E merkure, 20.11.2019, 12:41 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Krenarë për kombëtaren tonë!

E shtune, 08.06.2013, 05:00 PM


Krenarë për kombëtaren tonë!

Nga Elvi Sidheri

Dje në darkë, mendoj se shumë (në mos të gjithë) shqiptarët, qenë mbledhur së toku për të ndjekur kombëtaren tonë, teksa na nderonte në fushë duke lënë atje shpirtin me qëllim që të arrinte një fitore të shumëpritur.

Nuk fituam, por luajtëm fort dhe vikingët aspak teknikë, por me fizicitetin e tyre të theksuar dhe një eksperiencë e vetëbesim në forcat e tyre, dukshëm ende më të lartë se tonin, sidoqoftë ata i “vumë përpara” dhe si rrallëherë pati ndodhur në mitikun “Qemal Stafa” u imponuam kundërshtarëve tanë ritmin e lojës dhe dëshirës sonë për fitore dhe tre pikë.

E gjitha kjo nën shenjën e një shpirti të admirueshëm gare, të mijëra flamujve ku më gjigandë, të mëdhenj apo të vegjël, por gjithnjë të skuqur në ngjyrat tona të zjarrta Kuq e Zi!

Të dhënat e këtyre eliminatoreve deri më sot, të bëjnë të besosh për më tepër miq...dhe kjo në përshtypjen time nuk mund të konsiderohet si gjë e pakët.

Jemi të dytët në grup si kurrë më parë.

Kemi arritur në numër dyshifror pikësh në mos gabohem për herë të tretë në histori si për kualifikuese Botërori, ashtu edhe Europiani.

Më parë pati ndodhur e diçka e ngjashme në eliminatoret e Botërorit 2006, kur sidoqoftë pjesë e një grupi me 7 ekipe (rrjedhimisht dy më të dobët sesa ne) patëm përfunduar të pestët me 4 fitore, 1 barazim, 7 humbje dhe Gjeorgjinë e Kazakistanin pas nesh në renditje.

Jo keq si një arritje sportive kjo.

Patëm fituar 4 herë në 12 ndeshje, ndër të tjera duke mundur në Tiranë në një ndeshje tashmë legjendare dhe drithëruese për çdo shpirt shqiptari, Greqinë e fryrë nga triumfi i beftë në Europianin portugez.

Tullumbacen helene të mbushur me “gazra” shtatë atmosferësh, e patëm çpuar dhe degdisur siç e meritonte dhe siç atyre fqinjve tanë nga jugu u kishte ndodhur gjatë çdo vizite në tokën tonë, pra me një humbje të merituar 2-1 në atë rast, por edhe 2-0 pak vite më parë, sepse ka nga ata që nuk e kanë vënë re akoma se greku futbollistikisht në Shqipëri nuk ka arritur të fitojë KURRË.

Për të dalë pak si të them në korsinë mbështetëse të kësaj teme, fundja edhe fqinjët serbë nga veriu, kur i kemi takuar, po të njëjtin “shërbim” u kemi bërë, takimet e paharrueshme të Flamurtarit të madh të viteve 80-të (ekip që diti të barazojë dy herë dhe të gjunjëzojë në Vlorë 1-0 Barcelonën)...me Partizanin e Beogradit dhe goli historik i Sokol Kushtës ende na e sjellin këtë fakt në memorie.

Mbaj mend se kemi marrë 11 pikë edhe para disa vitesh, në një palë eliminatore jo të këqija, kur si për habi dy ndeshjet e fundit panë një ekip tonin totalisht të shpërfytyruar, i cili doli tërësisht nga vetja dhe dhuroi ndeshjet në Tiranë dhe Rumani, duke mos u ngjitur dot edhe atëherë mbi vendin e pestë në një grup me 7 skuadra sërish, ku së paku një vend më lart me një rekord pikësh, ndoshta 14, ishte komplet i arritshëm.

Të shkuara këto, janë të dhëna dhe rezultate që do të mbeten në të mirë dhe të keqe, statistika dhe kujtime të jetës së përfaqësueses sonë në vite e po aq edhe pjesë e shpirtit dhe përjetimeve të qindra-mijëra tifozëve brez pas brezi, të cilët asnjëherë këtë ekip nuk e kanë lënë në baltë edhe mes rezultatesh të dobëta e zhgënjimesh të shpeshta.

Gjenerata të tëra tifozësh Kuq e Zi, të mendosh se kanë pritur për dekada nganjëherë për të shijuar një barazim apo fitore!

Një Kupë Ballkanike, ndonjë rezultat i rëndësishëm në kupat e Europës i Tironës, Vllaznisë, Partizanit, Dinamos apo pikërisht Flamurtarit të jashtëzakonshëm të viteve 80-të, barazimi dhe eliminimi i Gjermanisë në vitet 60-të, fitorja me Belgjikën njëzetë vjet më tej.

Në ndërkohë humbje të turpshme, shkrirje të ekipit, tranzicioni që përveç vendit dhe shoqërisë, zuri edhe futbollin dhe një avancim i ngadaltë që ndoshta vetëm tani me të vërtetë po nis t’i japi frutet e tij.

Kujtoj akoma edhe pse kam qenë adoleshent i herët atëherë, fitoren e parë që kam ndjekur vetë të ekipit tonë kombëtar.

Ishte një 3-0 i pastër ndaj Moldavisë.

Qemal Stafa sa nuk ra në tokë nga emocionet dhe gëzimi nuk përmbahej.

Jo për gjë, por nuk është se në stadiumin tonë ishte parë ndonjë fitore prej disa kohësh dhe evenimenti meritonte festimet.

Rreth asaj kohe kam të freskëta edhe imazhet e një superndeshje të të tanëve në Gjermani, të cilët rezultatit fillestar 2-0 të vendasve, iu përgjigjën me një gol unikal të Altin Rrakllit (e gjeni në YouTube besoj po t’a kërkoni kush s’e ka parë) dhe ai takim u mbyll 2-1.

Sepse me gjermanët (tifoz i tyre në kompeticionet e mëdha edhe unë)...traditën e kemi të mbushur po ashtu me momente nga më të rrallët dhe të luftuarit.

Në ato eliminatore gjithësesi, kujtoj edhe një 1-1 në Tiranë me Bullgarinë e 4-t të botës të yllit Stoiçkov, goli i të cilit në kryeqytetin tonë, nuk vleu për më shumë sesa një pikë.

Por fituam edhe për herë të parë jashtë fushe “heroikisht” me përmbysje 3-2 në Moldavi (hera e parë po ashtu që një kundërshtar e hiqnim qafe dhe i merrnim 6 pikë njëherësh).

8 pikë mori ajo kombëtare, mund të bënte dhe më tepër, por “na u ça rrota” në ndeshjen e fundit me Uellsin dhe e lamë me aq.

Kush nga ju e ka harruar ndërkohë ciklin e eliminatoreve të Botërorit francez të 98-ës?

Kohë lufte në Shqipëri (dhe në Kosovë po ndizej flaka) kur skuadra jonë me shpirt ndër dhëmbë përplasej cepave të Europës si pa atdhe dhe detyrohej të luante në Granada apo Hanover, ku do të diskutonte dy ndeshje ndoshta nga më të vuajturat por njëkohësisht më krenaret e saj.

Ato me Gjermaninë edhe njëherë pra.

2-3 e para në Spanjë në “shtëpinë” tonë dhe 3-4 e dyta në Hanovër.

U shënuam Pancerave pesë gola dhe një pikë nuk ua morëm dot e në ndeshjen e dytë ndodhën aq shumë ndryshime rezultati sa dikush me zemër (kohë të vështira qenë sido që të ishte për vendin tonë dhe banorët e tij)...sigurisht që do të kishte patur probleme.

Goli i katërt i gjermanëve në sekondat finale, nuk do të harrohet kurrë (Bierhoff 90)...ashtu si edhe ndërprerja e sinjalit të TVSH-së pikërisht në ato minuta finale pasi neve patëm barazuar 3-3 në të 88-ën.

Ishte kohë e egër në Tiranë dhe armët ishin sheshit.

Automatikët dhe pistoletat kështu kërcitën me batare drejt qiellit tiranas, për fat të madh jo për luftë apo antagonizëm politik, por për të festuar një rezultat madhështor që po përvijohej.

Por sinjali kthehet për disa minuta dhe spikeri i qetë i Televizionit Shqiptar na “njofton” se gjermanët e kanë bërë golin e tyre dhe 4-3 për ta.

Sa karrige, tavolina, qelqe, tasa e kusi janë përplasur apo thyer në ato çaste në Shqipëri dhe botën shqiptare, një Zot e di!

Por ajo kombëtare na kishte nderuar dhe qoftë edhe për pak orë na pati larguar nga mendja situatën që Shqipëria dhe Kosova po kalonin gjatë atyre viteve të tmerrshme.

Ndër të tjera një ndeshje djemtë tanë e patën fituar në Zvicër (fushë asnjëanëse) me Irlandën e Veriut.

Me kalimin e viteve ndërrohen brezat dhe afrohen në ekipin tonë lojtarë të rinj, Tare, Bogdani, Skela, Lala, Murati, Bushi, Myrtaj, Beqaj, Aliaj e shumë të tjerë dhe skuadra jonë mund Greqinë 2-0 (vetë kam mbetur pa zë pas asaj ndeshje nga ulurimat triumfuese) dhe barazon në Oslo me Norvegjezët më parë.

Nuk mund të mos përmend sërish ndeshjen e rradhës me gjermanët dhe një 1-2 në Leverkusen që akoma të gjithëve na djeg.

Klose në të 92-tën minutë nuk ka nevojë për shumë komente.

Një lojtar që në tre botërorë më tej do të shënonte jo pak, por 14 gola për ekipin e vet, me ne nisi të shkëlqejë.

Ja ku vjen edhe epoka e trainerëve të huaj.

Një erë e re për futbollin dhe përfaqësuesen tonë kjo.

Dossena (tashmë opinionist sportiv tek RAI në Itali, që sa herë e shoh tek fryhet si pallua, kujtoj sesi ia mbathi nga ekipi ynë për tek lekët e naftës së Gadafit më duket)...ishte ai që e nisi në mënyrë premtuese me një barazim të bukur me zvicerianët “druvarë” për nga stili i lojës dhe shqelmat e dhëna ndaj tanëve në fushë.

Pak do t’a mbajnë mend se ato ditë vjeshte 2002, Tirana jonë e dashur, ende në kohë “kthimi në identitet” (qe rrafshuar lëmshi arkitektonik dhe ishte bërë sërish i lulëzuar Parku Rinia dhe akoma s’qenë pastruar rrënojat e ish-ndërtesave anash Lanës, pasi ishin hedhur në tokë me të drejtë, për t’ia lënë vendin bordeve të gjelbëruara të lumit)...ishte përmbytur as nga Zoti, as nga natyra, por nga liqeni artificial, portën e të cilit thanë t’a hapnin njëherë, por që s’ditën më t’a mbyllin gjersa prej aty doli gjysma e ujit të atij rezervuari të madh.

Pra kur zvicerianët erdhën në Tiranë, ujërat kishin arritur Lanën duke vërshuar përgjatë Tiranës së Re derisa të derdheshin në lumë.

Kushte më të jashtëzakonshme për një ndeshje nuk kishte!

Por 1-1 dolëm sidoqoftë.

Murati me “ence” (goditje dënimi) barazimin për ne.

Ndeshja tjetër 1-4 në Rusi.

Ç’të flasë njeriu në këtë rast?

Dossena ikën nga sytë-këmbët dhe vjen një gjerman, Briegel.

Eh...gjëra të bukura na lidhin me këtë figurë.

Ky djalë vite përpara pati ditur që në krye të një ekipi provincial si Verona, andej nga mesi i viteve 80-të, të shpallej kampion i Italisë.

Qysh atëherë Verona si klub nuk ka fituar asgjë (por edhe më parë po ashtu) dhe më tepër ka milituar në Serie B dhe C sesa në Serinë A italiane, ndaj dhe se kush ka qenë Briegel-i për atë skuadër duket qartë.

Ndeshja e parë...në Shkodër...me Rusinë (e ku ka më mirë se t’a nisësh me kushurinjtë e origjinës dhe prapatokës së sllavëve armiqësorë të rajonit tonë)...dhe rezultati final 3-1 për ne !!!

