E merkure, 24.04.2024, 10:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Profesor Selman Riza

E premte, 07.06.2013, 09:10 PM


PROFESOR SELMAN RIZA DHE PROJEKTET E INSTITUTIT ALBANOLOGJIK TË PRISHTINËS 1953-1955

Nga Begzad BALIU

Hyrje

Në studimet e gjertanishme të jetës dhe veprës së Selman Rizës janë disa periudha të rëndësishme të aktiviteteve të tij, për të cilat ende nuk është thënë fjala e studiuesve. Është e kuptueshme prandaj pse edhe më tej nuk e njohim jo vetëm një pjesë të jetës së tij, por ende nuk njohim edhe një pjesë të kontributit shkencor të veprës së tij.

Në këtë brez të errët apo shumë pak të shndritur hynë periudha e internimit të tij në Sarajevë, 1951-1953 ku punoi si lektor i frengjishtes në Universitet dhe ajo e kontributit të tij drejtues dhe shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, gjatë viteve 1954-1955.

Në qoftë se periudha e qëndrimit të tij në Sarajevë kërkon iniciativën dhe kushtet e një kërkimi në institucionet universitare të atjeshme dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, kërkimet në përudhën e punës së tij në Institutin Albanologjik të Prishtinës janë të kushtëzuara prej kërkimeve në Arkivin e Kosovës, sigurisht atë pjesë që ka lënë të mbetet nga dosja e tij e sigurimit serb.

Dokumentet që sjellim në këtë punim e që lidhen ekskluzivisht me Institutin Albanologjik dhe kontributin e Selman Rizës gjatë viteve 1954-1955, janë zbuluar gjatë muajit gusht-shtator të vitit 2007.

Prej pjesëmarrësve të themelimit të Institutit Albanologjik dhe prej komunikimit mes tyre mund të shihet se pjesa më e madhe e tyre ishin studiues të paformuar, pionier të dijes në fushë të kërkimeve shkencore dhe kryesisht letrar që kishin bërë hapat e parë në fushë të krijimtarisë letrare dhe publicistike. Drejtori i tij Elhami Nimani vinte nga strukturat politike dhe ishte njëkohësisht kryetar i Pleqësisë për Arsim e Kulturë në Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë në Prishtinë, siç quhej atëherë; Prof. Vojisllav Dançetoviqi, ishte udhëheqës i Katedrës së Albanologjisë në Beograd; Prof. Selman Riza ishte lektor në Fakultetin e Filozofisë në Sarajevë; Esat Mekuli ishte drejtor përgjegjës i revistës letrare "Jeta e re", një reviste që gëzoi traditën më të gjatë në lëvizjen letrare dhe kulturore të zhvilluar ndonjëherë në Kosovë; Zekerija Rexha, Idriz Ajeti dhe Ali Rexha ishin profesorë në Gjimnazit shqiptar të Prishtinës; Hasan Kaleshi, ishte asistent në Fakultetin e Filozofisë, Grupi i Orientalistikës në Beograd; Anton Çetta ishte asistent në Seminarin e Albanologjisë në Beograd; Sulejman Drini ishte nëpunës i ndërmarrjes "Mustafa Bakija”, ndërsa Martin Camaj, absolvent në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Në rrethin e personaliteteve me formim sadopak shkencor të kësaj kohe ishte vetëm edhe Kadri Halimi, asistent në Grupin e Etnologjisë, në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, e që atë kohë ishte duke e vuajtur një dënim politik.

Të paktë ndërkaq ishin ata që plotësonin kushtet shkencore dhe morale e politike të kohës për të marrë një detyrë sa të rëndësishme kombëtare po kaq edhe me pasoja për kohën në të cilën po themelohej Instituti. Organizimi i një Institucioni të tillë me përgjegjësi për zhvillimin e kulturës nacionale, mund t’i besohej vetëm një a më shumë studiuesve që kishin energji fizike dhe përgatitje profesionale. Në këtë periudhë përmasa të tilla morale, shkencore, mendore dhe madje fizike mund të thuhet se kishin vetëm Selman Riza dhe Kadri Halimi, i pari i internuar në Sarajevë, por i mbrojtur dhe i mbikqyrur dyfish, nga strukturat politike shqiptare të Kosovës për ta vënë në shërbim të tyre dhe nga strukturat e sigurimit jugosllav për ta penguar angazhimin politik kombëtar të tij, ndërsa i dyti, ish asistent i etnologjisë në Beograd, i cili gjendej duku vuajtur një dënim politik.

Nuk është e rastit prandaj, pse drejtori i Pleqësisë së Arsimit dhe më vonë drejtori i Institutit Albanologjik, Elhami Nimani, ende pa u themeluar Institutit e kishte marrë mendimin e Selman Rizës[1] dhe madje kishte ftuar që të angazhohet në punë e në projekte shkencore, ndërsa studiuesi Kadri Halimi[2], nuk arriti të punonte e as të angazhohej, edhe pas kryerjes së dënimit politik, ndërkohë që të drejtën e angazhimit kishte mundur ta realizonte në Universitetin e Shkupit.

Sikur mund të shihet prej përgjigjes së Selman Rizës, jo shkaqet që e kishin dërguar në Sarajevë (internimi), po shkaqet e tjera të krijuara në jetën familjare e kushtëzonin kthimin e tij në Prishtinë dhe kjo është arsyeja pse as pas 1 tetorit 1953, deri kur e zëvendësoi Prof. Idriz Ajeti, Selman Riza nuk arriti të bëhej pjesë drejtuese e këtij institucioni[3].

 

Projekti afatgjatë i kërkimeve shkencore në Institutin albanologjik

 

Në biografinë jetësore dhe shkencore të Selman Rizës Projekti afatgjatë i planifikuar dhe diskutuar në takimin e anëtarëve e bashkëpunëtorëve të Institutit paraqet njërin prej kapitujve më të rëndësishëm, pa të cilin nuk mund të shkruhet historia e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Mbledhja qe mbajtur më 8. VII. 1953 në Seminarin e albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë në Beograd dhe qe drejtuar nga Elhami Nimani. Ajo diskutoi organizimin e punës së Institutit Albanologjik në Prishtinë në një perspektivë më të largët.

Këtu po e sjellim procesverbalin e plotë (pjesën shkencore), të shoqëruar edhe me ndonjë koment në fusnotë, me qëllim që të krijojmë një pasqyrë sa më të plotë të këtij takimi dhe të zhvillimeve të mëvonshme organizative e shkencore në Institutin Albanologjik, për të mos thënë edhe të përtashme në jetën shkencore të tij e të albanologjisë përgjithësisht.

 

Proces verbal[4]

i mbledhjes së mbajtun me dt. 8/VII/953 në Seminarin e albanologjis pranë Fakultetit të filozofis në Beograd mbi organizimin e punës së Institutit albanologjik në Prishtinë.

(...)

Si probleme kryesore u paraqitën:

1) Seksjonet e Institutit

2) Kuadrat permanente dhe bashkëpunëtore

3) Puna konkrete nder seksionet e ndryshme.

1) Për sa i përket seksioneve që do të ketë Instituti, mbas nji diskutimi të gjithanshëm pjesëmarrësit panë t’arsyeshëme që tash për tash të hapen:

a) Seksjoni i gjuhësis i cili do të mirret me studimin e gjuhës bashkohanike, me dijalektologji dhe me folklorin gjuhësuer.

b) Seksjoni i letërsis, do të mirret me historin e letërsis së deritashëme (çmimin dhe gjykimin me një sy kritik të trashigimit letrar) dhe letërsin bashkëkohanike (nxitje, udhëzime shkrimtarëve të rij dhe botim i veprave të tyne).

c) Seksjoni i historis do të mirret me historin e popullit shqiptar në bashkëjetesë me popujt sllavë të jugut; me hartimin e historis së Shqiptarëve përgjithësisht dhe me studimin e disa ngjarjeve historike të kohëve të vona.

2) Përsa i përket kuadrave që do të punojnë mbrendë dhe jashtë institutit u pa e arsyeshëme që përposë kuadrve permanentë, të ftohen për bashkëpunim dhe njerëz të shquem për studimet e tyne në lamën e albanologjis kudo qofshin të cilët do të quhen bashkëpunëtorë të rregull me korrespondencë[5].

Me qëllim që të formohen kuadra të reja shkencore në lamën e albanologjis, do të ftohen për bashkëpunim punëtorët e rij intelektualë si bashkëpunëtorë kandidatë, qofshin permanentë ose me korrespondencë.

Në këtë periudhë të parë u caktuen këta bashkëpunëtorë:

a) Në seksjonin e gjuhësis si bashkëpunëtorë permanentë: Idriz Ajeti deri me 1 tetuer 1953. Mbas kësaj date Prof. Selman Riza dhe Sulejman Drini. Si bashkëpunëtorë me korrespondencë: Prof. V. Dançetoviq, Hilmi Thaçi (kandidat) dhe Idriz Ajeti (mbas datës l tetuer), albanologët e shquem që ndodhen mbrenda dhe jashtë vendit t’anë si dhe nji numër arsimtarësh të gjuhës shqipe të cilët do të ftohen ma vonë për bashkëpunim.

b) Në seksjonin e letërsis bashkëpunëtori permanent do të caktohet ma vonë ndërsa si bashkëpunëtorë me korrespondencë do të jenë: Esad Mekuli, Dr. Petro Janura, V. Gj. Relja, Hasan Kaleshi, Anton Çetta, Martin Camaj dhe arsimtarët e intelektualët tjerë që do të ftohen ma vonë për bashkëpunim.

c) Në seksjonin e historis si bashkëpunëtuer permanet caktohet Ali Rexha, ndërsa bashkëpunëtor me korrespondencë do të jenë Dr. Kruno Kërstiqi, Hasan Kaleshi dhe shum profesorë të tjerë t’Universiteve të R.F.P.J. që do të ftohen për bashkëpunim.

Për organizimin e sa ma të përsosun të degëve t’Institutit, punës dhe detyrimeve dhe të drejtave t’anëtarëve të tij, qofshin këta permanentë me korespondencë ose kandidatë, u formue nji komisjon nga shokët: Prof. V. Dançetoviq, Prof. Zekerija Rexha dhe Hasan Kaleshi, të cilët do të shkojnë n’Akademin e shkencave të R.P.S. dhe mbas nji konsultimi me Prof. Beliq dhe me persona tjera administrative, tue pasë gjithëmonë para sysh specificitetin e kushteve dhe nevojave t’ona, do të hartojë projekt statutin e Institutit[6] ku do të përfshihet dhe statuti i bashkëpunëtorëve.

3) Përsa i përket punës konkrete ndër seksjonet e ndryshëme, në këtë periudhë të parë do të kryhen këto punime:

 

a) Në gjuhësi:

- Rishbotimi i fjalorit të Kristoforidhit ku pjesa shqipe do të transliterohet me germat t'ona ndërsa ajo greqishte me germat latine tradicionale në shkencë, me plotësimet eventuale ku shfaqet nevoja[7].

- Rishbotimi kritik i teksteve të shkrimtarëve të vjetër shqiptarë në tanësi (Buzu, Budi, Matranga, Bardhi, Bogdani, Kazazi) këto botime do të bahen suksesivisht.

- Rishbotimi reproduktiv i Kanunit të Lekë Dugagjinit[8].

- Përpilimi i fjalorthave terminologjikë sërbisht-shqip, të cilët do të botohen në blej të veçantë dhe do të shërbejnë si ndihmë për hartimin e nji fjalori të përgjithshëm shqip. U caktuen fjalorthat e ndryshëm dhe hartuesit e tyne:

1) Fjalorthi linguistik. Hartuesa: Pr. Selman Riza, Prof. V. Dançetoviq, I Ajeti.

2) Fjalorthi letrar: Hartuesat: Hasan Kaleshi, Anton Çetta, Martin Camaj.

3) Fjalorthi për shkencat politike shoqnore dhe për administratë. Hartuesa: Prof. Zekerija Rexha, Sokol Dobroshi, Ali Rexha Vehap Shita, Mustafa Shala dhe Hazër Tufa.

4) Fjalorthi për shkencat natyrore. (Zoologji, botanikë, gjeografi, medicinë, bujqësi, veterinari). Hartuesat: Esat Mekuli, Xheladin Deda, Sulejman Drini, Zeqir Bajrami, Shefqet Veliu dhe Qamil Ibrahimi.

5) Fjalorthi për matematikë, fizikë, kimi, industri, tenikë e komunikacjon. Hartuesat: Hasan Hakiu, Ismet Dehiri, Mehmet Gjevori, Sali Kolgeci dhe Haki Hoxha.

Mbas hartimit të këtyne fjalorëve do të fillohet puna në hartimin e nji fjalori shqip.

Të blehet nji magnetofon dhe të vazhdohet puna e deritashme në mbledhjen e folklorit: kangë popullore, prralla, fjalë t’urta, frazeologji dhe fjalë të rralla.

- Dijalektolagjija të jetë nji problem që do të studjohet krahas me punën e përgjithshëme në seksjonin e gjuhësis.

- Përpilimi i gramatikës të lihet për ma vonë, mbasi të mblidhet materjali i nevojitun në teren. Për hartimin e sajë u pa e arsyeshëme të shfrytëzohet ajo e Dr. Gjegj Pekmezit.

 

b) Në letërsi:

- Të mblidhet materjali për të përgatitë dalë nga dalë e me kohë nji histori të letërsis shqipe.

- Të bahen punime të veçanta (monografina) rreth shkrimtarëve.

- Të bahen gjurmime të veçanta mbi krijimin letrar në gjuhë shqipe, gjatë kohëve të kalueme, në Jugosllavi.

- Të nxiten shkrimtarët e rij për krijime origjinale dhe të bahet i mundshëm botimi i veprave të tyne.

- T’i kushtohet nji kujdes i posaçëm përkëthimeve në gjuhën shqipe që të kenë dhe këto nji vleftë letrare.

- Të hartohet plani i veprave që botohen në ndërmarrjen "Mustafa Bakija” në Prishtinë.

 

e) Në histori.

Të merren nga Pleqsija për kulturë dhe shkencë tezat e historis së Shqiptarëvet, të dërgueme për shqyrtim dhe të punohet në zgjatimin e tyne[9].

- Të kërkohen bashkëpunëtorë që do të ndihmojnë në hartimin e historis së Shqiptarëve në bashkëjetesë me Sllavët e jugut.

- Të kërkohen dëshmitarë të gjallë ende, që do të mujnë me thanë dishka mbi ngjarjet historike të së kaluemes së afërt.

- Të dërgohen njerëz ndër arkivet e ndryshëme për të gjetë dhe shfrytëzue dokumentet e vjetër historike në lidhje me landën që i intereson seksjonit të historis.

Përposë këtyne vendimeve u pa e arsyeshme dhe:

- Nxjerrja e librave të nevojëshme nga bibliografit që kemi, për të mujtë me i porositë mandej jashtë[10], mbrenda mundësive financjare;

- Të ndërmjetësohet pranë Dekanatit të Fakultetit të filozofis për të mujtë me marrë disa libra në duplikatë nga Seminari i albanologjis në Beograd[11]. Mbi kushtet e nevojshëme Instituti do të mirret vesh ma vonë me Seminarin.

 

 

Projekte të tjera

 

Mbështetur në dokumentet e gjetura në Dosjen e Institutit Albanologjik të Arkivit të Kosovës, gjatë këtyre dy viteve janë bërë kërkesa për disa Projekte, por jo të gjitha u miratuan nga Instituti Albanologjik. Të bie në sy mënyra se si ato u mirëpritën te autoritetet e Institutit Albanologjik, drejtori Elhami Nimani dhe Ali Rexha, krahasuar me përgjigjen që jepte Selman Riza.

Më 22 prill 1954 Profesor Idriz Ajeti, i drejtohej Institutit Albanologjik me kërkesë për mbështetje materiale në hulumtimet e tij në Krajë dhe Dalmaci për kërkime gjuhësore, pra studimin e të folmes së arbëreshëve të Zarës[12], krahasuar me të folmen e paraardhësve të tyre në Krajë, shekuj më parë.

Kërkesa e tij për kërkime në Krajë të Malit të Zi dhe Dalmaci të Kroacisë, mbështetur në një përgjigje të datës 5. VII. 1954, të drejtorit Nimani, jo vetëm nuk u miratua[13], por përkundrazi, në një letër të datës 26. IX. 1954, nxiteshin arbëreshët e Zarës dr. Kruno Kërsti?, Josip Vladovi? – Rela dhe Budimir Petrovi?, që të merreshin pikërisht me këtë temë dhe ju premtohej përkrahje materiale shkencore e morale[14].

Po në këtë vit, ndërmjet drejtorit të Institutit dhe studentit të Universitetit të Beogradit Hasan Mekuli, arrihet një marrëveshje për mbështetje materiale të tij, në kërkimet folklorike që Mekuli do t’i realizonte në vitin 1954, në mesin e “banorëve mysliman” të Sanxhakut të Novi Pazarit, për të mbledhur këngë kreshnike[15].

Një fat tjetër dhe një pritje tjetër merrte kërkesa e studiuesit të asaj kohe Hasan Kaleshi, jo vetëm për faktin se ai kishte pretendime të tjera për të hulumtuar në një institucion ndërkombëtar, sikur ishin Arkivat turke, por edhe për shkak të mirëkuptimit dhe njohjes së rëndësisë që kishin kërkimet arkivale për një studiues, një institucion dhe një projekt shkencor, nga ana e Selman Rizës.

Më 22. VII. 1954, profesori i Universitetit të Beogradit, orientalisti i shquar i kësaj kohe Hasan Kaleshi, i drejtohej Institutit Albanologjik, në Prishtinë, me këtë kërkesë:

“Kah dhetë gushti i këtij vitit (1954,b.b.) do të nisem për Turqi me qëllim grumbullimi të landës për tezën time të doktoratit. Tash për tash kam leje me mbetë tre muej, por Dekani dhe Prodekani i fakultetit më kanë thënë verbalisht se do të mundem me mbetë deri në fund të vjetit.

Meqenëse nuk kam kurrfarë angazhimi as ndaj fakultetit as ndaj ndonjë institutit tjetër dhe tue marrë para sysh se në lidhje me tezën unë do të grumbulloj vetëm landën pa mos u zhytë në studimin e saj, besoj se kisha mujtë m’u marrë edhe me gjurmimin e dokumenteve dhe të materialit tjetër të nevojshëm për historinë e Shqiptarëve. Natyrisht se koha nuk më lejon m’u marrë me deshifrimin e dokumentave dhe përkthimin e tyne, por n’anën tjetër do të kem mundësi me zgjedhë dhe me fotografue një seri dokumentash të nevojshëm. Për fotografimin e dokumentave, angazhimin e njerëzve për kopjimin e artikujve të ndryshëm nga gazetat turke, për blerjen e librave që eventualisht gjenden atje; nevojiten një sasi të hollash”.

Më tej vijonte propozimi i marrëveshjes teknike për çështje të përkrahjes materiale.

Ndryshe nga përgjigja thjeshtë administrative e drejtorit të Institutit Elhami Nimani për kërkesën e Prof. Idriz Ajetit, që në të vërtetë ishte në kundërshtim me përkrahjet e kësaj kohe, përgjigja e Selman Rizës, drejtor shkencor i Institutit sjell një kulturë komunikimi dhe një hapje bashkëpunimi me bashkëpunëtorët në radhët e studiuesve, kudo që ndodheshin.

Në përgjegjen e Selman Rizës, thuhej:” Në letrën t’uej me datë 22/VII/1954 na keni proponue që, me rastin e vajtjes s’uej në Turqi, me qëllim mbledhjeje të landës së duhun për një thezë doktorati, të merrni përsipër me krye për këtë Institut punimet që pasojnë:

  1. fotomekanikisht me rishprodhue sa dokumente historikë që do të gjykoni si veçanërisht të vlefshëm dhe të ndritshëme për historinë e Shqiptarëvet, mâ së forti të atyne (në tekst shihet se fjala atyne është shkruar mbi fjalën shqiptarëve, por duket se është përmirësim i autorit për shkaqe kakofonie,v.j.) të Jugosllavisë nën sundimin Otoman.
  2. prej gazetavet turke të kohës përkatëse me sigurue kopjimin e artikujve mâ markantë që kanë të bâjnë direkt me ngjarje specifikisht shqiptare; e
  3. me furnizue Institutin me sa libra gjegjësisht broshura relativisht të moçme që do të gjeni nëpër antikvarjate apo ndër privatë e që gjykoni se janë të vyeshëm për Sekcionin e historisë e të gjuhësisë, sidomos veprat shqip të bartësvet të Rishlindjes shqiptare prej së parës Lidhje së Prizrenit e deri në Luftën Ballkanike.

Me këtë letër t’onë po ju njoftojmë se Instituti ka pranue propozimin e sipërm, dhe se simbas kërkesës s’uej po ju dërgojmë qysh sot një akontacion prej 40.000 (katërdhjetëmijë) dinarësh për përballimin e shpenzimevet përkatës.

Theksojmë se dokumentet e mbledhun për llogari t’Institutit do të jenë të disponueshëm për të gjithë studjuesat t’anë, tue ju rezervue juve të drejtën e prioritetit, për studim e botim, mbi disa prej tyne për një kohë të caktueme.

Presim që të na mbani në rrjedhë të kryemjes së veprimeve të sipërm, të cilëve ky Instituti u jep të gjithë randësinë e meritueme, tue qenë gati me bâ edhe sakrificat financiare të nevojshme dhe ligjesisht të justifikueshme.

Prishtinë, më 3/VIII/1954, Për drejtorin e Institutit,                Selman Riza

 

 

Për Fjalorin terminologjik

 

Një prej çështjeve që shpjegojnë dokumentet e pakta të Institutit Albanologjik, të ruajtura në Arkivin e Kosovës është edhe përmasa e autorësisë së Fjalorit të terminologjisë, bashkë me Mehdi Bardhin, dorëshkrimi i të cilit ruhet në arkivin personal të profesor Rexhep Ismajlit[16].

Në një Thirrje, të datës 21 prill 1954, Aktivit / folkloristik/ e gjuhësor, Gjakovë – Prizren – Prishtinë-Pejë – Mitrovicë – Gilan, nënshkruar nga Ali Rexha, thuhej: “Po ju njoftojmë se lista e termave prej laminash të ndryshme shkencore, e shpallun në “Rilindje” në rubrikën gjuhësore: “Për qëndrueshëmimin e terminologjisë shqipe”, ka dalë në dy etapa, e para vetëm me fjalët e thata serbokroatisht[17], kurse e dyta përmban, posë termave serbokroatisht, edhe ato frëngjisht, gjermanisht e italisht, si edhe gjegjësinat përkatëse shqip[18].

Në këtë ftesë janë përfshirë emrat e njëzetë e dy bashkëpunëtorëve, të cilët me tri përjashtime edhe janë nëshkruar në listën e pjesëmarrësve në diskutim, më 21 tetor 1953: Xheladin Deda, Esad Mekuli, Sokol Dobroshi, Hasan Vokshi, Stathi Kostari, Vehap Shita, Tajar Hatipi, Haki Hoxha, Mutafa Shala, Hazyr Tufa, Xheladin Topçiu, Mehmet Gjevori, Jani Gjino, Zekeria Rexha, Sali Kolgeci, Zeqir Bajrami, Shevqet Veliu, Abdullah Zajmi, Jusuf Shushka, Ibrahim Zherka, Ahmet Mumxhiu dhe Nexhip Habipaj.

Mirëpo, siç mund të shihet emri i Selman Rizës mungon. Natyrisht këtu nuk përjashtohet bashkëpunimi i premtuar në letrën e datës 12. VI. 1953. Esenciale për ne është se emri i tij mungon edhe në listën e të ftuarve dhe të nënshkruarve, e kjo do të thotë se ai ende nuk ishte i përfshirë në projekt, as si bashkëpunëtor as si pjesëtar i projektit. Duket se drejtues dhe realizues i këtij projekti ishte Ali Rexha, pavarësisht se në fund, autor i Parathënies, në mos edhe redaktor profesional i tij del Selman Riza. Në të vërtetë, kjo bindje krijohet me faktin se ai e ka lënë dorëshkrim këtë projekt, sado në versionin e botuar të Parathënies së ‘tij’ te “Rilindja” e datës 13 dhjetor 1953, f. 5, 6, ky tekst është botuar në emër të Institutit Albanologjik dhe një shikim përimtues i këtij teksti del se versioni përfundimtar i tij është bërë nga Selman Riza, mbi materialet dhe të dhënat e bëra edhe më parë nga Ali Rexha. Më parë se bazën materiale dhe arsyetimin mbi to, të cilat duket t’i ketë shkruar Ali Rexha, sigurinë për autorësinë ‘përfundimtare’ të Selman Rizës e bënë të mundur kryesisht stili shkencor i tekstit. Autorësinë e tij, krahas, edhe të Mehdi Bardhit, me gjasë, e bënë të dallueshme fakti se ky projekt më nuk është tërësia e termave të shumë fushave diturore të propozuara nga Ali Rexha për diskutim, por i një fushe më të ngushtë.

Mbështetur në disa nga të dhënat arkivore që prezantuam këtu dhe të tjera që do të prezantohen në ndonjë rast tjetër kontributi i Selman Rizës në themelimin, organizimin dhe drejtimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës është shumë i rëndësishëm. Dhe përtej tyre, kontributi i tij në projektimin afatgjatë dhe realizimin e projekteve shkencore afatshkurtër, në shumë aspekte del vendimtar. Largimi i tij nga Kosova, që bëhet krahas edhe mbylljes së Institutit Albanologjik, pat pasoja largvajtëse njëkohësisht edhe për albanologjinë dhe zhvillimin e saj në Kosovë.



[1] Prishtinë, 4. VI 1953, nr. Dos. 618.

Zotni profesor Selman Riza, Sarajevë.

Kur keni qenë herën e fundit në Prishtinë, kemi bisedue për ardhjen e Juej me punue n’Institutin Albanologjik. N’at rast na keni premtue se në mbarimin e këtij viti shkolluar, d.m.th., në fillim të qershorit do të vini per me na ndihmue gjate muejve të verës.

Instituti asht hapë dhe këto ditë do të mblidhen nji numer bashkepunetoresh per te punue, presim edhe ardhjen t’Uej. Lajmeroni se kur mund të mberrrini këtu.

Kryetari për Arsim e Kulturë të KAKM,

Elhami Nimani

 

[2] Institutit Albanologjik, Prishtinë

I drejtohem Këshillit t’atij Instituti me këtë lutje:

Më 1950 kam krye grupin etnologjik në Fakultetin e filozofis në Beligrad. Gjat dy vjetve kam shërbye po n’atë Fakultet pranë Katedrës për etnologji. Prej vjetit 1952 deri më 1954 kam qenë nga ana e pushtetit i dërguem në punishten “Mermer” për gabime politike. Tash jam kthye dhe lirue si i përmirësuem.

Mbasi edhe përpara jam marrë me çështjen e kulturës dhe studimin e etnografis shqiptare dëshiroj që të më pranoni si bashkëpunëtuer n’Institutin t,uej. Në kohën e fundit kam pasë konkurue dhe jam pranue për mësimdhënës në Fakultetin e filozofis në Shkup për lëndën e etnologjis. Mirëpo më duket e arsyeshme dhe ma me vend me shërbye n’Institutin albanologjik, ku mundem edhe mu zhvillue ma tepër në degën t’ime dhe me kontribue ma shume.

Lutjes i bashkangjes listën e punimeve që kam shkrue deri më tash.

Dokumentat e ndryshme të cilat nevojiten, i kam në fakultet dhe do t’i sjell më vonë.

Prishtinë, më 2 nëntor 1954

Me nderime

Kadri Halimi, ish asistent i Fakultetit të filozofis në Beligrad

 

[3] Pleqësis për Arsim E Kulturë

Në Prishtinë

Zotni Kryetar,

Në përgjigje të letrës së Juej më datë 4/VI/1953, kam nderin me Ju kumtue sa vijon.

Po bâhen disa muej qysh se nâna plakë âsht tue lëngue rândë prej mushknijsh. Tue dashtë se mos po i infektohen fëmija, im vëlla në Prizren pasëka tentua me e veçue prej shpis bar përkah fjetja – tentativë këjo me të cilën lokja, që për ne ka flijue jo soll të rit, por gjithçkah, nuk pasëka mujtë me u pajtue kurrqysh.

Për mâ tepër, edhe im ungj në Gjakovë nuk pasëka qenë në gjendje me bashkëjetue me të motrën me shpenzimet e mue të nipit.

Në këto rrethana, unë që vërté adhuronj loken por që nuk e dëshronja në Sarajevë ku ajo, për mos njohje të gjuhës serbo-kroatishte, e për mospasje të rrethit të vet, nuk mund të ndihet tjetërqysh veçse si e internueme, u detyrova asgjâmangu me e thirrë ngutshëm ngjat veti, e që, bâhet afro nji muej qyshse po jetojmë prapë së bashku.

Tani, ajo âsht aq e dobësueme sa që qysh se ka ardhë nuk ka mujtë me kalue një herë të vetëme pragun e derës, jo mâ të jetë në gjendje me ndërmarrë një të gjatë udhëtim të ri Sarajevë – Prishtinë. E kuptohet vetiu, unë atê nuk kam qysh e lâ vetëm në vend të huej.

Zotni Kryetar,

Hyna në këto mizerje familjare e far’e-fisnore për të Ju bindë jo vetëm se nuk jam mâ në gjendje me mbajtë premtimin e dhânun në tjera rrethana familjare, por edhe se mospjesëmarrja ime në organizimin e Institutit Albanologjik mâ fort po më pikëllon mue objektivisht sesa mund të ju prishë punë Juve materialisht, sidomos po menduetë se nëpërmjet letërkëmbimit më keni për çdo këshillim e sugjerim kurdoherë në dispozicionin t’Uej mâ të përkushtuam.

Pritni, zotni Kryetar, përshëndetjet e mija të përzemërta e urimet e mi të nxehtë për mbarësinë, mbrothësinë e jetëgjatësinë e ndërmarrjes më të vërtetë madhështore që do të jetë INSTITUT ALBANOLOGJIK, i të cilit, tue mos pasë unë fatin me qenë anëtar themelues, do ta kisha për nderë me  u quejtë korrespondent besnik.

Selman Riza

Nënshkrimi

 

[4] Teksti botohet nga origjinali dhe për herë të parë. E gjeta në Dosjen e Institutit Albanologjik, në Arkivin e Kosovës, në gusht të vitit 2007 dhe i kisha planifikuar t’i botoj në një vëllim kushtuar 55 vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik, por meqenëse ky projekt nuk u realizua, disa nga dokumentet që kanë të bëjnë me Profesor Selman Rizën po i botojmë këtu.

[5] Në dosjen e Institutit është ruajtur një komunikim i pasur me albanologun Kristë Maloku, në përpjekje për ta bindur për bashkëpinim, madje edhe me konsiderata përkufizuese të shembullit: “Na dëshirojmë me bashkëpunue vetëm me ata Shqiptarë që janë dashamirë, një herë për një herë makar vetëm potencialë, të Jugosllavisë së ré. E për të qenë të këtillë mjafton me përmbushë një kusht të vetëm: të deritashëmin informacion antijugosllav me e marrë, me një akvanimitet mâ të kthjelltë, rishtas në shqyrtim në dritë pikërisht t’informatavet që do të Ju vijnë edhe prej anës s’onë.

E, i ndershëmi Z. Maloku, na ju konsiderojmë edhe Jú si një Shqiptar të këtillë dmth., si një Shqiptar që âsht i gatshëm me mirëpritë një informacion sa ma të specifikuem mbi gjendjen e gjanavet ndër ne. E një informacion këso fare âsht i domosdoshëm kur të jetë fjala për një regjim shoqnuer me të vërtetë specifik, siç âsht rasa me regjimin e ri jugosllav” (Letër e Elhami Nimanit, 27. 2.1954).

E madje edhe me udhëzime konkrete: “Në dritë të sa mâ sipër, dhe në pritje të ndonjëj proponimi mâ konkret prej anës s’Uej, na po lejohemi me sugjerue themat që pasojnë:

1. Histori: Në perspektivën e njëj introdukte sa mâ të thuktë mbi karakteristikat shum a pak permanente të sundimtarisë otomane në kurriz të popujve ballkanas, me parashtrue një studjim diferencial mbi aspektet specifikë të sundimtarisë otomane në kurriz të popullit shqiptar si dhe mbi reagimet gjithashtu specifikë të këtij populli kundrejt kësaj sundimtarije.

2. Kritikë letrare: Përtrimje e azhurnueme dhe plotësim i duhun i kritikës s’Uej të famshëme mbi Naim Frashërin.

3. Kritikë gjuhësore: Historiat i azhurnuem i problemit gjuhësuer të Shqiptarëvet (sidomos verijorë).” (Prishtinë me 27/II/1954, Drejtori i Institutit, Elhami Nimani.

 

[6] Botohet për herë të pare. PROJEKT STATUTI I INSTITUTIT ALBANOLOGJIK: Në bazë të propozimit, të dhanun prej Mbledhjes së gjuhëtarëvet dhe letrarëvet, mbajtun në Prishtinë me 14-15 nanduer 1952, për krijimin e nji trupi të përhershëm kompetentash të gjuhës, letërsis dhe historis, Pleqsija për arsim e kulturë në Prishtinë vendosi themelimin në Prishtinë të njij instituti albanologjik.

Me qëllim përcaktimi të veprimtaris s’Institutit albanologjik, Pleqsija për arsim e kulturë ftoi në Beligrad pjesëmarrësat e poshtëshenuem në mbledhjen gjuhësore të Prishtinës: Elhami Nimani, Prof. Vojisllav Dançetoviq, Prof. Selman Riza, Esad Mekuli, Prof. Zekerija Rexha, Hasan Kaleshi, Idriz Ajeti, Anton Çetta, Ali Rexha dhe Sulejman Drini.

Kjo mbledhje e ngushtë, mbasi rrahi problematikën e shtrueme dhe arrijti në përfundimet e duhun, ngarkoi nji komisjon të ngushtë të përbam prej Prof. V. Dançetoviq, Prof. Z. Rexhës dhe Hasan Kaleshi për hartimin e projekt statutit t’Institutit albanologjik.

Neni 1. Me qëllim gjurmimi shkencuer dhe zhvillimi të matejmë të kulturës kombtare të Shqiptarëve në R.F.P.J. themelohet në Prishtinë INSTITUTI ALBANOLOGJIK.

Neni 2. Ky institut asht autonom.

Neni 3. Veprimtarin e vet Instituti albanologjik do ta zhvillojë nji herë në gjuhësi, letërsi dhe histori e mandej n’ etnologji dhe n’art.

Neni 4. Instituti përbahet prej antarësh të përhershëm, antarësh kandidatë (mbrenda Shtetit) si dhe prej anëtarësh korrespondentë. Çdo antar ban pjesë në njanin prej tre seksjoneve: I. të gjuhësis, II. të letërsis dhe III. të historis.

Neni 5. Organi ma i naltë i Institutit albanologjik asht Mbledhja e përvitshëme e atarëvet të përhershëm.

Neni 6. Organi ekzekutiv i Institutit albanologjik asht Këshilli drejtues, që përbahet prej kryetarit t’Institutit dhe prej kryetarëvet të seksjonevet që zgjidhen vit për vit prej Mbledhjes së përgjithëshme.

Neni 7. Në Mbledhjen e përvjetshëme t’antarëve të përhershëm Këshilli drejtues referon mbi buxhetin, mbi veprimtarin e zhvillueme dhe mbi parashikimet e vitit vijues.

Neni 8. Mbi proponimin e seksjonit përkatës zgjedhja e antarëvet kryhet prej Mbledhjes së përgjithshëme dhe pëlqehet prej Pleqsis për arsim e kulturë. Antarëvet të përhershëm si dhe antarëvet kandidatë u caktohet nji honorar antarsije i përmuejshëm.

Neni 9. Veprimet tekniko administrative do të kryhen prej njij personeli që do t'emnohet prej Këshillit drejtues dhe do të pëlqehet prej Pleqsis për arsim dhe kulturë.

 

[7] Puna në këtë projekt sipas tri teksteve të botuara në shtypin ditor, ka filluar me intensitetin e duhur, të përkushtimit të drejtuesve të Institutit dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Dy tekste polemizuese të Sitki Imamit dhe Selman Rizës dëshmojnë madje edhe për përfundimin e një varianti të tij për botim, sado kjo vepër as nuk u botua e as nuk shihet e shënuar si projekt në dorëshkrim në biografinë e Martin Camajt. Në një shënim polemizues të Sitki Imamit “Rreth rishbotimit të fjalorit të Kristoforidhit”, ndër të tjera thuhej: “Këshilli për art e Kulturë i Kosovë-Metohisë, ia ka besue përkthimin nga alfabeti grek n’atë shqip të fjalorit të çmueshëm të Kristoforidhit. (...) Me ndihmën e pakursyeshme morale dhe materialet Profesor Dançetoviqit, docent i kathedrës së Seminarit t’albanologjisë pra të Universitetit të Beogradit, Martini e ka kryer me sukses këtë punë të vështirë dhe delikate” (Gazeta “Rilindja” 25 korrik 1954, f. 5), shkruante Imami duke iu referuar një dokumenti të Këshillit, që në fakt kishte bazën në vendimet e mbledhjes për “punën konkrete nder seksionet e ndryshme” të Institutit dhe konkretisht të Seksionit të albanologjisë. “Me sa kam ndëgjue, fjalorin e Kristoforidhit njëherë Martini e ka pasë transkriptue krejtësisht n’alfabetin shqip, tue  shtue nga ana e tij ndër kllapa shpjegime në frëngjisht dhe në vende vende edhe shqip”. (...) “Do me thanë na po bâjmë fjalorët për grekët që ta marrin vesh shqipen, shka dhe ka qenë, ndoshta, qëllimi i Kristoforidhit, kush e di se për ç’arsye n’atë kohë”. (f.5) Mirëpo vazhdonte komentet e tij Imami: Më thuej ti mue, sa ka përfitue populli shqiptar (përveç një rrethi fare të ngushtë) nga veprat e këtilla për albanologë ç’prej Harff-it (1496-1499) e deri te Mann-i, për me bâ atê shka ka bâ Gautier-i? Fatkeqësisht gadi asgjâ. (...) Ne e paça gabim, le të dalin ndokush dhe le të ma mbushi mendjen, por zor do ta ketë” (5).

Vetëm disa ditë më vonë tekstit polemizues dhe dyshues për rëndësisë e botimit të Fjalorit të Konstantin Kristoforidhit nga Sitki Imamit, do t’i përgjigjet Profesor Selman Riza, në artikullin Rishbotimi i fjalorit të Konstatin Kristoforidhit, “Rilindja”, Prishtinë, 1 gusht 1954, f. 5, në të cilin me gjasë bashkohen reagimi ndaj artikullit të Imamit dhe vërejtjet e tij (të panjohura edhe më tej) për dorëshkrimin e Camajt. Pasi krahasonte modelin dhe rëndësinë e botimit të Fjalorit të Konstantin Kristoforidhit “Leksikon tis alvaniqis glossis” (Fjaluer i gjuhës shqipe) dhe fjalorin e Bashkimit “Fjaluer i rii i shcypes” (1908), duke i parë që të dy në kontekstin historik, kulturor dhe madje praktik, Selman Riza theksonte: “as fjalori i Bashkimit, as ai i Kristoforidhit nuk janë përpilue me qëllim t’iu shërbejnë shtresave të gjâna të lexuesvet shqiptarë; e prandej s’prej rishbotimit të Leksikosë së gjuhesh shqipe, nuk duhet pritë që të na hyjë seriozisht në punë për ndonjë përdorje me të vërtetë të përgjithshëme.

Zatën pyetja me rishbotue fjalorin e Kristoforidhit ndër né as që do t’ishte shtrue fare, sikur ndërkohësisht në Shqipni krejt landën e tij ta kishte çfrytesue në mënyrë sistematike ndonjë fjaluer i vërtetë i gjuhës shqipe, thuej, ndonjë fjaluer SHQYP-SHQYP.

(...)

Ndërkaq me marrë fjalorin e Kristoforidhit e me rishbotue me të vetmin tejshkronjësim të pjesës së shqipes prej alfabetit të huej n’abecenë vehtjake – për né do të kishte qenë një lluks i palejueshëm, mun një veprim i papërgjegjësishëm.

Ja sepse, edhe mbas ndërhyrjes s’Institutit Albanologjik në këtë çështje, projekti i parë i Martin Camajt: që teksti greqisht i kategorizimeve gramatikore dhe i komentimeve të rastit të mënjanohet në të mirë të përkthimit të tij në gjuhën shqipe; e madje që edhe “kristoforidhizmavet” ndërkohësisht të tjetërsueme për kah domethanja – brenda kllapash t’u shenjohet gjegjësia në shqipen e sodshëme, ja sepse, po thomi, edhe mbas ndërhymjes s’Institutit, ky projekt i Camajt ka mbetë i paprekur. Anasjelltas me tjetrën idé të projektit të parë: “Çdo fjalë kryesore shqipe e kam përkthye në gjuhën frëngjishte po me at kuptim, që ka origjinali në greqishte. Fjalët frëngjishte janë ndër kllapa (...).”

“Martin Camaj, PARASHTRESA E PUNËS: Instituti nuk ka mujtë me u pajtue për arsyenat që pasojnë “Pamvaresisht prej shkallës së familjarizimit të Martin Camajt njëheras me frëngjishten dhe me greqishten, përkthimi i shqiptarizmavet në françezizma nëpër greqizma – bashkëbart një rrezik tepër të madh për të qenë një stërpërkthim i këtillë shkencërisht i këshillueshëm.

Për mâ tepër njâna dysh: o përveç ruejtjes së përkthimit greqisht do të shtohet edhe përkthimi frëngjisht, e atëherë fjalori do të dalë i barrosun për së tepërmi; o përkthimi greqisht do të mënjanohet fare, e atëherë zor me folë për rishbotimin e fjalorit të Kristoforidhit.   

Mâ në fund pavarësisht  prej zhvillimit gjithnjë ma të lumtur të marrëdhënjevet jugosllavo – greke, duhet mâ të marrë fund mendorsija e dikurshme se popujt e Ballkanit paskan gjithçkah për të nxânë soll prej Evropës perëndimore, e se prandej atyne njohja e gjuhës së shoqoshoqit nuk u hyka në punë.

E âsht një fakt se Martin Camaj menjëherë asht pajtue me këtë pikëpamje t’Institutit Albanologjik, të cilin edhe e ka përvehtësue”, përfundonte Profesor Riza (5).           

 

[8] Pas njoftimit të Profesor Rexhep Ismajlit se në Akademinë e Shkencave të Serbisë ruhet një studim në dorëshkrim i Selman Rizës, i shkruar në serbokratisht dhe frengjisht, mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit të Shtjefën Gje]ovit, i shkruar gjatë kohës që pa gjyq po mbahej në Burgun e Prishtinës (1948-1951), dëshirojë të theksoj se në Arkivin e Kosovës gjendet një përkthim i plotë në serbokroatisht i Kanunit të Lekë Dukagjinit, pa emër përkthyesi, duke përfshirë këtu edhe parathënien e Faik Konicës për Kanunin. Me gjithë përpjekjet që përkthyesin ta identifikoj ndër ata studiues që me Kanunin janë marrë nga vitet ‘60  e këndej, nuk ia kam arritur. Dyshimi im se Selman Riza gjatë kësaj kohe e ka përkthyer edhe Kanunin në serbokroatisht do verifikuar dhe kam shpresë se këtë do ta bëj një ditë.

     

[9] Nga një komunikim të dates 15. VII. 1954, ndërmjet drejtorit të Institutit Albanologjik, Elhami Nimanit, me zyrtaret e Armatës Jugosllave kuptojmë se Instituti punon në një projekt për “Historinë e popullit shqiptar”. Le të shohim tekstin e plotë në original: Qarku Ushtarak, Prishtinë: “Bashkëpunëtori i Institutit tone shoku Ali Junuz Rexha, përndryshe kapetan reserve i klasit të pare, më 14 korrik 1954, ka marrë një urdhër (Pov. Br. 2047) që më 12.VII. 1954 të shkoj në ushtrime ushtarake dymujore gusht-shtator 1954.

Për shkak se Instituti ynë punon në përgatitjen e një doracaku nga “Historia e popullit shqiptar”, për të cilin ka treguar interesim drejtpërdrejtë Gjeneralshtabi i Ushtrisë Popullore Jugosllave, e në këtë projekt punon shoku Ali bashkë me shokun Hivzi Sulejmani, si dhe për shkak se kjo punë ecën ngadalë, e ne veç jemi të vonuar, ju lutem që të intervenoni, në mënyrë që shokut Ali, t’i shtyhet shkuarja në ushtrimet ushtarake dymujore”.

 

[10] Duke iu referuar listave të bëra qoftë me autorë dhe vepra, qoftë edhe vetëm me titujt e veprave të porositura për blerje permes agjensisë “Jugosllavenske knjige” kuptojmë se punonjësit e Institutit kërkonin që biblioteka të pasurohej me shumë botime me vlerë rendësia e të cilave nuk është zbehur as në kohën tonë. Ndonëse nënshkrues i këtyre porosive vazhdimisht del Ali Rexha, nuk është vështirë të shihet dora e Profesor Selman Rizës, në porositjen e disa titujve të veprave në fushë të gjuhësisë, duke përfshirë këtu edhe numrin e tyre, jo në një kopje, sikur kërkoheshin veprat në fushë të letërsisë dhe etnografisë e foklorit, por deri në katër kopje, kur ishte fjala për botime në fushë të gjuhësisë, respektivisht letërsisë së vjetër shqipe, për studimin e të cilëve Profesor Riza kishte treguar interesim të veçante dhe të hershme.

I: Listën e parë e pëbëjnë botimet e proveniences gjuhësore italiane dhe gjermane, brenda të cilave hyjnë edhe veprat nga letërsia e arbëreshëve të Italisë: Kanuni, botimi italisht i At Shtjefën Gjeçovit, Rivista d’Albania, Fulvio Kordignano, Prof. V. Limbrandi, Giusepe Schiro, Prof. Papas Gaetano Petrotta, Angelo Leotti, Marko La Piana, Dante Serra, Papas Francesco Chetta – Schiro, Michele Marchiano, F. Cuniberti, Antoni Baldacci, Giuseppe Schiro, Michele Gervassio, Arturo Galanti, Amedeo Gianini, Concilium Albanum, G. Weigand, Maximilian Lambertz, Manek-Pekmezi, Stavro Skendi, Friedrich Vallisch, Ingenieur Karl Steinmetz, Carl Patsch, Erich Liebert, Hans Treidler, Grothe, Paul Edmons, Martin Urban, Johann Urban Jarnik, Julius Pisko, E. Nowack, Karl Oestreich, Ippen, Norbert Jokl, K. Gersin, F. C. Pouqueville, F. Fox, V. Montegazza, Thompson Wace, Koço Tasi, Paul Popoviq, W. M. Sloane, Cl. C. More, Anton Balota etj.

II. Një listë më vete paraqesin disa botime të veçanta, si: seria e botimeve “Indogermanisches Jaherbuch” dy vëllimet e “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, “Albanesische Bibliographie” dhe “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mttelalters”.

III. Botimet e proveniences gjuhësore franceze dhe angleze, veprat e të cilëve kapin probleme më të mëdha se ato gjuhësore dhe probeleme më të gjera se  ato të hapësirës shqiptare, pra edhe ballkanike dhe europiane, me theks të veçante në hapësirën e ish- Perandorisë Osmane: Paul Geuthner, Honoré Champion, Nicolas Stroumzi, Baron Discamps, René Pomier, Athanas Gegaj, Justin Godart, Ami Bué, Jacque Ancel, Nikola Jorga, René Pinon, A. Degrand, Charles Woods, Victor Berard, Albert Mousset etj.      

 

[11] Mbështetur në “Listën e librave që ndodheshin në dy copë në Seminarin e albanologjisë – Beograd”, (bërë me dorë nga autor i panjohur) për bibliotekën e Institutit Albanologjik mund të merreshin këto vepra nga autorët shqiptarë apo të përkthyer në gjuhën shqipe, kryesisht deri në fund të Luftës së Dytë Botërore: Ali Asllani, Nikë Barcolla, Vebi Alikaj, Vaso Pasha, Filip Fishta, Gjergj Fishta, Mati Logoreci, Kristo Floqi, Adolf d’Ennery, Fatmir Gjata, Mihail Grameno, A. Gurra, Milto S. Gurra, Gaspër Gurakuqi, dy vëllime me Folklor, Naim Frashëri, Zef Giannini, Goethe, Et’hem Haxhiademi, Blasco Ibanez, N. Ivanaj, Lame Kodra, Vedat Kokona, Ernest Koliqi, Zhorzh Klemenso, Gjergj Komnino, Dr. Djevat Kortscha, Faik Konca (përhimi i librit Nën hijen e hurmave, është shkruar fillimisht por pastaj është fshirë, sepse si duket ishte vetëm një kopje dhe nuk mund të dhurohej), Kostan(tin) Kristoforidhi, Mitrush Kuteli, Michele Marchiano, Virgjili, Ndre Mjeda, Papa Kristo Negovani, Lasgush Poradeci, Vinçenc Prenushi, Ilo Mitkë Qafzezi, Giuseppe Schiro, Sterio Spasse, Villiam Shekspeare, Visaret e Kombit (vëllimet I, III, IV), Lyhon, Moliere, Pika, Plutarku, Guri Stevo, Bllazho Siliqi, Rolad e Stermik, Teki Selenica, Injac Zamputi dhe Lajosh Zilahy. Disa nga autorët, si Fishta, Naimi, Floqi, Haxhiademie ndonjë tjetër gjenden me dy vëllime, me nga disa tituj. 

 

[12] “Institutit Albanologjik,

Prishtinë

Verën e sivjeme e kam ndërmend me kalue në Zarë të Dalmacisë dhe në Krajinë (Krajë, v.j.) të Malit të Zi me qëllim mbledhjeje materiali për disertacionin t’im të doktoratit.

Po m’u ngjit dora materialsht prej atij Instituti do të kem mundësi qëndrimi mâ të gjatë në vendet e sipërshenjueme e pasojisht edhe kohë mâ tepër për mbledhje materiali gjuhësuer e fokloristik, të cilin do t’ja vejsha në dispozicion atij Instituti.

Me shpresë se kjo lutje do të mirret parasysh dhe në pritje të njij përgjegje së shpejtë, mbetem

Me nderime

(Idriz Ajeti)

Nënshkrimi

Beograd, më 22. VI. 1954.    

 

[13] Pishtinë, 5. VII. 1954

Vendimi nr. 212.

Prof. Idriz Ajetit, Beligrad

Në përgjegje të letrës s’uej date 22. VI. 1954, po ju kujtojmë sa vijon:

Në buxhtin e vet Instituti Albanologjik nuk parashikon ndonjë ndihmë materiale gjegjësisht ndonjë shpërblim financiar për punime gjuhësorë, folkloristikë etj., të cilët janë ende të padorzuem gjegjësisht ende të pakryem.

Prandaj vetëm mbassi të keni dhânë fund punimit që paskeni marrë përsipër me nisijativën t’uej, mund të shtrohet pyetja e shpërblimit përkatës prej anës s’Institutit.

V.F. – L. P.

Drejtori

Elhami Nimani”.

 

[14] Në letrën dërguar studiuesve të shënuar më lart, veç tjerash thuhej:

“ Shokë,

Dihet se e foluna e t’arbëneshëvet të Zadrës paraqet një interes madhuer për dialetolgjinë shqiptare. Dihet gjithashtu se arbënishtja  e Zadrës âsht tashmâ në shukatje, që të mos thomi, nëzhdukje e sipër.

Prandej imponohet një studjim deskriptiv systmatik njëheras edhe I fjalorit por mâsë forti i gramatikës s’këtij nëndialekti të gegënshtës.

Pa dushim arbënishten e Zarës e kanë studjaeedhe albaologë të hue m fame botënore, siç anëGustav Weigandi dhe Carlo Tagliavini.

Ndërkaq ne mendojmë se shqyrtimi përfundimtar, tâanësuer dhe i hollësishëm mund të kryhet soll prej pjesëtrëvet të vetë këaj kolonije, siç âsht rasa pikërisht me ju të tre.

KOnkretsht na proponojmë që shoku Budimir të marrë përsipër barren kryesore rreth gjurmimit të landës së duhun; por me kusht që, në fazën e mâtejme të systemimit dhe interpretimit të kësaj lânde, me shokun Budimir të bashkëpunojnë shokët Relja dhe Krsti?; kështu që ndjenja gjuhësore nevojisht pak a shum e lëkundshëme te çdonjâni prej jush, të qëndrueshëmohet /stabilizohet/ nëpër kritikën dhe kontrollin prej anës së dy tjerëvet.

Për mâ tepër na mendojmë se me qëllim që t’aftësoheni me synue me siguri dhe prehtësi të gjithë specificitetit nëndialektalë t’arbnishtës së Zadrës, âasht nevojë e domosdoshëme që të familjarizoheni me përbashktësinat e gegënishtes e madje me përgjithësinat e shqipes.

E për të ju lehtësue deri diku këtë veprimtari të dyanshëme, na proponojmë me knaqësi që me udhëzime të kërkuem dhe me sugjerime të rastit, si dhe me dërgime falas gjegjësisht huajtas të ndonjëj libri të nevojshëm për studjim apo konsultim, të ju vijmë në ndihmë”.     

 

[15] Shih “Marrveshjen për punë me honorar”, ndërmjet drejtorit të Institutit Albanologjik, Elhami Nimanit dhe Hasan Mekulit, student në Beograd, në Prishtinë, më 4. XI. 1954.

 

[16] Fjalorth terminologjik serbokratisht/frengjisht/shqip, Instituti Albanologjik në Prishtinë, Sekcioni i Gjuhësisë, Selman Riza e Mehdi Bardhi. Parathënia “Për plotësimin dhe qëndrueshmimin të terminologjisë shqipe” është shkruar nga prof. Selman Riza, shef i Sekcionit gjuhësuer pranë Institutit Albanologjik, 15. 4. 1955, Prishtinë, ff. I-XV + 97. (ruhet te R. I. ). Sipas Rexhep Ismajlit, Selman Riza, në serine e botimeve Selman Riza, Vepra, I, ASHAK, Prishtinë, 1996, f. VI.  

 

[17] Shih tekstet e botuara te gazeta “Rilindja”, Prishtinë: nr. 61 (dt. 30. VII. 1953, f. 5); nr. 63 (dt. 6. VIII. 1953, f. 5.); nr. 66 (16. VIII. 1953, f.5.); nr. 68 (23. VIII. 1953, f. 5); 72 (6. IX. 1953, f. 5.); 74 (13. IX. 1953, f.5); nr. 79 (1. X. 1953, f.5.) dhe 100 (dt. 13. XII. 1955.

 

[18] Shih, tekstet e botuara në vazhdime te gazeta “Rilindja”: nr. 105 (dt. 31. XII. 1953, f.5); nr. 5 (dt. 17. I. 1954, f. 5); nr. 9 (dt. 31. I. 1954, f. 5); nr. 13 (dt. 14. II. 1954, f.5); nr. 21 (dt. 14. III. 1954, f.5) dhe te gazeta e Shkupit në gjuhën shqipe “Flaka e vllaznimit”: nr. 281 (dt. 31. XII. 1953); 282 (dr. 20. I. 1954); 284 (dt. 16. II. 1954) dhe 286 (23. III. 1954).



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora