Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Lahuta, gjarpëri dhe mixha Haxhi

| E diele, 09.06.2013, 05:56 PM |


LAHUTA…,

GJARPËRI…,

DHE  MIXHA HAXHI

 

- Kusheririt të babait tim, lahutarit Haxhi Zymeri –

 

Nga Zeqir Lushaj

 

…!

Një Plak-Enigmë!,

Që tërë jetën e Tij,

Me lahutën dhe gjarpërin,

Jetoj në harmoni!

 

…!

Regjistrimi i parë,

Në kujtesën time,

Je, Ti!

Plaku vetmitar,

I Vindit të Poshtëm,

Lahutari i Grisë,

(Haxhi Zymeri),

… Mixha Haxhi!

 

Mirë, me lahutën – shpirt,

(Edhe sot baj çudi!)

Po me gjarpërin,

Si e lidhe jetë-vdekjen…,

Me besë e miqësi!?

 

Në këtë botë, kërkush,

Nuk i paska dy jetë!

Je, në shpirtim tim,

Mixha Haxhi.

Ndryshe nga të tjerët.

 

Nuk pate djal as çikë,

Vet i zgjodhe miqtë e Tu,

Me lahutën dhe gjarpërin,

Ma shumë se një Jahu!!

 

Le të jenë këto vargje,

Një kujtim për Ty.

Edhe për Atë, që nesër…,

Në këto troje do të vij.

 

Ata, që rastësia një ditë,

Në këtë botë i bjen,

Ta dijnë, mos t’harrojnë:

– Këtu…, dikur…,

Ka qenë një Haxhi Zymer!

 

Një Plak-Enigmë!,

Që tërë jetën e Tij,

Me lahutën dhe gjarpërin,

Jetoj në harmoni!

 

Shpirti qelibar,

Kur shkrihet me lahutën,

Edhe gjarpërin laraman,

…E bajnë për vete,

Dhe …, nuk i tuten!!

 

Një jetë me gjarpërin,

Dhe, si për çudi,

Gjarpëri i mori jetën,

(Por), …

Jo gjarpëri i Tij!!

 

…!

Ndigjoni këtu,

Ooo, Ju!

…Ju, që do të vini më pas:

Ta ruajme trashgimninë,

E mixhës Haxhi.

Të mos mendojmë kurr,

se:

– Lahutari i lagjes…,

…Mbeti miraz!

 

…!

Një Plak-Enigmë!,

Që tërë jetën e Tij,

Me lahutën dhe gjarpërin,

Jetoj në harmoni!

-------------

-Nga libri “Vdekja e varreve”-

(Per ZSh-në, nga NJ, USA, 8 Qershor, 2013)