Në stadium qemë futur orë më parë, festë, hare, gëzim pa nisur akoma ndeshja e pa u goditur as topi i parë.

Një besim dhe bindje në fitore e jashtëzakonshme, e rrallë dhe fantastike.

Nga ato raste unikale kur njeriu e di që është pjesë dhe dëshmitar i një evenimenti të papërsëritshëm që njëherë ndodh dhe atëherë përpiqesh që çdo sekondë t’a shijosh dhe atë ngjarje t’a ngulitësh sa më fort kujtesën tënde, për të mos t’a harruar kurrën e kurrës.

Kur humbëm penalltinë në avantazh 1-0 dhe pastaj rusët barazuan, askujt nuk i ra mendja të thërriste e shante lojtarët, por të gjithë ushtuan edhe më tepër gjersa u bë 2-1 dhe më vonë 3-1 për të tanët.

Lumë tifozësh në delir, fishekzjarre, festë dhe rusët me të mbrapmet në duar që ktheheshin për në vendin e tyre pa e kuptuar si kishin humbur në atë mënyrë aq bindëse.

Kalojnë 4 ditë dhe në Tiranë, presim Irlandën.

Ndeshje vendimtare për të verifikuar ecurinë e tanëve dhe efektet e lodhjes fizike si dhe euforisë së ndeshjes me rusët.

0-0      në një takim mjaft të luftuar nga secila palë.

Disa humbje tipike shqiptare, me shumë ekzagjerime kundër nesh nga rivalët në fushë dhe gjyqtarët, na heqin pikën e merituar si në Zvicër (2-3) e po aq në Irlandë 1-2 në fund, ku goli i vendasve vjen pas një aksioni ku topin duhej të na e kthenin sipas rregullave të Fair Play-it që të ashtëquajturat skuadra të njohura, ndaj të vegjëlve nuk e njohin.

E mbyllim në mes të rrebeshit në një stadium sërish të mbushur në Tiranë, duke triumfuar 3-1 me gjeorgjianët.

Kualifikueset e para kur Shqipëria pati menduar sikur edhe në një cep të trurit se mund të bënte diçka më tepër se figuranten.

8 pikë, asnjë humbje në fushën tonë, shumë gola të shënuar dhe mjaft pikë të mbledhura për vetëm 8 ndeshje.

Ikën gjermani karizmatik, vjen kroati plak, bën edhe ai ca rezultate, sjell në ekip një yll akoma shëndritës si Salihi, por edhe ai largohet pa bërë atë që parashikonte.

Pas tij zgjedhin një hollandez me mendim tejet të lartë për veten me mbiemër Han.

Ai njeri aspak simpatik arrin sidoqoftë një rezultat të rrallë 0-0 me dhjetë lojtarë në fushë brenda në shtëpinë e Portugalisë së Cristiano Ronaldos, ndërsa më parë kishte barazuar po ashtu në Tiranë me suedezët.

Por hollandezi humbet rrugën nëpër të supozuarat ndeshje të thjeshta me Maltën (barazim në fushën e ishullorëve të vegjël) dhe Hungarinë që na shtron si rrul dy herë.

Kështu që nuk do mend që hollandezit të sipërpërmendur i japin duart dhe sjellin një kroat tjetër, tepër të panjohur kësaj rradhe.

Ky gjithësesi merr një 1-1 me danezët e fortë dhe për pak (minuta e fundit gjithmonë) nuk barazon edhe me portugezët në fushën tonë ku një gol i Bogdanit s’mjafton.

Eliminatoret e kaluara i mbajmë mend se janë afër.

Barazojmë me shpirt dhe lojë në Rumani, mundim Luksemburgun, ndalojmë Bosnjen.

Çfarë fillimi !

Por vjen si traditë dita kur mbushemi me eufori para kohe dhe bjellorusët na shënojnë 2 gola dhe na mundin pastër.

Por ua kthejmë nderin në Tiranë me një ndeshje si rrallë tejet intense tërë sulme e vrap drejt portës së tyre.

1-0       me Salihin dhe kemi 8 pikë.

Shkojmë në Bosnje me dëshirë të madhe, mbajmë denjësisht për një pjesë, më pas na kalon pështyma keq (mua Cola që po pija në lokal ndërsa ndiqja ndeshjen) dhe pësojmë dy gola.

Si luajmë si zakonisht fort dhe kompaktë me Francën, me frikë në nisje kur vijnë dy golat e tyre totalisht të evitueshëm të mos ishte për stepjen tradicionale të tanëve kur luajnë me ndonjë skuadër në letër më të ekuipazhuar se e jona...dhe më pas me impenjim dhe forcë karakteri që na çojnë gjer tek goli i Bogdanit, sërish ndeshja mbaron 1-2.

Mundemi edhe në Francë dhe mendojmë se dikush në federatë dhe ndoshta lojtarët e traineri do t’a kenë realizuar idenë se dy ndeshje mund të na japin 6 pikë dhe të na shpien në kuotën e paarritur kurrë më parë “14”.

Por në Luksemburgun e lojtarëve kamarierë e furrëtarë, na mundin 2-1 dhe më tej me rumunët dalim 1-1 në fushën tonë.

9 pikë dhe të parafundit.

E ja ku jemi në ditët tona.

Të jetë ky edicion një gjë e re ndoshta?

Të ketë mësuar federata dhe lojtarët që të mos entuziazmohen para kohe (se tifozëve kjo u lejohet)?

Apo diferencën tashmë e bën në realitet traineri De Biasi dhe zgjedhjet e tij të mençura dhe tepër të mprehta tekniko-taktike?

Nuk jemi sigurisht këtu në një “Pas lindjes së Krishtit”...as para tij.

ApoPara dhe pas erës së re” për ateistët dhe nostalgjikët e xhaxhit dhe kohës së partisë.

Kombëtarja jonë nuk ka nisur të lozë seriozisht futboll vetëm këto muaj !

Por ndryshime ka dhe kjo vërehet.

FIFA nuk të ngjit rastësisht në vend të 38-ë të renditjes botërore !

Prapa nesh ka alamet ekipesh me shumë më tepër histori dhe rezultate e pjesëmarrje në evenimente të mëdha futbollistike, mjafton të them këtu se Irlanda e Trapattoni-t është tre vende pas nesh dhe Serbia vetëm dy vende para skuadrës sonë.

Në FIFA janë largpamës dhe duke shikuar larg kanë vënë re kualitetet dhe potencialet e ekipit tonë tani në këto eliminatore dhe po ashtu në të ardhmen që është ajo që ka më tepër rëndësi.

Brazili “Pentacampeão” pesë herë kampion, është vetëm i 22-i në këtë renditje, gjashtëmbëdhjetë vende të vogla përmbi ne.

Jo se do e gënjejmë veten se jemi vërtetë kaq afër asëve karioka, por sambën e tyre mund t’a ëndërrojmë që t’a kërcejmë edhe vetë në fushat e Rio de Zhaneiros, Brazilias apo Sao Paolos sidoqoftë pas një viti.

Ajo që po ndodh qysh prej ardhjes së De Biasit në krye të ekipit tonë, është një revolucion i vërtetë, pa asnjë dyshim të vetëm.

Kush arrin të kujtojë kaq prurje të suksesshme lojtarësh të aftë dhe konkretë që në ndeshjen e parë zyrtare në kombëtaren tonë?

Valdet Rama shënoi menjëherë.

Meha po ashtu, Migjen Basha ishte një mrekulli si përzgjedhje dhe aftësitë e tij po i shijon përfaqësuesja jonë ashtu si edhe klubi i tij Torino në Serie A.

Etrit Berishën nuk e njihte askush para se stafi i De Biasit t’a thërrishte në ekip.

Talismani që ai denjësisht përfaqëson, ka shkëlqyer dhe i ka dhënë krahë, siguri në portë dhe fat skuadrës sonë në takimin e fituar me sllovenët 1-0, në 1-0 tjetër historike në Oslo, në 4-1 miqësore me lituanëzët dhe në 1-1 të sapomarrë me norvegjezët në Tiranë.

Ergys Kaçen po ashtu nuk e njihnim, por ua morëm grekëve grykës për lojtarë tanët në përfaqësuesen e tyre...”në kthesë” siç thotë populli, duke evituar në këtë mënyrë një përsëritje të rasteve Nini dhe Kone.

Elseid Hysajn që spikati tek sezoni fantastik i Empolit në Serinë B italiane, ku ky ekip shkoi gjer në finalen e Play Off-it me Livornon, De Biasi e thirri dhe futi në lojë direkt në Oslo.

Roshi po ashtu është një siguri më tepër për skuadrën tonë.

Taktikat dhe vendosja në fushë e ekipit, si dhe lojtarët e shumtë zbuluar anë e kënd Europës nga De Biasi dhe të tijët, bënë që ndaj norvegjezëve, në Tiranë megjithë shumë mungesa, Canën, Currin, Lilën, Roshin e Mehën, sërish të tanët të mbanin shkëlqyeshëm për mëse 80 minuta në fushë, të krijonin raste, të shënonin e godisnin traversën, të luanin me shpirt, shpejt dhe saktë dhe të mos u lejonin nordikëve asnjë rast...përveç golit tradicional që neve rëndom pësojmë andej nga fundi.

Sepse që Shqipëria të jetë e sigurtë në fitore, nga minuta e 86-të e më tej, nevojitet të jetë në avantazh 2-0 të paktën.

Ashtu një gol e llogarisim për çdo rast, por punë nuk na prish.

Skema e golit të Salihit në Oslo dhe rasti tejet i favorshëm qu iu ofrua më duket Bashës në Tiranë sërish në një goditje dënimi të mirëpërgatitur, tregojnë sesa shumë punë i përkushtohet në stërvitje varianteve të tilla që bëjnë diferencën e rezultatit gjatë ndeshjes.

Mënyra perfekte sesi ekipi ynë qe vendosur në fushë, mbyllja e hapësirave për kundërshtarin dhe gjetja e disa interpretëve të rinj, si zëvendësues të të dëmtuarve apo të munguarve të tjerë me në krye kapitenin Cana për shkak kartonash, tregojnë burimet për momentin të pashtershme të futbollit tonë kombëtar, që po prodhon lojtarë cilësorë me shumicë, të cilëve më në fund dikush po ua jep shansin që po t’a meritojnë, veten t’a tregojnë menjëherë në fushën e blertë, sado e rëndësishme dhe me vlera klasifikimi apo kualifikimi të jetë ndeshja.

Rama dje e faktoi këtë zgjedhje sa të guximshme, aq edhe brilante të De Biasit.

Të mos qe për atë tërheqjen finale të skuadrës sonë dhe gabimin e zakonshëm në mes të mbrojtjes, me siguri që do të kishim fituar.

De Biasi, të cilit padyshim që i janë dashur ditë për të gjetur zgjidhjen e duhur për zbrazëtinë në mbrojtje pas mungësës së Canës së pari, por edhe Currit, zgjodhi që në fund të nxirrte nga fusha Salihin përherë të rrezikshëm edhe kur nuk lëviz nga vendi fare (si tek rasti i traversës të cilën e gjeti si “bomber” rrace, pa kërcyer aspak, por me një preçizion të rrallë)...dhe të mbante Çanin të vetëm duke shtuar në prapavijë Osmanin.

Por ekipi ynë nuk është të themi Milani që në ndeshjen me stratosferikët e Barcelonës (të parën të fituar 2-0...ku tregoi se edhe ata janë prej mishi dhe gjaku, prandaj humbin e tek Bajerni këtë leksion e ndoqën me kujdes dhe e vunë suksesshëm në praktikë)...terminal ofensiv në mungesë të Mario Balotelit, kishte vetëm Pacinin i cili zhgërryhej, rrëzohej, vraponte, merrte faulla, fitonte rivënie anësore dhe goditje këndi, tërhiqte pas tij skuadrën e vet dhe disa mbrojtës kundërshtarë, duke bërë kështu të mundur që ekipi të mos zhytej në mbrojtje dhe më tej të shënonte me lojtarët e tjerë dy gola.

Neve me një sulmues pykë, këtë gjë akoma nuk e bëjmë dot dhe kjo u duk qartë në minutat e fundit të ndeshjes kur u mblodhëm në zonë pa dalë më seriozisht përpara dhe po ashtu megjithë praninë e Osmanit shtesë në mbrojtje, golin sërish e pësuam.

Falë një traineri italian nevojitet të jemi perfektë taktikisht (siç jemi duke u bërë), por edhe të mësojmë që kur kalojmë në 1-0, kundërshtari t’a flejë mendjen se rezultatin nuk e kthen dot.

Është kjo një formulë fitimitare për futbollin italian ngahera dhe neve nuk kemi përse të mos ambientohemi me skemat që këtë gjë e bëjnë të mundur.

Sipas mendimit tim si tifoz, ndoshta prania e një sulmuesi tjetër në minutat e fundit, do të kishte qenë kështu më efikase sesa ajo e një mbrojtësi tjetër.

Bogdani dhe Çani ose Salihi, skuadrën mund t’a mbanin me më shumë sukses përpara pa e lënë të mbyllet prapa në pritje të sulmeve të paorganizuara mirë nga norvegjezët.

E kur pas barazimit në sulm dolëm sërish, raste prapë kishim, por disa cm na ndanë nga fitorja në sekondën finale.

Tani jemi të dytët me shumë meritë dhe mundësi përpara nesh.

Kemi një grup pa superekipe, me shumë rivalitet, të papritura, rezultate surprizë dhe asnjë skuadër dominante apo të eliminuar.

Zvicra është dhe mund të mbetet e para, por më pas kushdo ka shanse.

Islanda fiton jashtë dhe mundet brenda, Norvegjinë e pamë se çfarë brumi ka, sllovenët janë inkonsistentë dhe Qipro nivel poshtë mesatares paraqet.

Islandezët siç na mundën pa bërë as përpjekjen minimale në atë ndeshje të çmendur mes shiut në Tiranë, mund t’i mundim edhe ne në fushën e tyre.

Mjafton lojë e qetë, pa sulme frenetike dhe taktikë e zgjuar në kërkim dhe pritje të golit tonë që do të prishte skemat e tyre dhe mund të na hapte neve shtigje për gola të tjerë.

Ata nuk kanë ç’të humbin në këto eliminatore dhe tashmë kanë bërë mjaft më tepër nga çfarë pritej prej tyre, por sidoqoftë Islanda nuk është një skuadër e aftë të imponojë lojën e saj dhe një taktikë e mprehtë, ata i nxjerr jashtë loje.

Në Slloveni pas fitores së tyre në Islandë, do kemi luftë.

Por ata nuk posedojnë asnjë cilësi me tepër se lojtarët tanë dhe ndërkohë në gjashtë ndeshje kanë humbur deri tani katër, që nuk është pak dhe tregon se janë tepër të thyeshëm edhe në fushën e tyre.

Kemi edhe Qipron gjithmonë jashtë fushe në fund, kur ndoshta ata do të jenë pa asnjë objektiv, një takim me siguri po të jemi akoma në garë, tejet i rëndësishëm për ne, ku nevojitet të tregojmë më në fund se edhe me të vegjlit duhet të dimë të fitojmë.

De Biasit i takon detyra që lojtarëve tanë t’ua ngulisi filozofinë e tij fituese, në çdo rast dhe fushë apo rrethanë.

Ndeshja me Zvicrën, ka nevojë për përgatitje, por hyn në ato evenimente që e përfshijnë adrenalinën dhe shpirtin e sakrificës si dhe agonizmin të parashikuar pa filluar akoma.

De Biasi kujtoj sesi dhjetë vite më parë solli Modenën e vogël nga Seria C në Serinë A brenda dy vjetësh me ngjitje të njëpasnjëshme.

Atëherë ky trainer promovoi në nivele të larta, lojtarë të panjohur të cilëve u besoi dhe kjo strategji e tij që nuk u frikësohej kateve të sipërme të futbollit italian të cilët ajo skuadër dhe ai vetë gjer aty nuk i njihnin, rezultoi tepër efektive dhe ende kujtohet në Itali si një nga ngjitjet më të shpejta të një ekipi në futbollin apenin.

Ndoshta e njëjta gjë po ndodh edhe me përfaqësuesen tonë !



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT