Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet sopranoja Ulpiana Aliaj

| E enjte, 06.06.2013, 05:22 PM |


Në vendet europiane femrat janë më të pavarura

Don Giovani një kryevepër e modernizuar e Mozartit

Problemet e femrës shqiptare, integrimi nëpërmjet arsimimit

Problemi më i madh i operës sot, investimi

Nga Albert ZHOLI

Një soprano që ka luajtur në të gjitha skenat europiane dhe që tashmë vjen në premierë në operën  “Don Giovani”, me muzikë të Mozartit. Kjo vepër ka 15 vjet pa u vënë në skenë në TOB, Tiranë dhe rivënia tashmë me një regjisor gjerman, tregon rëndësinë dhe emrin që ka formuar kjo operë. Sipas Ulpianës dhe pse tregu operistik është shumë i vështirë, për shkak të krizës, ajo kurrë nuk është penduar për profesionin që ka zgjedhur, madje për çdo ditë e dashuron më shumë atë. Problemet e femrës shqiptare janë disa por ajo veçon kryesisht atë të integrimit dhe të rritjes së nivelit intelektual nëpërmjet studimit.

Çfarë përbën për ju roli i Donna Anna, në operën me dy akte të Mozartit “Don Giovani”?

Kjo operë është kryevepër botërore e Mozartit kështu që për mua është një rol shumë i rëndësishëm. Unë në këtë kryevepër do të interpretoj Donna Anna, e cila është një ndër femrat e Don Giovani-t, n.q.s do ta quajmë kështu. Dihet që sipas Molierit ajo ka qenë një ndër femrat e tij të preferuara, ku i ati i saj vritet prej Don Giovani-t dhe gjithë drama zhvillohet rreth kësaj ngjarjeje që ndodh që në fillim të operës. Është tepër interesant fakti që kjo operë fillon me një vrasje dhe duke u shtirë në gjithë inskenimet e tjera, dalin në pah dhe marrëdhëniet që ka pasur Don Giovani me femra të ndryshme. Secila nga ne, apo nga personazhet mashkullor apo femëror, kanë një individualitet të veçantë dhe kjo është një gjë shumë specifike për këtë operë, sidomos për Mozartin.

Kush është më e veçanta e kësaj opere sipas këndvështrimit tuaj?

Në aspektin muzikor dhe nga ana tjetër në atë skenik, kjo operë është një kryevepër për vetë faktin se si ne po e vëmë në skenë në këtë produksion, është modernizmi dhe koha në të cilën është sjellë si vepër, përderisa është një vepër, superklasike, që në Shqipëri ka plot 15 vjet pa u vënë në skenë dhe kjo rivënie sjell një frymë totalisht të re, në një inskenim  të ri. 

Për ju është hera e parë që e luani këtë rol, pra premierë, si ndiheni?

E motivuar dhe e emocionuar, pra të dyja së bashku. Të luash kryevepra të tilla, është një shans i madh për të vënë në pah aftësitë dhe cilësitë e tua individuale. Kushdo e dëshiron të luajë një vepër të tillë.

Në Itali,  çfarë vendi zë kjo kryevepër në skena të ndryshme?

Kjo kryevepër quhet, vepër repertori, pra një vepër që luhet gjithmonë nga trupa të ndryshme me shtrirje gjeografike në të gjithë Italinë. Në teatrot më të rëndësishme të Italisë, kjo vepër luhet shpesh pasi ka një famë të tillë, që koha nuk ja zbeh, por ja lartëson vlerat.

Kohët e fundit, ku keni dhënë shfaqje?

Unë sapo jam kthyer nga një produksion në teatrin e Rovenës (TOB),  i cili ka bërë një xhiro tepër të rëndësishme në Torino, Verona. Në Romë, Trieste, Parma, Breshia, Padova, thuajse në të gjithë Italinë me një produksion që ka të bëjë sërishmi me një vepër mozartiane, “Flauti magjik”, ku kam interpretuar Paminën, ku kam luajtur në shumë vende të ndryshme.

Sot a shikoni që ka një afrim , apo më mirë të themi një shtim të numrit të spektatorëve në TOB?

Unë dhe pse më shumë kam kontrata me jashtë dhe pse kohën më të madhe e kam në kontratat me Italinë, me opera të ndryshme, shikoj  me shumë kënaqësi që në TOB, por rritet numri i spektatorëve dhe frekuentimi nuk është vetëm i një numri të përvitshëm. Kjo më ngazëllen pasi shikoj se interesimi i spektatorëve tregon kulturën e Tiranës dhe në këtë gjini arti pak sit ë vështirë. Ky fakt përcjell tek unë një ndryshim pozitiv pasi tashmë mendoj se numri i spektatorëve do të vij gjithnjë në rritje, sepse për mua opera duhet të prekë të gjitha shtresat e shoqërisë, pavarësisht se është një art që quhet “elitar” për shkak të përzgjedhjes, për shkak të formimit që kërkon vepra, për interpretimin , apo për  të paraqitur këtë lloj arti. Për mua ai që është ulur në karrigen e spektatorit nuk duhet dhe nuk ka asnjë lloj diferencimi nga të gjithë spektatorët e tjerë.

Në botë këngëtarët operistikë, kanë kontrata fikse?

Jo! Aspak, janë kontrata që funksionojnë, në bazë  të produksioneve. Pas Tiranës unë do të vazhdoj projektet e mia, ndoshta dhe larg Italisë. Puna jonë është në lëvizje, një punë mjaft e gjallë që prek të gjitha vendet europiane, ku opera vlerësohet shumë.

Kërkesat më të shumta në tregun operistik kush i ka më shumë, sopranot apo mezosopranot?

Kjo varet, cila vepër operistike vihet në skenë. Pra vepra të ndryshme kërkojnë këngëtarë të ndryshëm. Disa herë në një vepër duhen më shumë soprano, por ka vepra të tjera që duan mexosoprano. P.sh “Flauti magjik” apo “Rigoleto” duan mexosoprano. Ndërsa në veprën që po vëmë tani mexosoprano duhet dhe nuk duhet, por duhet më shumë soprano. Pra varet  nga vepra, titulli i veprës. Tjetër “Karmen” do patjetër mexosoprano, e kështu me radhë.

Sot aktualisht a ka probleme opera në Shqipëri?

Probleme më i madh është ai financiar. Ky problem është tepër konkret që e vuan çdo familje shqiptare, e cila për të arritur deri tek opera ka shumë rezerva. Pastaj dihet se në raste krizash, kultura është ajo që preket më shumë dhe zvogëlohen fondet. Nuk duhet të ndodhë, por ne jemi në këtë situatë ndaj është shumë e mirë që ne të vëmë diçka në skenë edhe në këtë situatë. Shpresojmë të kemi përmirësim, pasi kjo situatë sjell rënie niveli, apo kompromise të tjera, që mbase nuk do të jenë të mira për trupat profesionale.

Ju në një pozicion mjaft të lakmuar, po në tërësi femra shqiptare a ndihet e vlerësuar?

Unë di të them se profesioni im apo i shumë kolegeve të mia ndihmon për një pozitë të mirë në shoqëri. Përsa i përket femrës shqiptare shikoj se, për çdo ditë, femra shqiptare po pozicionohet me vështirësi, në çdo fushë, apo në çdo aspekt tjetër të shoqërisë, por dua të them që nuk është masive, nuk është aq sa duhet dhe realiteti tregon për një angazhim të vogël të saj. Pra një proces, ku femra po pozicionohet, por me shumë vështirësi. Besoj se ka vend për më mirë dhe për më shumë.

Cili është problemi më i madh i femrës shqiptare sot?

Integrimi, pra ajo që ka të bëjë me formimin personal. Në vende të tjera të europës femrat, duke qenë më të integruara më të pavarura ekonomikisht, kanë një  status pak më të avancuar.  Të jesh me një nivel të lartë intelektual sigurisht të jep shumë avantazhe dhe në pozicionimin në jetë. Në kushtet në të cilin jemi mendoj se, femra duhet të bëjë më shumë për integrimin dhe arsimimin e saj.

Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?

Aspak. Asnjëherë. E kam dashur dhe e dua njëlloj, madje mund të them se për çdo ditë dhe më tepër më rritet dashuria për profesionin tim.

Një përkufizim për dashurinë. Ç’është dashuria për ju?

Është një ndjenjë që asnjë tjetër nuk mund ta plotësonte, pavarësisht aspektit profesional, apo jetësor,  apo në çdo lloj fushe tjetër.  Dashuria është mbi të gjitha, sigurisht, që duke qenë një ndjenjë sublime, është  ajo që të plotëson dhe të ndihmon, që të  plotësosh dhe çdo gjë tjetër rreth teje.

Cilin kini kritikun më të ashpër në profesion, nënën apo babanë?

Kritika është pjesë plotësuese e asaj që bëhet, pra kritikat janë formuese, për të bërë më të mirën në rrugën time të artit. Pra, nëna dhe babai për mua kanë të njëjtën dashuri, që për punën nuk bëjnë as më të voglin lëshim. Kritika dashamirëse do t’i quaja kritikat e tyre.