Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Buçpapaj: Hapësira shqiptare më Verilindore

| E diele, 09.06.2013, 05:31 PM |


HAPËSIRA SHQIPTARE MË VERILINDORE - PENG I TERMAVE

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Paraqitja në Kuvendin e Kosovës e një rezolute për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit vuri në një provë vendimtare politikën shtetërore të Republikës së Kosovës, e cila, duam apo nuk duam ne, ende nuk ekziston si e tillë, veçanërisht ende nuk ekziston në aspektin kombëtar të saj.

Dilema përmblidhet shkurt kështu: Në qoftë se Republika e Kosovës do të mëtonte që, në rrafshin shqiptar, çështja e këtyre tri komunave tona në jug të Serbisë të jetë ekskluzivitet i saj, atëherë do t'i takonte të krijonte një infrastrukturë ligjore, politike, diplomatike shtetërore, në kuadrin e një strategjie tërësore për këtë çështje.

E shtroj kështu dilemën e mësipërme, sepse Prishtina ka dhënë shenja të dukshme jomirëkuptuese ndaj një roli ose ndaj një vëmendjeje, për shembull, të Tiranës ndaj këtyre tri komunave shqiptare. E, në qoftë se Republika e Kosovës e shikon çështjen e tyre si domen kryesisht të saj, duke iu lejuar sadopak rol faktorëve të tjerë shqiptarë, atëherë i takon të mendojë ajo dhe të përcaktojë ajo se çfarë roli do të kenë këta faktorë, në çfarë mënyrë do të bashkërendohen ata me Prishtinën e mbi çfarë infrastrukture të posaçme do të bazohen.

Vetëm duke u institucionalizuar përpjekjet e përbashkëta të faktorëve shqiptarë dhe vetë hapësirës më verlindore të atdheut e të kombit tonë, do të arrihet përmirësimi thelbësor i gjendjes së përgjithshme në këtë hapësirë, do të arrihet që ajo të ketë zhvillim të barbartë në kuadrin e Republikës së Serbisë dhe përmbushje të saj në kuadrin e hapësirës tërësore shqiptare në rajonin e Evropës Juglindore.

Thelbi i rezolutës së paraqitur në Kuvendin e Kosovës, përmendur nga mediat, ishte: “Qeveria e Kosovës të shtojë kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, lidhur me të drejtat e tyre civile, politike dhe nacionale. Qeveria e Kosovës të ketë më shumë kujdes dhe trajtim më të mirë për qytetarët shqiptar nga këto komuna që janë shpërngulur në Kosovë dhe të drejtat e tyre janë të cenuara. Qeveria të hapë një zyrë në Prishtinë dhe një tjetër në Gjilan për qytetarët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja me qëllim të mbrojtjes së drejtave dhe përmirësimit të gjendjes së tyre.”

Përveç kësaj linje të autorit të Rezolutës, si dhe të forcës politike opozitare që përfaqëson ai, në Kuvend, gjatë debatit të nxehtë u vunë re edhe dy linja të tjera. Njëra e deputetit të Vetëvendosjes Liburn Aliu. Ky mëtoi që Rezoluta të kërkojë shtyrjen e ratifikimit të planit për zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur më 19 prill në Bruksel. Tjetra ishte ajo e paraqitur nga vetë kryeministri i Kosovës i cili kërkoi të mos ketë rezolutë, por të ketë një ndryshim në Kushtetutën e Republikës së Kosovës: "që nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës t’i shtohet edhe pika 4, dhe të theksohet:  Republika e Kosovës ka të drejtë të interesohet dhe të mbrojë të drejtat legjitime të shqiptarëve jashtë Kosovës, me mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë, ligjet e Kosovës dhe aktet ndërkombëtare".

Autor i Rezolutës ishte deputeti gjilanas i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri. Një ndër figurat kryesore të kësaj partie dhe të Kosovës, Haziri mbahet mend sidomos për faktin se ka kryesuar delegacionin e Kosovës në takimet e Vjenës për përcaktimin e statusit të Kosovës. Duke qenë, nga Gjilani, komunë e Republikës së Kosovës ngjitur me tri komunat shqiptare përtej kufirit shtetëror, Haziri ka treguar ndjeshmëri të veçantë dhe e ka ngritur vazhdimisht zërin për këtë temë.

Rezoluta e paraqitur prej tij mund të miratohej pa kurrgjë të keqe në mënyrë të njëzëshme nga Kuvendi i Kosovës dhe pa fare debat. Në asnjë fjalë, fjali apo kryeradhë Rezoluta nuk përmbante asnjë lloj shqetësimi në kuadrin e vendit apo të rajonit, nuk përbënte asnjë lloj shqetësimi në aspektin e ligjësisë ndërkombëtare. Aq më tepër, nuk e cënonte aspak atë që ishte arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, përkundrazi e plotësonte kuadrin e domosdoshëm të synimit të asaj marrëveshjeje, i cili është përmirësimi i marrëdhënieve ndërshtetërore mes dy vendeve fqinje, shtete të pavarura dhe sovrane.

Mund të ishte për debat parashtrimi i deputetit të Vetëvendosjes Liburn Aliu, për faktin se i gjente të papërgatitur ndoshta deputetët e të gjitha forcave politike në Kuvendin e Kosovës. Por një rezolutë me një përmbajtje të tillë do të ishte shumë më detyruese për qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë faktorët e interesuar ndaj përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Edhe më improvizuese ishte paraqitja e kryeministrit Hashim Thaçi, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Në vetvete shtimi i një kryeradhe të katërt në Nenin 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nga përmbajtja është plotësisht e pranueshme dhe me vend. Me një formulim që nuk do ta ndryshonte përmbajtjen, por do të kishte më shumë sens juridik, në aspektin detyrues, kjo kryeradhë mund të përfshihet në këtë kushtetutë në rast të një rishikimi thelbësor apo tërësor të saj, mendoj, në një kohë të afërt.

Dështimi i miratimit të Rezolutës në Kuvendin e Kosovës, ku ishin të pranishëm si vëzhgues edhe personalitetet kryesore të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, la shije të keqe sidomos tek i gjithë faktori përkatës shqiptar. Këtyre tri komunave, për absurd, veçanërisht pas miratimit të marrëveshjeve të para teknike mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, iu është vështirësuar komunikimi me Kosovës. Nëse serbët e Kosovës e kanë të pasur të lehtë të komunikojnë me ata të Serbisë dhe, anasjelltas, serbët e Serbisë e kanë pasur edhe më të lehtë të komunikojnë me ata të Serbisë, ky komunikim mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit është vështirësuar. Dhe në këtë vështirësim e kanë rolin e tyre edhe Serbia, edhe Kosova.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, në bisedimet e Brukselit dhe në marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Serbisë, patjetër do të duhej të përfshihej veçantia, në këtë sens, e tri komunave shqiptare në jug të Serbisë, si njëra nga urat kryesore të mirëkuptimit midis dy vendeve fqinje. Kjo nuk u bë. Dhe, sa nuk është vonë, do menduar nga Brukseli e faktori perëndimor në tërësi që të gjendet mënyra për t'u përfshirë.

Shqiptarët në trojet e tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë pakicë kombëtare shqiptare në Republikën e Serbisë, si vijim i drejtpërdrejtë territorial dhe kombëtar i Republikës së Kosovës. Pra, ata e gëzojnë statusin e pakicës kombëtare të Repubikës së Kosovës në Republikën e Serbisë. Janë e vetmja pakicë zyrtare që Kosova ka në një shtet tjetër. Pra, Republika e Kosovës e ka detyrim të drejtpërdrejtë shtetëror dhe kombëtar mbështetjen dhe përkrahjen e gjithanshme ndaj tyre. Dhe duhet ta ketë detyrim kushtetues shtetëror dhe kombëtar mbështetjen dhe përkrahjen e tyre të gjithanshme. Republika e Shqipërisë e ka këtë detyrim të përcaktuar me kushtetutë. Ndërkaq, shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e Greqisë, shqiptarët kudo që ndodhen e kanë detyrim kombëtar mbështetjen dhe përkrahjen e gjithanshme të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Krahina shqiptare më verilindore, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, nuk e ka shkëputur asnjëherë gjatë gjithë historisë veten e saj nga lëvizjet për liri dhe përparim të hapësirës tjetër ilirodardaneshqiptare. Gjatë mijëra vjetëve, përveç ndonjë periudhe të shkurtër nën sundimin bullgar, kjo krahinë ka qenë së bashku me Dardaninë (Kosovën). Vetëm në vitin 1945 Tito, për herë të parë, e shkëputi këtë krahinë nga Kosova dhe e përfshiu në Republikën e Serbisë. Kështu shqiptarët e ish Jugosllavisë në trojet e tyre copëtoheshin në katër njësi federative - Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal i Zi. Edhe pas kësaj date shqiptarët e kësaj krahine kanë marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare deri në ditët tona. Në kuadrin e shpërbërjes së Jugosllavisë ata, nëpërmjet referendumit të 1-2 Marsit 1992, me 95% të votave, u shprehën për bashkim me Kosovën. Ata bënë më së miri detyrën e tyre në kuadrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në vitin 2000 formuan Ushtrinë e tyre Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit (UÇPMB). Në Marrëveshjen e Konculit, të arritur në maj të atij viti, ata kurorëzuan që Republika e Serbisë, sa kohë që ata të jenë pjesë e saj, t'ua përmbushë të gjitha liritë njerëzore dhe kombëtare.

Republika e Serbisë nuk e ka zbatuar marrëveshjen. Kjo krahinë, edhe pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, edhe pas çlirimit të Kosovës, i është nënshtruar e i nënshtrohet një spastrimi etnik të heshtur sistematik të ndërmarrë nga Beogradi. Pasiguria e jetës, kërcënimet dhe kanosjet e përditshme, mungesa e arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve të tjera janë faktorë që e nxitin dhe e stimulojnë më tej spastrimin e heshtur etnik të kësaj krahine shqiptare. E ndodhur në vijën e parë të frontit të mbrojtjes së substancës sonë kombëtare, kjo krahinë e ka të domosdoshme dhe urgjente mbështetjen dhe përkrahjen e të gjithë faktorëve të tjerë shqiptarë dhe e të gjithë faktorëve miq e aleatë.

Nga ana e saj, kjo krahinë shqiptare i ka përpunuar të gjithë termat e funksionimit të saj si gjeopolitikë e veçante në kuadrin e gjeopolitikës shqiptare dhe asaj rajonale. Mirëpo Prishtina, nën trysnitë e ushtruara ndaj saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, ka përpunuar të tjera terma, duke u vënë praktikisht në pozita kundërthënëse ndaj aspiratave të krahinës shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Për herë të parë, shkallën e madhe ku ka arritur kjo kundërthënie, e kupton vetë kryeministri i Kosovës, pikërisht në kryeradhën që propozon t'i shtohet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për herë të parë, çarmatosen përfundimisht kalemxhinjtë e dekombëtarizuar pranë tij, me teoritë e tyre të riprovincializimit të Kosovës dhe të shqiptarëve të saj.

Sa kohë që të mos jetë arritur një njësim dhe harmonizim i plotë i termave në vetë Prishtinën, hapësira shqiptare më verilindore, pra Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të mbeten peng i këtyre termave. Në qoftë se nuk flasim me të njëjtën gojë e me të njëjtën mendje të gjithë faktorët shqiptarë për pjesët përbërëse të çështjes sonë kombëtare, atëherë ne nuk do të arrijmë t'i imponojmë ato as tek palët kundërshtare, as tek faktorët ndërkombëtare. Perkundrazi, do të vazhdojmë të gërryhemi, të tretemi, të tkurremi e të rrudhemi gjeografikisht, politikisht, kombëtarisht në të gjitha pikëpamjet.

VOAL