E marte, 23.04.2024, 08:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Shkrues i zemëruar

E diele, 09.06.2013, 06:00 PM


Shkrues i zemëruar

Tregim satirik

Nga Vangjush Saro

Sado e çuditshme, sado absurde që mund të dukej, një orë pas përfundimit të mbrëmjes për 100-vjetorin e Pavarësisë, Kalem Kodra, një shkrues që jetonte te i biri në një qytet të vogël të Amerikës dhe bashkëpunonte rregullisht me disa portale, ishte ulur dhe po gërricte një letër anonime. Po. Ai ishte tepër i nxehur. Ishte edhe pak i pirë.

-Çfarë po bën, ti Kalo? - e pyeti e shoqja.

-Hm. Do t’ia qëndis...

-Kujt ore?

-Këtij të Shoqatës. Po edhe Kryesisë...

-Po pse?

-Si pse, Dafinë? - ai s’e përmbajti dot një si turfullimë - E pe me sytë e tu. Një program copë-copë. Si të themi, organizim shumë i dobët. Pastaj...të mos më jepnin ata fjalën mua...

-Ç’fjalë?

-Që të mbaja fjalim...

-U të fshiftë!

-Ehë, s’më kanë njohur mirë ata. Bëhem me n/Kryetarin tani dhe e rrëzojmë atë që më lë mua në hije. S’e kanë njohur Kalemin ata...

Gruaja psherëtiu dhe i bëri një shenjë që nënkuptonte pak a shumë “Mblidh mendjen!” Pastaj i tha se ishte koha të binin për të fjetur. Shumë mirë. Ajo le të flinte. Nuk ishte hera e parë që ndodhte kështu. E jo, ai, Kalem Kodra, do të rrinte atje, edhe do ta gdhinte po të ishte nevoja.

Këtu Shoqata e shqiptarëve nuk po i kryen si duhet detyrat e saja që të cilat janë të rëndësishme pra si ta themi s’është në vete...Shoqata. Domethënë Kryesia s’është në vete. Ndoshta vetë Kryetari.

Të mos i jepnin fjalën atij në mbrëmjen e organizuar për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë! Atij që sapo ka botuar librin e tretë...Dale pa do ta shikonin. S’e njihnin ata Kalem Kodrën. Por kur ta njihnin ama...

Në të vërtetë, ai e kishte parandjerë që diçka nuk do të shkonte mirë. Jo për gjë, po mendja i thoshte se kontributi i tij atje ishte shumë i kërkuar. Ky kompleks ishte bërë i veti qëkurse e kishte zënë keq dalldia e të shkruarit. Mirëpo koha që shkonte, veç heshtje linte pas. Dhe kjo, sipas tij, binte erë...Që përpara mbrëmjes së Pavarësisë, ndërsa nuk po i vinte asnjë ftesë, asnjë kërkesë për fjalim, asnjë ofertë për të ndihmuar në hartimin e programit, atij i kishte djegur. Por ata nuk e dinin...

Unë vërtet vonë kam hyrë në letërsi ama nja dy-tre libra që kam botuar si ta themi disa shokë më kanë përgëzuarë mua.....Për shembull, kur shkruajta monografinë “Më ka thënë babai” që të cilës i bëmë edhe një promovim fantastik.....

Ai kishte pritur gjatë gjithë mbrëmjes; pothuaj nuk e kishte shijuar fare atë. Kishte pritur plot ankth. T’i jepnin fjalën. Fjala e tij do të çudiste tërë komunitetin. Atje te “Lajme nga Mëhalla” vjershat dhe prozat e tij bëjnë bujë...Kurse te “Bjeri se i bie mirë” përherë ka ndonjë lavdërim për të...Mirëpo ata nuk po ia jepnin fjalën. Nuk po ia jepnin që nuk po ia jepnin. Epo, këtë herë e mbushën kupën. Ai do të zhgrapte një letër anonime, që t’iu vinte festja rrotull.

Dikur, kohë të shkuara, prej tij dridheshin njerëzit në fshat; se ua qëndiste. Vërtet, një të mesme për pyjore kishte bërë, por letrat i thurrte bukur. Të gjithë i druheshin. Kryetari i Kooperativës, Kryetari i Këshillit, Drejtori i Shkollës, të gjithë; përpiqeshin ta kishin grurë me të. Jo po le të bënin ndryshe dhe ta harronin po të donin. Njëherë, në të ngrysur, kur kthehej nga magazina, ku kishte qenë për një kontroll, kishte hasur ballë për ballë Sherifin. Ky punonte në Komitetin Ekzekutiv dhe kushedi për çfarë kishte ardhur. Si kaloi aty përbri dhe nuk i foli fare...E ore, Kalemit. Oho, kjo s’durohej. Më vonë, miku do të thoshte se nuk e kishte vënë re, ishte i hutuar nga një çështje e ngatërruar në Këshill. Po kujt do t’ia hidhte ai? Një t’u kthyer në shtëpi Kalemi, një të qëndisur letrën.

Si mund të punojnë në Komitetin Ekzekutiv njerëz fodullë mendjemëdhenjë, që ata nuk iu flasin kuadrove...A e di pushteti vallë që ky Sherifi ka një vëlla dhe ai është martuar me një nga Tomorrica ku ky ishte i lidhur me ballistët???

Për ta bërë edhe më dramatike gjendjen, Kalemi ia kishte mbytur edhe një ‘thonë’ krejt të helmatisur; puna ishte se ky miku i vërtiteshe një mësueseje...

Thonë që ky njeri ka një figurë të papëlqyshme për normat e partisë!!! Bile si ta themi disa e kanë parë......kur të gjithë e dimë se normat e moralit ku gjithmonë partia jonë është vigjilente.....Pra, në një kohë që gjithë populli është mobilizuar......por pas kësaj......

Ai ndjehej shumë mirë - madje i dukej sikur i jepte letrës ngjyra të forta - kur përdorte disa pikëpyetje radhazi, mbase edhe pikëçuditëse apo pika pa fund, edhe pse gjëra të tilla nuk parashikoheshin në asnjëlloj standardi gjuhe të asnjëlloj kohe. Por ama ai s’mund të heshtte. Po po. Ai edhe në këtë rast, ishte krejtësisht në të drejtën e vet. Kryesia e Shoqatës e kishte shkelur. Le që nuk e dinte askush se çfarë bëhej me fondet...Fondezeza! Mezi paguanin ndonjë gjë të vogël, njëherë në vit, ata që i qëndronin disi më afër Shoqatës. Por gjithsesi...Jo. Ai nuk mund ta përcillte këtë episod ashtu, me indiferencë. Ai do t’ua kthente borxhin atyre të Kryesisë me një letër anonime; pa një pa dy. Menjëherë. Këtyre ua kishte marrë dorën gjithë jetën.

I vinte doresh për laps ç’i do llafet. Ai shkroi njëherë për gazetën e rrethit një skicë shumë të bukur, të titulluar “Lulet e Partisë”. Për kopështin e ri të fshatit. Po kur erdhi puna që atje emëruan edukatore një vajzë nga Lagjja e Gështenjave, atij i kërceu damari. Ou! E pse të mos punonte atje Dafina, e shoqja? I kishte ajo dy të mesme. Në mbrëmje, ai e derdhi gjithë këtë subjekt në një letër anonime...

Edukatorja që kanë emëruar këta të Këshillit, një prej dajallarëve të saja ka marrë grua te Haskollët i cili njëri ka qenë xhandar i Zogut...

Mënyra se si ai shkruante - pa pikë e pa presje dhe me ca gabime e pengesa të çuditshme, si dhe duke i rënë  tërthor e tërthor fabulës - nuk e pengoi aspak që në të hyrë të demokracisë të hartonte dhe të botonte një skicë tjetër për kopështin, këtë herë për rinovimin e tij dhe në një gazetë private. “Lulet e Demokracisë” ishte titulli i shkrimit. Dhe u pëlqye shumë. Por sapo që edukatore nuk çuan të bijën, por një tjetër, ai ua qëndisi sakaq një anonime. Kjo që kanë sjellë këta...si ta  themi, një tezja e saja burrin e dytë e ka pasur puro komunist...

Ehë! Ata të Shoqatës ishin ngatërruar me njeriun e gabuar. Ai po hynte thellë e më thellë në kuptimin e normave dhe të sjelljeve në një komunitet të diasporës, duke mos harruar për asnjë çast shumëfishimin e pikëpyetjeve dhe të pikave, të cilat gjithmonë i jepnin një ngjyrim të veçantë shkrimeve të tij.

Si mund të drejtojnë shoqatën  e emigrantëve njerëz fodullë dhe mendjemëdhenjë që ata nuk ja japin fjalën në ngjarje të rëndësishme shkrimtarëve dhe intelektualët e njohur??? Përveç kësaj, Kryetari ka pasur një vëlla kunata e atij ishte  komuniste e thekur.....Dhe për më tepër.....Por unë këto do të jau them pse!!! Pra, është e qartë.....

Të gjitha ishin të qarta, me përjashtim të një hollësie, të cilën Kalem Kodra nuk e kishte ndërmendur deri në atë kohë. Adresa. Ku do ta niste këtë letër anonime? Kujt do t’i drejtohej me anë të saj? Dikur ishte krejt e lehtë. Gjendeshin një sërë adresa ku mund të hante bukë letra dhe letërshkruesi. Për shembull, letra mund t’i drejtohej Komitetit të Partisë të rrethit. Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Degës së Punëve të Brendshme të rrethit….

Pas një copë herë, kur u duk se vera e kuqe sikur i kishte dobësuar disi efektet e veta, sado që turbull ende, Kalem Kodra po mendonte se ajo letër mund t’i dërgohej Konsullatës…Mbase e qulloste edhe në formë skice dhe e bënte peshqesh te “Lajme nga Mëhalla”. Ta merrnin vesh të gjithë se aty kishte një problem. Që ai do ta zgjidhte…

E shoqja i solli një gotë ujë dhe ilaçet. Dhe i tha të binte e të flinte.

-Ke nevojë të qetësohesh. Mos u merr më me letra.

-Letrat shqipe kanë nevojë për mua, - tha ai, në një mënyrë që e shkreta grua veç mund të ngrinte supet se s’kishte çfarë të bënte tjetër. As ai vetë s’e dinte më se çfarë ishte duke qarë më lot.

Njëherë edhe për ne shkrimtarët nuk ka respektë ku ja ku po jua them shpërblime gjëkundi……u shuajtëm në vjersha e në skica dhe honorare nëc…..

Atij i qe dukur për një moment sikur avujt e alkolit ishin hequr tutje, mendjen e kishte më të freskët; por jo. Frazat që po prodhonte tani, tregonin se ishte bërë edhe më keq. Ai zuri të ngatërronte e të bënte lëmsh tematikën…

Po çfarë propozoj unë si intelektualë ku i cili është në të drejtën tonë t’i themi qeverisë se këta njerëz nuk po vlerësohen si duhet që për të cilën e kemi vënë në dukje edhe te “Bjeri se i bie mirë”…..

Tani gjithçka kishte rënë në qetësi; ndihej vetëm era që frynte pakëz në kopësht. Dhe një degë që hepohej pareshtur duke sjellë te dritarja hije figurash; këto ndryshonin çast pas çasti dhe bëheshin pendë, kthetra, cfurk, opingë…Seç binin paprerë ca vegime nga kohët e shkuara.

Ishte shumë vonë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora