E diele, 21.07.2019, 10:16 PM (GMT+1)

Komente » Fetahu

Adil Fetahu: Ku treti Pakti i Stabilitetit?

E diele, 09.06.2013, 10:05 AM


KU TRETI PAKTI I STABILITETIT?

-Asnjë projekt serioz ekonomik nuk u financua në Kosovë as në Shqipëri

Korrupsioni jo se nuk u luftua, por ai u përhap në të gjitha sferat dhe nivelet-

Shkruan Adil FETAHU

Me shumë pompozitet e shpresa të kota është folur e shkruar për të ashtuquajturin Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore, rëndësinë e tij për rindërtimin, zhvillimin, prospreritetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.   Tash pas 14 vjetëve pas miratimit të atij Pakti, edhe pesimistët edhe optimistët e atëhershëm, janë zhgënjyer me “rezultatet” që ka arritur ai projekt “i madh” ndërkombëtar për  rajonin tonë. Objektivat e caktuara me parimet e përgjithshme të Paktit të Stabilitetit: sundimi i ligjit, zhvillimi i demokracisë, zhvillimi ekonomik, infrastruktura, luftimi i korrupsionit dhe kriminalitetit, ulja e papunësisë dhe varfërisë,- jo se nuk u realizuan, veçse gjendja është keqësuar gjithnjë e më tepër. Këtë emër (Pakti i Stabilitetit) shumë të rinjë të sotëm nuk e kanë dëgjuar dhe nuk kanë idenë se ç’na ishte ky, por edhe të tjerët që e kanë dëgjuar e ditur për premtimet dhe shpresat prej tij – tashmë e kanë harruar, pasi asgjëkundi nuk shihen efektet e tij.

Ç’ishte Pakti i Stabilitetit

Pakti i Stabilitetit të Evropës Juglindore ishte një makroprojekt, një lloj marrëveshje politike, ekonomike e financiare, e lidhur midis disa shteteve të Evropës dhe botës, të cilat kinse ishin të vendosura për ta nxitë, ndihmuar e financuar rindërtimin, zhvillimin dhe progresin ekonomik e shoqëror të vendeve të Evropës Juglindore. Ishte një platformë e strategji e përbashkët për ardhmërinë e rajonit. Ishte inicuar nga ministri i atëhershëm gjerman i punëve të jashtme, Joshka Fisher, e që u mbështet edhe nga Bashkimi Evropian, organizmat dhe institucionet ndërkombëtare dhe shtete të botës. Verzioni përfundimtar i Paktit është miratur në Këln (Gjermani), më 10 qershor 1999 (sot e katërmbëdhjetë vjetë më parë), mu atë ditë kur në Këshillin e Sigurimit të KB është miratuar Rezoluta 1244 (për Kosovën, “as në tokë as në qiell”), ndërsa në Kumanovë është nënshkruar Marrëveshja Ushtarako-Teknike midis NATO dhe ushtrisë “jugosllave,” për kapitullimin e kësaj të fundit. Me Paktin e Stabilitetit synohej një strategji gjithpëfshirëse dhe afatgjatë për parandalimin e konflikteve në këtë rajon, duke i ndihmuar këto vende për të forcuar paqen, vlerat e demokracisë, rindërtimin,  zhvillimin  dhe përparimin e ekonomisë. Por, siç u pa më vonë, shpresat ishin të mëdha dhe joreale. Vetëm optimistët e “krisur” kanë mund të besojnë se Pakti i Stabilitetit do të realizohet ashtu siç ishte parashikuar. Unë, në një shkrim timin të botuar në gazetën “Zëri” të datës 27 janar 2000, dhe në Vjetarin e  Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës (viti 2000),  pasi bëra një analizë të përmbajtjes së Paktit të Stabilitetit, e në kontekst të Rezolutës 1244/99 të KS të KB, pata shkruar  e theksuar se “Deri sa Rezoluta dhe faktorët ndërkombëtarë pa të drejtë këmbëngulin në mbetjen e Kosovës në suaza të “Jugosllavisë”, nuk do të ketë shansë që Pakti i Stabilitetit të realizohet as të arrijë objektivat e synuara. Sepse, përcaktimi i Rezolutës ishte në kundërshtim me vullnetin dhe aspiratën e popullit të Kosovë për liri e vetëvendosje…, se populli i Kosovës kurrë nuk do të pajtohet të mbetet në “Jugosllavi”, qoftë ajo fashiste siç është tash, apo “demokratike” siç pretendon Perëndimi ta bëjë… Populli i Kosovës tash e një shekull, e më tepër, ka aspiruar dhe  luftuar për t’u çliruar dhe për t’u shkëputur nga kthetrat e regjimeve fashiste serbo-jugosllave, nga të cilat gjithmonë ka qenë i diskriminuar dhe i persekutuar, me tendencë të hapët të shfarosjes totale. Etonofobia dhe urrejtja patologjike serbe ndaj shqiptarëve ka qenë platformë e programuar,  planifikuar,  kultivuar dhe zbatuar në mënyrë permanente dhe institucionale nga kisha, nga shkenca, nga kultura, nga politika, nga diplomacija dhe nga shteti i Serbisë. Krimet ndaj shqiptarëve i kanë kryer organet dhe institucionet e shtetit (ushtria e policia, në bashkëveprim me grupet e organizuara kriminale  e paramilitare), e jo kriminelë të rendomtë dhe individë të frustruar…”.

Kush mori pjesë në miratimin e Paktit e Stabilitetit

  miratimin e Paktit të Stabilitetit kanë marrë pjesë: ministrat e atëhershëm të  punëve të jashtme të 15 shteteve-anëtare  të Bashkimit Evropian (atëherë BE ka pasur vetëm 15 anëtare),  pastaj ata të Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës,  Sllovenisë, Kroacisë,  Hungarisë,  Rumanisë, Bullgarisë,  ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Turqisë, ShBA-ve,  Rusisë, Kanadasë, Japonisë,  si dhe përfaqësuesit të OKB-së,  OSBE-së,  Këshillit të Evropës, UNHCR-it, OECD-së, NATO-s, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Bankës Investive Evropiane, Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, e përfaqësues të organizatave dhe iniciativave rajonale. E ashtuquajtura RFJ (Serbi+Mali Zi) nuk ka marrë pjesë, nuk është nënshkruese as nuk ishte ftuar në atë “samit”, për shkak se ishte në “listen e zezë” si shtet agresiv që kishte shkaktuar luftëra brutale, të përgjakshme e shkatërruese në rajon. Koordinator i Paktit ishte zgjedhur gjermani Bodo Hombah, e më vonë u zgjodh ish-kancelari austriak, Erhard Busek, i cili më vonë do të bëhet i njohur dhe mbahet mend (për të keq) si ithtar i ndarjes së Kosovës! Në një intervistë dhënë RTK-së (më 5 shkurt 2012) Busek ka deklaruar: “Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë bisedimet për ndarjen e Kosovës, e pastaj Serbia dhe pesë vendet anëtare të BE-së do ta njohin pavarësinë”, ndërsa duke folur për dialogun Kosovë – Serbi, në një intervistë dhënë “Veqernje novostit” të Beogradit (më 8 prill 2013), kishte deklaruar: “Mjerisht, është lëshuar shansa që në tavolinë të shtrohet ndarja e Kosovës, që sipas meje ka qenë zgjidhja më e mirë nga ky pat-pozicion”! A prej një njeriu si ky mund të pritej realizimi i synimeve të Paktit  për stabilizimin, bashkëpunimin, demokratizimin dhe zhvillimin e rajonit?!

Objektiv i përgjithshëm i Paktit ishte një proces dinamik i zhvillimit dhe integrimit sa më të plotë të vendeve të rajonit të Ballkanit, së pari midis tyre, e pastaj me Bashkimin Evropian. Sipas parashikimeve për realizimin e Paktit, llogaritej se deri në vitin 2010 të gjitha vendet e Evropës Juglindore do ta fitojnë statusin e anëtarit ose të kandidatit për anëtarësim në BE.   Në parimet e përgjithshme, ishin caktuar tri grupe çështjesh me përparësi: a) demokratizimi dhe të drejtat e njeriut; b) rindërtimi, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi; c) siguria e vendeve të rajonit. Për këto tri grupe çështjesh, në strukturën e Paktit të Stabilitetit ishin formuar tri të ashquajtura Tryeza pune. Në hierarkinë e qëllimeve të Paktit ishin radhitur: zhvillimi i proceseve politike demokratike, zgjedhje të lira e të ndershme,  sundimi i ligjit, respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut e të minoriteteve, mediat e pavarura, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, marrëdhëniet e mira fqinjësore, krijimi i besimit reciprok dhe pajtimi, zhvillimi dinamik i ekonomisë, privatizimi. Lufta kundër korrupsionit ishte theksuar dhe identifikuar si prioritet i lartë në dy tryezat e para, ndërsa në samitin e mbajtur në Sarajevë (shkurt 2000) ishte miratuar strategji e veçantë antikorrupsioni. Tash po shihet se korrupsioni jo vetëm se nuk është luftuar, por ai ka marrë hov e ka depërtuar në të gjitha strukturat dhe nivelet e shoqërisë  të shteteve në këtë rajon.  Për realizimin e qëllimeve të shtruara në Paktin e Stabilitetit, ishte paraparë sigurimi i mjeteve të shumta nga donatorët. Flitej se në Konferencën e parë të donatorëve ishin siguruar 2,5 miliardë dollarë, të cilat  në fazën e parë do të investoheshin në rikonstruimin, stabilizimin dhe integrimin e rajonit. Nëse rezimojmë qëllimet që dalin nga përmbajtja e Paktit të Stabilitetit, duhet të veçojmë:

1)  përgatitja e vendeve të Ballkanit për të hyrë në Bashkimin Evropian,

2) vendosja e regjimit unik të tregut të lirë midis vendeve të rajonit për sa u përket doganave dhe taksave,

3)  përdorimi i euros në tregtinë midis vendeve të rajonit dhe vendeve tjera,

4)  rindërtimi i infrastrukturës dhe strukturës tjetër ekonomike, veçmas ajo që është shkatërruar nga lufta (për këtë ishte formuar Agjencia për Rindërtim e Zhvillim, e cila do ta ketë selinë në Selanik, ndërsa një zyre e saj do të jetë në Prishtinë – që kurrë nuk u realizua!),

5) përshtatja e legjislacionit të vendeve të rajonit, si kusht për t’u inkuadruar në strukturat ekonomike dhe joekonomike të komunitetit evropian,

6) ngritja e nivelit profesional të udhëheqjes dhe eliminimi i korrupsionit në administratën publike.

Çka përfitoi Kosova nga Pakti i Stabilitetit?

Mjetet e Paktit të Stabilitetit është dashur të jepen për realizimin e projekteve me të cilat  konkurojnë shtetet e caktuara në Tryezat përkatëse, ndërsa përparësi kanë pasur projektet me karakter ndërshtetëror. Për shkak të statusit të padefinuar e të pazgjidhur, Kosova ka qenë e hendikepuar në shfrytëzimin e mjeteve të Paktit të Stabilitetit, kështu që asnjë projekt me rëndësi kapitale për infrastrukturën ose ekonominë e Kosovës nuk është financuar as realizuar nga mjetet e atij Pakti. Megjithatë, nepërmes Ambasadës së Gjermanisë  dhe organizmave tjera, nga mjetet e Paktit janë financuar disa projekte të vockla, që më tepër konsistojnë në formë të vizitave të ekspertëve të jashtëm për këshillime, ligjërata e trajnime: për demokracinë, legjislacionin, integrimet evropiane, kurse të gjuhëve të hueja, sqarimi i çështjes së pronave, dhunën në fmailje, luftën kundër korrupsionit,  mbështetja dhe vëzhgimi i zgjedhjeve komunale e qendrore,  ndërtimi i disa shtëpive për romët ose serbët e riatëdhesuar, shkëmbimi  përvojave në mjeksësi, pajisje të laboratoreve për analiza të ujit,  pajisje sanitare dhe didaktike për disa shkolla, libra e ligjërata nëpër biblioteka, trajnimi i trajnerëve të futbollit, deri  vendosja dhe zbrazjen e shportave të berllogut! A rimëkëmbet ekonomia ose infrastruktura e shkatërruar, a përmirësohet gjendja ekonomike e sociale e popullsisë me projekte të këtilla të imta, nga të cilat kanë fituar në rend të parë funksionarët qendror dhe lokal në strukturat e Paktit të Stabilitetit,  “ekspertët” e jashtëm e disa organizata joqeveritare të vendit e të jashtme, hotelet në të cilat janë mbajtur këshillimet, seminaret, trajnimet. Kjo mënyrë e shfrytëzimit të mjeteve të Paktit të Stabilitetit jo se e ka luftuar korrupsionin, por e ka stimuluar dhe përhapur atë edhe në struktura tjera, ku janë investuar e shpenzuar mjetet e Paktit.

Jo vetëm Kosova me status të padefinuar,  por as Shqipëria nuk ka fituar investimin e ndonjë projekti ekonomik apo infrastrukturor nga Pakti i Stabilitetit. Edhepse disa herë ka paraqitur kërkesë për financimin e Rrugës së Kombit Durrës – Prishtinë, e cila ka karakter ndërshtetëror dhe është dashur të ketë përparësi për t’u financuar (të paktën një pjesë) nga mjetet e Paktit të Stabilitetit, ajo nuk është ndihmuar.

Pakti i Stabilitetit nuk arriti asnjë nga objektivat e caktuara të rindërtimit e zhvillimit, demokratizimit, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, pajtimit, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë midis vendeve të rajonit. Këto vende edhe sot e kësaj dite janë si “brinat në thes” midis vete, të cilat jo se nuk arritën të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian deri në vitin 2010, por disa sosh  këtë nuk do ta arrijnë as në vitin 2020, e ndoshta as kurrë! Parashikimi im i shprehur në vitin 2000, fatkeqësisht doli i saktë. Sot për Paktin e Stabilitetit askush as që ka idenë; ai është harruar kaherë! Thonë se në vitin 2008 qenka shndërruar në një diçka tjetër dhe se e paska marrë emrin: Këshilli për Bashkëpunim Rajonal. Se çfarë bashkëpunimi ka sot midis vendeve të rajonit po shihet; kush sa mundet ia ngjet ndërskamcën tjetrit, sikurse u pa edhe me Konferencën e Ohrit këto ditë, e që është vërtetuar edhe në shumë e shumë raste e hera tjera.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT