E premte, 29.03.2024, 06:31 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Çipa dhe Mirënjohja për Himarjotin

E diele, 09.06.2013, 04:59 PM


Kristo Çipa dhe Çertifikata e Mirënjohjes për Neço Muko Himarjotin

Nga Timo Mërkuri

1- Në datën 30 Maj 2013, në sallën e Bashkisë Sarandë, në nje ceremoni prekëse, kryetari i Bashkisë Sarandë z Stefan Çipa  u akordoi Çertifikatën e Mirënjohjes së  Qytetit të Sarandës një  sërë figurash intelektuale me banim apo kontribut në qytetin e Sarandës. Për hir të së vërtetës, duhet të themi se Bashkia e Sarandës i propozoi Qarkut Vlorë, që me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të  vlerësoheshin e dekoroheshin këta intelektualë për kontributin e tyre, por duke qënë se Qarku Vlorë predominohet nga forca politike e kundërt me atë që drejton Bashkinë Sarandë, ky propozim  mendoj se u konsiderua si “diversion politik në prag të zgjedhjeve” dhe nuk u muar në konsideratë. Lista e propozuar nga Bashkia Sarandë, pasi kaloi në disa filtra politikë, konkludoi në injorimin e  kontributit  të shumë figurave intelektuale, shumë prej të cilëve me bindje të djathta, dhe vlerësimin politik të  pak intelektualëve. Ky akt  revoltoi qytetarët.  Atëherë kryetari i Bashkisë Sarandë, në një ceremoni zyrtare, shpalli Mirënjohjen e Qytetit të Sarandës ndaj  qytetarëve të shquar dhe kontributit të tyre intelektual, me vlerë të spikatur jo vetëm për qytetin e Sarandës, duke u dorzuar personave apo pasardhësve të tyre Çertifikatën e Mirënjohjes.

2-Në listën e të propozuarve ishte edhe emri i Neço Muko Himarjotit (Nestor Muko), emër i cili ishte gjithashtu edhe në listën e të refuzuarve nga Qarku i Vlorës për tu nderur.

Nuk është hera e parë që emri i tij sfidohet. Dihet që artistët e mëdhenj, si në gjallje ashtu dhe pas vdekjes i ndjek  pas jo vetëm lavdia, por edhe moskuptimi. Regjimi dictatorial i Enver Hoxhës kishte refuzuar ta nderonte, për vetë faktin se, vëllai i tij u bë Ministër i Brendshëm në kohën pushtimit Italian, në vitin 1942, ndonëse Neço Muko kishte vdekur qysh më 1934. Por regjimi s’hante arsye (shkuan gjashtë muaj/pse më keshe sharë) dhe s’mirte në konsideratë faktin se Neço Muko s’kishte asnjë lidhje me këtë  ministrillëk të të vëllait (unë skeshë lerë/ku të keshë parë). Pushteti demokratik nuk e vlerësoi se ai…nuk ishte antikomunist….Vijojmë më tejë, një pjesë e caktuar himarjotësh nuk e kanë shumë qef  Neço Mukon se …ai këndoi shqip, po ashtu si dhe një  pjesë tjetër e himarjotëve nuk e duan sepse ai shkroi ….edhe greqisht… dhe harojnë se shkroi gjithashtu edhe italisht e frëngjisht. Qarku i Vlorës, i dominuar nga të djathtët dhe i kryesuar nga një himarjot i djathtë, kishte dy arsyet e mësipërme  për të mos e vlerësuar këtë figurë që punoi dhe kontriboi për kulturën mbarë kombëtare jo vetëm në qytetin e Sarandës. Shtoi kësaj edhe faktin se propozimi erdhi nga  socialistët dhe plotësohej kështu rrethi vicioz i refuzimit të vlerësimit.

3-Mirëpo intelektualët e Sarndës kërkuan me këmbngulje vlerësimin e kësaj figure, duke dalur tejë gardhit të oborit politik.

4-Kryetari i Bashkisë Sarandë  z Stefan Çipa i akordoi Neço Muko (pas vdekjes)  Çertifikatën e mëposhtëme të Mirënjohjes

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

BASHKIA SARANDË

Mirënjohje

I jepet Neço Muko

(Pas vdekjes)

Në cilësinë e qytetarit të parë të Sarandës, vlerësoj shumë të rëndësishme kontributet e tij në fushën e kulturës, si i pari drejtor i shtëpisë së kulturës së këtij qyteti. Neço Muko identifikohet si kontributor i madh i këngës, muzikës dhe artit në tërësi, në vitet 1926-1932.

Ka meritën e kultivuesit të parë të këngës qytetare dhe të krijimit të identitetit të isopolifonisë himarjote në Sarandë. Me emrin e tij është i lidhur incizimi i hymnit kombëtar shqiptar në Paris, në vitin 1929.

Mirënjohje e pakufishme shkon për Neço Mukon, pasi brezave të artistëve të skenës ai u la si trashëgimi të vetën traditën e ngritjes së teatrit me të cilin dha disa shfaqje, lindjen e gjinive të thjeshta e të dashura të humorit, siç janë parodia dhe skeçi.

Emri i tij i bën nder kulturës sarandiote dhe asaj shqiptare.

STEFAN ÇIPA

KRYETAR

5-Kabineti i Kryetarit të Bashkisë  i propozoi shoqatës së Krijuesve Jonianë që, çertifikatën ta mirte shoqata, me arsyetimin se Neço Muko nuk ka në Shqipëri asnjë trashëgimtar të afërm (familja e të vëllait ish ministër banon në Egjypt) dhe se antarë të kësaj shoqate kanë kryer studime mbi iso-polifoninë dhe kanë ngritur vlerat dhe kontributin e kësaj figure.

Këtë propozim e kundërshtova me faktin se, nga shoqata jonë, vetëm një antar është marë me studimin dhe kontributin e kësaj figure dhe ky antar është punonjës bashkie, për pasojë nuk është etike që të miret kjo çertifikatë prej tij. Fakti tjetër është se, ndërsa nga  një antar i shoqatës sonë janë bërë studime teorike, është një grup i tërë iso-polifonik ai që mban gjallë dhe përsos më tejë vlerat, kontributin  dhe trashëgiminë e Neço Mukos. Ky grup është pikërisht grupi që drejton Kristo Çipa dhe këtij grupi i takon të marë dhe të krenohet me këtë  vlerësim të qytetit të Sarandës.

Kështu shpjegohet që në tribunën e qytetit të Sarandës, si pasardhës dhe trashëgimtar i vleravë artistike  të Neço Mukos  u ngrit Kristo Çipa, i cili, duke marë Çertifikatën e Mirënjohjes, përshëndeti dhe falnderoi edhe në emër të…Neço Muko Himarjotit.

6-Kristo Çipës dhe grupit të tij i trakon me të drejtë të mbajë këtë Çertifikatë Mirënjohjeje akorduar në emër të Neço Muko Himarjotit, sepse ai:

-vazhdon dhe përsos atë që nisi Neço Muko, këngën  himarjote.

Neço Muko e shkëputi këngën himarjote nga shtrati tradicional i këngës isopolifonike, gati i njëjtë në gjithë trevën e iso-polifonisë, duke krijuar variantin (avazin) himarjot me një karakteristikë të veçantë dhe nivel të lartë artistik. Këtë  variant e përsosi më tejë Dhimitër Varfi dhe grupi i tij. Leftër Çipa shkëputi, përsosi dhe krijoi prej këtij varianti këngën magjike pilurjote. Ndërsa Kristo Çipa, në kushte të reja, më të vështira se dy të fundit, duke përsosur më tejë variantin himarjot, duke mësuar prej këngës pilurjote të Lefter Çipës,  krijoi një variant të ri, sa të ngjashëm me këto dy variante aqë edhe modern. Është si në mes të dy maleve të lartë, të ngrihet një mal akoma më i lartë, plot me pemë, bimësi e gjallesa, dhe ky mal i ri të jetë një digë hidrocentrali.

-novacioni i Neço Mukos është  dhënia e një roli dhe funksioni energjik dhe vendimtar hedhësit të këngës. Por rolin  parësor estetik të hedhësit të këngës në grupin e Kristo Çipës nuk e ka patur asnjë grup i njohur deri më sot në këngën iso-polifonike.

- edhe Neço Muko edhe Lefter Çipa  i kushtuan dhe i dhanë rëndësi iso-s, duke e bërë atë me organike, më fine dhe më funksionale. Kemi thënë që te iso e Neço Mukos “fshihet” edhe vetë refreni i këngës iso-polifonike himarjote.

Miqtë e mi, dëgjoni iso-n e këngëve të Kristo Çipës dhe do tu duket se aty është një qiell i bukur pranvere, mbushur me zogj a me yje (sipas motivit). Te iso-ja e këngëve të grupit të Kristo Çipës të duket se është porta e parajsës. Kjo është si vetë dashuria, nuk shpjegohet, vetëm përjetohet. Dëgjojini këngët dhe do më jipni të drejtë.

-edhe Neço Muko, edhe Lefter Çipa i kushtuan një rëndësi tekstit, duke e ngritur atë artistikisht. Tekstet e këngëve të Kristo Çipës janë në nivelin e poezive më të arira, duke u bërë shkëndijë gur stëralli mbi eshkën e vëmëndjes.

-Neço Muko Himarjoti në grupin e tij ftoi sopranot e famëshme Tefta Tashko, Tula Paleologu, Klea Jorgas apo Llambi Turtulli, jo vetëm për interpretime këngësh lirike por edhe  për të mbajtur iso në këngët e tij, duke e “ndërkombëtarizuar” kështu iso-polifoninë. Kristo Çipa me grupin e tij, e çoi këngën iso-polifonike jo vetëm në Paris, ku te firma PATHE bëri inçizimet grupi i Neço Mukos, por gati në të gjithë shtetet ballkanike, duke sjellur prej tyre çmime prestigjioze e vlerësime. Përsa i përket mbajtjes së iso-s, të gjithë pjestarët e grupit të tij janë mjeshtra të papërsëritshëm.

-Neço Muko e “krijoi” këngën himarjote në Sarandë, e inçizoi në Paris dhe më pas e shpërndau nëpër Shqipëri.

Kristo Çipa e krijoi këngën e tij në Himarë dhe prej andej e shpërndau nëpër Shqipëri dhe botë.

-Neço Muko krijoi, këndoi dhe inçizoi këngë lirike, parodi, skeçe duke ngritur të parin grup estrade në qytetin e Sarandës qysh në vitet 1929 dhe duke mbushur në këtë mënyrë atë boshllëk kulturor që kishte vendi.

Kristo Çipa, ka një repertor  të pasur dhe të përsosur me këngë, duke mbushur në këtë mënyrë boshllëkun iso-polifonik që krijohet si pasojë e modernizimit të jetës dhe braktisjes së fshatrave, duke dëshmuar kështu se iso-polifonia nuk është një objekt muzeal, por është një pjesë e padiskutueshme e identitetit tonë kombëtar e kulturor.

-Neço Muko i përket historisë sonë kulturore, Kristo Çipa është e sotmja dhe e nesërmja e iso-polifonisë.

Për këto arsye i takon Kristo Çipës dhe grupit të tij, të marë dhe të mbajë Çertifikatën e Mirënjohjes që qyteti i Sarandës i jep   Neço Muko Himarjotit. Madje edhe kjo është dhënë me vonesë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora