoh si balancë.

Është paradoksale të mendosh që pikërisht ajo shigjetë e vogël peshoreje, të na “kontrollojë” idetë, veshjet,mendimin;

Ajo shigjetë e vogël peshoreje të na “censurojë” te qeshurën, shakanë, mirësinë, dashurinë.

Jo balancës, por jo vulgarizmit dhe ekstremizmit!

Te mos ecësh me balancë, por jo të fluturosh!

Pra të ndihemi të balancuar, brenda mosbalancimit,kjo është ajo që duhet t’i mësojmë vetes dhe të tjerëve përreth.

S’duhet parë e s’duhet vënë jeta në balancë,por të jetë sensi i masës që duhet të shoqërojë të përditëshmen dhe veprimet tona.

Të mos ndihemi në“kurthin” e peshores së jetës tonë.

Te ndihemi, e të ndiejmë të lirë.

Si?

Peshorja?

Vlen, por në farmaci dhe politikë do të ishte shumë e domosdoshme.

***

Ah, sikur të mos ishte “shpikur” kurrë peshorja për njerëzit!

Ah, sikur të ishte “shpikej” një peshore politike!

Ah, sikur…!

 

Drita Lushi

Shqipëri, qershor 2013