Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


BIK merr masa ndaj hoxhë Irfan Salihut

| E shtune, 08.06.2013, 09:11 AM |


Nga Express

(E plotësuar) Hoxhë Irfan Salihu nuk është suspenduar akoma. Megjithëse diçka e tillë do të ndodh shumë shpejt.

Burime të Express kanë thënë se BIK ka marrë vendim që ta shkarkojë hoxhën Irfan Salihu, por që sipas të njëjtave burime kjo nuk do të ndodh për momentin për shkak të disa procedurave nëpër të cilat duhet të kalojë kjo gjë.

Aktualisht BIK me në krye Naim Tërnavën është duke ndërmarrë masa mbi kompetencat që ka, rreth fjalëve që hoxha ka përdorur duke komentuar dhe fyer femrën shqiptare në një video të shkarkuar në youtube.

Kështu i ka thënë Express Grupit të Grave Deputete gjatë një takimi që ato kishin me myftiun e Kosovës Naim Tërnava.

“Ne sot patëm një takim me zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës, më saktësisht me myftiun Tërnava. Gjatë bisedës me të ai na tregoj letrën ku kishin kërkuar deklaratë me shkrim nga hoxha i Prizrenit”, ka thënë Kryetarja e Bordit të Grave Deputetet, Teuta Sahatqiu për Express.

Sipas saj, Tërnava gjithashtu ka pohuar se BIK është duke marrë masa mbi kompetencat që ka.

“Myftiu na siguroi që janë duke ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm, pasi tha se brengat e njëjta sikurse grupi i grave deputete i ka edhe ai dhe BIK dhe na siguroi gjithashtu që nuk do të lejojë që diçka e tillë të përsëritet”, thotë Sahatqiu, e cila sqaron që mes tjera gratë kanë kërkuar që feja të predikohet ashtu siç shkruan në kuran që në tempullin e zotit të mos përdoren fyerjet.

Sipas Sahatqiut, gjatë bisedës Tërnava iu ka treguar atyre se po i njëjti hoxhë kishte qenë i suspenduar edhe në herët pikërisht për fyerje.

“Ai kishte qenë i suspenduar që 6 muaj”, tha ajo.

Derisa Sabri Bajgora sekretar i BIK ka sqaruar se hoxhë Irfan Salihu nuk është suspenduar.

Sipas tij, me rastin në fjalë kryesia do të merret konform kushtetutës së BIK dhe ligjeve në fuqi.

“Pas shqyrtimit dhe ndjekjes së procedurave të rregullta ligjore të BIK, kryesia do të del me një deklaratë apo qëndrim publik për opinionin kosovar”, ka thënë Bajgora në faqen e tij të Facebook.

Hoxhë Irfani ka qenë kryetemë e medieve të Kosovës kohëve të fundit për komentet e tij në youtube.com për amoralitetin e femrave shqiptare.

Pasi Express kishte publikuar para dy dite videon e Hoxhë Irfan Salihut, reagime kishin ardhur nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës të cilat e kanë cilësuar gjuhë denigruese "predikimin" që ka bërë imami.

Gratë Deputete thanë se Hoxha ka përdorur gjuhë helmuese që dhunon të drejtat e njeriut ndërsa është kërkuar nga BIK'u që të distancohet nga Irfan Salihu.

Reagime kishte pasur edhe nga Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ndërkaq reagimet e këtyre dy palëve partia LISBA konsideronte se këto janë më shumë sulme në drejtim të hoxhës. Ajo i ka quajtur sulme të paskrupullta ato që janë thënë për hoxhën nëpër media.

Ligjërata e Hoxhës, ngjallë reagime te deputetët

Ligjërata e Hoxhë Irfan Salihu ka provokuar një debat të ashpër mes deputeteve gra, si të pozitës ashtu edhe të opozitës. Përderisa ato këtë ligjëratë e kanë vlerësuar si një fyerje për vajzat dhe gratë dhe kanë kërkuar që Bashkësia Islame e Kosovës të distancohet nga ky rast, deputeti nga radhët e Partisë Drejtësisë, Gëzim Kelmendi ka thënë se këto deputete duhet të dalin dhe kërkojnë falje që kanë votuar kundër mbajtjes së mbulesës në shkolla duke lënë kështu shumë femrat jashtë shkollimit.

Seanca plenare ka filluar punimet me kohën e deklarimit jashtë rendit të ditës, ku deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija, në emër të Grupit të vet, ka thënë se ligjërata e Hoxha Irfan Salihut aspak nuk i përngjan një predikuesi të fesë myslimane.

“Atë që kemi dëgjuar nga hoxhë Irfan Salihu është totalisht e kundërta e asaj si unë dhe shumica e qytetarëve që e njohim fenë myslimane apo tjetër do fe cilën do fe tjetër në Kosovë. Incizimi ishte një breshëri emocioneve të shfrenuara të urrejtjes që aspak nuk i përngjajnë një predikuesi të fesë përkundrazi ishte një predikim i dhunës, konstatimeve fyese deri në palcë kur i quan 92 % të vajzave me fjalë që edukata ime nuk më lejon t’i përdor dhe në të njëjtën kohë i amniston burrat dhe djemtë dhe i udhëzon që t’i gjuajnë rrugës dhe të ushtrojnë dhunë ndaj grave të veta”, ka theksuar Sahatqija.

Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka folur në emër të Grupit Parlamentare, duke thënë se të drejtat dhe liritë fetare janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës.

Sipas saj, çdo institucion fetar e ka për obligim që të promovoj tolerancën dhe mirëkuptim midis njerëzve.

Ajo ka shtuar se deklarata e fundit e Hoxhë Irfan Salihut e përdorur gjatë një ligjërate ka krijuar një mision tjetër duke shkaktuar kështu përçarje dhe ndasi midis njerëzve.

“Kjo gjuhë e përdorur është plotësisht e papranueshme dhe shkel rëndë mbi parimet dhe të drejtat e njeriut që janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Tendenca për të njollosur virtytet e nënave dhe të grave tona është tendencë për të shkelur rëndë mbi shtetin, mbi liritë, mbi barazinë gjinore e njerëzore në vendin demokratik e shtetin tonë. Grupi Parlamentar i PDK-së shpreson dhe beson se ky është një rast i izoluar dhe komplet i ndarë nga Bashkësia Islame e Kosovës, sepse besimtarët duhet të trajtohen në një mënyrë të barabartë”, ka theksuar Deliu-Kodra.

Grupi Parlamentar i PDK-së kërkon që Bashkësia Islame në kuadër të kompetencave që ka të ndikoj që raste të tilla të izoluara të mos përsëriten më sepse tensionimi i situatës nuk shkon në favor të askujt.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama ka thënë se është e turpshme që politikanët e vendit heshtin përballë këtij fenomeni.

“Situata është serioze dhe nuk mund të izolohet vetëm në një diskurs të pamoralshëm si ky që kemi dëgjuar ditëve të fundit. Jam këtu për të ngritur zërin për një rrezik të madh që po i kanoset Kosovës e që është fundamentalizmi fetar. Ato vende që e kanë toleruar sot kanë rënë nën kthetrat e tij dhe nuk po dalin dot më prej tyre. Është e turpshme që klasa politike sot po heshtë ndaj këtij fenomeni, i cili po rritet ditë më ditë. Është e turpshme që politikanët po heshtin se po frikohen mos po humbasin ndonjë votë”, ka theksuar Lama.

Ndaj këtyre pohimeve të deputeteve ka reaguar deputeti nga radhët e Partisë Drejtësisë, Gëzim Kelmendi, i cili ka thënë se para se t’i kërkojnë Bashkësisë Islame të kërkoj falje, këto gra deputete duhet t’i kërkojnë falje popullit që kanë votuar kundër mbajtjes së mbulesës në shkolla dhe kanë lënë shumë vajza jashtë shkollimit.

“Unë ju them këtyre zonjave të nderuara fillimisht këto duhet t’i kërkojnë falje Bashkësisë Islame dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës se me dorën e tyre kanë votuar. Duke votuar që po votojnë kundër mbulesës kanë votuar kundër mbulesës në shkolla. Këto janë që kanë rrënuar ardhmërinë e vajzave kosovare dhe tash paraqiten kinse thonjëza gardian të mbrojtjes së gjinisë femërore. Përkundrazi këto kanë përgjegjësinë se kanë shkatërruar ardhmërinë e tyre, i kanë lënë jashtë shkollave të tyre, ndërsa në anën tjetër dalin në mbrojtje të amoralitetit, është shprehur Kelmendi.

Ndërkaq deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë deklaratat e fundit rreth arrestimeve të komandantëve të UÇK-së dhe reagimet politike se gjoja në Kosovë po arrestohen individët dhe jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë të pamatura dhe të pamenduara mirë.

“Nëse analizojmë këto deklarata na del se UÇK na del një ushtri fantome. Nëse sot komandantët vlerësohen si individ e kriminel nuk do të befasohem që nesër ushtarët e UÇK-së do të quhen cuba apo gjelat. Bashkësia ndërkombëtare dhe populli i Kosovës e dinë më së miri se UÇK ishte një ushtri e dalë nga gjiri i një populli të përvuajtur e të shtypur barbarisht dhe u përkrah pa rezervë nga NATO”, ka deklaruar Musliu.

Për më tepër, ajo ka shtuar se institucionet e vendit duhet të thonë fjalën e tyre dhe të mos neglizhojnë ngjarjet e fundit, pasi që siç ka thënë ajo mohimi dhe degradimi i vlerave të UÇK-së nuk paguhet me asnjë çmim.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka rikujtuar deputetëve që foltorja e Kuvendit është për të mbrojtur lirinë, barazinë dhe drejtësinë e qytetarëve, pa dallim, që përfaqësohen mga të zgjedhurit e tyre.

“Më duhet të them se kjo foltore është për të mbrojtur lirinë, barazinë, drejtësinë dhe demokracinë dhe këtu përfaqësohen komunitetet sipas nacionaliteteve që kanë shqiptarët, komuniteti serb, turqit, boshnjakët, romët ashkalitë, egjiptasit dhe ju kisha lut që do të thotë të mbroni përfaqësimin e qytetarëve që i mbroni se për këta qytetar nuk ka gjë më të shenjtë se liria, drejtësia, barazia, demokracia”, ka thënë Krasniqi.

Hoxhë Irfani: Nuk flas, është bërë bujë për asgjë

Hoxha nga Prizreni Irfan Salihu, nuk ka dashur të deklarohet për videon që është publikuar nëpër media.

Standardi.info ka arritur të kontaktojë me Hoxhën Irfanin, por ai nuk ka dashur të flas duke thënë se nuk është i gatshëm.

“Nuk dua të flas. Nuk dua të japë deklarata. Do t’i lëmë pak kohë kësaj pune sepse është bërë shumë bujë për asgjë”, ka thënë Hoxha përmes telefonit.

Para pak ditësh është publikuar një video e Hoxhës nga Prizreni Irfan Salihu që i quante femrat “Kurva”.

Reagime kanë ardhur nga politika, shoqëria civile dhe disa hoxhallarë kanë dalë kundër tij. Lëvizja Bashkohu e Fuad Ramiqit i ka dalë në krah Irfani Salihu.

Xhabir Hamiti distancohet nga Hoxhë Irfan Salihu

Xhabir Hamiti, pedagog i mësimeve islame dhe pjesë e strukturave udhëheqëse të Bashkësië Islame të Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratave fyese të Hoxhë Irfan Salihut.

Këtë fjalorë, ai e ka quajtur të pamatur dhe ka uruar që mos të përsëritën më predikime të tilla.

“Si pedagog i mësimeve islame dhe pjesë e institucionit të Bashkësisë Islame, nuk mund të mos e bëjë publike qëndrimin tim distancues ndaj fjalorit jo të matur të Irfan Salihut, imam në Prizren”, shkruan Hamiti në Facebook.

“Nuk ka dyshim se në mesin tonë, janë shfaqur degjenerime të natyrave të ndryshme, mirëpo nëse në një shoqëri njerëzore ka devijime amorale, faji nuk është vetëm i njërës apo tjetrës gjini, por i te dyjave pa dallim! Fjala e butë, e shoqëruar me urtësi dhe argumente, është më e thellë dhe më depërtuese sesa, çdo formë dhe mënyre tjetër e shprehjes! Urojë që raste të tilla të mos përsëriten më , jo vetëm nga Irfani, por nga asnjë predikues yni fetar!”, përfundon reagimi i Hamitit.

Vetëvendosje kundër Hoxhë Irfanit

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj fjalimit të shfrenuar të Hoxhë Irfan Salihut të cilin e ka quajtur të papranueshëm.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e VV'së.

Një ligjërim i hoxhë Irfan Salihut, në të cilin ai e trajton çështjen e marrëdhënieve paramartesore, të mbajtur në xhaminë Suzi Zerrini të Prizrenit, tashmë është bërë temë publike. Në këtë fjalim hoxha i sulmon haptazi gratë shqiptare kolektivisht, në rastin e Shqipërisë sipas tij edhe me mbështetje empirike, për amoralitet. Këto sulme të hoxhës janë të papranueshme dhe duhen dënuar.

Sulmet e tilla janë pjesë përbërëse e shtypjes së gruas gjithandej nëpër jetën politike e shoqërore të Kosovës. Objektifikimi eksplicit i gruas që e dëgjojmë nga Irfan Salihu, është dukuri e përgjithshme në thuajse të gjitha trajtesat politike që i bëhen çështjes gjinore në Kosovë. Ky objektifikim e redukton gruan në funksion shoqëror, si amvise e padiskutueshme, nënë e pazëvendësueshme, objekt zbukurimi i dëshirueshëm, përgjegjëse kryesore dhe ekskluzive e moralit familjar, e jo në pjesëtar të barabartë të shoqërisë me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta. Sipas kësaj trajtese gruaja i bartë të gjitha përgjegjësitë dhe nuk i gëzon asnjë prej të drejtave a privilegjeve. E kjo trajtesë nuk kufizohet vetëm te feja, por është e mishëruar, realisht edhe pse jo domosdoshmërisht formalisht, edhe në institucionet politike, ekonomike e shoqërore të Kosovës.

Askush nuk ka të drejtë të përdorë fjalën publike dhe lirinë e shprehjes për të promovuar ide që shkojnë në kundërshtim të plotë me parimin universal të barazisë shoqërore. Ne duhet qartë ta përcaktojmë dhe orientojmë politikisht shoqërinë dhe kombin tonë, sipas parimeve universale të barazisë, drejtësisë dhe lirisë. Asnjë lider fetar nuk ka të drejtë të shfrytëzojë institucionet fetare për t’u shprehur në mënyrë përbuzëse dhe denigruese për nënat, gratë dhe motrat. Kjo gjuhë është thirrje për diskriminim, stigmatizim dhe nënshtrim të gruas. Shoqëria jonë ka nevojë pikërisht për të kundërtën, për emancipimin e saj dhe për trajtim të barabartë të burrit dhe gruas.

Barazia është para së gjithash dhe mbi të gjitha shoqërore. Në këtë drejtim nuk mund të ketë barazi të gruas pa pasur barazi mes pjesëtarëve të shoqërisë, siç nuk mund të ketë liri për disa pa pasur liri dhe drejtësi për gjithë. Sa kohë që e shtypim një pjesë të shoqërisë e kemi shtypur shoqërinë, dhe kur e shtypim shoqërinë e kemi shtypur edhe veten. Gruaja sot në Kosovë është e shtypur në aspektin politik, por veçanërisht në atë ekonomik e shoqëror. Papunësia te gratë është shumë më e lartë sesa të burrat, varfëria gjithashtu. Analfabetizmi është shumë më i lartë te gratë se sa te burrat. Përkundër barazisë formale të shanseve, shoqëria jonë po përfundon si e pabarabartë, pikërisht për shkak se nuk kemi krijuar mekanizma që sigurojnë barazinë e rezultateve. E pikërisht kjo barazi na nevojitet.

Dhe çfarë bëjnë institucionet? Ato mjaftohen me kuota përfaqësimi, të cilat edhe pse të nevojshme, janë absolutisht të pamjaftueshme për barazinë shoqërore. Rritja e përfaqësimit të gruas në një sistem politik të pabarabartë nuk është emancipim. Kjo për më tepër vetvetiu e ka dimensionin e vet të objektifikimit të gruas, ku prania e saj në Kuvend, në Qeveri, në organizata pune, është rrjedhojë e kushtit formal juridik, që e sheh dhe e trajton gruan vetëm si grua, një objekt të cilin duhet ta kemi aty sa për t’i ikur ndëshkimit ligjor. Pra, nuk flitet për aftësinë, përgatitjen shkollore, dijen dhe vullnetin politik të gruas në këto ndërmarrje. Kjo ia mohon gruas qenien e saj politike. Emancipimi i gruas dhe angazhimi i saj drejt barazisë shoqërore e afirmon atë para së gjithash si qenie politike. E barazon atë me burrin.

LISBA: Sulme të paskrupullta ndaj hoxhë Irfanit

(E plotësuar) Lëvizja Islame Bashkohu përmes një reagimi dënon, siç thonë ata, sulmet e paskrupullta dhe akuzat e pabaza drejtuar hoxhës së nderuar Irfan Salihu nga pushtetarë dhe OJQ-ë të cilët ishin ndier të atakuar nga një ligjëratë e hoxhës Irfan Salihu në të cilën kishte folur për moralin e popullit tonë dhe rrezikimin e kësaj vlere tek rinia e me theks të veçantë tek gjinia femërore duke mos e përgjithësuar , por si duket dikush e ka gjetur vetën në kategorinë e cekur nga hoxha prandaj edhe reagimi ishte i menjëhershëm .

“LISBA denoncon hipokrizinë e atyre që sulmuan hoxhën madje duke kërkuar llogari nga BIKU në emër të të drejtave të gruas, kur dihen shkeljet që u bëhen këtyre të drejtave nga ana e pushtetit. Ajo në të cilën ka thirrur hoxha Irfan Salihu është morali i femrës të cilin e kultivoj me përkushtim dhe e ruajti me sakrificë populli i shqiptar me shekuj”, thuhet në reagimin e LISBA-s .

“Thirrës në ruajtjen e kësaj vlere dhe të vlerave tjera të mirëfillta kanë mbetur vetëm hoxhallarët, të moralshëm, të pa korruptuar dhe të papërfshirë në krime duke i shërbyer me besnikëri dhe sinqertit popullit të Kosovës ndërsa ata të cilët sulmuan hoxhën dhe lloji i tyre të cilët mjaft mirë i njeh populli i Kosovës nuk njohin moral apo e definojnë atë në pajtueshmëri me shfrenimin dhe degjenerimin e tyre duke dashur që edhe të tjerëve tua imponojnë atë” .

Në fund të reagimit LISBA ka thënë se e mbështet shumë hoxhë Irfanin.

“LISBA mbështetë fuqishëm hoxhën Irfan Salihu dhe çdo hoxhë tjetër i cili sulmohet vetëm pse thotë të vërtetën dhe thërret në të dhe ua bën të qartë misionarëve për shkatërrimin e moralit të rinisë sonë se pavarësisht përpjekjeve tuaja nuk do të arrini ta zhvishni nga morali dhe ta dërgoni në degjenerim popullin Kosovës” .

Gratë Deputete: Gjuha e hoxhës është helmuese

Pasi Express ka publikuar videon e Hoxhë Irfan Salihut, ka reaguar ashpër Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës të cilat e kanë cilësuar gjuhë denigruese "predikimin" që ka bërë imami.

Gratë Deputete thonë se Hoxha ka përdorur gjuhë helmuese që dhunon të drejtat e njeriut ndërsa është kërkuar nga BIK'u që të distancohet nga Irfan Salihu.

Më poshtë Express e sjellë të plotë reagimin e Grave Deputete.

Reagim i Grupit të Grave Deputete ndaj gjuhës denigruese të hoxhë Irfan Salihut

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, shpreh indinjatën e thellë për gjuhën denigruese, poshtëruese, fyese dhe të pamoralshme, e cila është përdorur nga hoxhë Irfan Salihu, imam në xhaminë Suzi Zerrini të Prizrenit, ndaj grave të Kosovës. Ky diskurs nuk mbështetet as mbi vlerat universale që ka krijuar njeriu, as mbi vlerat e besimit islam, e as mbi vlerat kombëtare shqiptare. Kjo është gjuhë e papranueshme jo vetëm për gratë, por për çdo qenie njerëzore. Kjo gjuhë denigruese e ka vetëm një qëllim, të helmojë mendjet e besimtarëve me ide të papranueshme edhe për shoqëritë më fanatike; të denigrojë figurën e gruas, nënës, vajzës, ta poshtërojë atë deri në pikën e fundit dhe t’i hapë rrugë nënshtrimit dhe pabarazive shoqërore.

Kjo gjuhë e këtij hoxhe por edhe e disa udhëheqësve të tjerë fetarë në Kosovë është gjuhë e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të pariparueshme për të ardhmen në Kosovë, në lidhje me unitetin e shoqërisë, mund të shkaktojë përçarje dhe urrejtje. Kosova nuk është një shoqëri me përçarje sektare prandaj secili prej nesh duhet të mbrojtone vlerat që i kemi kultivuar me shekuj.

Gjuha e përdorur nga hoxhë Salihu bën thirrje për dhunimin e drejtave dhe lirive të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Populli i Kosovës i ka përcaktuar aspiratat e veta me këtë Kushtetutë ku thuhet: “Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.”

Çfarëdolloj thirrje apo predikimi që shkon në kundërshtim me këto vlera është antikushtetues dhe antikombëtar.

Prandaj:

-Grupi i Grave Deputete kërkon nga Bashkësia Islame e Kosvës të distancohet publikisht nga gjuha e hoxhë Irfan Salihut dhe të sqarojë publikisht nëse ai është i emëruar nga BIK-u.

-GGD kërkon nga të gjithë aktorët e shoqërisë dhe institucionet e Kosovës që të dënojnë ashpër gjuhën poshtëruese kundër grave që vjen nga udhëheqes fetarë, të cilët keqpërdorin lirinë e shprehjes brenda institucioneve fetare.

-GGD gjithashtu i bën thirrje mediave që të raportojnë me profesionalizëm dhe në mënyrë të balancuar lajmet në lidhje me këto raste dhe të mos të krijojnë opinione të shtrembëruara në lidhje me përkrahjen që gëzojnë këta persona në shoqëri.

Shoqëria civile tmerrohet nga Hoxha, por nuk reagon

Luljeta Vuniqi drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore thotë se është e vërtetë që asnjë organizatë nuk ka marrë mundimin që të reagojë ndaj fjalëve që kanë dalë nga goja e hoxhës së Prizrenit. “Deklaratat e tij kanë qenë tejet fyese për një femër. E në këtë rast janë fyer edhe meshkujt të cilët nëse ndjekin një ligjëratë të tillë normalisht që ndikohen nga ai”,

Megjithatë ajo thotë se ka një arsye që nuk ka reaguar për këto fyerje. “Këtu ka faj edhe Bashkësia Islame e Kosovës e cila ka përzgjedhur këtë hoxhë si imam të një xhamia. Zotëri Naim Tërnava duhet të kap llogari për krejt ato fjalë”, sqaron ajo

Prandaj thotë që shumë shpejt ajo si udhëheqëse e qendrës, do të kërkojë që ta ketë një takim zyrtar me kryeimamin e Kosovës dhe të kërkojë sqarime prej tij për të gjitha ato fyerje që janë bërë në drejtim të femrave.

E fyerjet e hoxhës në drejtim të femrave, kanë prekur edhe burrat e Kosovës. I tmerruar nga deklaratat e imamit prizrenas, ka mbetur edhe Behxhet Shala udhëheqësi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Sipas Shalës, nuk është xhamia e as nuk është hoxha ai i cili e përcakton fatin e një individi.

“Hoxhallarët dhe imamët janë të thirrur në tolerancë dhe për bashkëjetesë, e jo të flasin për çështje morale sepse konsiderohet si diçka tejet personale”

Ai thotë se nuk e ka dëgjuar se çfarë ka thënë hoxha, por ka dëgjuar dicka rreth videos. Megjithëse sqaron se ai personalisht do të përkujdeset të reagojw kundrejt fjalorit të tij sapo t’i vijë mundësia.

“Sepse përveç femrave ai ka fyer edhe meshkujt të cilët kanë qenë duke ndjekur ligjëratën e tij e që natyrisht që ndikohen nga një imam. Ai mund të flasë vetëm për veten e tij e jo mendimet që ka tija jap edhe turmës”.

Hoxha i quan të pamoralshme femrat kosovare

Hoxhë Irfan Salihu është një prej hoxhallarëve më të famshëm dhe të klikuar në rrjetet sociale për shkak të fjalimeve të tij mbi moralin shqiptar.

Një prej ligjëratave të fundit, që është publikuar në Youtube.com, ai flet mbi amoralitetin e femrave shqiptare.

Hoxhë Irfan Salihu, aktualisht jeton dhe vepron në qytetin e Prizrenit, si Imam në xhaminë Suzi Zerrini.

Express, publikon këtë video që ka shkaktuar reagime të vajzave në rrjetet sociale.