Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Pranvera durrsake nën ritmet poetike

| E enjte, 06.06.2013, 06:00 PM |


PRANVERA  DURRSAKE,  NËN  RITMET  POETIKE

Mbresa nga Festivali Poetik “Pranvera Poetike Durrsake”

NGA PËLLUMB GORICA

Çdo pjesëmarrje nëpër ngjarjet kulturore të sjell emocione dhe përvojë të veçantë e sidomos kur përmes frymës së shenjtë të poezise dhe përhapjes së kësaj fryme në këto festa, manifestohen vlera. Jo pak klube e shoqata poetësh veprojnë kudo në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, një pjesë e të cilëve si Klubi i Krijuesve Jonian” i Sarandës, Klubi i Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, Jehona e Karadakut në Kumanovë, Ars Clubi "Beqir Musliu" Gjilan, Shoqata e Poetëve dhe Shkrimtarëve të Pejës e ndonjë tjetër realizojnë veprimtari letrare me nivel, konkuruese të përvitshme e me frymëmarrje të re, por edhe pjesëmarrje poetësh nga treva të ndryshme.

Ftesa e miqëve të mi poetë durrsakë më gëzoi me dëshirën për të marrë pjesë në festivalin poetik “Pranvera Poetike Durrsake”,si një nga veprimtaritë më të rëndësishme e më të mirpritura për botën e krijusve të këtij qyteti. Mbresat ndikuan në dëshirën për të shkruar.

Klubi i poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit sigurisht meriton përgëzime për organizimin e tyre. Aty shpesh zhvillohen veprimtari të ndryshme: promovime librash, ditë poetike, ditëlindje krijuesish, ndajnë opinione mes tyre rreth veprimtarive letraro-artistike, komentojmë krijimet që i konsiderojmë moto të jetës, kuptimin e tyre e gjithçka tjetër, që ua mundëson gjuha e artit dhe shpirti poetik. Kjo e bën këtë gjë si një libër të hapur, ashtu siç shprehet një shkrimtar: “shoqëri është ajo me bukuri mendore e madhështi shpirti”. Dhe mund të shkruash ndryshe apo të zbukurosh ato për t’i paraqitur në sytë e të tjerëve si të mrekullueshme, por duke krijuar kështu një përvojë të bukur të festimit të tyre meritohet të evidentohen vlerat, përjetimet e këndshme, si një mozaik i bukur ndjesish. Festivali Poetik “Pranvera Poetike Durrsake” u realizua me shumë sakrifica e pa mbështetjen e përkrahjen inkurajuese nga instucionet shtetërore. Ndonëse me vështirësitë, poetët e Klubit të Poetëve, Shkrimtarëve të Durrësit krijuan një mjedis tërheqës e të larmishëm. Dhe, duke u shprehur se Festivali Poetik “Pranvera Poetike Durrsake” për nga rëndësia, mënyra e organizimit, por edhe për pjesëmarrjen e poetëve nga Saranda, Shkodra, Elbasani, Tirana ngjalli interes të veçantë. Me praninë e saj e nderoi këtë festë poetike edhe Flora Brovina, kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe dhjetra poetë nga Gjilani, Prishtina, Kastrioti.

Festivalin Poetik “Pranvera Poetike Durrsake” e parapriu promovimi i librit “Triumfi i kombit” i autorit Skënder Kapiti. Kryetari i Klubit të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit shkrimtari Nikolla Spathari, në çelje të këtij festivali, theksoi rëndësinë që kanë veprimtari të tilla për komunitet krijuese dhe artdashësit e një qyteti. Atmosferë e përcjellë ndërmjet edhe një pjesmarrje të lexuesve të shumtë durrsakë, që mbushën sallën e teatrit “Aleksander Moisiu”, në këtë promovim, por edhe e lexuesve nga treva të Kosovës. Studiuesit referues, Vladimir Muça, Bedri Tahiri, Daut Hoxha e tjerë e vlersuan botimin në aspektin historik të momenteve kyçe që kaloi kombi ynë.

Të ngelen në kujtesë episode nga kjo festë poetike. Të natyrshme e tepër emocionuese, vizitat e poetëve në galerinë e arteve figurative e ata nuk "ngopen" me përjetimet e këndshme që vërtiten rreth artit. Galeria e Arteve Figurative në Durrës, e hapur në ambintet të reja në qendër të qytetit, shpërfaqte artin realist, të traditës e deri tek arti modern. Të mrekulluar nga ajo që vështrojnë, befasohen nga pikturat e Gavril Priftulit, Nikolet Vasia, Shpresa Beqirit. Edmond Agolli, poet dhe drejtues i Muzeut Etnografik dhe Galerisë së Arteve Figurative ndjehet natyrisht entuziast kur arti përçon vlerat e tij shpirtërore. Si një moment i bukur, poetët e vlerësuan edhe vizitën në muzeun Etnografik, dikur shtëpi banimi e familjes së  aktorit të madh të skenës, Aleksandër Moisiu. Më pas, poetët të rrëmbyer nga dëshirat rendin të shëtisin pranë bregut të detit, e të soditin pamjet e bukura e tërheqëse, por edhe monumentet e lashtësisë së Durrësit, kalanë, Amfiteatrin, sheshin “Taulantia”, të vizitojnë edhe studion e skulptorit Idris Balani. Dielli i kësaj pranvere të lagësht, i rrethuar nga tufa resh të përhimta, teksa lëshonte rrezet ndërmjet të çarave të tyre u gëzonte syrin. Në ambientet e restorant “Drenicës” shijuan një drekë të këndshme në trokitjen e gotave dhe emocionet e bisedave, vargjeve, muzikës. Deti, pak metra më tej, nanurisej nën lëkundjen e dallgëve aty ku qindra pushues përjetojnë magjinë që dhuron ai bujarisht, rrezet e diellit dhe rëra. Restorant “Drenica” u bë i njohur në ditët e vështira të luftës së Kosovës, në vitin 1999, duke u kthyer në një bazë të UÇK-së, e cila mirëpriti, strehoi e dërgoi në frontin e luftimeve djemtë që vinin nga Europa e Amerika e largët për të dhënë kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës nga makina shoviniste serbe.

Pastaj erdhi mbrëmja e poetët i mblodhi përsëri së bashku si tufa zogjësh. Duke perfomuar artin e tyre, si indentifikim i bukur i unit në vargje, poetët në orën letrare të mbajtur në ambientet e kompanisë “Sigal”, i cili shpesh herë po bëhet promovues i vlerave krijuese të Durrësit, paraqitën portretin e tyre krijues e shpirtëror, që të bëjnë të shtegtosh jo vetëm me mendime, po edhe me ëndrra. Si një kuvendim i bukur apo si gjerdan i larmishëm i vezullimeve poetike, ujëvarat e emocioneve krijonin larmi, ngjyra, aroma ndjenjash. Të memorizuara në shiritin e tyre metaforik, u shpalosën krijime në segmente ndjesore. Kështu që, të nguliten në mendje vargjet e poetëve: Agim Bajrami, Bardhyl Agasi, Adem Zaplluzha, Agim Mato, Alma Begaj, Vaso Papaj, Sabit Rustemi, Lindita Ramushi, Luan Jaupaj, Fatmir Musai, Timo Mërkuri, Etmond Agolli, Beatriçe Balliçit, Abdyl Kadolli, Shyqyri Galica, Jaho Margjeka, Vladimir Muça, Kabil Bushati, Dashamir Malo, Pandeli Koçi, Hyqmet Hasko, Xhevahir Cirongu, Shahin Ibrahimi, Violeta Allmuça, Etleva Tafa, Alfons Zeneli etj.Interesante dhe një risi ishte forma e paraqitjes, konkurrimit të krijimeve për të vlerësuar më të talentuarit : Jaho Margjekën, Agim Baramin, Agim Maton, Sabit Rustemin e Alma Begajn.

Emocione dhuruan edhe momente të tjera festive, në një ambient tjetër të këndshëm buzë detit, në restorantin “Tivari”. Ajri i freskët, muzgu i mbrëmjes, bregu i detit, të cilat padyshim janë një kënaqësi e veçantë e atmosferë e ngrohtë miqësore midis krijuesve. E kjo ndihej në harenë e këndshme e pasqyruar me humor, këngë, vlerësime, biseda e ndjesi të një ditënate në festën e poeteve. Me pak fjalë, e thënë shkurt, festivali poetik “Pranvera Poetike Durrsake”, rrezatoi vlera e dritë hyjnore.

 

Nikolla Spathari, kryetari i Klubit të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Arstistëve të Durrësit duke përshëndetur poetët

 

Pjesmarrës në Festivalin Poetik “Pranvera Poetike Durrsake”

 

Poeti Agim Bajrami fituesi i vendit të II

 

Poeti nga Gjilani Sabit Rustemi fitues i vendit të III

 

Poetesha  durrase Alma Begaj, fituese e vendit të III

 

Poeti nga Tirana Pandeli Koci

 

Poeti durrsak Vladimir Muca

 

Autori i reportazhit, duke recituar poezinë kokuruese, Lumenjtë e mallit